-4 C
Pristina
Monday, January 20, 2025

Njerëzor, tepër njerëzor: Fuqia e kundërfuqisë – Tarik Ramadan

Më të lexuarat

Nga: Tarik Ramadan

Njerëzor, tepër njerëzor: Fuqia e kundërfuqisë – Tarik Ramadan

 
Njeriu që të quhet njeri duhet të ketë si parullë vigjilencën. Në esenë filozofike “Njerëzor tepër njerëzor”, Niçe ka përmendur disa nga karakteristikat e qenies njerëzore mbi dhe përtej feve, filozofive, kulturave dhe besimeve. Ata përfshinin një ego të mbivlerësuar, një shije për pushtet, shoqërueshmëri, pretendim për diçka, luajtje të roleve sociale etj.: një komedi e pafund njerëzore në të cilën njerëzit krijojnë iluzione, gënjeshtra për vetveten si dhe mashtrime për unin dhe të tjerët. Njeriu i zakonshëm nuk është asgjë më shumë se kjo, pretendoi Niçja, vetëm artisti i jashtëzakonshëm mund të ngrihet mbi gjendjen njerëzore. Filozofët e moralit, nga Greqia e lashtë deri tek arsyeja praktike e Kantit – sipas traditave shpirtërore të Konfucianizmit, Hinduizmit dhe Budizmit ashtu si edhe të tre feve monoteiste – pohojnë gjithashtu se e tillë është gjendja e njeriut të keq, diferenca e vetme thelbësore ka qenë pretendimi i tyre se gruaja dhe burri i zakonshëm zotëron kapacitetin intelektual dhe etik për të kapërcyer gjendjen e tyre.
Njerëzimi është në hije; e nëse ai aspiron të përmbushë ekzistencën dhe ta ndriçojë atë, ai duhet të kërkojë arsimimin dhe mjeshtërinë e kritikës intelektuale, kundërfuqinë e ndërgjegjes individuale dhe kolektive. Njerëzimi duhet të jetë pozitivisht dhe konstruktivisht syçelë ndaj njerëzillëkut, ndaj njeriut të afërt, ndaj familjeve të tyre, ndaj anëtarëve të besimit të tyre si dhe ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Ata nuk janë të njëjtë, në varësi të faktit nëse ata janë të vetëm apo në grup, nuk janë të njëjtët si në minorancë ashtu edhe në mazhorancë, s’janë të njëjtë në pushtet e në opozitë, ata s’mund të jenë të njëjtët viktima dhe të njëjtët ekzekutorë. Persona të njëjtë që veshin kapele të ndryshme, nuk janë më të njëjtë: ruaj veten dhe mbaj një sy çel ndaj atyre si ju. Vargjet e fundit të Kuranit të para në këtë dritë, janë shqetësuese: në fund të shpalljes së dritës dhe horizontit moral, apeli i përsëritur për mbrojtjen e të Veçantës nga njerëzimi përhap të fshehtën e shoqërive tona: me ose pa Zotin, vetëm apo në shoqëri, të shtypur apo shtypës ne mbetemi njerëzorë, shumë njerëzorë. Njerëz të rrezikshëm.
Historia është e mbushur me ideologjitë e lirisë, drejtësisë, çlirimin e të shtypurit dhe të shfrytëzuarit, që janë kthyer kundër shumë popujve që ata kanë mobilizuar, ose që kanë riprodhuar të njëjtën logjikë të përjashtimit dhe terrorit kundrejt atyre që ata pretendonin ti çlironin. Asnjë qytetërim, asnjë filozofi politike dhe asnjë fe s’mund të pretendojë monopolin e kundërshtive të saj, oportunizmit të saj si dhe të shpresave të thyera, zhveshura dhe manipuluara. Iluzionet financiare liberale, premtimet e barazisë dhe drejtësisë së socializmit dhe komunizmit, si dhe idetë morale të islamikëve janë thirrur dhe janë treguar të jenë boshe. Të gjithë kanë gjak fajësie në duart e tyre, nuk ka përjashtime. Demokracitë e mëdha kapitaliste mbrojnë interesat e tyre duke mbjellë vdekje dhe diktaturë në emër të “misionit qytetërues” të tyre; rezistenca socialiste dhe komuniste, në emër të drejtësisë si në Vietnam (duke u përsëritur po aq shpesh) përfundojnë duke shfrytëzuar, vrarë dhe torturuar. Viktimat e djeshme të asgjësimit të cilët pretendojnë një status të tillë, janë bërë shtypësit e së tashmes, ashtu si edhe me Izraelin (dhe po me kaq shumë popuj dhe grupe etnike anembanë botës). Udhëheqësit myslimanë, reformatorët e vetëshpallur, selefistë literalistë, apo ekstremistët e dhunshëm që kishin premtuar idealin Islam të paqes dhe drejtësisë, përfundojnë të ngatërruar në beteja për pushtet, konflikte me unin dhe interpretime vetëshërbyese, duke riprodhuar pak më shumë se shtypja, vdekjen e inteligjencës dhe eliminimin e kundërshtarëve të tyre.
Realitete të zymta, të vërteta të zymta. Teksa ne flasim për çlirimin e kryengritjeve në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, ndërkohë që flasim për ndërgjegjen universale dhe teksa vlerat e përhapura të demokracisë apo të ideologjisë së tregut të lirë dhe ekonomisë liberale duket që janë imponuar mbi të gjithë ne, ndaj duhet të mbetemi më shumë se kurrë vigjilentë. Ata të cilët dje në perëndim mbështetën diktatorët tani mbështesin popullin në emër të së njëjtës logjikë të interesit vetjak. Ato të cilët dje mbështetën popujt mund të përfundojnë duke mbështetur diktatorët, ashtu si në Siri apo mbretëritë e naftës, në emër të interesave dhe përllogaritjeve të errëta. Lëvizjet masive, emocionet, iluzionet e përbashkëta janë këshilltarët e dyshimit, turma mund të përkushtohet me pasion, mund të bëhet kolektivisht e verbër, injorante e rrezikshme dhe lehtësisht e manipulueshme. Bota është një vend kompleks dhe ndikimi i medias në përfaqësimin dhe fuqinë e saj të komunikimit dhe interpretimit është një përforcuese e shquar e emocioneve dhe trillimeve. Komunikimi i menjëhershëm dhe masiv është nëna e naivitetit masiv. A duhet të humbim shpresën? A ka ndonjë shpresë? Por të humbësh shpresën është po aq e rrezikshme sa të ushqesh një shpresë të rreme. Atëherë ku ta gjejmë shpresën që është e përgjegjshme?
Në lidhje me vetveten, me fqinjët dhe shoqëritë tona ne duhet të zhvillojmë kundërfuqitë, hapësirat e rezistencës shpirtërore, intelektuale, sociale, politike kulturore dhe ekonomike. Vetëdija e vërtetë kritike fillon pikërisht me këtë kërkesë thelbësore: një etikë e kundërfuqisë që vëzhgon dhe kërkon të zotërojë dhe të parandalojë rrëshqitjen e egos së vet, si dhe tradhtinë potenciale të vëllezërve dhe motrave të tij në besim dhe betejë. Një kundërfuqi që i reziston tejkalimit të pushtetit por që nuk ngurron për të identifikuar shtypjen e fshehur që dremit mes minoriteteve, të shtypurve dhe viktimave të së sotmes. Etika e kundërfuqisë kërkon një etikë të kundërfuqisë: në emër të parimeve të mbiarritura të lirisë, dinjitetit, drejtësisë, njerëzillëku i njerëzimit duhet t’i dorëzohet gjykimit etik, të llojit që nuk është kurrë komprometues, i kompromentuar ose përzgjedhës. Një qëndrim i tillë, nuk do të thotë se ne braktisim shoqërinë njerëzore, apo përkushtimin social dhe politik: është krejtësisht e kundërta. Në dritën e fatit të njerëzimit dhe karakteristikave njerëzore, tepër njerëzore të tij nuk mund të ketë dyshime në ofrimin e pushtetit atyre që mund të abuzojnë me të pa praninë e palëve të kundërta apo pa kërkesa. Ndaj pushtetit ne duhet të mbajmë dhe të kërkojmë reflektimin e rezistencës dhe ndaj kundërfuqisë nuk duhet të bëjmë asnjë lëshim si ndaj vëllezërve tanë ashtu edhe ndaj miqve tanë. Kjo është vetëdija që në analizën përfundimtare, përbën djepin e aspiratave të drejta dhe të arsyeshme, ku të shtypurit, gratë, të varfrit dhe të përjashtuarit që shpesh nuk llogariten thuajse fare në qarqet e pushtetit, dalin në pah si subjekte të historisë së tyre duke u bërë motor i ndryshimeve historike. Fuqia e kundërfuqisë është thjesht një emër tjetër i ndërgjegjes, sinonim për besimin.
Perktheu: Ervin Hakorja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit