3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

PRANIA E TEMAVE SHKENCORE NE SHTYPIN ISLAM

Më të lexuarat

Ermal BEGA*

PRANIA E TEMAVE SHKENCORE NE SHTYPIN ISLAM

Është e domosdoshme, në mënyrë të padiskutueshme, që prania e temave shkencore në shtypin islam të paraqitet si një rubrikë më vete. Meqë ne shqiptarët, dhe muslimanët në përgjithësi, nuk kemi mundësi dhe mjete që të merremi me shkencë, atëherë duhet së paku që ta trajtojmë atë.
________________________________________

Dhe kjo, sipas mendimit tim, duhet bërë me anën e botimeve (shkrimeve) të intelektualëve tanë muslimanë në revistat dhe gazetat tona islame në trojet shqiptare. Kjo mund të arrihet si me anë të punimeve teorike origjinale, ashtu edhe me anë të përkthimeve nga gjuhë të ndryshme. Për studimin dhe zbatimin e njohurive shkencore, ne si muslimanë jemi të urdhëruar nga Allahu i Madhëruar qysh në shkëndijat e para të dritës së fesë islame. E ajo ndodhi pikërisht me ajetin e parë të shpallur nga Allahu. Ai është ajeti ‘Ikre’, që në gjuhën shqipe ka shumë kuptime të cilat janë: Lexo, mëso, studio, kërko, zbulo, puno (me diturinë), hulumto etj. Sipas këtij ajeti, si dhe kuptimeve të tij, ne muslimanët, e kemi për detyrë që të merremi me zbulimin dhe studimin e njohurive shkencore të cilat Allahu i krijoi. Në periudhën e Mesjetës, kur Evropa e krishterë ishte zhytur në errësirë (kjo për arsye se Kisha ia kishte ndaluar evropianëve të merreshin me shkencë), muslimanët kishin arritur që të zbulonin disa nga të vërtetat shkencore me anë të resurseve të asaj kohe. A nuk janë muslimanët ata të cilët kanë dhënë ndihmesën më të madhe për përhapjen e njohurive shkencore? A nuk janë muslimanët ata të cilët thanë se Toka është e rrumbullakët (ndërsa Xhordano Bruno, një shkencëtar italian, u detyrua të emigronte në shumë vende vetëm pse ai pohoi një gjë të tillë, ndërsa Kisha në Mesjetë thoshte se toka ishte e rrafshët?) A nuk ishin shkencëtarët tanë muslimanë gjatë Mesjetës ata të cilët përkthyen veprat shkencore të Aristotelit, Platonit etj, e më pas i sollën në Evropë? Po. Gjithmonë duhet të themi po, dhe me krenari. Për këto si edhe për të tjera arritje shkencore, muslimanët nuk u bazuan diku tjetër, vetëm se në Kur’an. Dikush mund të thotë: Pse në Kuran? Çfarë lidhjesh ekzistojnë mes Kur’anit dhe shkencës? Ka lidhje, posi jo. Lidhja kryesore është ajo se Allahu qysh prej ajetit të parë të cilin e përmendëm më herët ‘Ikre’, e deri në ajetin e fundit të shpallur, na ka urdhëruar në mbi 850 vende (në mënyra të ndryshme) që të lexojmë, studiojmë dhe të punojmë me atë dituri. Prandaj, studentët muslimanë, si edhe ata të cilët angazhohen për zbulimin e të vërtetave shkencore, duhet të punojnë më shumë për shkrime ose tema të ndryshme shkencore (me bazë Kur’anin), si me shkrime origjinale ashtu edhe me përkthime nga autorë të huaj (jo shqiptarë) muslimanë. Në këtë mënyrë, shtypi ynë islam do të bëhet më i larmishëm e më tërheqës për masën e gjerë. Prania e temave shkencore në shtypin islam është një nevojë shpirtërore, e pamohueshme. Prandaj duhet të paraqiten artikuj të ndryshëm rreth arritjeve shkencore, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi. Pse? Sepse me anë të diturisë dhe shkencës njeriu mund të arrijë në gradën e engjëjve; ndërsa në anën tjetër, njeriu me anë të paditurisë mund të bjerë deri në gradën e kafshëve, madje edhe më poshtë. Allahu na e ka treguar qartazi në një ajet kur thotë: ‘Ky libër (Kur’ani) është udhërrëfyes për ata të cilët kanë mend.’ Në një ajet tjetër thuhet: ‘A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?. Jo, në asnjë mënyrë nuk janë të barabartë.’ Këto janë tema të cilat studentët dhe studiuesit tanë duhet t’i trajtojnë më vete nëpër gazetat dhe revistat tona islame, qofshin ato javore, mujore etj. Në gazetat dhe revistat tona duhet të ekzistojë një rubrikë e veçantë, si p.sh.: ‘Islami dhe Shkenca’, ku do të mund të trajtohen ato çështje të cilat i përmenda më lart. Bile, ne duhet të shkruajmë dhe të përkthejmë materiale nga shkencëtarët e sotëm perëndimorë të cilët çdo ditë e më shumë po zbulojnë gjëra të reja dhe të panjohura më herët, gjëra të cilat janë treguar si formula në Kuran, që 1400 vjet më parë. Por ajo që ne duhet të angazhohemi më së shumti duhet të jenë botimet nga astronomët, fizikanët dhe arkitektët tanë, përkthimet nga gjuhët e huaja, si dhe artikuj nga shkencëtarët e huaj muslimanë, të vjetër, të cilët me studimet e tyre dhe me diturinë që kanë pasur kanë arritur që t’i ofrojnë Evropës, si edhe perëndimit në përgjithësi shkencat të cilat nuk i kanë njohur më parë, e as që i kanë menduar se ekzistojnë, duke i hapur kështu dyert e shkencës e të njohurive të tjera, për t’i zhvilluar më vonë. Ne si muslimanë kemi nevojë që të njihemi me këta dijetarë të famshëm botërorë të cilët i dhanë botës shkëndijën e parë për njohjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre shkencave. Në kohën kur ‘Enciklopedia Britanike’, si edhe enciklopeditë e tjera me famë botërore na tregojnë, dhe bile me krenari, për shkencëtarët muslimanë dhe arritjet e tyre, ne (muslimanët), për fat të keq as nuk i lexojmë dhe as nuk i përkthejmë për të tjerët. Këtu e kam fjalën si për shqiptarët ashtu edhe për muslimanët në përgjithësi. Në këtë drejtim duhet të angazhohen edhe vetë gazetat dhe revistat tona, duke gjetur njerëz të aftë ose përkthyes të zotë të cilët kanë njohuri mbi shkencën islame. Është fatkeqësi që në botimet tona shumë pak mund të gjenden materiale shkencore të shkencëtarëve muslimanë. Nuk e di pse! Por kjo është një çështje e cila duhet trajtuar. Nëse i hidhni një sy botimeve tona islame do të gjeni pak ose aspak materiale të cilat kanë të bëjnë me shkencën në përgjithësi dhe atë islame në veçanti. Më poshtë dëshiroj të tregoj vetëm për disa vepra të mëdha të shkencëtarëve muslimanë, si edhe autorët e atyre veprave për të cilat populli shqiptar ka njohuri shumë të pakta: Në fillim do të doja të përmendja se në historinë e gjatë, të suksesshme dhe njëkohësisht të mrekullueshme të shkencës islame, shekulli i nëntë njihet si një shekull tërësisht i muslimanëve dhe i Islamit. Pa dyshim, punimet intelektuale nuk u ndërprenë në shekujt e tjerë, por aktiviteti i dijetarëve muslimanë dhe i njerëzve të shkencës ishte fuqimisht më i lartë. Ata ishin udhëheqësit e vërtetë të civilizimit në atë kohë. Aktiviteti i tyre ishte më i lartë pothuajse në çdo këndvështrim. Duke marrë parasysh vetëm gjysmën e parë të shekullit të nëntë, njerëzit më kryesorë të shkencës, Al-Kindi, Al-Harizmi, Al-Fargani etj., ishin që të gjithë shkencëtarë muslimanë. Nuk duhet të harrojmë në të njëjtën kohë edhe halifin e shtatë Abasid, Al-Ma’muni (813-833), i cili ishte një përkrahës i madh i letrave dhe i shkencës. Ai themeloi në Bagdad një akademi shkencore. Ai provoi të mblidhte sa më shumë dorëshkrime greke që ishte e mundur dhe urdhëroi përkthimin e tyre. Ai përkrahu dijetarë nga të gjitha fushat, dhe një numër shumë i madh i punimeve shkencore ishte kryer nën mbrojtjen dhe përkujdesjen e tij. Do të përmendja këtu edhe emrin e një dijetari dhe shkencëtari të madh musliman, bile me krenari, i cili në shkencën islame është cilësuar si një shkencëtar enciklopedik, me plot të drejtë, i cili quhet El-Kindi. Emri latin i tij është Alkindus. Lindi në Basra në fillim të shekullit të nëntë. Ai lulëzoi si shkencëtar në Bagdad gjatë sundimit të halifit të shtatë Abasid, El-Ma’mun dhe gjatë sundimit të halifit El-Mu’tesim (gjatë viteve 813-849). Ai është njohur edhe si ‘Filozofi i Arabëve’, sepse me sa duket ai ishte i pari dhe i vetmi filozof i madh i racës arabe. Është ruajtur një numër i vogël i punimeve të shumta të tij (mbase 270?). Ato kanë të bëjnë me matematikën, astrologjinë, fizikën, muzikën, mjekësinë, farmacinë dhe gjeografinë. Ai shkruajti edhe katër libra mbi përdorimin e numrave hindusë (indianë). Dy prej veprave të tij janë me rëndësi të veçantë: ‘De aspectibus’, një traktat mbi optikat gjeometrike dhe fiziologjike (bazuar kryesisht në Euklidin, Heronin dhe Ptolemeun), i cili ndikoi te Roxher Bekoni etj. Ndërsa vepra e dytë është ‘De medicinarum compositarum gradibus’; një përpjekje e jashtëzakonshme për të vërtetuar pomologjinė në baza matematikore. Një njeri i quajtur Kordano (besoj ndonjë dijetar) e konsideron atë si njëri prej dymbëdhjetë mendjeve të mëdha.
Pastaj do të përmendja gjeometrin El-Haxhaxh ibn Jusuf, i cili ishte përkthyesi i parë i librit ‘Elementet’ të Euklidit në gjuhën arabe. Matematikani më i madh i kohës dhe një ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave ishte El-Harizmi. Ai ndërthuri rezultatet e përdorura nga grekët dhe indianët, dhe në këtë mënyrë përhapi një masë të njohurive aritmetikore dhe algjebrike, të cilat ushtruan një ndikim të madh në matematikën e Mesjetës. Punimet e tij ishin ndoshta kanalet kryesore përmes të cilave numrat indianë u bënë të njohur në perëndim. Senad ibn Ali ishte udhëheqësi i astronomëve të oborrit të halifes El-Ma’mun. Por, më i shquari i astronomëve muslimanë ishte El-Fargani ose Alfaganus. Ai ishte muslimani i parë që shkroi një traktat të plotë mbi astronominë. Një tjetër matematikan i njohur musliman është edhe El-Harizmi. Ai nuk ishte vetëm një matematikan, por ishte edhe një astrolog dhe gjeograf i zoti. Ai lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit të nëntë. Ishte njëri nga shkencëtarët më të mëdhenj të llojit të vet dhe njëri nga më të mëdhenjtë e kohës së tij. Prej emrit të tij, siç është vërtetuar, rrjedhin edhe fjalët ‘algorizëm’ dhe ‘augrim’. Një nga mjekët më të njohur dhe më të mëdhenj muslimanë është Ibn Sina, emri i të cilit përmendet shumë në perëndim me emrin Avicena, edhe sot e kësaj dite. Një mjek tjetër i njohur musliman ishte edhe Ali el-Tabari, i cili në vitin 850 përfundoi një enciklopedi mjekësore të quajtur ‘Parajsa e Diturisë’. Kemi edhe sa e sa emra të tjerë të dijetarëve dhe shkencëtarëve të tjerë muslimanë, të cilët kanë kontribuar shumë për shkencën islame, por për shkak të këtij artikulli të shkurtër nuk mund t’i përmendim të gjithë. Ne kemi edhe nuk duhet të harrojmë edhe dijetarët dhe shkencëtarët muslimanë shqiptarë me famë botërore, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në shkencë si p.sh. Hasan Tahsini (i mbiquajtur Efendiu), i cili jo vetëm që ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit, por ai në vitet e fundit të shekullit të XIX ka përpiluar një tabelë astronomike të vetën. Dhe të gjitha këto janë njohuri të cilat duhet të dihen dhe nuk duhen harruar. Por edhe shumë shqiptarë të tjerë muslimanë kanë dhënë kontributin e tyre në shkencën botërore në përgjithësi dhe në atë islame në veçanti. Me kaq po e mbyllim këtë artikull duke shpresuar se me mjetet e shkruara dhe elektronike të informimit duhet të angazhohemi më shumë për praninë e temave shkencore në shtypin islam, në mënyrë që t’ia bëjmë me dije popullit se shkenca nuk është e ndarë nga feja dhe besimi, por është pjesë e tyre.

* Ermal Bega është kryetar i ‘Albanian Center for Oriental Studies’ – ‘Qendra Shqiptare për Studime Orientale’, Tiranë-Shqipëri.

<!–

–>

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit