5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

REXHEP BOJA, NJERIU I KAUZËS SË FESË DHE ATDHEUT

Më të lexuarat

Paqja dhe qetësia që të ofron e sotshmja, duke qenë në atdheun tënd, në shtëpinë tënde, i lirë për të zgjedhur, i lirë për të praktikuar fenë dhe besimin, përtej gjithçkaje, i sigurt, nuk duhet marrë kurrsesi si e mirëqenë, ngaqë, është punuar me shumë mund e sakrificë, nga atdhetarë, burra e gra të ndershme, në kohëra të vështira trazirash, ndalimesh, e luftërash, për të nxjerrë në dritë kohën e paqes dhe të lirisë për brezat e ardhshëm. Këta ishin njerëz që i qëndruan besnikë të vërtetës, në kohëra kur, e vërteta nuk sillte veçse persekutim e vuajtje, e megjithatë, ndihma e Zotit është me ata që i qëndrojnë besnikë të vërtetës dhe të drejtës.

Rexhep Boja, ishte ndër ata njerëz të mirë e të vendosur, që pati një  gamë të madhe veprimtarish të begatshme, asokohe kur Kosova ishte nën vuajtjet e shkaktuara prej gjenocidit dhe uzurpimit serb. Ai tërë jetën ia kushtoi ngritjes dhe avancimit të jetës fetare, e krahas kësaj, ka dhënë një kontribut të paçmuar për shtetëzimin e Kosovës.

Që të njohim biografinë e tij, në vija të përgjithshme, Rexhep Boja lindi më 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë të Klinës. Që në vegjëli spikati për mprehtësinë në të mësuar dhe në të qenit i prirur për dije, e kësisoj nuk iu nda udhës së diturisë. Studimet universitare i kreu në Universitetin Islamik të Medinës, në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Po në Medine i kreu edhe studimet postdiplomike – përfundoi studimet e nivelit master më 1981 me temën “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami”, ndërsa më 1985 u doktorua me temën “Myslimanët në Jugosllavi”.

Pas përfundimit të doktoraturës, më 1986 ai kthehet në Kosovë, ku fillon punën si imam në Pejë, një detyrë që ai do ta kryente më së miri gjatë viteve. Aty ai njihet më nga afër me bashkëkombasit e tij përreth tryezës së bisedimeve të përzemërta, ku shkrihen shpirtrat bashkëvuajtës, si dhe rreth dritës së ligjëratave në xhami, e në të njëjtën kohë, do të angazhohet edhe si pedagog në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë deri më 1990. Në 1991 zgjidhet kryetar (titulli asokohe quhej Myfti, pasi ishin ende nën Rijasetin jugosllav) i Bashkësisë Islame të Kosovës. Ishte kontributi i tij i pashoq si myfti, duke çarë përmes vështirësive të asokohshme, kundrejt presionit politik e luftarak që ia behte nga të gjitha anët, si edhe duke pasur mbështetjen edhe të intelektualëve myslimanë të tjerë, bëri të pavarësohet Bashkësia Islame nga ajo e Jugosllavisë. Në dhjetor të vitit 1993, nën udhëheqjen e Bojës, BIK vendosi të shkëputej nga RIJASET-i i atëhershëm duke shpallur kështu mëvetësinë e saj. I nderuari Boja do ta udhëheqë këtë institucion deri në vitin 2003, duke konsoliduar kështu edhe udhën për brezat që do ta pasonin atë, që të përmbushnin misionin fisnik që njeriu ka në tokë, që të jetë kalif i Zotit, duke urdhëruar për të mirë, duke ndaluar nga e keqja dhe duke siguruar besimin dhe jetesën e njerëzve.

Ai ishte një udhëheqës i urtë, i cili, duke qenë në krye të Bashkësisë Islame në vitet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova, ndikoi që solidariteti, besimi dhe paqja ndërmjet qytetarëve të Kosovës të kultivoheshin e të thelloheshin më tej.

Përveç kontributit të shquar fetar, do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij kombëtar. Është për këtë arsye që ai, siç do të përmendim në vijim, ka pasur edhe poste në diplomacinë e shtetit të Republikës së Kosovës.

Rexhep Boja është ndër themeluesit e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku ka ligjëruar  për vite me radhë në lëndët: Fikh dhe Dave. Gjithashtu, ka qenë dekan i këtij fakulteti që nga viti 1992 deri më 2011.

Gjatë kohës sa ishte në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca, simpoziume e takime të niveleve ndërkombëtare ku ka dhënë një kontribut të çmuar.

Ka kryer edhe një varg detyrash të tjera fetare e shtetërore me rëndësi, siç janë: Këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës; koordinator zyrtar për aktivitetet bamirëse dhe njerëzore në shtetet arabe; anëtar në Këshillin e Lartë Botëror për xhamitë në Ligën e Botës Islame; anëtar në Këshillin Transitor kosovar të formuar nga OKB-ja; anëtar i Rijasetit në Sarajevë në Federatën jugosllave; anëtar në Këshillin Shura për Euroazi.

Rexhep Boja është autor i shumë studimeve në fusha të ndryshme, me të cilat është paraqitur në konferenca e simpoziume, si dhe i artikujve të shumtë që janë botuar në gazeta e revista vendore e ndërkombëtare në gjuhën shqipe, arabe e angleze. Gjithashtu është edhe autor i dy librave: “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami – Myslimanët në ish-Jugosllavi”, botim në gjuhën arabe, “Për një të nesërme më të mirë”, në gjuhën shqipe.

Rexhep Boja, që nga viti 2012 e deri më 2018’ën, ushtroi funksionin e  ambasadorit të  Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, ku luajti rol shumë të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ish-ambasadori i Kosovës në Riad, do të kujtohet edhe si njëri nga klerikët fetarë që bëri punë të madhe në iniciativën për pajtimin e gjaqeve përgjatë fillim viteve të 90-ta. Së bashku me shumë klerikë myslimanë e katolikë, Boja arriti të pajtojë dhjetëra familje shqiptare duke kontribuar në misionin fisnik që u nis nga profesori Anton Çetta.

Gjithashtu vlen të përmendet që Boja pati edhe një kontribut të veçantë në organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila, në fillim-vitet e 90-ta ishte lëvizja popullore e shqiptarëve të Kosovës. Boja si myfti kishte dhënë për shfrytëzim objektin e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë për mbajtjen e Kuvendit të parë të LDK-së, që u organizua më 5 maj 1991 me pjesëmarrjen e mbi 276 delegatëve. Ai do të kujtohet si imami që e fali namazin e xhenazes të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Më 14 shtator 2021, pushoi së rrahuri zemra e tij e madhe, e cila përgjatë një jete, mbrujti ndjenja e rrezatim në emër të fesë Islame e të atdheut, duke përmbushur kauza madhore dhe duke lënë pas gjurmët e tij të pafshishme. Shumë politikanë e figura publike shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen e tij. Ai do të kujtohet gjithmonë në lutjet e atdhetarëve e të besimtarëve që ndanë me të, të njëjtat kauza, si edhe do të kujtohet me lutje edhe nga ata që do të gëzojnë tashmë lirinë fetare dhe atdhetare, duke qenë shqiptarë të Kosovës, dhe pasardhës të një brezi që përpjekjen e tyre e dhanë në kohëra të vështira, që, me lejen e Zotit, të mund të vinin kohëra më të mira.

Msc. Mehmet Disha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit