-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Obesiteti, sëmundje e shekullit 21

Më të lexuarat

Për pasojat e obesitetit ka ditur edhe Hipokrati para 2000 vitesh me thënien e tij se “Vdekjet e papritura janë shumë më te shpeshta tek personat me mbipeshë se tek ata me peshë normale”.

Dr. Shpresa Ahmetaj, nutricioniste
Adresa: Bregu i Diellit, Zona e Jugut, IV/1/1
tel: +377 44 190 515
e-mail: [email protected]

Obesiteti, që dikur ishte frikë kryesisht e të pasurve, po rrezikon edhe vendet e varfra shumë milionëshe, duke bërë këto shtete të përballen në të njëjtën kohë me problemet edhe te mungesës së ushqimit edhe të mbipeshës.

Sa janë alarmuese shifrat për mbipeshën dhe obesiteti
Ne botë janë rreth një miliard të rritur me mbipeshë dhe 300 milion obesiv, ndërsa 43 milion fëmije janë me mbipeshë dhe obesiv dhe 92 milion janë në rrezik nga obesiteti. Sipas publikimeve më të reja të WHO për mbipeshën dhe obesitetin në Evropë kryeson Çekia, por nuk janë shumë mbrapa edhe Sllovenia, Britania e Madhe, Sllovakia, Greqia etj. Sa i përket mbipeshës dhe obesiteti tek fëmijët nën 5 vjet, Bosnja dhe Hercegovina e mban flamurin e përcjellur nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj, dhe kjo len të kuptohet se edhe gjendje në Kosovë nuk mund te jetë më e mirë edhe pse në Evropë si duket vetëm Kosovë nuk ka ndonjë statistikë për mbipeshë apo obesiteti as për të rriturit e as për fëmijë.
Sikur mbipesha dhe obesiteti të ishin vetëm probleme estetike kjo do të ishte më pak shqetësuese. Por obesiteti është një problem serioz shëndetësorë dhe si pasoj ka rritjen e rrezikut nga sëmundje të ndryshme që njëherazi afektojnë edhe ekonomin e një shteti.
Obesiteti është përgjegjës për më shumë se 1 milion vdekje dhe 12 milion të sëmurësh në Evrope dhe bënë shpenzime deri në 150 miliard euro në vite, prej të cilave 57% për kujdes shëndetësorë, 21% për humbje në prodhime, 22% për kujdes joformal për pacientët.

Rregullimi i oreksit dhe metabolizimit
Qendra për rregullimin e oreksit lokalizohet në hypotalamus. Ekzistojnë dy lloj neurone, ai sekondar që koordinon nivelin e metabolikëve dhe hormoneve dhe ata primarë, siç janë:
* neuropeptidi Y- që stimulon oreksin përmes hormoneve si ghrelina, e cila tajohet prej lukthit, dhe
* propimelanocortini që inhibon oreksin përmes PYY hormonit i cili tajohet në intestine.

Insulina është hormon që ka rol afat shkurt dhe afat gjate në rregullimin e oreksit duke inhibuar neuronin stimulues dhe aktivizuar atë inhibues. Rezistenca në insulinë lidhet me obesiten dhe humbja e efektit të insulinës në rregullimin e metabolizmit haset tek diabeti tipi 2. Hormon tjetër me efekt të përafërt si insulina në rregullimin e oreksit është dhe leptina, që tajohet nga qelizat dhjamore dhe tek personat obesiv zakonisht është e rritur. Leptina zvogëlon oreksin duke stimuluar neuronin inhibues, por nganjëherë tek obesivët mund të ketë një rezistencë ndaj këtij hormoni qe është mjaft I ngjashëm me atë te rezistencës së qelizave ndaj insulines. Abnormalitet tek funksioni i leptines rezulton në konsum te pakontrolluar të ushqimit dhe lajmërim të obesitetit.

Funksioni normal i organizmit varet nga marrja e energjisë përmes nutrientëve siç janë, karbohidratet, proteinat, yndyrat. Vitaminat, mineralet dhe uji, edhe pse nuk kanë vlera kalorike, organizmi nuk mund të funksionojë normal pa to. Energjia i nevojitet organizmit që të jetoj, rritet, të mbaj temperaturën trupore dhe të lëvize. Nevojat për energji dallojnë prej personit në person, dhe varen prej moshës, gjinisë, kompozicioneve të trupit dhe aktiviteti fizik.
Kryesisht numri i kalorive ditore për femra është përafërsisht 2000-2200 kcal dhe rreth 2500-2700kcal për meshkujt.

Se sa kalori i nevojiten një personi përcaktohet nga tre faktorë:
* Metabolizmi bazal, që është sasia e energjisë që nevojitet për të mbajt funksionin normal të organizmit në kushte të qetësisë dhe kjo sillet rreth 60-75% e kalorive të marra gjatë ditë. Metabolizmi bazal varet prej nivelit të masës jo dhjamore siç janë p.sh muskujt, masa e të cilëve mund të mbahet ose shtohet nga aktiviteti fizik. Meshkujt kanë më shumë muskuj kështu që harxhojnë më shumë kalori se femrat.

* Efekti termik i ushqimit të konsumuar, qe është energjia e cila harxhohet gjatë digjestionit, metabolizmit dhe formimit te rezervave te materieve ushqyese dhe llogaritet rreth 10% të totalit të kalorive ditore.

* Numri i kalorive të harxhuara gjatë aktivitetit fizikë- që varen nga mënyra e të jetuarit .Për një person që bën jetë sedentare përqindja e kalorive të harxhuara brenda ditës sillet rreth 15-20%.

Definicioni i mbipeshës dhe obesiteti
Kur për një person thuhet qe ka mbipeshe zakonisht i referohemi një peshë të tepërt te përbëre nga indi muskulor, kockat dhe indi dhjamor, ndërsa si obesiv i referohemi kur personi ka peshë e tepërt kryesisht nga indi dhjamore. Një person konsiderohet obesiv kur pesha e tij kalon 20% e me shumë të peshës normale.

Indeksi i masës trupore (BMI) është mënyra më e mirë për matjen e prevalencës së obesitetit në një popullate por përdoret edhe tek rastet individuale. Nuk duhet ndonjë aparaturë e specializuar, dhe përdoret në tërë botën dhe mund të shfrytëzohet për të krahasuar të dhënat për obesitetin në mes grupeve, etnive dhe shteteve të ndryshme.
Tek të rriturit ekzistojnë vlerat statike të BMI dhe për shumicën e njerëzve korrespondojnë mjaft mirë me nivelin e indit dhjamor, por pasi që nuk përcakton lokalizimin e dhjamit në trup në shumë raste kombinohet me matjen e perimetrit të barkut (indit dhjamor rreth barkut) dhe na jep më shumë informata nëse personi është në rrezik nga paraqitja e sëmundjeve që vijnë si pasojë e obesitetit.

Sa i përket fëmijëve vlerat e BMI nuk janë statike por ndryshojnë në bazë të gjinisë dhe moshës, ndërsa për matjen e perimetrit te barkut ende nuk ka kriteriume të pranueshme internacionale në të cilat mund të bazohemi.

Kur indi dhjamor është më shumë i depozituar nën bel, personi ka formën e ‘dardhës’ dhe kur indi dhjamor depozitohet mbi bel ka formën e ‘mollës’, forma këto që tregojnë se sa është i rrezikuar një person prej sëmundjeve kronike.

Tek personat me akumulim të indit dhjamor rreth barkut (forma e mollës) dhjami nuk lokalizohet vetëm nën lëkure por edhe rreth organeve si zemrës, mëlçisë, veshkave dhe intestineve,e bile mund edhe të depërtoj ne brendësi te organeve. Te këto raste dhjami pengon qarkullimin e gjakut në këto organe dhe gjithashtu interferon në funksionin e tyre dhe kjo bën që të ketë një balancim të insulinës që edhe më shumë shton akumulimin e dhjamit duke shkaktuar sindromin metabolik me gjitha komplikimet e saj si dislipidemin, diabetin tipi 2 dhe hypertensionin.
Në anën tjetër, indi dhjamor i akumuluar në pjesën nën bel nuk korrespondon direkt me disbalancë të insulinës, por me kohë dhjami do të shtrihet edhe në pjesën e sipërme të belit duke rritur kështu rrezikun për sëmundjet të ndryshme kronike.

Çka e shkakton obesitetin?
Etiologjia e obesiteti është mjaft komplekse dhe multifaktoriale. Edhe pse obesiteti kryesisht zhvillohet si pasojë e konsumimit të shtuar të ushqimit dhe zvogëlimit të aktiviteti fizik, janë edhe shume faktorë tjerë që bëjnë që një person të jetë obesiv . Këtu mund të hyjnë:
* Mosha – në mosha të rritura aftësia e organizmit për të metabolizuar ushqimin zvogëlohet, ndërsa aktiviteti fizik shkon duke u ulur.
* Gjinia – Femrat kanë me shumë tendencë të shtojnë në peshë se meshkujt dhe sidomos në periudhën e menopauzës. Ndërsa meshkujt më lehtë i harxhojnë kaloritë pasi që kane me shumë masë muskulore.
* Gjenetika – Pasi që jo gjithmonë një person bëhet obese, edhe pse i ekspozohet faktorëve obesogjenik si shprehive të këqija në ushqim, aktivitetit të pakët etj, flet se duhet të ekzistoje edhe predispozim gjenetik. Obsitetin shpesh e hasim brenda një familje dhe sipas shumë studimeve del që kur njëri prind është obesiv, shansi që edhe fëmija te jete obesiv është trefish më e lartë , por kur të dy prindërit janë obesiv rreziku është enorm më i madh, deri në 13 fish. Në anën tjetër shume individ që kanë një predispozicion për të qenë obese mbajnë një peshë normale sepse kanë shprehi të mira në ushqim dhe aktivitet.
* Hormonal- ka disa sëmundje hormonale që si hypertiroidismi, sëmundje e Cushingut, etj, që ndikojnë në shtim të peshës.
* Faktorët ambiental – këtu hyjnë mënyra e jetës dhe ushqimit si dhe aktiviteti fizik dhe janë më lehtë të modifikueshëm.
* Faktorët psikologjik – gjithashtu influencojnë shprehitë e të ushqyerit pasi që shumë njerëz marrin ushqim me shumë kur janë të mërzitur, kanë monotoni apo janë nervozë.
* Medikamentoz- barnat si steroidet dhe disa antidepresiv mund të shtojnë peshë në disa raste.
* Gjithashtu aspekti emocional tek personat obes është një ndjenjë shumë e dhimbshme pasi ata shpesh mund të jenë të diskriminuar në punë, shkollë dhe shoqëri.

Komplikimet shëndetësore të obesitetit
Obesiteti shkakton një listë të gjatë disfunksionesh dhe patologjish në organizëm, duke u bërë shpesh herë shkak i vdekjeve te papritura. Personat abesivë jetojnë deri ne 10 vjet me pak se ata me peshë normale. Disa prej komplikacioneve të obesitetit janë:

Hipertensioni- është një ndër shkaqet më të shpeshta të sulmit në zemër, në tru, insuficiencë të veshkave, dëmtim të syve etj. Ekzistojnë disa faktor rreziku që ndihmojnë në lajmërimin e hipertensionit, p.sh historia familjare për hipertension, të moshuarit, femrat që përdorin kontraceptiv dhe pinë duhanin, obesiteti, mosaktiviteti fizik, alkooli dhe përdorimi i tepërt i kripës (sasia mesatare e konsumuar në ditë duhet të jetë jo më shumë se 6gr). Humbja e peshës, zvogëlimi i përdorimit të kripës, konsumimi i ushqimit të pasur me minerale si kaliumi, kalciumi dhe magneziumi dhe shtimi i aktiviteti fizik mund të ul dukshëm shtypjen e lartë të gjakut.

Diabeti tipi 2 – është një çrregullim metabolik në atë se si organizmi e përdorë ushqimin për energji dhe rritje. Dihet se pas marrjes, ushqimi zbërthehet dhe absorbohet nga trakti digjestiv, pastaj shpërndahet nëpër organizmin ose konvertohen ne mëlçi ne glukozë, e cila pastaj shërben si lëndë djegëse për organizmin. Për t’u realizuar e gjithë kjo është e domosdoshme prania e insulinës, një hormon i pankreasit i cili në një mënyrë i hap dyert glukozës qe ajo te futet ne qeliza. Kur një person vuan nga diabeti, pankreasi nuk prodhon insulinë te mjaftueshme për të plotësuar nevojat e organizmit ose vet qelizat trupore nuk reagojnë në mënyrë të duhur ndaj insulinës, por mund të jetë edhe kombinimi i të dyjave bashkë që si rezultat vjen deri te rritja e glukozës në gjak. Kjo glukozë e rritur në gjak mund të dëmtojë më së shumti enët e vogla të gjakut në sy, veshkë, zemër dhe sistemin nervor qendror.
Mënyra e të jetuarit shëndetshëm siç është, mbajtja e peshës normale, konsumimi i një diete të balancuar, aktivitetit i shtuar fizik, mospirja e duhanit dhe alkoolit, janë parakushte që diabeti të mos zhvillohet ose nëse veç është lajmëruar, të zbuten komplikimet që ai shkakton. Që glukoza te mbahet stabile personat me diabet nuk duhet te konsumojnë porcione te mëdha, duhet te marrin shujtat ne mënyrë te rregullt, të konsumojnë ushqim shpesh dhe në sasi të vogla dhe kryesisht dieta e tyre të jetë e pasur me drithëra të papërpunuar, perime, bishtaja dhe peme të tharta si dhe t’i ikin ushqimit të pasur me yndyra pasi janë më shumë të rrezikuar nga problemet kardiovaskulare.

Sëmundjet kardiovaskulare – Bllokimi i arterieve qe furnizojnë muskulin e zemrës shkaktojnë më së shumti vdekje dhe invaliditet nga të gjitha sëmundjet e zemrës. Arteroskleroza merr vite të tëra të zhvillohet, dhe vjen si pasojë e depozitimit të lipideve, si kolesteroli, në muret e arterieve. Rreth 80% të kolesterolit prodhohet në vet organizmin dhe 20% merret nga ushqimi. Kolesteroli përmban kryesisht produktet shtazore si mishi, vezët, dhe produktet e qumështit. Sasia edhe lloji i yndyrave të konsumuara me ushqim, mund të influencojë në nivelin e kolesterolit në organizëm. Yndyrat e ngopura dhe trans- yndyrat, rrisin nivelin e kolesterolit të formuar në mëlçi. Kolesteroli dhe trigliceridet janë yndyra të patretshme në gjak, por duke u kombinuar me proteina si lipoproteina bëhen të tretshme dhe barten përmes gjakut në tërë organizmin. LDL-njihet si kolesterol i keq që qon kolesterolin prej mëlçisë në tërë organizmin dhe kur niveli i saj është i lartë mund të precipitohet nëpër enët e gjakut në zemër dhe tru. Efekt të kundërt ka HDL-kolesteroli që kthen mbrapa kolesterolin në mëlçi dhe niveli i lart i saj mendohet se mbron nga arteroskleroza dhe dëmtimet në zemër. Pra organizmi është në beneficion nëse mban nivel të ulët te LDL dhe nivelin e lartë të HDL.
Niveli i triglicerideve në gjak mund të rritet nga konsumimi i ushqimeve me yndyra dhe sheqerna, nga alkooli, dhe sheqernave të yndyrës, pirja e duhanit dhe aktiviteti i ulët fizikë. Një masë preventive është dhe përdorimi i yndyrave të pangopura (vajrat bimore) të cilat ulin nivelin LDL, por nuk kanë efekt në HDL-kolesterolin si dhe përdorimi i zvogëluar i yndyrave të ngopura dhe atyre të hidrogjenizuara apo trans (vajrat bimore që procedohen për t’u ngurtësuar në margarinë). Dieta duhet të përmbajë kryesisht perime, drithëra, pemë dhe produkte të mishit dhe të qumështit me më pak yndyrë.

Osteoartritet – janë komplikime më të shpeshta tek personat obesivë, sidomos atakon nyejt e gjunjëve, shpinës etj. Marrja e kalciumit, vitaminës D dhe magneziumit (i cili bënë që kalciumi të kalojë prej muskujve në kocka) në nivel të duhur përmes ushqimit ka rëndësi në mbajtjen e indit kockor tek te rriturit dhe ngadalësimin e humbjes së kockës në moshën e shtyrë. Burimet e pasura të kalciumit janë produktet e qumështit, peshku me asht, brokuli dhe lëngjet e fortifikuara me kalcium.

Kanceri – Edhe pse studimet e shumta kanë shkaktuar pak konfuzitet rreth raportit të nutricionit dhe zhvillimit te kancerit, është pranuar se nutricioni mund të influencojë në të gjitha stadet e zhvillimit te kancerit duke rritë ose zvogëluar rrezikun e zhvillimit te tij. Kanceri i gjinjve, zorrës së trashë, prostatës, mushkërive, idhcës etj, mendohet se ka një lidhshmëri më të madhe me keq – ushqyeshmëri dhe të jetuarit jo shëndetshëm.

Trajtimi dhe menaxhimi i obesitetit
Hapi i parë për trajtimin e obesitetit është të konsumosh ushqim të shëndetshëm, të shtohet aktiviteti fizikë dhe të krijosh shprehi të mirë të jetesës. Mosdija për të zgjedhur dhe për të blerë ushqimet e duhura, kanë krijuar një lloj kequshqyerje në popullatë dhe atë veçanërisht në shtresat e varfra duke shtuar ndjeshëm konsumimin e ushqimeve tëe pasura me sheqerna dhe yndyra shtazore, të cilat janë më të lira, por fatkeqësisht janë dëmtuese për organizmin. Tregu i lirë dhe reklamimi i produkteve ushqimore ka krijuar preferenca te reja, kështu që ushqimet natyrale po lihen pas dore dhe ato të industrializuara si fast food, Mac Donald, lëngjet e pemëve dhe të gazuara, dhe pijet alkoolike, që janë ushqime me shumë kalori, kanë pushtuar tregun dhe tryezat tona. Edhe tradita e marrjes së ushqimit nga shtëpia për ta konsumuar në punë gjatë pushimit te drekës, po zëvendësohet me blerjen e ushqimit te gatshëm.
Stili i sotshëm i jetës karakterizohet me jetë sedentare, duke zëvendësuar ecjet e dikurshme në këmbë ose biçiklete me vetura, ashensorët në vend të shkallëve, orët e gjata para TV, kompjuterit etj.

Mbi 80% të sëmundjeve ishemike të zemrës, 90% e diabetit tipi 2, dhe 1/3 e të sëmurëve me kancer është vërtetuar se mund të parandalohen sikur të ishte jeta më aktive, ushqimi më i shëndetshëm dhe të mos pihej duhani.
Promovimi i shumë dietave për humbje të shpejtë të peshës duhet të merren me rezervë, sepse organizmit mund t’i shkaktojnë çrregullime të shumta metabolike. Shumica e këtyre dietave favorizojnë një grup te ushqimit duke injoruar të tjerat dhe në një periudhë afatgjate mund të shkaktojnë deficite apo tepricë të disa materieve ushqyese me pasoja nganjëherë edhe fatale. Një deficit prej rreth 3500 kalorive në javë nevojitet për të humbur rreth 0.5-1kg inde dhjamore. Humbja e rreth 5-10% të peshës trupore mund të përmirësojë dukshëm nivelin e glukozës dhe yndyrave në gjak, si dhe uljen e shtypjes se lartë të gjakut.

Që të ushqeheni shëndetshëm preferohet që dieta juaj te bazohet në:
* ushqimet me karbohidrate komplekse
* Të konsumoni më shumë pemë dhe perime
* Të konsumoni peshkun, së paku dy porcione në javë dhe atë një të peshkut të pasur me omega-3 (salmon, tuna, sardinë, etj.)
* Konsumoni me pak yndyra shtazore dhe sheqerna
* Konsumoni me pak krip, maksimum 6 gr në ditë
* Ji aktive dhe mbaje peshën normale (së paku 30-60 minuta në ditë)
* Pini shumë ujë
* Konsumoje mëngjesin gjithsesi

Trajtimi me medikamente e obesitetit mund të aplikohet në rastet kur personi është munduar së paku 6 muaj të humb peshë me dietë, por pasukses. Për momentin vetëm Orlistati, ilaç i vetëm i licencuar në tregje mund të përdoret dhe atë vetëm në rastet kur personi ka BMI> 30kg/m2 ose > 27kg/m2 dhe ka komplikacione si diabeti, hipertensioni etj. Ky ilaç vepron duke inhibuar punën e lipazës pankreatike dhe zvogëlon absorbimin e yndyrës. E metë e këtij ilaçi është se zvogëlon absorbimin e vitaminave lipo-solubile dhe shkakton jashtëqitje emergjente.

Trajtimi kirurgjikal për momentin është metoda më me rezultat për humbjen dhe mbajtjen e peshës dhe sidomos te obesiteti morbid. Kriteret për operacion bariatrik:
* BMI >40 kg/m2 ose >35 kg/m2 me 2 faktorë te rrezikut ose sëmundje
* Dështim i metodave jo kirurgjike
* Prezenca e 2 e më shumë gjendjeve shëndetësore të cilat do mund te përmirësohen me humbjen e peshës

Operacionet më të shpeshta janë:

* Gastric banding – ku bëhet ngushtimi i lukthit përmes lidhjes që bënë që personi te mos mundet të konsumojë shumë ushqim dhe intervenimi tjetër

* Gastric bypass – ku bëhet anashkalimi i lukthit duke bërë zvogëlimin e absorbimit te ushqimit te konsumuar.

Operacionet bariatrike japin një humbje por edhe mbajtjen më afatgjate te peshës por nganjëherë mund të shkaktojnë deficit të vitaminës B12 dhe disa micronutrietve, dehidrim, hernia, etj.

Vlen të përmendet se edhe gjatë përdorimit te ilaçeve apo intervenimeve kirurgjike për humbje të peshës, suksesi do te jetë i mangët nëse nuk kombinohet me dieta të balancuara dhe aktivitet të shtuar fizik.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit