3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

SISTEMI I DREJTËSISË, I NDIKUAR NGA POLITIKA

Më të lexuarat

Njëri nga kriteret që duhet të përmbush Kosova drejt rrugës për në BE, pa dyshim se është edhe pavarësia e sistemin të drejtësisë, për ç’gjë disa nga subjektet opozitare konsiderojnë se Qeveria e Kosovës i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, kjo vërehet edhe atëherë kur trajtohen rastet korruptive. Ndërkaq, drejtues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës vlerësojnë se në këtë drejtim ka përmirësime, ndërsa konsiderojnë se nevojiten disa ndryshime, në mënyrë që gjyqësori të jetë i pavarur, njofton Kosovapress.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” mendon se Qeveria duhet t’i mbajë duart larg sistemit të drejtësisë, mirëpo, sipas saj, gjendja e krijuar në drejtësinë e Kosovës tregon se sistemi i drejtësisë është i ndikuar drejtpërdrejt nga politika për faktin se problemi fillon prej emërimit të gjyqtarëve, i cili sipas saj, bëhet na baza politike dhe bën që sistemi i drejtësisë mos jetë i pavarur, por i ndikuar direkt nga politika.

“Në një mënyrë apo tjetër shumicën e gjyqtarëve i zgjedh ose presidenca, ose ekzekutivi ose Kuvendi. Pra këtu fillon problemi pasi që ata do të varen në një mënyrë apo tjetër nga ata që edhe i emëronin. Ne themi se sistemi i drejtësisë është shumë i ndikuar politikisht, pra qeveria i ka futur duart hapur në sistemin e drejtësisë. Kjo vërehet për shkak të trajtimit të rasteve korruptive ne Kosovë. Ju e dini që në njërën anë kemi korrupsionin në nivelin me të lartë, ndërsa në realitet nuk kemi asgjë konkrete nga gjyqtarët apo prokurorët. Pra gjyqtarët apo prokurorët i trajtojnë rastet sipas preferencave të tyre që i kanë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo si fakte ka përmendur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetues, si dhe mënyrat se si janë trajtuar rastet e vjedhjes së votave nga prokurorët. Pra, sipas Haxhiut, me këtë është degraduar komplet sistemi gjyqësor në Kosovë.

Haxhiu, konsideron se me Qeverinë aktuale është e pamundur që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, ngase siç shprehet ai, kjo Qeveri ka interes ta mbaj nën kontroll sistemin e drejtësisë, për shkak të korrupsionit të lartë dhe veprave të tjera negative. Sipas saj, për të pasur një sistem të pavarur kjo qeveri duhet të shkoj në shtëpi.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thekson se që nga koha sa është në krye të këtij institucioni, dalëngadalë edhe ato ndikimet e mundshme politike në sistemin e drejtësisë janë eliminuar, sidomos në procesin e emërimit të gjyqtarëve edhe interferimet e presidentëve të kaluar të cilët kanë ardhur nga një parti politike.

“Unë prej që jam në Këshillin Gjyqësor, që nga viti 2010, dalëngadalë edhe ato ndikimet e mundshme politike, ato problemet që kanë ekzistuar sa i përket procesit, sidomos te disa çështje që në dukje shihen që munden me ndiku, sa i përket anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ngase tendenca është që pjesa dërmuese e anëtarëve ta zgjedhin gjyqësorët e jo Kuvendi, siç është me Kushtetutën tetë anëtarë. Kështu që edhe këto çështje kanë me hasë në mirëkuptim, edhe faktori ndërkombëtar dhe politika aktuale e ka pranuar që duhet të behet ky ndryshim, në mënyrë që në të ardhmen me të vërtet gjyqësori me qenë i pavarur”, ka thënë Peci.

Sipas tij, për të hequr dilemat dhe mundësitë e ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë nevojiten patjetër të bëhen këto ndryshime, qoftë në procesin e përzgjedhjes së presidentëve, qoftë në sigurimin e buxhetit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Pjesa më e ndjeshme do të thotë është sa i përket buxhetit të gjyqësorit në përgjithësi, ngase buxheti aprovohet përmes Ministrisë së Financave dhe i kemi disa kufizime strikte, jo sipas nevojave, por sipas një vije të kuqe ta quaja ashtu, që cakton Ministria e Financave për Gjyqësorin në Kosovë. Nëse ka pak indiferencë sa i përket pavarësisë buxhetore, ajo mundet me ndiku edhe në pavarësinë tjetër. Kështu që shpresoj se në vitet e ardhshme do të mendohet në këtë drejtim, dhe të mendohet se Administrata e gjyqësorit të ndahet prej shërbyesve civilë në kuptimin e asaj që mos t’i nënshtrohen rregullave që vlejnë për shërbyesit civilë”, ka thënë ai.

Për më tepër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mendon se me ndryshimet kushtetuese dhe me zgjedhjen e presidentit përmes votës së popullit do të eliminohet edhe kjo problematikë.

Përndryshe, Organizata Freedom House në raportin e përvitshëm “Vendet në tranzit 2012″, ku analizohen zhvillimet demokratike në Evropën Qendrore, Lindore dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, vlerëson se në Kosovë sistemi drejtësisë ka pësuar përmirësime, duke u vlerësuar me notën 5,50./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit