Kryetari i Bundestag-ut, Norbert Lammert vizitoi Kuvendin e Shqipërisë. Deputetë nga të gjitha forcat politike shqiptare dhe përfaqësues nga Bundestag-u diskutuan në kuvend sfidat dhe rolin e “tempullit të demokracisë”.
Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, përfaqësia në Tiranë kishte vënë në qendër të aktivitetit atmosferën parlamentare në Shqipëri, duke evidentuar periudhën e 25 viteve të fundit. Një auditor miks, me përfaqësues të të gjitha grupeve politike që e përbëjnë Kuvendin aktual, duke iu lenë mundësinë ligjbërësve që të përshkruanin sipas këndvështrimit të tyre profilin e asaj që thirret si “tempull i demokracisë”.
Pavarësisht optikave të ndryshme, tentativave për hedhje të fajit në kampin kundërshtar – të gjithë ishin të dakordësuar në vlerësimin se në një çerek shekulli nga fillimet e proceseve demokratizuese, Kuvendi i Shqipërisë nuk është aty ku duhet, të paktën ashtu siç e dëshiruan studentët e dhjetorit 1990 dhe ata që u ngritën kundër diktaturës komuniste.
Madje seancat e fundit të parlamentit në Tiranë janë dëshmia e distancës mes agjendës kombëtare e europiane të vendit dhe problematikës sociale të popullatës nga njëra anë, me angazhimin e atyre që votohen nga qytetarët, në anën tjetër.
Oratorë të ndryshëm e lidhën këtë me mungesën e traditës demokratike, me monopolizimin e jetës politike nga një kastë e palëvizur, nga mosarritja e standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nga prezenca e korruspionit dhe krimit të organizuar që ka suport edhe nga sferat e larta politike, nga nepotizmi dhe mangësia serioze e demokracisë së brendshme tek partitë etj.
Zgjatja e periudhës së tranzicionit, gabimet e përsëritura nga mazhorancat, prezenca e një sistemi drejtësie të korruptuar, siç u tha në debat, ka mpiksur daljen e alternativave të reja, të qarkullimit të elitave dhe lënien mënjanë të gjeneratës së re nga aksioni politik e qytetar.
Të pranishmit patën rast që të njihen gjatë aktivitetit dhe me përvojën gjermane në rolin dhe funksionet e Bundestag-ut gjerman. Në diskutim, nisur dhe nga interesimi i madh i të ftuarve, u përfshi dhe presidenti i Bundestag-ut, Norbert Lammert, njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Shqipëri dhe në rajon. Ai u përqëndrua në dy aspekte kryesore të aktivitetit të parlamentit të Gjermanisë, të pandara nga njëra tjetra: te reputacioni që ka ky institucion në rradhët e publikut, si dhe marrëdhëniet mes deputetëve.
“Nëse në një parlament nuk ka respekt të ndërsjellë mes anëtarëve, atëherë s’ka çudi që tronditet besimi tek qytetarët, në bazën e elektoratit. Gjithashtu parlamenti bëhet i paaftë, sepse nuk ka kompetenca politike. Palët duhet të jenë të hapura mes tyre dhe të ketë frymë bashkëpunuese.
Ne themi që nevojitet plularizëm politik në shoqëri, por duhet të ketë dhe pluralizëm dhe demokraci edhe vetë brenda formacioneve politike. Kjo është një çështje esenciale në një rend demokratik që mbështetet nga gjithë kuadri ligjor, kushtetuta në tërësinë e vet, duhet të zbatohen me përpikmëri nga partitë politike”.
Lammert përmendi kushtetuën gjermane, që ka të sanksionuar se partitë duhet të respektojnë vullnetin e popullit, të zgjedhësve. Vetë partitë janë ‘rripa transmecioni’ për pikëpamjet e popullatës, por ama ato nuk kanë të drejtën e monopolit, ato mund të ndikojnë, por nuk janë të vetmet.
“Më pas vjen cilësimi se partitë duhet të respektojnë rregullat demokratike, që të gjitha procedurat të jenë konform ligjit, për të pasur një demokraci të brendshme brenda partisë, të ketë zgjedhje dhe të mos ketë si të thuash një cirk, a ‘kërcim në litar’. Në parti flitet, anëtarët duhet të thonë se nga vijnë paratë që financohen, si është e organizuar partia etj- të gjitha duhet të bëhen me një ligj e rregullore parlamentare.”
Arben Çejku, drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë në Tiranë ndjekës i aktivitetit mendon se problemet e parlamentarizmit dhe efektshmërisë publike të këtij institucioni përfaqësues, lidhen me trashegiminë e varfër të demokracisë në Shqipëri, me gjithë ato sfida që shihen edhe në parlamentet e vendeve ish-komuniste të rajonit tonë.
Pas 25 viteve jetë parlamentare pluraliste, shqiptarët duan të shohin një parlament ndryshe, një parlamentarizëm të modelit europian dhe një demokraci përfaqësuese përtej interesave të ngushta partiake, thotë për Deutsche Welle-n, Çejku, i cili për shumë vite ka qenë zyrtar i lartë diplomatik i Shqipërisë në Maqedoni e Kosovë.
“Refomat ligjore dhe kushtetuese që pritet të prekin parlamentin, mendoj se duhet të kenë në fokus interesin e gjerë të publikut, i cili nuk do ta shohë në të ardhmen parlamentin si teatër të një lufte verbale dhe pa principe demokratike, por duhet të reformohet përbërja dhe forma funksionale e tij. Ky institucion kushtetues duhet që të shërbejë për të gjithë përfaqësuesit si një tempull ku paraqiten alternativa dhe mbi të gjitha prevalon interesi i publikut. Për hir të së vertetës në kushtet aktuale është shumë pak i përfaqësuar dhe kjo ka bërë që hendeku mes shoqërisë dhe parlamentit të thellohet, ndërkohë që parlamenti funksionon në një krah duke funksionuar si ‘shtojcë e qeverisë’ dhe ‘hije e saj’ në seanca dhe në komisione”.
Arben Çejku përshëndet ligjin e dekriminalizimit të miratuar pak kohë më parë, por sipas tij ai duhet të pasohet me një reformë gjithëpërfshirëse, e cila të sigurojë një përfaqësim dinjitoz të elektoratit shqiptar dhe më në fund të kemi një kuvend, i cili të mund të menaxhojë krizat që shfaqin institucionet e tjera rreth tij dhe jo të mbetet vetë një vatër ku buron konfliktualiteti politik dhe ligjëratat e mbushura me dhunë verbale e ngjyra denigrimi personal.
“Agjenda e parlamentit shqiptar duhet të fokusohet tek interesat dhe problematikat e qytetarëve, pavarësisht përbërjes së tij, si dhe duhet të angazhohet më shumë në agjendën integruese të vendit, duke u bërë shembull jo vetëm për ligjërimin politik dhe debatin demokratik në seanca, por duke u bërë një mekanizëm i qendrueshëm në lehtësimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme që ka vendi ynë.
Natyrisht, demokratizimi, europianizimi dhe modernizimi i parlamentit, lidhet drejtpersedrejti me demokracinë përfaqësuese brenda partive politike dhe formës së sjelljes së tyre publike”.
Ilir Aliaj, drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, një organizatë joqeveritare e njohur në Shqipëri, e vlerëson aktivitetin e zhvilluar në Tiranë, organizuar nga Fondacioni gjerman Konrad Adenauer.
Duke iu referuar diskutimeve dhe komenteve që bëri presidenti i Bundestag-ut, Kryetari i Bundestagut, Norbert Lammert, ai mendon se problematika më e madhe që ka sot Kuvendi i Shqipërisë është mungesa e një debati konstruktiv, i cili ka bazë të tij problematikën e thellë të vendit. Në vend të këtij debati, në Kuvend diskutohen çështje nga më ndryshmet që më shumë i përkasin problemeve që kanë individë të caktuar brenda këtij institucioni me persona të tjerë, thotë Aliaj për Deutsche Welle-n.
“Sigurisht, që duhet thënë se kemi mungesë të përfaqësimit të elektoratit, pasi në kuvend deputetët janë të caktuar nga kryetarët e partive politike, kjo si pasojë e ligjit elektoral që ka vendi dhe në këtë mënyrë kemi një shkëputje të madhe mes realitetit dhe asaj që ndodh në kuvend”.