-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Islami në Australi

Më të lexuarat

AUSTRALIA

Emri zyrtar: Australia e Komonuelthit
Kryeqyteti: Kanbera
Sipërfaqja: 7.686.850 km2
Numri i banorëve (2003): 19.731.984, prej tyre 84% jetojnë në vendet urbanistike.
Religjioni: mysliman 1,4%; budist 0,8%; çifut 0,4% dhe të krishterë 74%, nga të
cilët 27% katolikë, 23% anglikanë, 8,2% kisha e bashkuar, 4,3%
presbiterian, 2,8% ortodoks, 1,7% baptist, 1,5% luterian dhe 0,5% jezuit.


POPULLATA MYSLIMANE

Harta demografike. Shtatëdhjetë e katër për qind të banorëve të Australisë identifikohen me ndonjërën prej grupeve të krishtere. Ndërsa njëzet e gjashtë përqindëshi tjetër ndahet në pakica të tjera fetare në mesin e të cilëve myslimanët përbëjnë shumicën.
Numri dhe shtimi i popullatës myslimane. Sipas regjistrimit të banorëve, për vitin 2001, numri i myslimanëve në Australi arrinte shifrën në 281.578, që përbënë 1,4% të popullatës së përgjithshme. Ndërkaq që, shënimet jo zyrtare tregojnë për një numër shumë më të lart, i cili tejkalon shifrën 350.000, apo më tepër se 2% të popullatës së përgjithshme.
Regjistrimi i vitit 1971, ishte regjistrimi i parë në të cilën numri i myslimanëve ishte i mjaftueshëm, që në përgjithësi të mund të përmenden ndaras. Sipas këtij regjistrimi, numri i myslimanëve në Australi ishte 22.311, që përbënte 0,2% të popullatës së përgjithshme. Nuk ka asnjë dyshim se numri i vërtet i myslimanëve ka qenë dukshëm më i madh nga ajo që ka dalë nga ky regjistrim. Popullata myslimane në mënyrë konstante rritej. Shkaku themelor i kësaj rritjeje ishte emigrimi. Faktori i dytë që kontribuonte në rritjen e popullatës myslimane të Australisë relativisht ishte shkalla e lart e lidhjeve martesore dhe shtimi natyror. Shumica e femrave myslimane martesat i bënin më së voni deri në vitet e para të njëzetave dhe lindnin shumë fëmijë. Shtimi i popullatës myslimane nga shkaqet e kalimit në islam prej grupeve tjera fetare relativisht ishte i vogël.
Përhapja gjeografike. Myslimanët në Australi kryesisht janë vendosur në Sidnei (50%) dhe Melburn (32%). Pjesa tjetër e popullatës myslimane janë të vendosur nëpër qytete më të mëdha si; Wolgong dhe Newcastle, Geelong, Brisban dhe Gold Cast/Tweed, Adellaide, Perth, Hobard, Darwin dhe në Cambera Queanbeyan. Jashtë qyteteve të mëdha të Australisë jetojnë vetëm 4,3% e myslimanëve të këtij vendi.

Struktura në vjetërsi dhe gjini. Pjesa dërmuese e shumicës së myslimanëve në Australi (54%) janë të moshës më pak se 25 vjet. Afër 53% janë meshkuj, që janë në shumicë nga femrat të çfarëdo qoftë moshe. Proporcioni i meshkujve kundruall femrave është 1,12, derisa ky proporcion për popullatën australiane është 0,985. Shumë shpesh, sqarimi për këtë fakt qëndron mu aty se meshkujt janë iniciatorët më të shpeshtë të emigrimit se sa femrat. Gjithashtu, meshkujt më përpara se sa femrat e marrin vizën për vendqëndrim, dhe përgjithësisht meshkujt janë ata që më parë emigrojnë, e pastaj e tërheqin edhe pjesën tjetër të familjes.

PREJARDHJA DHE GJUHA

Regjistrimi i vitit 1996, tregon për më tepër se një të tretën e myslimanëve australian të kenë lindur në Australi, që për shembull është më i madh se rasti me hindusë dhe budistë, ndërsa më i vogël nga ai çifut, katolik dhe të pjesëtarëve nga kisha e bashkuar. Numri më i madh i myslimanëve australian vjen nga Turqia, Libani, nga hapësirat e ish Jugosllavisë (kryesisht, pas shkatërrimit të saj-nga Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova), si dhe nga Qiproja. Vendet tjera të prejardhjes së myslimanëve australian, me më shumë se 1% dhe më pak se 5% të popullatës së përgjithshme myslimane në Australi, janë Malajzia, Indonezia, Egjipti dhe Fidxhi. Nga regjistrimi i vitit 2001, myslimanët e Australisë bëjnë të njohur për më tepër se shtatëdhjetë shtete të ndryshme si vende të prejardhjes së tyre, që i bënë ata të jenë grupi më i madh etnik i besimtarëve në Australi.
Myslimanët e Australisë, në shtëpitë e tyre përveç gjuhës angleze, flasin së paku edhe në tridhjetë gjuhë tjera, nga të cilët më të pranishme janë gjuha arabe, turqishte, boshnjake etj.

STRUKTURA ARSIMORE DHE SOCIALO-EKONOMIKE

Arsimimi. Vlerësimet tregojnë se më tepër ka mysliman me arsimim të lartë (shkalla e dytë dhe e tretë)-se sa popullata e përgjithshme e Australisë. Meshkujt mysliman 3,09% dhe femrat 1,02%, kurse ndër australian ky vlerësim është-meshkuj 1,43%, ndërsa femrat 0,54%. Ndër ata, mjerisht është edhe përqindja më e madhe e atyre që janë të pa kualifikuar. Në të gjitha kategoritë tjera të arsimimit dhe të përgatitjes profesionale, për dallim nga popullata e përgjithshme, vlerësohet se myslimanët janë në një pozitë varëse. Vërehet edhe një gjë, se në të gjitha kategoritë e profesioneve themelore dhe të mesme si dhe në ato të pa kualifikuara, meshkuj ka më shumë se sa femra.
Ndonëse shumica e myslimanëve në Australi e zotërojnë mirë gjuhën angleze, shembujt e hulumtimeve nëpër disa lokalitete kanë treguar se një e treta e myslimanëve të Sidneit, dhe një e katërta e myslimanëve të Melburnit, janë deklaruar se nuk janë në gjendje të aftë që të shërbehen me gjuhën angleze.
Punësimi. Norma e të zënit me punë është 37,5% (47% meshkuj dhe 25% femra), që përafërsisht është nën nivelin e përqindjes nacionale. Rezultatet e të pa punësuarve prej 22% për meshkuj dhe 14% për femra tregojnë se përafërsisht janë nën nivelin e përqindjes nacionale. Nga ana tjetër, vlerësimi prej 41% për ata që nuk i takojnë fuqisë
punëtore është diçka pak nën nivelin e përqindjes nacionale, e që në shumicë këta janë nga struktura e të rinjve të popullatës myslimane.
Profesioni. Profesionet më të shpeshta të myslimanëve, sipas prioritetit të vlerësimeve të paraqitura, janë punët e rënda fizike dhe punë të tjera të ngjashme (21,08% meshkuj të punësuar dhe 20,51% femra, në krahasim me 13,1% nga popullata e përgjithshme), pastaj punët nëpër plantacione, të drejtuarit me makina të ndryshme dhe punët e vozitësit (18,79% meshkuj të punësuar dhe 11,78% femra në krahasim me 12,7% nga popullata e përgjithshme), tregti (8,31% meshkuj të punësuar dhe 17,03% femra në krah.. me 7% nga popullata e përgjithshme) dhe punët komerciale, derisa nëpër shërbimet shtetërore, me punët gjysmë profesionale dhe profesionale, si dhe me punët e menaxhmentit dhe të administratës, myslimanët shumë pak prezantohen. Myslimanët janë të pranishëm edhe në prodhimtarinë industriale, por kryesisht si fuqi punëtore.
Të ardhurat. Sikurse që është rasti edhe me të gjitha bashkësitë tjera të emigrantëve, po ashtu edhe myslimanëve u duhet një kohë për ndërtimin e profilit personal kur është në pyetje shpërndarja vjetore e të ardhurave për familje. Sipas regjistrimit të vitit 1991, profili i bashkësisë myslimane nuk dallon shumë nga modeli nacional i shpërndarjes vjetore në të ardhurat, që donë të thotë se përqindja më e madhe është e atyre familjeve të cilëve të ardhurat vjetore u sillen mes 16.000 dhe 25.000 dollarë australianë, dhe atyre mes 40.000 dhe 80.000 dollarë australianë, ndërsa përqindja më e vogël është e atyre me nën 8000 dhe 80.000 dollarë australianë.

HISTORIA

Edhe pse myslimanët e parë të përhershëm u vendosën në Australi gjatë shekullit XIX, apo më herët, shumica dërmuese e myslimanëve australianë janë vendosur në shek. XX, kryesisht pas Luftës dytë botërore.
Kontaktet e para të myslimanëve me Australinë. Pasi që islami ende gjatë shek. XIV, me të madhe ishte përhapur në Azinë juglindore, ekzistojnë indikacionet që myslimanët të kenë hulumtuar veriun e Australisë edhe më herët. Megjithatë, ajo që dihet me siguri është se, madje edhe para se të vendosen evropianët në Australi, në shek. XVII dhe XVIII, ekzistonin kontaktet e para të rëndësishme dhe të rregullta mes popullit aborixhan të Australisë dhe myslimanëve të quajtur makasan (Macassan) që përbëheshin nga ekuipazhet e peshkatarëve dhe tregtarëve, nga Indonezia, dhe që disa prej tyre për një kohë të caktuar vazhdonin jetën në veriun e largët të vendit-kontinentit. Makasanët, që islamin e kishin përqafuar në fillim të shek. XIX, bënin tregti me aborixhanët të cilët për afërsisht që nga viti 1650 e deri në fillim të shek. XX, kishin jetuar përgjatë bregdetit verior. Konsiderohet që makasanët me ndikimin e tyre bënë plotësime në gjuhët e aborixhanëve, për çka ekzistojnë dëshmitë të anijeve të vizatuara nëpër shpella, pastaj vokabulari e, posaçërisht me foljet e parregullta që realizoheshin nga gjuha e makasanëve që u bënë të përvetësuara nëpër vende më të përhapura dhe më të njohura të gjuhës aborixhane të Australisë verilindore në rajonin Arnhem Lland.
Vendosja e parë e përhershme. Vendosjen e përhershme të myslimanëve në Australi mund ta ekzaminojmë në disa faza. Grupi i parë më i rëndësishëm që kanë arritur
në Australi në shek. XIX, kanë qenë legjendarët afgan që ishin grahës të deveve. Afër 3000 grahës devesh, më shumë se gjashtëdhjetë vjet bënë sigurimin e transporteve më vitale nëpër pjesët e pa arritshme të Australisë e deri tek zbulimet e vendeve të pasura me ari. Afganët e famshëm ishin pjesëmarrës në ekspeditat hulumtuese dhe luajtën një rol të rëndësishëm në disa projekte të mëdha dhe të vlefshëm, duke u kyçur edhe në vendosjen e lidhjes telegrafike mbitokësore (Overland Telegraf Line) 1870-1872. Deri në fund të shek. XIX, u ndërtuan xhamitë e para në qytetet Adelaide, Coolgardie, Maree, Broken Hill dhe Perth. Disa prej tyre edhe sot ekzistojnë.
Diskriminim politik apo “Australia e bardhë”. Pas udhëheqësve afgan që prinin me deve, deri në mesin e shek. XX në Australi filluan të vendosen kryesisht studentët, ekspertët e profesioneve të ndryshme, njerëz afarist dhe zyrtar shtetërorë të cilët në Australi vinin për shkaqe karrieriste të tyre. Para se gjithash, shkaku i këtyre ishte ligji i vitit 1901, që përkufizonte emigrimin në Australi (Imigration Restriction Act) , i cili edhe zyrtarisht rivendosi parimin për “Australinë e bardhë”. Ky ligj në mënyrë eksplicite bënte diskriminim ndaj potencialit të ngjyrës tjetër të emigrantëve e që në mes tjerash, drejtë për së drejti vinte në shprehje edhe në zhvillimin e popullatës myslimane në Australi.
Vala e dytë me rëndësi e ardhacakëve. Vetëm pas Luftës Dytë Botërore, veçmas kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta të shek. XX, me ndryshimin e politikës australiane për emigracion dhe shpërthimin e luftës qytetare në Liban, filloi një ardhje e dukshme e emigrantëve myslimanë, shkaqet dhe motivet e të cilëve ishin të natyrës ekonomike dhe politike. Grupet më të mëdha të emigrantëve myslimanë që arritën në këtë periodë ishin nga Turqia dhe Libani.
Fillimet e viteve të nëntëdhjeta e deri në fund të shek. XX, për arsye të luftërave në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë si dhe në Kosovë, u regjistrua një numër i konsiderueshëm i myslimanëve të ndjekur, të cilët nga dhuna e shkatërrimeve luftarake, krimeve dhe gjenocidit, u larguan nga vatrat e tyre, duke gjetur strehim në Australinë tej oqeanike. Politika për imigrim e Australisë duke aplikuar kategori të reja dhe të përkohshme për emigrantë, këtyre të pa strehëve ua mundësoi që në këtë kontinent të qëndrojnë përhershëm.

ORGANIZIMI FETAR

Që nga viti 1957, kur janë shënuar formimet e para të bashkësive islame në Australi, njëra në Viktori dhe tjetra në N. S. W.(New South Wales), myslimanët e Australisë, pakë a shumë i tubon dhe i përfaqëson organizata e trefishtë e bashkësisë islame, që në mënyrë të rregullt është e regjistruar në të gjitha organet shtetërore të të gjitha niveleve. Atë, në mënyrë formale dhe juridike e përbëjnë organizatat lokale islame (xhemati), tetë këshilla islame dhe Federata Australiane e këshillave islame. Në organizimin e myslimanëve vend i veçantë u takon xhamive dhe imamëve.
Organizatat lokale islame (xhemati). Si njësi themelore organizative e bashkësive myslimane në Australi, janë formuar organizatat lokale islame (Islamic Societies, Communites, Centers…) respektivisht xhemati me Këshilla drejtues në krye të cilëve janë imamët. Këto organizata përkujdesen për çështjet dhe punët e bashkësive lokale
myslimane, ndërtimin e xhamive, blerjen dhe huazimin e hapësirave tjera të nevojshme, sigurimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të tyre.
Organizatat lokale islame, merren edhe me aktivitete tjera ku mund të kyçen edhe shërbimet humanitare shëndetësore, orët vijuese për gjuhë, aktivitetet e ndryshme sociale, konsultative, këshillëdhënëse dhe kulturore. Organizimet nëpër organizata lokale islame kryesisht bëhen sipas çelësit etnik, që para se gjithash janë të kushtëzuar për shkak dallimeve kulturore dhe gjuhësore te myslimanët e Australisë.
Këshillat islame (IC). Në çdo shtet dhe territor australian, si njësi organizative e bashkësive islame të shkallës dytë në Australi, ekziston nga një këshill islame (Islamic Council), të cilët përfaqësohen nga organizatat lokale islame të shteteve apo territoreve përkatëse. Anëtarësimi nëpër këshillat islame bëhet vullnetarisht. Megjithatë është tendenca, që të gjitha organizatat lokale islame të jenë anëtare në ndonjërën nga tetë këshilla, në mënyrë që këshillat, detyrë themelore e së cilave është të koordinuarit e interesave dhe aktiviteteve të organizatave islame brenda një shteti, të jenë sa më efektive në plotësimin e misionit.
Federata Australiane e Këshillave islame (AFIC). Federata Australiane e Këshillave Islame (Australian Federation of Islamic Councils), të cilën e përbëjnë Këshillat islame e të gjitha shteteve australiane, është një përfaqësi e shkallës tretë dhe trup koordinues në nivelin e gjithë territorit Australian. Krahas asaj që bënë koordinimin e aktiviteteve të këshillave islame, FAKI prezanton interesat e myslimanëve Australian në planin federal dhe ndërkombëtar, ofron shërbime të shumta arsimore, kulturore dhe fetare, ndihmon në sigurimin e rrogave islame, si dhe nxjerr certifikata që në industrinë e mishit të Australisë të theren bagëtitë sipas dispozitave islame (hallall).
Ndonëse organizimi i myslimanëve Australian në nivel shtetëror heq rrënjët që nga viti 1964, ata organizimin e sotëm të tyren në formën e shkallës së tretë (organizatat lokale, këshillat islame dhe FAKI) e arin tek në vitin 1974.
Krahas këtyre strukturave organizative të bashkësive islame të theksuara, në Australi ekzistojnë edhe asociacionet e xhematëve të ndryshëm dhe të bashkësive lokale islame me simptome etnike.
Xhamitë. Simboli fizik i pranisë islame dhe të myslimanëve në një bashkësi është xhamia. Për myslimanët e Australisë xhamia para se gjithash është vend për kryerjen e namazeve të rregullta ditore dhe të kohë pas kohe, por edhe shoqërimi dhe ndërrimi i informatave në gjuhën e atyre vendeve nga të cilat kanë ardhur në Australi. Hytbeja e xhumasë, të premteve, si dhe mësimet fetare gjatë vikendit, për ta paraqesin mishërim ndaj mësimeve fetare dhe njohuri e informata më të mira mes xhematit.
Në Australi ekzistojnë afër 100 xhami dhe qendra islame, prej të cilave 35 gjenden në Melburn, kurse 40 në Sidnej. Xhamia e parë në Australi u ndërtua në vitin 1861, në vendin Marree në Australinë Jugore, ndërsa xhamin e parë më të madh e ndërtuan grahësit afgan të deveve në vitin 1890, në vendin Adelaide. Kurse xhamitë e para me madhësi më të mëdha u ndërtuan në vitin 1976, në New South Wales dhe Victori. Xhamitë më të mëdha në Australi gjenden në Lakemb dhe Auburn (N.S.W.), Prinston, Broadmeadows dhe në Deer Park (Victori). Këto si dhe shumica e xhamive tjera financohen nga bashkësitë lokale myslimane, e ndonjëherë edhe prej ndihmave të myslimanëve nga jashtë. Në Australi të gjitha xhamitë nuk janë xhami klasike, me minare dhe kupola. Disa xhami janë, thjeshtë, vende për kryerjen e namazit (mesxhidet), dhe përbëhen nga një hapsin, që si zakonisht ato janë të shtruara me tepih, në të cilën si simbol i improvizuar gjendet mihrabi që tregon drejtimin e Qabesë. Xhamitë tjera janë ngushtë të lidhura me shkollat islame (shkollat e vikendit apo mektebet) në të cilat vijohet mësim-besimi, edhe organizohen manifestimet e rëndësishme fetare apo të atyre nga bashkësitë etnike përkatëse.
Në rrethin e çdo shkolle private islame gjendet edhe xhamia apo mesxhidi, që shërben njësoj si për nevoja të nxënësve e po ashtu edhe për popullatën lokale myslimane. Shumica dërmuese e xhamive dhe mesxhideve janë pronat e vetë myslimanëve australian, derisa një numër më i vogël i tyre, kryesisht mesxhidet, që janë të vendosur nëpër hapësirat e zbrazura dhe të huazuara. Gjinden aty këtu (në pakicë) xhamit e ndërtuara sipas modelit dhe stilit oriental, me minare, kupola, dhe me elemente tjera klasike të arkitekturës islame. Pranë mbi shkrimeve në varr, kapistrave, dhe dekorimeve të brendshme të mesxhidave si dhe hapësirave tjera myslimane me të cilat disponon bashkësia islame në Australi, këto xhami paraqesin bukurinë e vetme kulturore të myslimanëve australian.
Imamët. Në krye të çdo bashkësie lokale islame (xhematit) gjendet autoriteti fetar-imami, i cili, kryesisht dërgohet nga vendi i prejardhjes së anëtarëve të bashkësisë. Kështu ndodhë në disa raste, sepse vendi i prejardhjes së xhematit, i ofron bashkësisë ndihma financiare, kurse në rastet tjera bashkësitë thjeshtë dëshirojnë ta sjellin personin nga mesi i afërt i tyre. Disa imamë paguhen nga organizatat qeveritare dhe jo qeveritare, që janë jashtë Australisë, ndërsa të tjerëve rrogat ua sigurojnë vetë bashkësitë lokale islame nga anëtarët e rregullt të bashkësisë dhe nga të ardhura tjera të dedikuara për interesa të bashkësive. Qeveria Australiane nuk ofron kurrfarë ndihme ekskluzive për aktivitete fetare e as për financimin e nëpunësve fetar.
Në Australi ende nuk ekzistojnë kushtet që të interesuarit atje të mësojnë dhe të përgatiten për kryerjen e detyrës së imamit, edhe pse në bashkësinë lokale islame në Lakembi (Sidnej) ka mendime që të formohen institucionet arsimore për nevoja të tilla.
Këshilli i imamëve. Në shumicën e shteteve dhe territoreve australiane ekzistojnë këshillat e imamëve, si një trup konsultativ dhe këshillëdhënës, të cilët automatikisht, përbëhen nga të gjithë imamë zyrtarë që janë të angazhuar nëpër rajone të caktuara. Këshilli imamëve çdo ditë kryen punët që janë drejtë për drejtë të lidhura me çështjet aktuale fetare, bënë realizimin e bashkëpunimit reciprok mes xhematit, i përputhë dhe i përshtat shënimet e datave të rëndësishme të historisë islame dhe të ceremonive islame, ndërmjetëson në mes bashkësive lokale eventualisht në rast të ndonjë kontesti etj.
Asociacionet e studentëve. Në shumicën e universiteteve në Australi veprojnë asociacionet e studentëve të cilët organizojnë dhe tubojnë studentët e popullatës myslimane dhe kujdesen për adaptimin e shpejtë dhe të letë të studentëve ndërkombëtar nga radha e myslimanëve të ri. Gjithashtu, këto organizata, në kuadër të universitetit sigurojnë ambientin (mesxhidin, ligjëratat islam, tribuna etj.) me çka kontribuojnë që studentët mysliman, e veçanërisht ata të cilët vijnë nga vendet tjera të ndihen “si në shtëpitë e veta”. Këto asociacione iniciojnë dhe mbajnë web-faqet me të cilat sigurohen informata që janë me interes për islamin dhe myslimanët. Njëra nga ato është Federation of Australian Muslim Stydents and Youth (Federata e studentëve mysliman dhe të rinjve australian) me qendër në Sidnej.
Përkatësia në medh-hebe. Shumica dërmuese e myslimanëve të Australisë janë suni, të medh-hebit hanefi dhe shafi. Myslimanët me prejardhje turke, libaneze, boshnjake dhe shqiptare kryesisht janë të medh-hebit hanefi, ndërsa ata nga Egjipti dhe Malajzia janë shafi. Në Australi jeton edhe një numër i konsiderueshëm i shiive, maksimalisht 15% nga popullata e përgjithshme myslimane.

PERSONALITETE TË SHQUARA

Individë që me prezencën e tyre islame në hapësirat e Australisë kanë lënë gjurmë të përhershëm për të cilët ekzistojnë informata relevante kryesisht janë nga radhët e imamëve profesionistë dhe të aktivistëve fetar.
Sejjid Xhelal shah (Sayyed Jalal Shah). I lindur në Karaçi në gjysmën e dytë të shek. XIX. Në atë kohë çmohej si dijetar islam. Në moshën tridhjetëvjeçare ka ardhur në Australi, në mënyrë që të udhëheq bashkësinë myslimane. Paraqitja e tij e parë publike dhe zyrtare u shënua në vitin 1914 në Perthy, me rastin e ligjëratës së hytbes së Bajramit të ramazanit. Konsiderohet se ai ishte si nga baba e po ashtu edhe nga nëna, pasardhës direkt i të dërguarit të Allahut xh. sh.- Muhamedit a. s.
Ishak Imamoviq. U lind në fillim të shek. XX, në Rahiq të Bosnjës. Arsimimin islam, veçanërisht studimet në të drejtën e sheriatit, i kreu në Sarajevë. Për një kohë në Bosnje kryente detyrën e kadiut, pas kësaj në Vjenë, dhe para shkuarjes në Australi, i vijonte mësimet nga filozofia. Në Australi shkoi në vitin 1949, ku qëndroi deri në përfundimin e jetës. Vdiq në moshën 67 vjeçare. Imamoviqi është autor i veprës përmbajtjesore nga fusha e besimit islam, ibadetit dhe etikës Vështrim doktrinës islame (Oytlines of Islamic Doctrine), që është lekturë unike i këtij lloji dhe vëllimi e shkruar ndonjëherë në vendin e Australisë. Imamoviq botoi shkrime edhe në boshnjkisht, në Glasnik IVZ në Sarajevë si dhe në Bosanskim Pregledima të Vjenës dhe Cyrihut. Përveç gjuhës amtare ai fliste edhe anglisht, arabisht dhe gjermanisht.
Mahomet Allum. Ishte ndër myslimanët e parë afgan të vendosur në Australi, në vendin Adelaide, ku u bë shumë i njohur si shërues në mjekësinë popullore. Si grahës i deveve, ai në vitin 1903 ishte dëshmitar në inaugurimin e ujësjellësit Coolgardie. Në Australinë raciste të asaj kohe, Allumi, proklamonte haptazi me gojë dhe me shkrim predikimet islame për racizëm. Në kohën e politikës raciste, nuk pati mundësi me marrë nënshtetësinë australiane sepse nuk ishte “i ngjyrës së bardh”, ndërsa kur zyrtarisht politika e tillë u largua, Mohamet Allumi nuk e paraqiti më kërkesën për marrjen e nënshtetësisë. Vdiq në vitin 1964, në shtëpinë e vetë në Everard Park, në moshën 106 vjeçar.
Ahmed ef. Skaka U lind në Sarajevë ku në medresenë e Gazi Husrev-begut, e murrë titullin e imamit. Në vitin 1950 emigroi në Australi, ku, përpos punës së rregullt në industrinë-elektronike në Adelaid, angazhohej edhe si imam dhe ofiqar për çështje fetare. Emri i tij, sa i përket myslimanëve të Australisë, ndërlidhet me shumë ngjarje dhe projekte, në mesin e cilëve është edhe formimi i Federatës Australiane i Këshillave Islame. Vdiq në Adelaide në vitin 2001.
Shejh Fehmi Nexhi el-Imam (Sheikh Fehmi Naji al-Imam). U lindi në Tripoli (Liban) më 1927. U arsimua në Kolegjin islam në Tripoli të Libanit, pastaj diplomoi studimet e sheriatit. Me 15 maj 1951 vendoset në Australi. Në fillim vepronte vullnetarisht si aktivist në çështjet fetare. Në vitin 1957 në Viktori e themelon bashkësinë e parë islame të pas luftës. Të njëjtin vit e inicioi shkollën e parë të vikendit për fëmijët mysliman. Në bashkëpunim me përfaqësuesit e bashkësive tjera islame nga gjitha vendet e Australisë, Fehmi el-Imami në vitin 1964 themeloi, Federatën e bashkësive islame, që njëherë ishte paraardhëse e Federatës australiane të bashkësive islame të themeluar në vitin 1974. Në vitin 1976 Shejh Fehmiu, pas një pune me honorar për një çerek të shekullit ai, filloi punën e imamit të rregullt pranë Islamic Society of Victoria (Priston).
Bilall Cleland. U lind me 16 shkurt 1942, si pas ardhës direkt i ardhacakëve të flotës britanike në Australi. Në vitin 1977 duke pranuar islamin në Egjipt, zgjidhet sekretar i trupit nacional islam, për këshillat islame të federatës australiane, si dhe në dy drejtime-sekretar i këshillit islam për Viktorin, dhe i organizatës kulmore islame në Viktori. Clelandi është luftëtar i dalluar për të drejtën dhe arsimimin e myslimanëve në Australi dhe në botë. Pranë teksteve, deklaratave dhe intervistave të shumta, është edhe autor i një historie të shkurtë të myslimanëve australian: The Myslim in Australia-a Brief History (Myslimanët në Australi-histori e shkurt), vepër më parimor dhe më integral i këtij lloji.

ARSIMI FETAR

Myslimanët e Australisë, përpos asaj çka mësojnë në rrethin e ngushtë të familjes, ata arsimin islam e arrijnë edhe përmes sistemit qofshin ato të mënyrës së rregullt apo edhe jo të rregullta të institucioneve arsimore.
Shkollat islame. Në sferën e arsimit të rregullt myslimanët australian, në përputhjen e ligjit për arsim, kanë themeluar 10 shkolla fillore dhe 11 të kombinuara, pastaj shkolla fillore dhe të mesme si dhe kolegje islame, në të cilat, paralel planit dhe programit shtetëror mësohen edhe lëndët themelore të islamit (kira’et, studime islame, historia islame etj.). Edhe nëse këto shkolla janë të hapura për të gjithë, pa marrë parasysh fenë, në to zbatohen parimet e edukatës dhe arsimit islam. Shkollat më të njohura të këtij lloji janë King Khalid Islamic Colege of Viktoria dhe The Islamic Schools of Victoria (Weribe College) në Melbourn, si dhe Malek Fahd Islamic School në Greenacreu, në Sidneij.
Shkolla të vikendit dhe mektebet. Burimet tjera të sistemit islam për arsim janë shkollat e vikendit, të cilat gjithashtu janë të karakterit privat, apo mektebet, e të cilat i organizon dhe udhëheq organizata lokale islame, kryesisht në qarkun e xhamive apo të hapësirave të huazuara për këto qëllime. Mësimdhënësit kryesor në këto shkolla janë paraardhësit imam të bashkësive islame që ndihmohen nga vullnetar të arsimuar.
Shkollat publike australiane nëpër shkollat publike të shtetit nuk e njohin mësim besimin, apo ndonjë lëndë tjetër të ngjashëm.

RRETHANAT SHOQËRORE-POLITIKE

Prej kohërave politike e njohur me emrin “Australia e bardhë” nga fillimi i shek XX, kur myslimanët, bashkë me popuj tjerë të ngjyrosur, diskriminoheshin për shkak
racës (e kishin të ndaluar të merren me xehetari, u shkurtoheshin të drejtat për të votuar, për pensione, të drejtat për natyralizim etj), statusi i të gjitha racave, me këtë edhe ai i myslimanëve, pësoi shumë ndryshime posaçërisht në shikimet formale-juridike. Sot myslimanët në Australi janë anëtarë të bashkësive multietnike dhe multifetare të Australisë me të drejta të plota qytetare. Nga ana e shtetit lejimi i kurorëzimit me ligjet e sheriatit para ofiqarëve të autorizuar fetar është vetëm një shembull i respektimit të të drejtave fetare myslimane (por edhe të tjerëve) në Australi.
Megjithatë, duke pasur parasysh dominimin çifute-krishtere në shoqërinë Australiane, nuk është vështirë që të parashikohet bartja e trandjeve nga pjesa tjetër e botës çifute-krishtere edhe në Australi. Njëra prej tyre është edhe të shfaqurit e kohë pas kohe të islamofobisë. Kjo ndodhë, sikurse edhe në pjesë tjera të botës, në ato rrethana politike kur myslimanët dhe të krishterët, në cilindo qoftë anë të botës, gjenden në konflikt, apo ndoshta janë duke u përgatitur për të. Në atë rast shumë shpesh, me ndihmën e madhe të medieve dhe mjeteve tjera propaganduese, islamofobia trazohet, e kjo rregullisht rezulton me dëmtimin e jetës dhe pronave të myslimanëve. Myslimanët e Australisë janë dëshmitarë të ngjarjeve të tilla që nga Galipolia, në historinë e hershme, përmes krizave të naftës gjatë viteve të shtatëdhjeta të shek. XX, pastaj në kontekst të konfliktit amerikano-iranian dhe luftës së gjirit, e deri te ngjarjet e fundit jo shumë larg në Nju Jork dhe Uashington, si dhe lufta në Afganistan dhe Irak.
Me siguri, islami, në të ardhmen, në Australi do ta luaj një rol të rëndësishëm si faktor kyç në organizimin e jetës së ardhacakëve në këtë vend, dhe mbrojtjen e identitetit fetar dhe etnik të tyre.

Përktheu: Shevki SH.VOCA
* Marrë nga “Atlas Islamskog Svijeta” 2004, Sarajevë

Australia është një nga shoqëritë më të sukseshme multikulturore, bazuar në një demokraci parlamentare, sundim të ligjit dhe në ekonomi tregu. Aty gjenden njerëz nga 140 vende të ndryshme të botës dhe po ashtu edhe gjuhët, kulturat, traditat dhe fetë më të mëdha të botës.

Sot muslimanët formojnë një pjesë në rritje e sipër të shoqërisë së larmishme moderne të Australisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë australiane, bërë më 1996, tregoi një rritje të shqueshme të popullsisë muslimane të australisë. Regjistrimi tregoi 200 885 muslimanë australianë, një rritje rreth 161% brenda 15 vjetëve, Ndërkohë që popullsia australiane si e tërë u rrit vetëm me 21.7% në të njëjtën periudhë.

Dhe këto shifra mund të jenë shumë konservative. Disa vlerësime të reja tregojn se muslimanët australianë arrijnë me shumë se 300.000.

Komunitetet muslimane gjenden në të gjithë shtetet austrialiane dhe në të gjitha territoret.

Me rëndësi është fakti se më shumë se 1/3 e muslimanëve australianë kanë lindur në Australi. Këta muslimanë të brezit të dytë e të tretë janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në integrimin në familjen e islamit në Australi të muslimanëve të sapoardhur, por që i përkasin kulturave, kombeve dhe gjuhëve të ndryshme.

Komuniteti musliman i Australisë, nga 60 shtete të ndryshme, është një pjesë e mirëvendosur dhe e integruar e shoqërisë më të gjerë australiane. Komuniteti ka një sërë organizatash rajonale dhe kombëtare si dhe xhamitë dhe shkollat e veta islame. Muslimanët kanë kontribuar me mundin e tyre social, ekonomik, kulturor, fetar dhe arsimor të Australisë.

Komuniteti islam është një pjesë integrale e shoqërisë më të gjerë australiane, një mesazh i riafirmuar nga Kryeministri i Australisë, Z.John Howard. Duke folur në nëntor 2001, në një radio të një komuniteti etnik në Sidnej, z. Howard tha:
“Ne para së gjithash jemi australianë dhe unë dua të theksoj veçanërisht në këtë program, se është shumë e rëndësishme për australianët e fesë islame dhe për australianët me origjinë arabe që të dërgjoni nga unë, Kryeministri juaj, që ju jeni pjesë e komunitetit Australian po aq sa dhe unë….Ne kujdesemi për vëllain tonë australian duke mos i vënë rëndësi fesë, racës ose vendit në të cilin u lind..

Australia dhe Islami – një histori e gjatë.

Muslimanët në Australi kanë një histori të gjatë. Disa prej vizitorëve më të hershëm të Australisë, përpara vendosjes së evropianëve, ishin muslimanët nga arqipelgau lindor indonezian. Mendohet se peshkatarë dhe tregtarë nga ishulli i Macassarit e kanë vizituar veriun e Australisë qysh në shekullin e 16-të. Megjithatë, popullsia e parë muslimane gjysmë e përhershme erdhi në formën e udhëtarëve afganë me deve në vitet 1800.
Këta udhëtarë me deve luajtën një rol të rëndësishëm në hapjen e zonave të gjëra të thata në brendësi të vendit duke transportuar eksploratorët, ndërtuesit dhe madje edhe telegrafin në vende të paarritshme me kalë ose më këmbë.
Një numër i vogël muslimanësh u morën edhe nga kolonitë hollandeze dhe britanike në Azinë Juglindore për të punuar në industrinë australiane të perlave në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Shumë pak muslimanë ka patur në australi gjatë viteve 30. Në 1993 numri total ishte 1877 dhe më 1947 ishin vetëm 2704. Grupi më i ri ishte ai i përbërë nga shqiptarët. Indianët dhe malajasit ishin grupi tjetër më i madh. Shqiptarët ishin etiketuar gjatë luftës si armiq dhe pak njerëz dilnin në mbrojtje të tyre. Një letër e shkruar për një gazetë kërkonte që shqiptarët të mos ngatërroheshin me italianët. Megjithatë, shqiptarët, vendi i të cilëve ishte aneksuar nga italia, ende konsideroheshin si armiq.

Pas Luftës së Dytë Botërore.

Midis 1947 dhe 1971 popullsia islame e Autralisë u rrit nga 2704 në 22311.
Përvec imigrimit të shqiptarëve, të cilët vazhdonin të vinin në numër të vogël, të vetmit muslimanë të pranoheshin nën politikën e kufizuar dhe të rreptë të imigrimit ishin qipriotët-turq, të cilët kishin pasaporta britanike për shkak të pushtimit të vednit të tyre nga Peran***** Britanike. Turqit ishin të pranuar, por nuk inkurajoheshin të vinin në Australi. Në këtë kohë asimilimi ishtei madh. Nga emigranti kërkohej të mësonte gjuhën australiane, të shkonte në shkollat australiane dhe madje të shkonte në kishat, por shoqëria nuk bëri asnjë hap për t’i pranuar emigrantët ashtu siç ishin.
Në atë kohë në Australi ende mbizotëronin mite raciste, si ai i racës tipike nordike.
Emigrantët bjond dhe me sy të kaltër nga Evropa Përëndimore preferoheshin më shumë. Muslimanë “të bardhë” nga qiproja, Bosnja, Shqipëria, Bullgaria dhe Rusia pranoheshin si refugjatë, por ata ishin në numër të vogël.
Baza e vërtetë e popullsisë së sotme muslimane erdhi pas luftës së dytë botërore. Midis viteve 1947 dhe 1971 popullsia muslimane u rrit nga 2704 në 22311, pasi muslimanët evropianë, kryesisht qipriot-turq, kërkonin një jetë të re në Australi.
Emigrantët libanezë shumë prej të cilëve muslimanë, filluan të vinin në shifra të mëdha pas fillimit të luftës civile në Liban, më 1975….

XHAMITE NE AUSTRALI
Që në Australi ekzistonte një vend ku kishte xhami muslimanet e morën vesh prej gazetës. Xhemati përbëhej nga dy-tre afganë. Në 1951 Bajrami u fal vetëm nga 7 veta. Afganët vazhdonin të mbanin veshjet e tyre kombëtare. Kur të rinjtë, të lindur dhe të rritur në Australi, zunë të shkojnë në xhami me rroba evropiane, të vjetërve kjo gjë nuk u pëlqeu aspak.
Xhamia e parë e Australisë u ndërtua në Marree, në Australinë Jugore,më 1861, dhe ishte prej balte. Xhamia e parë e madhe u ndërtua në Adelaide më 1890. Një tjetër u ndërtua në Broken Hill (New South Wales) më 1891.
Në Melburn, komuniteti shqiptar, Albanian Islamic Sociaty, hapi një xhami në Carlton më 1967, një degë e xhamisë së shqiptarëve në Sheparton. Ajo është xhamia më e vjetër pas luftës në Melburn.
Sot gjenden afërsisht rreth 100 xhami në Australi, kryesisht në New South Wales dhe Victoria.

Australia e Bardhë dhe emigrantët.

Trazirat dhe lufta civile që plasi në Liban në vitet 1970 bënë që në Australi të vinin për herë të parë një numër i madh emigrantësh arabisht-folës.
Në vitin 1981 gjendeshin rreth 17000 muslimanë libanez. Gjithashtu nga luftimet në Qipro, shumë turq u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të vinin në Australi. Nga 1967-1971 erdhën dhe 10000 turq të tjerë. Ata erdhën dhe si forcë e mirëpritur punëtore, pasi emigrimi nga Italia dhe Greqia nuk i përmbushte nevojat e ekonomisë australiane. Australia në 1967 kishte tentuar të tërhiqte rreth 150000 emigrantë, por zhvillimi ekonomik në Evropë bëri që numri të ishte 10000 njerëz më pak. Gjithashtu u morën edhe 2000 emigrantë të tjerë turq, për të plotësuar këtë boshllëk emigrantësh…
Ky ishte emigrimi i parë në masë prej një shoqërie islame dhe kishte të mirat e veta për të sapoardhurit. Në këtë mënyrë australia filloi të lëvizte drejt multikulturalizmit dhe zhvendosi brenda pak vitesh qëndrimin e vjetër racist të shoqërisë australiane…….. …

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit