-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Alarmante: Derri futet ilegalisht në Kosovë, mishi i “fshehur” në nënprodukte

Më të lexuarat

Nga Bashkim Kastrati
 
Në Kosovë nuk bëhen fare analizat e ADN-së për produkte të mishit, por as për produkte të tjera. Si pasojë e mungesës së kësaj analize kanë hyrë produkte që kanë përmbajtje të padeklaruara në përbërje. Ka raste kur supat kanë yndyrë derri, por që nuk a kanë të deklaruar, e që rrjedhimisht qytetarët e Kosovës konsumojnë produkte me përbërje të derrit, por nuk e dinë.
 
Produkteve të mishit, në çdo vend të Bashkimit Evropian, i bëhen analizat e ADN-së, por në Kosovë mungojnë laboratorët. Po ashtu, pak biznese kosovare janë të certifikuara me standardet e BE-së për siguri në ushqim. Njohësit e kësaj fushe thonë se mungesa e kontrollit e bënë Kosovën vend ë pasigurt për sa u përket produkteve ushqimore, sidomos në përmbajtje.
 
Burim Piraj kryetar i Shoqatës së Importuesve të Mishit, i cili është drejtor i industrisë së mishit “Meka” nga Dragashi ka thënë për tesheshi.com se analiza e ADN-së është e rëndësishme që të bëhet sidomos për produkte të mishit, por edhe për produkte të tjera. Ai thotë se kjo analizë nuk ka të bëjë me sigurinë e ushqimit, mirëpo ka të bëjë me llojin e mishit të përdorur.
 
Piraj thotë se më shqetësues është fakti se kur produktet importohen me yndyrë derri, ndërsa kjo përbërje nuk deklarohet fare tek përbërja e produkteve.
 
“Kemi rast kur produkte të caktuara që importohen të kenë yndyrë ose mish derri, ndërsa nuk deklarohet në përshkrimin e përmbajtjes së produktit. Një gjë e tillë ka ndodhur kohëve të fundit në botë me supat MAGGI që kanë pas yndyrë derri të padeklaruar, por dhe ka disa sallame dhe produkte të tjera të cilat dyshohet se kanë përmbajtje nga mishi i derrit, të cilat nuk e deklarojnë për arsye se po të deklaronin konsumatorët Kosovarë nuk do të blinin, pasi që konsumatorët kosovarë me shumicë i takojnë komunitetit Islam dhe nuk konsumojnë mish derri”, thotë Piraj. Në vende të ndryshme është vërtetuar kjo, por a do të thotë se qytetarët e Kosovës i kanë konsumuar këto produkte pa e ditur se kanë përmbaje të mishit të derrit, pasi që nuk ka analiza të ADN-së.
 
Ai thotë se rëndësia e analizës së ADN-së është në gjetjen e prejardhjes së mishit të përdorur dhe vërtetimi se a përputhen të dhënat e shënuara në përmbajtjen e produktit me atë që realisht përmban.
 
“Po ja u jap disa shembuj: shpeshherë në suxhuk përdorët mishi i pulës në vend të mishit të viçit për të arritur një çmim shumë të lirë të këtij produkti dhe ka disa kompani që në përmbajtjen e produktit nuk e deklarojnë se ka mish pule, gjë që është shkelje e rëndë e ligjit të ushqimit dhe atij të konsumatorit, sepse me këtë gjest mashtrohet konsumatori.
 
Kështu kemi të bëjmë me vepër penale të dënueshme me kodin penal të republikës së Kosovës.
 
Nuk dihet origjina e mishrave dhe produkteve tjera
 
Duke marrë parasysh se ka mungesë të analizave të ADN-së, mishtorët në Kosovë pa pikë problemi mund ta shesin mishin e kalit apo të ndonjë kafshe tjetër si mish lope. Ngjashëm, edhe nëpër pikat kufitare, mund të hyjnë produkte të mishit me deklaratë të rreme. Krejt kjo mund të ndodhë pasi në Kosovë mishit nuk i bëhen analizat e ADN-së. Kjo analizë, që kryhet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, bëhet për të verifikuar mishrat e dyshimta, në rastet kur importuesit manipulojnë me dokumente.
 
Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”, thotë për tesheshi.com se për shkak të mungesës së analizës së ADN-së qytetari konsumator i Kosovës ka mundësi të konsumojë mish dhe produkte tjera me origjinë të dyshimtë.
 
Ai thotë se mish i tillë i dyshimtë është ai që kontrabandohet dhe, natyrisht, çdo mish i cili importohet pa kontratën e Republikës së Kosovës me Shtetet me të cilat zhvillon raporte, marrëdhënie tregtare. Kaçaniku thotë se tash për tash Republika e Kosovës, përkundër faktit se bën tregti me shumë shtete, me asnjërën nuk ka kontratë për tregti, kontratë kjo që të dy palëve do t ju jepte më shumë besim e siguri të ndërsjellë.
 
“Duke i njohur (pa) mundësitë e Republikës së Kosovës dhe (pa) gatishmërinë, (pa) interesimin nuk kemi bërë kërkesë eksplicite për analizën ADN te produktet dhe nënproduktet e mishit. E kemi përmendur edhe medialisht, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje! Kjo për arsye se kemi mbetur të vetmuar dhe të “harruar” edhe nga qytetari konsumator, i cili pak ose pamjaftueshëm ofrohet për bashkëpunim, bashkëveprim, bashkëaktivizëm, bashkëfinancim”, thotë Kaçaniku.
 
Ai na shpjegon se analiza ADN-së është e një rëndësie të veçantë sepse tregon për origjinën e mishit, në veçanti për mishin e importuar dhe për atë të kontrabanduar, për arritjen e majmërisë me hormone ose antibiotikë të tepruar. Këto analiza bëhen edhe për të analizuar për ushqyerjen e kafshëve / shpezëve / peshkut me “koncentrate” të dyshimta dhe me ato nga ngordhësirat e ndryshme, për ushqimin e kafshëve me bimësi GMO ose kanceroze me Aflatoksinë M1 etj.
 
“Se bëhet fjalë për mish kafshësh, shpezësh ose peshku të paidentifikuar siç ka ndodhur në Kinë dhe me importet nga Kina të mishit të gjoksit të pulës që në të vërtetë ishte mish miu gjigant, përbërja e të cilit është 96 % identike me mishin e pulës. As analizat më të sofistikuara kimike nuk mund të identifikojnë / ta konstatojnë me lehtësi këtë, përveç analizës së ADN-së”, u shpreh Kaçaniku.
 
Analiza e ushqimit me ADN nuk e kushtëzon legjislacioni në fuqi
 
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk ka kapacitete për këso kontrolle të detajuara. Për të gjitha produktet e mishit që importohen dhe ato vendore, kjo agjenci bazohet vetëm në dokumente dhe në deklarata.
 
Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, ka thënë për tesheshi.com se analizimi i ushqimeve për ADN duhet të ketë edhe arsyen se pse të kërkohet një analizë e tillë.
 
Ai thotë se analizimin e ushqimit me ADN ende nuk e kushtëzon legjislacioni në fuqi, prandaj edhe tek ne nuk është e nevojshme ndërmarrja e masave për testime me këto metoda, mirëpo shton se kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të praktikohet një praktikë e tillë.
 
“A do të ndihmonte analiza e ADN-së në cilësinë e ushqimit, përgjigjja është po, por jo edhe domosdoshmëria e kësaj analize për të pasur një ushqim të sigurte dhe cilësorë . Kjo do të thotë se , deri më tash janë të zhvilluara metoda tjera, disa më të thjeshta e disa më të përbëra të cilat mundësojnë me saktësi kryerjen e analizave të ushqimit me të cilat mundet të verifikohet siguria dhe cilësia e nevojshme për të mbrojtur konsumatorin në nivel shumë të lartë , pa pas nevojë të realizohen analiza të ADN-së në ato produkte”, thotë Thaçi.
 
Ai thotë se edhe me testimet aktuale, gjithsesi mundësohet një verifikim shumë i saktë i parametrave të cilët ndikojnë se ushqimi i cili plasohet në tregun tonë është i sigurte dhe i cilësisë së deklaruar. Sipas tij, edhe pa analizat e ADN-së mund ta arrijmë një verifikim shumë të mirëfilltë të ushqimit si për nga përbërësit ashtu edhe identitetin e tij.
 
Mirëpo, rasti i produkteve të qumështit e pati thënë të kundërtën. AUV fillimisht pati deklaruar se produktet e qumështit në Kosovë janë brenda kufijve me aflatoksinë, kurse më vonë, pas analizave, doli e kundërta. Prej 26 produkteve të qumështit që importon Kosova, 23 nga to doli se janë kancerogjene. Ky është rezultati i analizave, të cilat u kryen jashtë vendit. /tesheshi.com/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit