Sa herë që vijnë festat fetare islame, na bie rasti të dëgjojmë disa dallime dialektore në shqiptimin e termave përkatës. Kështu, p.sh., fjalën “Bajram”, që do të thotë festë, ose kremtim, dhe të cilën ne e kemi marrë nga turqishtja, e dëgjojmë të shqiptuar prej disa zonave të Shqipërisë, kryesisht në jug, si “Barjam”; pra, me një zhvendosje të “r”-së para “j”-së.
Në fakt, ky nuk është rasti i vetëm kur fjalë me origjinë turke ose arabe deformohen në shqiptimin e tyre në shqip. Për shembull, emrin Ahmed e gjejmë edhe si Afmet, emrin Rrahman si Rrafman, etj. Mes këtyre është edhe fjala “Fitër”, e cila në zonën e Tiranës, dhe përgjithësisht në Shqipërinë e Mesme, shqiptohet me fonemën “v”, ndërkohë që në origjinalin në arabisht ajo është me “f”. Madje, gjuha arabe nuk e ka fare në alfabetin e saj shkronjën “v”, por, siç duket, për shkak të afërsisë nga ku del shqiptimi i këtyre dy fonemave, për lehtësi shqiptimi, të përshtatur me karakteristikat e zonave të caktuara, fjala nga “Fitër” shqiptohet si “Vitër”. A është ky ndryshim një devijim në kuptim?
Natyrisht, për ne si shqiptarë, në përdorimin lokal, të ngushtë, të kësaj fjale, në zonën e Tiranës dhe më gjerë, si Vitër Bajrami apo Fitër Bajrami identifikojnë të njëjtën festë, që është Bajrami i cili vjen pas përfundimit të Ramazanit (arabisht, Ramadan), dhe, nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë problem. Por, në përdorimin e përditshëm të muslimanëve praktikantë, fjala “vitër”, apo “vitra”, ngatërrohet me një fjalë tjetër, me termin “uitër”, me të cilin identifikohet një falje ditore e caktuar, e që në shqip e në disa gjuhë të tjera shqiptohet me “v”, pra, “vitër”.
Kështu që, në kohët e sotme, kur kemi një lëvizje të madhe të popullsisë, e po ashtu dhe ndërthurje kulturash dhe dialektesh në një vend të vetëm, siç është Tirana, na ka rënë disa herë rasti ta shohim si njerëzit e ngatërrojnë fjalën “vitër”, që identifikon “Fitër Bajramin”, ose “fitrat”, me termin “vitër”, i cili identifikon një falje të caktuar ditore. Prandaj, për t’iu përmbajtur sa më saktësisht termit në origjinal, duhet përdorur fjala “Fitër” në vend të fjalës “vitër”, dhe, në mënyrë të ngjashme, “fitrat” në vend të fjalës “vitra.”
Në të vërtetë, në lidhje me fjalën “Fitër”, tradita shqiptare e shqiptimit të saj e mbështet formën e përdorimit të sotëm. Kësisoj, nëse i referohemi organit zyrtar të KMSH-së në vitet para ndalimit të fesë, do të gjejmë se kjo fjalë është përdorur pikërisht kështu. Për shembull, në revistën “Kultura Islame”, organ i “Komunitetit Musliman Shqiptar”, Nr. 1 (61), Shtator 1944, kemi një artikull redaksional në faqen e parë të saj, me titullin, “Festa e Bajramit të Madh ase të Fitrit”. Ndër të tjera, në paragrafin e tij të dytë gjejmë të shkruar edhe këto fjalë:
“E para e këtyne festave asht emërtue “Ijd-ul-Fitr”. Terma “Fitr” don me thanë me fillue, prej ku asht nxjerrë edhe terma “Fitre” qi jep kuptimin Naturë. Iftar don të thotë çelje e agjënimit. Tekëndej, agjinue si këthehet në rrjedhën natyrore ase në përmbushjen e kërkesës së naturës.
Asht prej këtu qi emni Ijd-ul-Fitr ngjan të jetë marrë, sepse ndjek muejin e agjënimit dhe zen vendin në të parën ditë të muajit Sheval. Na, Ijd-ul-Fitrit, i themi Bajram’i i Madh. I themi edhe Bajrami i Fitrit.”
Si rrjedhim, fjala “vitër” është në këtë rast thjesht një përshtatje lokalo-krahinore në shqip, dhe nuk përfshin aspak tërë traditën kulturore të bashkësisë shqipfolëse, në të gjitha viset shqiptare.
P.s. Fjala “ijd” do të thotë festë në gjuhën arabe, ndërsa “Sheval” quhet muaji hënor që vjen menjëherë pas Ramazanit.
Justinian Topulli