Gjatë pjesëmarrjes në 30-vjetorin e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër Ministrja Nagavci prezantoi edhe tekstin e përbashkët fitues për Diasporën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I, ndërsa tha se Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë punën në hartimin e të tjera teksteve të tilla.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në manifestimin e organizuar për shënimin e 30-vjetorit të shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka shprehur mirënjohje ndaj mësimdhënësve, prindërve e arsimdashësve shqiptarë që me punë e përkushtim organizuan për 30 vite me radhë mësimin plotësues në gjuhën shqipe për mijëra fëmijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër.
Duke folur për rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, ministrja Nagavci tha se ruajtja e gjuhës dhe kulturës bëhet më së miri përmes arsimit. Prandaj, ajo theksoi se prindërit e mësimdhënësit shqiptarë në diasporë janë më meritorët në mbajtjen dhe fuqizimin e lidhjes me atdheun, siç janë meritorë edhe për mbijetesën tonë në kohë të vështira, por edhe më pas në zhvillimin e Kosovës.
Ministrja përmendi edhe promovimin e tekstit të përbashkët fitues “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I, ndërsa tha se Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë punën në hartimin e teksteve mësimore për nivelet e tjera të mësimit shqip në diasporë.
Ministrja Nagavci theksoi nevojën e institucionalizimit të mësimit shqip në diasporë, ndërsa premtoi përkushtim dhe angazhim maksimal të Qeverisë së Kosovës për të mbështetur edhe me organizime të tjera mësimin në gjuhën shqipe në diasporë.
Prezantimin e punës së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSh) për Zvicër e bëri kryetari Nexhat Maloku. Ndërkaq, në fund të manifestimit u ndanë mirënjohje për mësimdhënës që kanë kontribuar në mbajtjen dhe zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër./Portalit Shkollor Albas