0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Baraspesha Madhështore

Më të lexuarat

Dr Mustafa Mahmud

Baraspesha Madhështore

Kurrë nuk do ta harroj natën të cilën e kam përjetuar, para disa viteve, gjatë rrugës në malet e pashkelura të Afrikës Ekuatoriale. Me anije kam lundruar nëpër Nilin e gjerë. Tashmë e patëm kaluar El-Melkalin dhe hymë në zonën me shumë mushkanja, në të cilën Nili derdhet dhe shndërrohet në këneta që s’kanë anë e fund. Anija luhatej mbi sipërfaqen e ujit, ajri ishte ngjitës, i ngopur me lagështi; të gjithë në anije, e edhe vetë
kapiteni, lënguan nga malaria. Rregullisht i kam gëlltitur tabletat e kamokinit nga frika që të mos i marr ethet.

Atë natë më ra ndërmend që të ngjitem në kuvertë (terracë të anijes) të shoh si duket natën Afrika Ekuatoriale. Duart dhe fytyrën e pata lyer me pastë kundër mushkanjave dhe hipa në kuvertë. Atë që e pashë m’u duk sikur ëndërr: mijëra trungje ndizeshin dhe fikeshin sikur këto të ishin bredhat e kërshëndellave me të cilat fëmijët argëtohen. Kanë qenë të mbuluara me mijëra drita të vogla elektrike të cilat një pas një
fikeshin dhe ndizeshin.

I hutuar, i kam fërkuar sytë me duar dhe sërish kam shikuar. Ç’kam vërejtur ka qenë njëmendësi, e jo ëndërr. Vërtet trungjet janë ndezur sikur të jenë të mbuluara me mijëra llampash elektrike, e pastaj fikeshin. Kapiteni i anijes ma sqaroi se atë që atë natë e kam parë është realitet, se ata drunjtë janë të mbuluar me mijëra çikëvera (xixëllonja) dhe se ato, njëkohësisht ndriçojnë që me dritën e tyre t’i tërheqin mushkanjat dhe t’i hanë, pastaj fiken sërish të bëjnë dritë. Tha se kjo është një prej ligjësive natyrore: kurdoherë që shumohej një lloj insektesh, All-llahu e krijon insektin tjetër, armik, i cili do ta shkatërronte në mënyrë që midis krijesave të veta ta ruajë baraspeshën, dhe që një lloj mos ta çrrënjosë tjetrin përveç, në përpjesëtimet e caktuara.

Një kohë të gjatë e kam rikujtuar atë natë dhe atë bisedë. Çdo ditë gjithnjë e më shumë kam tubuar argumente se tërë gjithësia është skenë e baraspeshës madhështore të çdo gjëje dhe se çdo gjë në mënyrë precize është parashikuar dhe se ligjësive u janë nënshtruar.
Me fjalë tjera, sikur rastësisht rruzulli tokësor të ishte me madhësi më të vogël se ç’është, gravitacioni i tij do të ishte më i dobët, brezi ajror do të ndahej, zhdukej në gjithësi, uji do të avullohej dhe shkrihej dhe Toka do të mbetej e shkretë sikur
Hëna, mbi të cilën nuk ka as ujë as ajër, as atmosferë dhe jeta do të ishte e pamundur. E sikur Toka, me parashtrimin, të kishte qenë me madhësi më të madhe sesa që ekziston, fuqia e saj e gravitacionit do të ishte më e madhe, lëvizja në do të ishte më e rëndë, peshat tona trupore do të ishin disa herë më të mëdha dhe trupat aq të rëndë saqë nuk do të mund t’i bartnim.

Ose, për shembull, nëse Toka lëviz rreth boshtit të vet më ngadalë, siç është rasti me Hënën, dita do të zgjatte 14 ditë të tashme e nata 14 net, e klima prej ngrohtësisë vdekjeprurëse gjatë dy javëve të para do të shndërrohej në ftohtësi, të padurueshme gjatë dy javëve vijuese. Andaj jeta do të ishte e pamundur.
Diç e ngjashme do të ishte sikur Toka nga orbita e vet të largohet dhe t’i afrohet Diellit, ose të largohet sikur që është rasti me Jupiterin dhe Saturnin, do të na zhdukte ftohtësia. Ose, ende më drastike se kjo: e dimë se Toka rrotullohet me pjerrtësi prej 33 shkallësh, për këtë i kemi periodat kohore të cilat shumicën e zonës së Tokës e bëjnë produktive dhe të banueshme.

Sikur korja e tokës të ishte më e trashë do ta thithte oksigjenin dhe njerëzit nuk do të mund t’i plotësonin nevojat e veta me këtë gas të çmueshëm për frymëmarrje. Sikur detet të ishin më të thella se që janë, teprica e ujit do ta thithte karbon-dioksidin dhe bimët nuk do ta kishin të mjaftueshëm të jetojnë dhe të marrin frymë.

Sikur mbështjellësi i ajrit rreth Tokës të ishte më i rrallë, meteorët, të cilët po bien në vend që të treten dhe zhduken në depërtimin e tyre nëpër mbështjellësin e dendur të ajrit – siç po ndodh tash – do të na mbytnin neve.

Sikur, me ndonjë rast, të rritet përqindja e oksigjenit në ajër në krahasim me të tashmen, përflakshmëria e tij do të ishte më e madhe dhe zjarret më të vogla të shndërroheshin në eksplodime të tmerrshme.

Sikur, prapë, kjo përqindje e oksigjenit të zvogëlohej, aktiviteti ynë do të bëhej i inertshëm.

Sikur akulli të mos ishte më i lehtë se uji, nuk do të notonte mbi ujë dhe thellësitë e detit nuk do të mund ta ruanin ngrohtësinë dhe se nuk do të ishin të përshtatshme për jetën e peshqve dhe qenieve tjera të detit.

Sikur të mos ekzistojë çadra(ombrella) e ozonit, e gozhduar në atmosferë sipër Tokës, e cila i pengon rrezet ultravjollcë që me fuqitë e pakufizuara të arrijnë në Tokë, këto rreze mbytëse do të na zhduknin.

Nëse dëshirojmë ta bëjmë autopsi vetë njeriun, edhe këtu do t’i gjejmë këto mrekulli (mu’xhize) dhe misterie të cilat tregojnë në këtë baraspeshë precize matematikore: çdo qenie në gjakun e vet posedon përqindjen dhe sasinë e natriumit, kaliumit, kalciumit, sheqerit holesterolit, albuminave. Çdo spostim – ndrim i këtyre përpjesëtimeve, qoftëse ka të bëjë edhe me sasitë e vogla, do të thotë sëmundje. Nëse ky jonivelizim vazhdon, kjo do të thotë pleqëri dhe vdekje.

Organizmi i njeriut është i furnizuar me elemente, të cilat, në ruajtjen e këtij ekuilibri gjatë tërë jetës, automatikisht dhe prej vetvetes veprojnë. Alkaloiditeti i gjakut i posedon rregullatorët e vet të cilët e ruajnë. Acidi i urinës, gjithashtu, i posedon rregullatorët e vet të cilët kujdesen për të. Temperatura permanente e trupit të njeriut prej 37 shkallësh ruhet me ndihmën e proceseve të ndryshme fiziologjike dhe kimike, të cilët temperaturën pandryshueshëm dhe barabarësisht e mbajnë në këtë nivel.

Rasti i tillë është me shtypjen e gjakut, me pezmatimin e muskujve dhe rektimën e zemrës. E njëjtë është edhe me aparaturën për thithje dhe tretje (metabolizmi), me aparaturën e kombustimit (djegies) në furrën e mëlçisë së zezë, me sistemin e ekuilibrit nervor me të cilën rregullohen impulset për shqetësim dhe qetësim. Ose procesi me të cilin hormonet dhe enzimet (fermentet) i rregullojnë më shpejt dhe më ngadalë proceset kimiko-biologjike.

Trupi i njeriut paraqet mrekulli artistike dhe teknike në sferën e ligjeve të baraspeshës, rregullit dhe harmonisë të cilën e njeh çdo mjek dhe të gjithë të cilët e kanë studiuar fiziologjinë, anatominë dhe kiminë organike.

“… i cili çdo gjë e ka krijuar dhe çdo gjësë ligjësinë ia ka dhënë!” (El-Furkan:2).

Vëllime e vëllime librash nuk do të mjaftonin që t’i numërojmë shembujt nga botanika, zoologjia, medicina dhe astronomia. Çdo imtësi do të na dëshmonte dhe konfirmonte këtë baraspeshë precize dhe organizim madhështor në botën kreative dhe botën e krijesave. Naiv është rrëfimi se kjo harmoni dhe rend është rezultat i rastit, si për shembull kur të thonim se një eksplodim në shtypshkronjë i renditi shkronjat e ndonjë fjalori vëllimor.

I mashtruar është edhe kimisti i cili thotë: “Më jepni ajër, ujë edhe (baltë) kushtet e jetës natyrale dhe unë do t’ua trajtoj – përbëj njeriun.” Ky kimist, me vetë thënien se po i nevojitet materiale dhe kushtet, po e pranon paaftësinë që ta imitojë. Krijuesin, i cili çdo gjë e ka krijuar, e edhe kushtet e njeriut. E sikur edhe t’ia gjenim të gjitha këto kushtet dhe materiale dhe nëse ai, për shembull, do ta krijonte njeriun, nuk do të thotë: “Atë e krijoi rasti”, por do të thotë: “E kam krijuar unë”

Me të “krijuarit rastësisht do ta krahasonim rrëfimin mbi majmunin i cili është ulur para makinës së shkrimit dhe në pafundësi i shkruan të gjitha kombinimet e mundshme. A mund ta supozojmë se ai, një ditë, rastësisht do ta daktilografojë ndonjë strofë ose fjali të Shekspirit, e cila e ka kuptimin e vet. Çdo supozim i këtillë është i pamundur.

Ta lejojmë hipotezën se kjo rastësisht ka ndodhur në natyrë, se pas miliarda kombinimesh midis elementeve në ujërat e kënetave të formohet sasia e acidit atomik (DNA), i cili mundet vetvetiu ta përtërijë. Por, po pyetemi, se si kjo sasi e acidit organik është zhvilluar në jetën të cilën po e shohim? A mundemi të themi se (përsëri) rastësisht është formuar protoplazma, ose se, në rastin tjetër, është formuar qeliza, ose, se, në rastin e tretë, qeliza është ndarë në dy lloje: në bimore dhe shtazore, e këto qeliza, gradualisht janë përtërirë. Shpjegimi i tillë është i barabartë me shkopin magjik!

Kurdoherë që diç nuk kemi mund të kuptojmë kemi thënë se kjo rastësisht ka ndodhur, por a është kjo e arsyeshme?

Rastësisht shpezët dhe peshqit shtegtarë, në largësi prej mijëra kilometrash, nëpër dete e shkretëtira, orientohen kah caqet e veta? Rastësisht zogthi e then gëzhojën e vezës në vendin e saj më të ndjeshëm që prej saj të dalë? Rastësisht shërohen varat dhe vetvetiu, pa kirurg, koagulohen (qepen) skajet e tyre? Rastësisht luledielli kupton se dielli është burim i jetës së tij dhe për këtë i kthehet? Rastësisht në drurin e shkretëtirës rritet fara me krahë që të mund të fluturojë në zonat ku kushtet për bimë janë më të mira, ku kanë ujitje dhe shi? rastësisht bimët e zbuluan ngjyrën e vet të gjelbër (klorofilin) dhe e përdorin për krijimin e fuqisë së vet jetësore? Rastësisht mushkanja veve të veta, (pa ndihmën e Arkimedit), u ka krijuar qese notuese? Rastësisht bleta e ka organizuar shoqërinë dhe rregullimin, e ka aplikuar arkitekturën dhe teknologjinë e komplikuar kimike me të cilën lëngu dhe poleni transformohen me mjaltë dhe dyllë? Ose bubrreci, termiti, i cili e ka zbuluar ligjësinë themelore të ventilimit dhe ka ndërtuar shtëpi termostatike dhe në shoqërinë e vet në mënyrë rigoroze e ka zbatuar parimin e bashkësisë njëklasore? Ose insektet e ngjyrosura të cilat e kanë zbuluar teknikën e maskimit dhe kamuflimit?

A janë të gjitha këto rastësisht? Nëse edhe e pranojmë, në fillim, një rastësi, si mundet arsyeja ta pranojë zinxhirin dhe permanentësinë e aksidentales dhe koincidencës? Të pranohen fenomenet e këtilla si aksidentale do të thotë joseriozitet i cili mund të vërehet vetëm në filmat komikë të lirë.

Disa janë orvatur që fjalën aksident (rast) ta ndërrojmë me tjetër. Thanë se kjo jetë mallëngjyese, me të gjitha ngjyrat dhe llojet, ka lindur nga nevoja, nga domosdoshmëria, sikur që është nevoja dhe domosdoshmëria e cila të motivon në ushqim kur je i uritur. Pastaj, me ndërlikueshmërinë e rasteve, midiseve dhe nevojave, këto domosdoshmëri janë komplikuar dhe kështu janë krijuar të gjitha këto lloje.

Kjo është vetëm lojë fjalësh. Me fjalë tjera, në vend të fjalës “aksidentalisht” i kanë vënë fjalët “është komplikuar domosdoja e nevojshme”, e “ndërlikueshmëria” është, sipas tyre, automatike, prej vetvetiut. Ajo vetvetiu rritet dhe një ton shndërrohet në simfoni. Si? Si një ngjarje mund të rritet në roman përplot ngatërresa e të mos orientohet dhe dirigjohet me logjikë?

Nga ana tjetër, kush e ka vendosur i pari nevojën dhe domosdonë? Si mund të lindë domosdoja prej jodomosdosë (mundësisë)? Ky është diskutim i pafryt dhe kokëfortësi e cila ka për qëllim ta asfiksojë (shuajë) zërin e natyrës i cili na imponohet dhe flet se Krijuesi, Organizatori ekziston, se kjo është Dora e cila jep instruksione, shkopi i Dirigjentit, i cili e drejton këtë simfoni të bukur e mallëngjyese.

Kjo baraspeshë madhështore, harmoni mahnitëse, veçanti dhe rregullim i cili është i përbërë prej miliona detajesh thërret me tërë zërin se këtu ekziston Krijuesi, Filluesi i këtyre krijesave, se Ai është Zoti i Gjithfuqishëm, se Ai i posedon të gjitha përkryeshmëritë e tyre, se ndaj tyre ka kujdes, si baba i butë, i plotëson nevojat e tyre, i dëgjon psherëtimat e tyre, i sheh gjendjet e tyre. Ky është All-llahu të cilin fetë na e kanë përshkruar me emrat më të bukur (esmau-l-husna) dhe nuk ka Zot tjetër.
Ai s’është ligjësi e shurdhër për të cilën thotë materializmi, memec, e as zoti i izoluar i Aristotelit. Ai s’është as zoti i Platonit në botën idealiste, e Ai s’është as ekzistenca materiale siç e ka përfytyruar Spinoza (1) dhe rekomanduesit tjerë të panteizmit (monizmit ekzistencial-wahdetu-wuxhud).

———————————————————————————————–
(1)-”Ekziston vetëm një substancë e cila është shkak i vetvetes, medoemos ekziston dhe është i paskajshëm: zoti ose natyra

All-llahu është: Një dhe asgjë s’është i ngjashëm me Të. Ai është mbi çdo gjë e dimë, mbi të gjitha situatat, format dhe trajtat, kohët dhe vendet. Ai është i hetueshëm sipas veprimit të vet, i padukshëm sipas qenies së vet. Atë nuk e shohin sytë, e Ai çdo gjë e sheh, ose, thënë edhe më mirë, të gjithë sytë me Atë shohin. Me dritën e Tij dhe me ndihmën e fuqisë të cilën Ai syve ua dhuroi.

Arsyeja shkencore (el-aklu-l-ilmijj) nuk i pranon këto fjalët e sufizmit, andaj dëshiron ta shohë Zotin që ta pranojë. Dhe kur i themi se All-llahu është i pakufizuar, se është e pambarim, se është nocion transcendental, shkenca thotë se për këtë arsye atë nuk e pranon, se shkenca nuk beson në nocionet transcendentale – sekrete, dhe se sfera shkencore është empirike – se fillon prej sens ibilizmit dhe përfundon me përvojën dhe eksperimentin.

Do t’i themi shkencës se ky konfirmim është jo i vërtetë, sepse gjysma e shkencës së sotme është nocion transcendental, me fjalë tjera, shkenca konkludon se ngjitja kodrës është më e rëndë se sa zbritja teposhtë kodrës, se ngritja e gurit në shpinë është më e rëndë se sa ngritja e ndonjë shkopi, se shpendi kur ngordh bie në tokë, se molla nga trupi i mollës gjithashtu bie në tokë, se Hëna në gjithësi rrotullohet.

Këto vrojtime në shikim të parë ndërmjet veti nuk kanë kurrfarë lidhshmërie. Por, kur Njutni e zbuloi ligjin e fuqisë së gravitacionit (2)i cili i lidh të gjitha këto manifestime, atëherë edhe rënia e mollës nga druri, vështirësia gjatë ngjitjës, ngritja e gurit dhe lëvizja e Hënës në gjithësi, u bënë argumentet e teorisë e cila na e shpjegoi gjendjen faktike.

Edhe përveç kësaj ky gravitacion është nocion transendental, sepse askush s’e di ç’është qenësia e tij. Askush s’i ka parë shtyllat mbi të cilat mbështetet qielli dhe në të yjet dhe planetët, edhe vetë Njutni, autori i teorisë, në letrën drejtuar mikut të tij Bentlit, thotë: “Vërtet është e pakuptueshme që ta kemi materien e cila është e pajetë dhe jo e ndijshme që ndikon në materiet tjera dhe i tërheq edhe pse midis tyre nuk ka kurrfarë lidhje dhe marrëdhënie.”

Ja, kjo është teoria shkencore me të cilën manipulojmë, besojmë në të dhe e konsiderojmë shkencore e ajo është transcendentale, me mendje e pakuptueshme. Rasti i tillë i njëjtë është me elektronin, radio-valët, atomin, neutronin. Të gjitha këto s’i kemi parë por, megjithatë, në ekzistencën e tyre besojmë duke mjaftuar me gjurmët, emanacionet e tyre. Edhe ne, për këto fenomenet, themelojmë shkenca të veçanta, iu ndërtojmë institucione dhe laboratoriume, e ato shkenca, në raport me shqisat tona, janë jo të ndjeshme, gajb (transcendentale)(3).
Thënë më saktësisht, shkenca nuk e ka kuptuar esencën e asnjë sendi në tërësi. Vetëm i dimë emrat e këtyre sendeve, por jo edhe esencën e tyre. Ne ndërmjet veti shërbehemi me termat ndërsa esencën e tyre nuk e njohim. All-llahu ia mësoi Ademit vetëm emrat, por jo edhe kuptimet, siç konfrimohet në Kur’an:

“All-llahu ia mësoi Ademit të gjitha emrat…” (El-Bekare:31).

Ja, këta janë kufijtë, suazat e shkencës.

Më së shumti që shkenca dëshiron të mësojë këto janë raportet (lidhjet) (alakat) dhe përpjesëtimet (mekadir), por ajo nuk mund të shohë esencën, as qenësinë, kuiditetin e tyre. Shkenca në mënyrë permanente i mëson dhe njeh sendet sipas fenomenalitetit të tyre dhe i ekzaminon (hulumton) ato nga ana e jashtme. Edhe përkundër kësaj mënyre konsekuente iu përmbahet teorive të veta, sikur e ka mësuar esencën e sendeve; i preferon dhe rekomandon disa gjëra, të cilat, në raport me mjetet me të cilat shërbehet, janë transcendencë, persiatje dhe supozim i pastër.

Gjendemi në epokën e shkencës transcendentale e cila paraqet një lloj labirint supozimesh. Konsideroj se shkenca nuk mund ta kritikojë transcendencën deri sa ajo vetë deri në vesh është fundosur në transcendencë.
Për këtë do të ishte më mirë për ne të besojmë në botën e gajbit, botën transcendentale, në mirëbërësin tonë Fisnik, gjurmët dhe emanacionet e të cilit i shohim te çdo lëvizje e syrit, të çdo rrahje e zemrës, te çdo çast i meditimit. Kjo do të ishte më mirë se sa të asfiksohemi (mbytemi) në hipoteza e supozime.
__________________________________________________ _____

(2)-Gravitacioni (gravitatio), fuqia tërheqëse ndërmjet pjesëzave materiale në gjithësi nën ndikimin e së cilës kryhen lëvizjet e trupave qiellorë. Këtë ligj shkencërisht e shpjegoi fizikani i njohur Isak Njutni (1642-1727).

(3)-Krejt çka i tejkalon kufijtë e çdo përvoje të mundshme njerëzore dhe që me kurrfarë afrimi gradual nuk mund të njihet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit