Bilanci i bisedimeve që janë duke u zhvilluar në Kombet e Bashkuara për kontrollin e tregtisë ndërkombëtare të armatimeve tregon se shumë vende kundërshtojnë dhe nuk duan rregulla më të forta.
“Standartin më të lartë ndërkombëtar” kërkon të vendosë OKB-ja për tregtinë me armë. Përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare kërkojnë futjen e të ashtuquajturit “rregull i artë” për kontrollin e tregtisë së armëve. Shitja e tankeve, pistoletave apo e municionit “nuk duhet lejuar, kur me to shkelen të drejtat e njeriut, ose e drejtat humanitare ndërkombëtare, kur me to kryhen sulme që rrezikojnë stabilitetin rajonal,” shpjegon kriteret Robert Lindner nga Oxfam-Gjermania. Ai merr pjesë si vëzhgues i Kombeve të Bashkuara, në bisedimet që mbahen në Nju Jork. Pas zhvillimit “shumë kaotik” të bisedimeve javët e kaluara, thotë Lindner ka ardhur koha që pikat e diskutueshme të zgjidhen, për të hapur rrugën deri në fund të muajit korrik.
Michael Ashkenazi nga Qendra ndërkombëtare e Konvertimeve (BICC) shikon një pikë fërkimi në pyetjen “nëse OKB apo një institucion tjetër duhet dhe deri në ç`masë të ndryshojë të drejtën e shteteve për vetëmbrojtje, të mishëruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”. Sepse e drejta për vetëmbrojtje është pjesë e të drejtës për të blerë armë për këtë synim, thotë eksperti i armatimeve Ashkenazi. “Dhe nëse ne fillojmë ta vemë në pyetje këtë të drejtë atëherë vemë në pyetje një aspekt themelor të Kartës së KB.”
Robert Lindner thotë se mes partnerëve të bisedimeve në Nju Jork është “relativisht e padiskutueshme” që tregtia me armë sulmi si tanke dhe avionë duhet rregulluar po ashtu si shitja e armëve të vogla. Konfliktet fillojnë me pyetjen a duhen përfshirë edhe municionet nën detyrimin për leje. SHBA janë një nga vendet që e refuzojnë me ngulm këtë propozim. Njëjtë është edhe për rregullat për armatimin e policisë dhe forcave të sigurisë, “pra gazit lotësjellës dhe pajisjeve të sigurisë, që përdoren për shkeljen e të drejtave të njeriut, siç u pa gjatë Pranverës arabe”, thotë eksperi i Oxfam-it, Lindner.
Shitjet miliarda dollarëshe sigurojnë vende pune
Biznesi me vdekjen është lukrativ. Me shitjen e tankeve, artilerisë, avionëve luftarakë, anijeve luftarake, mitralozëve, pistoletave dhe municionit, njëqind firmat më të mëdha bënë në vitin 2010 një biznes prej 410 miliardë dollarësh, siç bën të ditur Instituti për kërkimin e paqes në Stokholm, SIPRI. Shumë nga këto armë janë furnizuar në shtete krizash, ku konfliktet e armatosura janë bërë të mundura, janë ashpërsuar, apo zgjatur. Shembulli aktual është Siria, regjimi i Assadit mbështetet kryesisht në importin e armëve ruse.
Eksportuesit më të mëdhenj të armëve janë pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe. Së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, këto vende ndajnë gati gjithë tregun. Sipas të dhënave të SIPRI-t, këto vende ofrojnë 80 përqind të gjithë armëve që tregtohen në nivel global. Në SHBA, punojnë të paktën 3 milionë vetë në industrinë e armatimeve, në Gjermani rreth 80 mijë.
Mbrojtja e interesave të biznesit
Mes vendeve që janë kundër rregullimit të fortë të tregut numërohen vendet prodhuese si Rusia, SHBA, si dhe India. India është një nga blerësit më të mëdhenj të armëve. Arsyet janë të ndryshme, thotë Michael Ashkenazi. “SHBA janë eksportuesit numër një në botë dhe janë shumë të mërzitur që tregtia të rregullohet tani nga jashtë.“ Duhet pranuar gjithashtu, se SHBA kanë në njëfarë mase sistem të rregulluar mirë, për të penguar keqpërdorimin e armëve. Këtu kemi kryesisht të bëjmë me mbajtjen sekret të interesave të biznesit.
Mes kundërshtarëve të hapur të pakteve për kontrollin e armëve është edhe Kina.”Kina i shet armë zotit dhe botës,” thotë Ashkenazi. “Ky vend është shumë i gatshëm të pranojë rregullimet për tregtarët e ndërmjetëm, sepse edhe sot Pekini nuk i kryen bizneset e veta me ndërmjetës. Kina bën tregti direkt me qeveritë.”