1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

7 Marsi – datë emblematike e historisë, arsimit dhe kulturës shqiptare

Më të lexuarat

Nga: Prof. dr. Metush Sulejmani

7 Marsi – datë emblematike e historisë, arsimit dhe kulturës shqiptare

Shtatë marsi është një nga datat më të rëndësishme të kulturës dhe historisë së popullit shqiptar në gjithë hapësirën e tij etnike. Kjo është data kur me 7 mars 1887 u themelua shkolla e parë laike dhe publike shqipe në qytetin e Korçës. Mirëpo kjo nuk do të thotë se më herët nuk ka pasur shkolla të tjera në Shqipëri, sepse sipas burimeve historike thuhet se shkolla ka pasur edhe më herët, por ato funksiononin në gjuhë tjera të huaja dhe ishin shkolla fetare.
Rëndësia e 7 marsit, si datë e themelimit të shkollës së Korçës, është shumëdimensionale, sepse përmes kësaj shkolle dhe shkollave të tjera të mëvonshme orientohet tërë veprimtaria iluministe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pra kjo shkollë filloi të bëhet një nga burimet e përhapjes së dijes dhe vlerave të tjera kulturore dhe qytetëruese, përmes të cilave intensifikohet ideja dhe vizioni i Rilindjes Kombëtare Shqiptare për çlirim dhe pavarësi.
Koha e hapjes së kësaj shkolle korrespondon me periudhën pas Lidhjes së Prizrenit dhe lëvizjen për çlirim dhe pavarësi, kur këto vlera arsimore do të shërbejnë për dinamizimin dhe masovizimin e idesë së zgjidhjes së çështjes kombëtare. Hapja e kësaj shkolle dhe e shumë shkollave të tjera më vonë, të cilat do të përgatisin kuadro për punë edukativo-arsimore për ushtrimi e veprimtarisë e mirëfilltë arsimore, ishte një përmbushje e dëshirave dhe kërkesave të rilindësve shqiptarë.
Shkolla e Korçës, si institucion formal kulturor dhe edukativo-arsimor ishte krenaria e kombit shqiptar, sepse veprimtaria e saj përqendrohet në arsimimin, emancipimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, vlera të cilat për kohën e atëhershme ishin nevojë ekzistenciale. Rezultati i tërë kësaj veprimtarie edukativo-arsimore të shkollës së Korçës e shkollave të tjera ishte socializimi i përgjithshëm e veçanërisht socializimi politik i popullit shqiptar. Ky lloj socializmi, i cili buron nga vlerat arsimore të këtyre shkollave, ndikoi fuqishëm jo vetëm në ngritjen dhe intensifikimin e njohurive dhe shkallës së nacionalitetit, por edhe në ngritjen e vetëdijes për njohjen e vetvetes, ngritjen e atdhedashurisë dhe të kuptuarit e përmbajtjes së elementeve filozofiko-juridike dhe sociologjike të lirisë. Rilindësit ishin iniciatorë të ndryshimeve të mëdha në shoqëri, por këto ndryshime i shihnin si rezultat i hapjes së shkollave dhe masovizimit të veprimtarive të tyre edukativo-arsimore, të vetëdijshëm se arsimimi skolastik duhet të zëvendësohet me një arsimim të mirëfilltë laik gjithëkombëtarë, i cili do të nxiste përpjekjet dhe luftën për liri, barazi, drejtësi dhe pavarësi për popullin shqiptar.
Rilindja Kombëtare është një periudhë historike, e cila duke u mbështetur në sistemin e vlerave të shkollës së Korçës dhe shkollave të tjera, do të shndërrohet në një lëvizje të gjerë politike, kulturore dhe arsimore për ngritjen e ndjenjave patriotike dhe çlirimin e atdheut. Meqë gjuha ishte një nga elementet krucial i kombit, rilindësit mendonin se nëse nuk shkruhet dhe mësohet gjuha shqipe atëherë nuk do të ketë komb shqiptarë. Këto ide rilindësit i vunë në jetë duke hapur shkolla, klube dhe shoqëri, ndër të cilat ishte edhe ajo e Korçës, e cila dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare për pavarësi.
S’do mend se mësonjëtorja e Korçës si vatër e arsimimit dhe emancipimit të popullatës u bë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet dashur atdheu dhe kombi. Shikuar historikisht, populli shqiptar ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar. Në këto përpjekje një vend tepër të rëndësishëm pa dyshim ka luajtur arsimimi në gjuhën amtare. Rilindësit tanë shqiptarë si Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Konstandin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Pashko Vasa, Andon Zako Çajupi, Jani Vreto e shumë të tjerë, punuan vazhdimisht në këtë çështje madhore.
Konstandin Kristoforidhi lidhur me gjuhën shqipe dhe rëndësinë që ka ajo për kombin shqiptar do të shkruajë se, nëse gjuha shqipe nuk shkruhet, nuk do të kalojnë shumë vite dhe nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet më emri Shqipëri në hartë të botës. Në këtë drejtim shumë personalitete dhe shoqata e shoqëri shqiptare si “Shoqëria e Stambollit”, “Drita” e Bukureshtit dhe shumë shoqëri të tjera, nuk janë ndalur për senzibilizimin e çështjes shqiptare, qoftë përmes komunikimit politik, qoftë përmes veprimtarisë kulturore arsimore, siç ishte botimi i teksteve shkollore dhe shpërndarja e tyre në popullatën shqiptare.
Qëllimi i elitës politike dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare ishte përkushtimi për zhvillimin e arsimit kombëtarë të bazuar në gjuhën amtare. Pra, veprimtaria patriotike dhe iluministe e rilindësve tanë shqiptarë ishte përqendruar në iniciativën e shndërrimit të shkollave të huaja (greqishte, turqishte etj.) në shkolla shqipe, veprimtaria e të cilave do të përqendrohej në arsimimin shqip të popullit vendas. Në këtë drejtim vlen të përmenden sukseset e Petro Nini Luarasit, i cili disa shkolla greqishte në Kolonjë i ktheu në shkolla shqipe, pastaj Gjergj Qiriazi hapi një shkollë private shqipe në Manastir etj. Kështu patriotët shqiptarë vazhduan në insistimin për hapjen e shkollave shqipe derisa morën leje zyrtare për hapjen e një shkolle kombëtare në Korçë me 7 mars 1887, në të cilën drejtori i parë u emërua Pandeli Sotiri, një patriot dhe ideolog i madh shqiptar. Hapja e kësaj shkolle pati jehonë të madhe ndër shqiptarët, si te popullata e rëndomtë e veçanërisht te elita politike dhe intelektuale, sepse vërehej qartë se tani çështja shqiptare do të hyjë në binarë të mirëfilltë. Jehona kombëtare e hapjes së kësaj shkolle ishte e madhe, sepse më pas u hapën edhe shkolla tjera dhe të gjitha u vunë në shërbim të çështjes kombëtare.
Shtatë marsi për shqiptarët, përveçse është ditëlindja e mësonjëtores gjithëkombëtare publike dhe zyrtare të Korçës, e cila së bashku me të gjitha shkollat tjera, qofshin ato më herët ose më vonë, qofshin ato fetare apo laike, kishin një ideal: mëvetësimin e shqiptarëve. Kjo datë, në anën tjetër, është edhe dita e mësuesit, përmes së cilës përkujtohet dhe vlerësohet veprimtaria e shenjtë edukativo-arsimore e tijë.
Duke folur dhe përkujtuar ditëlindjen e këtyre shkollave si vatra të diturisë, njëkohësisht na jepet e drejta të flasim edhe për bartësit e veprimtarisë edukativo-arsimore gjegjësisht për arsimtarët, të cilët institucionit të shkollës i japin kuptim, përmbajtje dhe vizion në kohë dhe hapësirë. Shtatë marsi jorastësisht quhet Dita e Mësuesit, sepse edukatori (mësuesi) i cili përhap dituri, është një nga figurat më meritore dhe më markante që nga themelimi i shkollave shqipe e deri sot.
Veprimtaria edukativo-arsimore e mësuesit, përveç asaj që ka vlera iluministe, ajo ka përmbajtje edhe patriotike-atdhetare sepse ai duke bërë përpjekje që të rinjtë t’i pajisë me dituri dhe shkathtësi, këta të rinj i përgatit për marrjen e roleve të reja në shoqëri që kështu të bëhen pjesë përbërëse e proceseve shoqërore.
Të gjithë patriotët dhe intelektualët shqiptarë, që i dolën në ndihmë atdheut, janë fryt i punës dhe veprimtarisë edukativo-arsimore të mësuesve, sepse ata në vazhdimësi e kishin përgatitur popullin që të dijë të flijohen për atdheun, qoftë me dije ose me armë. Duke marrë parasysh punën dhe veprën sublime të mësuesit për popullin e vet në përhapjen e diturisë, mjafton që së paku njëherë në vit të festohet me dinjitet dhe krenari kjo ditë dhe të përkujtohet puna dhe vepra e tyre, duke marrë parasysh edhe sakrificën dhe flijimin e tyre për çështjen kombëtare në të gjitha trojet etnike shqiptare.
Jo rastësisht okupatori çdoherë në shënjestër e ka pasur pikërisht këtë kategori të mësuesve, të cilët janë përndjekur, burgosur, persekutuar dhe vrarë me qëllim të caktuar, që ta eliminojnë dhe zhdukin trurin e popullit shqiptar. Duke pasur parasysh kontributin e mësuesit dhe vlerat intelektuale dhe kombëtare, të cilat i ka dhënë dhe i jep në vazhdimësi ai për shoqërinë dhe atdheun, shoqëria jonë shqiptare në gjithë hapësirën etnike duhet të ketë një qasje tjetërfare dhe më dinjitoze ndaj tyre. Respekti ndaj mësuesit, veçanërisht në aspektin institucional, duhet të jetë në një nivel më të lartë dhe më respektabil dhe, mos më tepër, bile të shpërblehen me ndonjë mirënjohje modeste si shenjë që ata nuk janë lënë pas dore dhe se veprimtaria e tyre edukativo-arsimore dhe patriotike kombëtare respektohet dhe vlerësohet. /shenja/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit