3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A mund të gënjejnë fjalët? – Prof.Dr. Emine Sadiku

Më të lexuarat

A mund të gënjejnë fjalët?

Prof.Dr. Emine Sadiku

Fjalët janë përdorur gjithnjë për të ndërtuar gënjeshtra. Ka fjalë, që janë përdorur aq rëndom për të gënjyer e për të mashtruar, sa janë “diskredituar” dhe janë bërë shenja të epokave çnjerëzore. Shqipëria ka përjetuar disa epoka tiranike…. Tirania komuniste i ka lënë gjurmët e saj dhe në gjuhë, dhe në fjalët. Si rrallë herë u aktivizuan në kohën e Enverit aq shumë slogane e fjalë goditëse (madje vrasëse, sepse pas goditjes verbale vinte dënimi konkret).

Ka disa thënie proverbiale që nënvizojnë forcën goditëse të fjalës. Le të përmendim Majakovskin: “Dhe fjala, dhe vargu janë bombë e flamur!” Kjo thënie ka shërbyer si devizë në shumë regjime komuniste. I ka shërbyer ideologjizimit të letërsisë artistike dhe përdorimit të saj si mjet manipulimi dhe shpëlarjeje truri.

Si asnjëherë tjetër u përdor fjala e gjuha për të gënjyer e mashtruar në kohën e Hitlerit. Mos vallë u infektua tërë gjuha gjermane, mos u kthye kjo gjuhë në gjuhë gënjeshtrash? Apo nuk u prekën nga ideologjizimi? Sigurisht, fjalët, që u specializuan, që u përdorën intensivisht për të mashtruar, janë bërë sinonime të mashtrimit. Wienrich thotë: “Le të provojmë të shqiptojmë fjalë si hapësirë jete, zgjidhje përfundimtare, luftë totale, i gjithëfuqishmi, spastrim etj., goja vetë refuzon t’i thotë, vetëm i pështyn me neveri.” (Weinrich, H.: Linguistik der Lüge, Heidelber, 1974, f. 35)

Shembuj të tillë ka me shumicë dhe në gjuhën tonë. Sapo përmenden fjalë, si: plenum, luftë klasash, armiku i klasës, tufëzim etj. lind një reagim i fortë negativ, mosaprovues.
Fjalët mund të gënjejnë, në kontekste të caktuara ato përdoren për të gënjyer. Fjalët e molepsura nga ideologjia, pragmatizmi, mashtrimi duhen dëbuar nga gjuha. (Por kjo nuk do të thotë se shpëtuam nga gënjeshtrat e mashtrimet). Nuk ka terapi për këto fjalë.

Gënjeshtrat prishin jo vetëm stilin, ato prishin dhe gjuhën.

Por, si është e mundur që fjalët mund të gënjejnë? A gënjejnë fjalët tavolinë, zjarr, gur ? Tiranët, të cilët na kanë gënjyer nga viti në vit, i kanë pasur shpesh këto fjalë në gojë. Jo çdo fjalë mund të gënjejë. Ka mendime që pranojnë se fjalët me kuptim abstrakt gënjejnë më shumë nga ato me kuptim konkret. Por kufiri semantik, midis fjalëve që mund të gënjejnë dhe atyre që nuk mund të gënjejnë, kalon diku tjetër. H Weinrich sjell një shembull tepër interesant për të shpjeguar kalimin nga fjalë të zakonshme të gjuhës së përditshme në fjalë të ideologjizuara, që mbartin e shprehin koncepte të molepsura naziste: “Le të marrim dy fjalë të gjuhës gjermane me të cilat është gënjyer e mashtruar shumë, fjalët gjak dhe truall. Secila prej tyre është përdorur dhe përdoret normalisht për të shprehur konceptet përgjegjëse neutrale. Nuk gënjehet dhe nuk mund të gënjehet me këto dy fjalë të veçuara, por të bashkuara në togun “Blut und Boden” (Gjak dhe truall) ato gënjejnë. Po ku qëndron qendra semantike-mashtruese, ndoshta në lidhëzën dhe që lidh fjalët. Jo, kjo fjalë është krejt e pafajshme. Përftimi i një formule mashtruese bëhet me anë të pranëvendosjes së dy fjalëve që veprojnë reciprokisht duke formuar një kontekst. Fjalët përcaktojnë njëra-tjetrën dhe shënojnë së bashku (edhe me lidhëzën) një koncept hitlerian”. (Shih: Weinrich, H., Linguistik der Lüge Heidelberg, 1974, f. 36)
Shënim: Blut und Boden ‚Gjak dhe truall’ është koncept nazist, formulë e botëkuptimit hitlerian që synonte ekspansion pa mbarim.

Si përfundim mund të themi:

Fjalët, pa kontekste përcaktuese, nuk mund të gënjejnë. Por mjafton një kontekst i vogël (qoftë dhe një lidhëz) që fjalët të gënjejnë. Vetëm brenda kontekstesh fjalët e shprehin qartë konceptin. Fjalët, që gënjejnë shënojnë (pothuaj) pa përjashtim koncepte gënjeshtare. Ka dhe koncepte të veçuara, të vetme, me vlerë gënjeshtre. Por vetmia e tyre është vetëm në dukje, sepse pas tyre qëndron një kontekst i pashprehur gjuhësisht. Koncepte të tilla bëhen mjete ideologjike. Mendime të tilla mund të ilustrohen me shumë shembuj nga retorika politike e regjimit të shkuar komunist dhe atij të sotëm, postkomunist në Shqipëri. P.sh. Elementi, fjala vijë e marrë jashtë çdo konteksti nuk ka vlerë ideologjike, shënon një objekt a një dukuri neutrale. Në togjet vija e masave/ e partisë/ revolucionare etj. ajo shndërrohet në mjek propagandistik që shpërndan koncepte të rreme. Po kështu fjala ndikim e vetme nuk përmban ngjyrime dhe konotacione negative si në lidhjet: ndikime të huaja, ndikime revizioniste etj. Fjalë dhe terma, si: autokritikë, plenum, diktaturë proletare, luftë klasash, armik i klasës/i popullit, partishmëri proletare, realizëm socialist etj. përcjellin vazhdimisht absurditetin dhe egërsinë e diktaturës dhe të diktatorit. Me ato gënjehej dhe mashtrohej sistematikisht.

Ka fjalë-koncepte si demokraci që shfaqen shpesh me përmbajtje të rreme, mashtruese.
Sipas kuptimit, përdorimit, etimologjisë dhe vlerës së fituar në shekuj, fjala demokraci shenjon një formë shteti, në të cilën pushteti buron nga populli dhe ushtrohet me anë të përfaqësuesve të zgjedhur prej tij, me vullnet të lirë. Po kur përfaqësuesit e popullit nuk zgjidhen me votë të lirë e të vullnetshme, nuk kemi më demokraci. Aq më keq kur regjime të tilla emërohen demokraci popullore. Akoma më keq kur kemi farsa elektorale, kur votat blihen ose vidhen. Kështu gënjehet më tepër.

Fatin e fjalës/konceptit demokraci në botën e sotme e kanë dhe shumë koncepte që referojnë në vlera të larta morale shoqërore. Ato përpunohen e manipulohen sipas interesave të çastit duke e humbur ose reduktuar përmbajtjen autentike. Ja si shprehen në një anketim për vlerën e sotme të konceptit e vërteta disa personalitete gjermane:
“Fjala e vërtetë, njësoj si liri, barazi, tolerancë, besë, nder dhe shumë të tjera lundrojnë sot nën flamurin e karantinës… Koncepte të tilla, pa përjashtim, janë të molepsura nga ideologjia, pragmatizmi dhe nga qëllimet e gjithëfarëllojshme për të gënjyer. (Stefan Andres, 1964)

Reinhard Baumgart shkruan: “Dyshoj se vetë fjala e vërtetë qëndron shtrembër duke tentuar në të kundërtën e asaj që duhet të thotë, në gënjeshtër.” (në: Schwierigkeiten heute die Wahrheit zu schreiben, Münih, 1964, f. 35)

Gënjeshtrat totale

Gënjeshtrat totale, ato më të zezat, realizohen me fjali. Fjalitë u binden parimeve të semantikës dhe sintaksës. Një shprehje ka natyrë fjalie në sajë të tre veçorive, ajo përmban një determinante kohore, një vetore dhe një asertive. Determinimi asertiv ka të bëje me faktin që fjalia shpreh një gjykim i cili pohon ose mohon diçka nga realiteti. Këta tre determinantë të foljes e lidhin fjalinë me situatën folëse. Me studimin e këtyre determinantëve merret sintaksa. Me anë të teorisë së determinantëve semantikës së fjalisë i bashkërendohet sintaksa e saj. Fjalia përdoret si për të dhënë vërtetësi, ashtu dhe për të gënjyer. Fjalia e vërtetë ngjan me fjalinë e gënjeshtërt, por nuk është identike më të. Në fakt, në rastin e gënjeshtrave kemi dy fjali. Njëra fjali realizohet gjuhësisht, ajo shpreh një mendim/gjykim. Kjo është ajo që dëgjojmë dhe nuk është e vërtetë. E vërtetë është fjalia që nuk shqiptohet, por mendohet. Kjo nuk jep thjesht diçka ndryshe nga fjalia e gënjeshtërt, por përmban të kundërtën e saj. Duke i shtuar shqyrtimit tonë komponentin sintaksor përkufizimi i Augustin mund të pasurohet me këtë veçori. Gënjeshtra e shprehur me fjali nënkupton një fjali të dytë respektive, që nuk shprehet, por qëndron e mbyllur në mendim dhe është bartëse e së vërtetës. Vërtetësia e saj provohet në mënyra të ndryshme. Wienrich sjell si shembull një fjalim të Hitlerit me rastin e krizës së Sudeteve më 1938. Fjala e Hitlerit i referohet bisedës që ai ka pasur me kryeministrin anglez, Chaberlain: “E sigurova atë se populli gjerman nuk do gjë tjetër veç paqës… Unë e sigurova përsëri e përsëri se po të zgjidhet ky problem, Gjermania nuk ka probleme të tjera territoriale…” (Weinrich, H., Linguistik der Lüge Heidelberg, 1974, f. 56)
Fjala e Hitlerit është e datës 26. 09. 1938. Ndërsa udhëzimi i tij sekret i datës 30. 05. 1938 pohonte të kundërtën dhe nxirrte në shesh gënjeshtrën e mësipërme:
“Vendimi im është i pakthyeshëm, në një kohë sa më të afërt të godasim e të shkaktërrojmë Çekosllovakinë me aksione ushtarake. Të fillojnë përgatitjet pa humbur kohë.”

Rrjedha e historisë tregoi që ky mendimi i dytë ishte i vërtetë. Çekosllovakia u sulmua dhe u shkatërrua, ndërsa pretendimet territoriale të Gjermanisë naziste nuk reshtën. Weinrich, H., Linguistik der Lüge Heidelberg, 1974, f. 57)
Gënjeshtrat totale, ato më të poshtrat kanë natyrë sintaksore. Ato e shtrembërojnë kuptimin në një pikë, në një moment kyç, atje ku gjuha takohet me realitetin, në momentin e ligjërimit.

A gënjejnë reklamat?

Në kohërat e sotme gënjeshtra gjëllin në shumë sfera veprimi. Përveç rrafshit politik, juridik etj. gënjeshtra është një armë efikase dhe në fushën e reklamave. Reklama si akt komercial nuk mund të mos i përdorë gënjeshtrat për të manipuluar shijet e masave duke i shtyrë drejt blerjes.
Gënjeshtrat në gjuhën reklamore realizohen me mënyra dhe mjete të ndryshme. Hiperbola është ndër procedetë më të përdorura. Duke hiperbolizuar vetitë dhe vlerat e objekteve dhe subjekteve të reklamuara ndodh largimi nga e vërteta, fshehja e së vërtetës. Synimi i vetëm mbetet shitja, përfitimi me anë të shitjes. Për këtë duhen bindur me çdo kusht interesentët. Zmadhimi krejt subjektiv i veçorive në sens pozitiv, lartimi e lavdërimi pa kufi i vlerave të objekteve janë veprime që i kalojnë kufijtë e realitetit dhe të çojnë në një sferë që të paktën mund ta quash „fantazi“, nëse nuk do të përdorësh fjalën gënjeshtër. Në rastet e gënjeshtrave reklamore blerja shoqërohet gjithnjë me zhgënjime të hidhura. Për ta argumentuar dhe ilustruar mendimin tonë ne do të sjellim si shembull eksperiencën e një blerëseje të rregullt në tregun online, në një agjenci të njohur botërore. E trullosur nga reklamat ajo tregon se si iu kthye në mani dëshira për të blerë. Ajo tregon gjithashtu për entuziazmin e madh nga blerjet e suksesshme si dhe për zhgënjimin e shpeshtë, kur produkti nuk i përgjigjej përshkrimit dhe paraqitjes reklamore.

(Marrë me shkurtime nga shkrimi “Gjuha dhe gënjeshtrat”)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit