2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

As sa për adet

Më të lexuarat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Shaip Muja siç duket nuk po e merr me seriozitet deklarimin e pasurisë së tij.

Deputeti Muja, edhe këtë vit nuk ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) kompaninë “Alumil Ko”, me numër biznesi 70266525, në të cilën ai paraqitet si njëri nga pronarët e saj.

Shaip Muja, po ashtu vitin e kaluar nuk e kishte deklaruar fare në AKK biznesin e tij “Kosova Green Energy”, por kjo kompani iu përfshi në formularin e deklarimit të pasurisë nga AKK-ja pasi që këtë fakt fillimisht e denoncoi në AKK, Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, dhe Organizata ÇOHU!.

Edhe këtë vit , deputeti Muja iu ka shmangur AKK-së, duke mos e deklaruar biznesin “Alumil -Ko ” Sh.p.k., në të cilin është bashkëpronar me Nevila Rama, Dimitrios Gavril, Shaban Muja, Fatmir Muja, Arsim Muja, Aldi Kuzmi, Edlira Guri dhe Naim Muja.

Agjencioni Kundër Korrupsionit kishte njoftuar më 13.07.2012 se kishte përfunduar procesin e publikimit të të gjithë regjistrave të pasurisë të zyrtarëve të lartë publik, por nuk e kishte publikuar fare regjistrin e deklarimit të deputetit Shaip Muja.

Publikimi i regjistrit në fjalë është bërë vetëm pasi që Preportr me datën 23.07.2012 i ka dërguar pyetje AKK-së në lidhje me arsyet e mospublikimit të këtij regjistri, megjithëse ky institucion që e lufton korrupsionin nuk ka kthyer asnjë përgjigje përse nuk ishte publikuar regjistri i deklarimit të pasurisë të deputetit Muja.

Preportr i ka dërguar pyetje AKK-së dhe Pretenit për të marrë informacion rreth mosdeklarimit të kompanisë “Alumil -Ko” nga deputeti Muja si dhe rreth masave eventuale që duhet t’i marrë AKK-ja për këtë rast, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Deri në publikimin e këtij raporti dhe përkundër faktit që Preportr e ka denoncuar këtë rast AKK-ja nuk e ka përfshire biznesin “Alumil -Ko” në regjistrin e deklarimit të pasurisë të deputetit Muja..

Mendon se biznesi shuhet vetvetiu
Deputeti Shaip Muja, thotë se nuk e ka deklaruar këtë biznes sepse që disa vite nuk punon me të. Ai thotë se këtë biznes e ka konsideruar të shuar pasi që e ka mbyllur në ATK. Për më tepër, ai thotë se nuk e ka bërë as ndërrimin e certifikatës nga ajo e UNMIK-ut në të Republikës së Kosovës dhe se ka menduar se ky fakt ka mjaftuar që biznesi të llogaritet i shuar.
Ky biznes është në kuadër të falimentimit dhe është që gjashtë vjet në procedurë të shuarjes. Gjithashtu nuk funksionin në zyre të tatimeve, nuk qarkullon asgjë.

Shaip Muja
“Ky biznes është në kuadër të falimentimit dhe është që gjashtë vjet në procedurë të shuarjes. Gjithashtu nuk funksionin në zyre të tatimeve, nuk qarkullon asgjë. Ka mundësi të jetë në kuadër të pasivizimit dhe falimentimit. Ne nuk e kemi ndërruar certifikatën e biznesit nga ajo e UNMIK-ut në të Republikës së Kosovës dhe ka qenë njoftimi në media që nëse nuk e merr këtë certifikatë biznesi shuhet dhe ne e kemi llogaritur këtë biznes të shuar”, thotë Muja.

Në lidhje me këtë rast, Preportr, ka marrë sqarime edhe nga Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK). Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike dhe praktike të regjistrimit në këtë agjencion, thotë se asnjëherë nuk ka qenë e mundshme që një biznes të shuhet në mënyrë zinxhirore edhe nëse fshihet në Administratën Tatimore të Kosovës. Ai thotë se për t’u shuar një biznes duhet aplikuar në ARBK, ashtu siç është aplikuar për regjistrim.

“Është obligim ligjor që të gjitha bizneset aty ku regjistrohen duhet edhe të shuhen. Për shuarjen e një biznesi pala duhet të na e sjellë si dëshmi vërtetimin prej Administratës Tatimore të Kosovës se i ka përmbushur obligimet. Pala është obliguar, (përveç nëse është shoqëri me përgjegjësi të kufizuara) që të njoftojë për shuarjen e biznesit edhe në një nga gazetat ditore të Kosovës, të kalojnë 30 ditë dhe pas këtij afati pala mund të aplikojë në ARBK për shuarje. Njëkohësisht ia bashkëngjitë edhe vërtetimin nga ATK, i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se 10 ditë nga data e lëshimit.

Kjo procedurë ka qenë gjithmonë dhe është ende”, sqaron Pllashniku.
Në lidhje me arsyetimin e deputetit Muja se nuk e ka marrë certifikatën e re me stemën e Republikës së Kosovës dhe biznesi është dashtë të shuhet, Pllashniku thotë se mosmarrja e kësaj certifikate nuk nënkupton që biznesi është shuar dhe se pajisja me këtë certifikatë mund të bëhet ende.

Për marrjen e certifikatës së Republikës së Kosovës (ndërrimit nga ajo e UNMIK-ut), nuk ka qenë afati i limituar dhe bizneset mund ta bëjnë ndërrimin e certifikatës në çdo kohë. Biznesi nga ne llogaritet aktiv deri në momentin kur pala aplikon për shuarje. Mehdi Pllashniku
“Për marrjen e certifikatës së Republikës së Kosovës (ndërrimit nga ajo e UNMIK-ut), nuk ka qenë afati i limituar dhe bizneset mund ta bëjnë ndërrimin e certifikatës në çdo kohë. Biznesi nga ne llogaritet aktiv deri në momentin kur pala aplikon për shuarje”, u shpreh Pllashniku.

Për të aplikuar për shuarje biznesi duhet që të shlyejë edhe të gjitha borxhet që i ka ndaj ATK-së. Sipas të dhënave që ka siguruar Preportr, “Alomil-Ko”, ka rreth 20 mijë euro borxhe të pa shlyera në ATK.
Preportr ka siguruar edhe dokumentet e ATK-së rreth qarkullimit financiar të biznesit “Alumil-Ko” nga të cilat vërehet se ky biznes nuk ka pasur qarkullim të deklaruar në ATK që nga fillim viti 2009. Nga këto dokumente vërehet se “Alumil-Ko” nga viti 2005 deri në fund të vitit 2008, sipas deklaratave të TVSH-së, ka pasur të deklaruar në ATK qarkullim në vlerë rreth 450 mijë euro. Por përkundër faktit që biznesi “Alumil -Ko” nuk ka pasur qarkullim financiar në ATK që nga fillimviti 2009, ky fakt, bazuar në dispozitat e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë por edhe vendimeve të AKK-së në raste të ngjashme, nuk e amniston deputetin Muja nga obligimi ligjor për ta deklaruar këtë biznes në AKK.
I obliguar ta deklarojë
Pavarësisht se a ka qarkullim financiar apo jo viteve të fundit, deputeti Muja e ka pasur obligim ligjor që ta deklarojë këtë biznes pasi që ai është i regjistruar ende në ARBK. Pra deputeti Muja si zyrtar i lartë publik me këtë mosdeklarim nuk ka përfillur obligimet që dalin nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë.
Ky obligim ligjor vlen për të gjithë zyrtarët publik derisa të ç’regjistrojnë bizneset apo të shuajnë funksionin në bizneset përkatëse, e kjo duhet të bëhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

“Alumil – Ko”
Qarkullimi sipas deklaratave të TVSH-së – 2005 -2008 rreth 450 mijë euro
Borgji në ATK – rreth 20 mijë euro

Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, me datën 14 nëntor 2011, ka thënë se çdo zyrtar publik është i obliguar me ligj që ta deklarojë çdo aktivitet të tij në AKK.
“Zyrtarët e lartë publik në pajtim me nenin 3 të Ligjit nr. 04/L-050 kanë për obligim të deklarojnë në formularin për deklarim të pasurisë të gjitha funksionet ose aktivitete tjera krahas funksionit të lartë publik”, pati deklaruar Preteni.
Preteni gjithashtu gjatë një konference që ka mbajtur më 16.02.2012 kur është pyetur se a duhet të deklarohen bizneset pavarësisht a kanë qarkullime financiare ka deklaruar se “Nuk luan rol a është pasive apo aktive ai (zyrtari i lartë publik) duhet ta deklarojë, nëse është në emër të tyre ai duhet me e deklaru”.

Obligimin e deklarimit të të gjithë pasurisë që është në emër të zyrtarit të lartë publik e precizon qartë Ligji i për Deklarimin e Pasurisë i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Në Kreun e IV – neni 13, të këtij ligji mes të tjerave, thuhet se “personi publik duhet të deklarojë edhe funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik”.
Në një rast të ngjashëm, kur Preportr dhe Organizata ÇOHU! paënt denoncuar 7 deputetë për mosdeklarim të bizneseve të tyre, AKK-ja pati ftuar këta deputetë dhe i pati obliguar që t’i deklarojnë bizneset e tyre edhe përkundër faktit se 3 nga 7 bizneset nuk kanë pasur asnjëherë qarkullim financiar bazuar në deklaratat e ATK-së.
AKK-ja hermetizohet
Më 29.03.2012 Preportr pati denoncuar në AKK, 25 zyrtarë të lartë publik për mosdeklarim të bizneseve të tyre. Që prej asaj kohe, Preportr nuk ka marrë asnjë përgjigje nga AKK-ja rreth kësaj çështjeje. Drejtori i AKK-së Hasan Preteni që disa muaj ka ndërprerë çdo komunikim me Preportr. Ai nuk është përgjigjur në asnjë çështje që Preportr i ka adresuar edhe pse këtë e ka obligim ligjor. Preteni nuk ka dhënë asnjë sqarim për 25 zyrtarët e lartë publik, të cilët nuk i kanë deklaruar bizneset e tyre, e ku përfshihen zëvendëskryeministra, ministra, kryetarë të komunave si dhe zyrtarë të tjerë publik.
Përderisa, në rastin kur Preportr pat denoncuar në AKK, 7 deputetë të Kuvendit të Kosovës për mosdeklarim të pasurisë, zyrtarë të AKK-së patën ftuar këta zyrtarë që t’i deklarojnë bizneset e tyre dhe pas deklarimit të këtyre bizneseve, zyrtarë të AKK-së i patën përfshire këto në regjistrat e deklarimit të pasurisë. Në këtë rast, AKK-ja për 5 deputetëve ua pati ndërruar edhe datat e deklarimit të pasurisë në regjistrat publik duke ua përputhur datat e deklarimit të pasurisë me plotësimet e fundit. Përderisa, vetëm në rastin e deputetit Muja, AKK-ja nuk pati ndërruar datën e deklarimi të pasurisë duke e lënë 31 marsin si datë kur deputeti Muja kinse ka bërë deklarimin e pasurisë. Kjo përkundër faktit se në regjistrat e publikuar në qershor të 2011 nga AKK-ja, biznesi “Kosova Green Energy” nuk pati qenë i deklaruar por iështë përfshirë në nëntor nga AKK-ja dhe atë vetëm pas denoncimit të Preportr dhe Organizatës ÇOHU!.
AKK-ja në atë kohë u pat arsyetuar se kinse deputeti Muja ka deklaruar biznesin e tij por duke qenë biznes pa qarkullim, softueri i AKK-së nuk e ka regjistruar dhe rrjedhimisht ky biznes nuk ka figuruar në regjistrat e deklarimit të pasurisë. Megjithëkëtë, Preportr ka bërë një hulumtim nga i cili ka rezultuar që softueri i AKK-së nuk është i dizajnuar në këtë mënyrë dhe ai nuk i proceson të dhënat sipas deklarimeve të zyrtarëve të AKK-së.
Këtë rast, Organizata ÇOHU! e pati quajtur falsifikim të dokumentit zyrtar nga zyrtarët e AKK-së dhe padi reciproke u patën ushtruar nga ÇOHU! dhe AKK-ja. Tani për tani, këto padi janë hedhur poshtë, përderisa sipas deklarimeve publike të shefit të AKK-së, Hasan Pretenit, ky ka ushtruar edhe padi private kundër dy pjesëtarëve të ÇOHU!-të dhe një gazetari të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese për shpifje

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit