4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Përse nuk duhet ta hamë mishin e derrit?

Më të lexuarat

Nexhat Ibrahimi
 
Muhammedi a. s. thotë: “Kush ushqehet 40 ditë me ushqim hallall, All-llahu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim të urtësisë si në mendim ashtu edhe në vepra.”
 
 
 
Gjendja aktuale
 
Tashmë një kohë të gjatë pjesa më e madhe e shtypit dhe mediumeve elektronike zhvillojnë një politikë perfide rreth kulturës, mënyrës dhe llojit të ushqimit në Kosovë dhe në vendet përreth me popullatë shumicë muslimane: nëpër ushtri, spitale, çerdhe fëmijësh, burgje, hotele e të tjera. Problemi heshtet, dhe vetëm herë pas here trumbetohet rreth afatit të skaduar të disa artikujve ushqimorë, por jo edhe rreth llojit dhe përbërjes së ushqimit, që është problem shumë më thelbësor se sa vetë afati i skaduar. Ndonëse Kosova e pasluftës është thuajse qind për qind muslimane, mishi i derrit dhe derivatet e tij të fabrikuara servohen në disa hotele. Madje, inspekcionet sanitare regjistrojnë një tregti jo të vogël me mish dhe derivate derri. Në Shqipëri më kanë thënë se derri është përditshmëri dhe më shumë befason mosekzistimi i derrit dhe derivateve të tij në pjatë se sa ekzistimi i tij. Do të dëshiroja të kam marrë njoftime të gabueshme. 
Shtrohet pyetje konkrete: Të veprohet sipas rregullave fetare dhe traditës shekullore për moskonsumimin e derrit dhe të derivateve të tij, apo duhet heshtur problemin duke ia lënë stihisë. Kush nga muslimanët dëshiron apo kush mundet mund ta hajë derrin, e kush nuk dëshiron apo kush nuk mundet, le të qëndrojë i uritur, i përbuzur dhe i nënçmuar … apo le të hedhet rrugë më rrugë për të gjetur ndonjë objekt hotelerik që përgatit ushqim pa derr dhe produkte te tij!
 
 
 
Ç’thonë librat e shenjta
 
Sipas Islamit, muslimani i pranon dhe u beson katër librave të shpallur: Tewratit, Zeburit, Inxhilit dhe Kur’anit të shenjtë. Prej katër librave hyjnorë, sot në tërësi ekzistojnë vetëm tre … 
Zeburi gjatë mileniumeve është zhdukur, kurse janë ruajtur vetëm ato pjesë të tij të cilat janë kënduar. Ato janë Psalmet e Davudit… 
Të gjithë librat hyjnorë të cekur më lartë bartin, apo në kohën e tyre, në formën origjinale, kanë bartur ndalesa të caktuara. Konsiderohet jo pa bazë që të tre librat hyjnorë në origjinal (Tevrati, Zeburi dhe Inxhili), në të kaluarën, kanë pësuar ndryshime, prandaj disa dispozita aktuale të tyre në Islam pranohen me rezervë. Libri i ligjeve të Musait (Mojsiut) ka pësuar ndryshime, kurse muslimanët prej tij i pranojnë vetëm ato dispozita për të cilat është konfirmuar autenticiteti. Në bazë të asaj që u shtrua shihet që muslimanëve u ndalohet konsumimi i mishit të derrit sipas dispozitave të Musait a. s. /Moisiut: Libri i tretë i Ligjit, kreu 16-17. fq. 19 dhe libri i pestë, Ligjet e përsëritura, kreu 13 fq. 165. 
Sipas besimit të muslimanëve edhe në dy librat tjerë (Zebur dhe Inxhil) në formën origjinale kanë ekzistuar ndalesa të njëjta.
Në Kur’an në shumë vende theksohen ndalesat. Kur’ani është sintezë e të gjitha librave të mëparshme dhe se të dhënat e mësipërme janë të sakta shihet nga ajeti kur’anor: “Thuaj: Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë pejgamberëve nga Zoti i tyre, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur.”
Sikurse edhe të gjithë besimtarët e konfesioneve tjera, muslimanët në mënyrë konsekuente u përmbahen ligjeve fetare, kurse rregullat për ndalimin e përdorimit të mishit të derrit si dhe përpunimeve të tij konsiderohen për fundamentale. Gjatë kohës së kaluar, ndalesat e sipërpërmendura edhe nga pikëpamja laike edhe shkencore janë vërtetuar si të sakta, siç shihet nga teksti në vazhdim.
 
 
 
Disa arsye për moskonsumimin e derrit
 
Ka shumë arsye për moskonsumimin e derrit dhe të derivateve të tij. Kryesore është ndalesa kur’anore. Arsyet tjera janë botërore dhe argumentohen me mjekësi apo tradita historike. Ja disa të dhëna të cilat i shfrytëzojmë nga një shkrim i Hajdar Hulusisë: 
1. Derri është shtazë dhëmbëshqyese dhe bën pjesë në mesin e egërsirave, bishave. Është e njohur që mishi i bishave për shkak të aromës dhe shijes specifike shumë rrallë merrë pjesë në ushqimin e njerëzve; 
2. Prej të gjitha kafshëve shtëpiake i vetmi derri e hanë fëlliqësirën e vet si dhe fëlliqësirat e gjallesave tjera; po ashtu, me kënaqësinë më të madhe shtrihet dhe dëfrehet në të; 
3. Derri i vetmi prej të gjitha kafshëve shtëpiake hanë këlyshin (të voglin) e vet; atë prej tij duhet ta largojnë mbikqyrësit; 
4. Derri i vetmi prej të gjitha kafshëve shtëpiake i sulmon fëmijët me qëllim që t’i hajë . . . Është shënuar një numër i madh rastesh ku nga pakujdesia e faktorit njeri këtë qëllim derri e ka realizuar; 
5. Derri i vetmi prej të gjitha kafshëve shtëpiake ushqehet edhe me coftina, sikurse hijena; 
6. Për shkak të mënyrës së jetesës dhe ushqimit, derri është bartës i shumë sëmundjeve infektive; 
7. Prodhimet e derrit janë produkt i ushqimit të tij, pastaj metabolizmi i tij, krijimi i indeve, gjakut dhe limfës është rezultat i asaj. Për këtë arsye mishi dhe yndyra e kësaj kafshe është e kualitetit të dobët, e rëndë për tretje dhe shpesh e rrezikshme për shëndet. 
8. Duke pasur parasysh të dhënat e mësipërme – në shumë vende të zhvilluara të Perëndimit, përpunimet e derrit në ushqim kanë arritur në minimum. Në përdorimin masovik janë ende vetëm vendet më të varfëra dhe më të prapambetura, ku zotëron padituria dhe uria. 
9. Shumica dërmuese e prodhuesve në Perëndim e shënon përbërjen e ushqimit, që t’i ndihmojë konsumatorëve në përzgjedhjen e ushqimit si në aspektin fetar e tradicional- kulturor, por ashtu edhe në aspektin shëndetësor.
 
 
 
Në vend të përfundimit
 
Edukimi islam kërkon nga prindërit që fëmijëve të tyre t’ua tregojnë rrugën e Kur’anit dhe të Hadithit lidhur me ndërtimin e besimit, moralit dhe mirësjelljes në qenien njerëzore dhe me rrugën e ruajtjes nga amorali dhe skajshmëritë tjera. Bota perëndimore përkundër përparimit të madh material ka ra në krizë morale, në krizë të identitetit të përmasave të mëdha. Kjo krizë tregon se njeriu është larg udhëzimit hyjnor, se njeriu anashkalon dhe zhlerëson udhëzimin hyjnor në procesin e edukimit dhe të formimit të tij. 
Kapërcimi i kësaj gjendjeje kërkon që edukimi fetar të kthehet te individi, në familje, në shkolla të të gjitha niveleve dhe në institucionet tjera. Arsimimi dhe edukimi duhet të ecin bashkë me individin dhe bashkësinë. Islami është rrugë e mesme dhe ndjek mesin. Skajshmëritë i dënon dhe gjykon si të pasuksesshme. 
Shkrimin do ta përfundojmë me një thënie të Imam Gazaliut, dijetarit të njohur musliman, se dija, urtësia, dashuria dhe butësia linden nga ushqimi hallall: 
“Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e njohjes: çdo gjë tjetër është e pavlerë në krahasim me edukimin islam. Çdo gjë që e ka njeriu në këtë botë mund t’ia merrë djalli, t’ia djegë zjarri, t’ia vjedh vjedhësi, por edukimi i mirë dhe dituria është pasuri e amshueshme që na mbijeton në këtë botë, e sipas saj përcaktohet fati i përhershëm në botën tjetër.” 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit