-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Analiza e “Stratfor”: Shqipëria s’bashkohet dot me Kosovën

Më të lexuarat

Sipas një analize të publikuar sot nga “Stratfor”, Shqipëria dhe Kosova e kanë të pamundur bashkimin. Sipas “Stratfor” – i cili vlerëson se shqiptarët Shqipërinë e Madhe e shohin jo si projekt, por si simbol të solidaritetit me shqiptarët e tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë – Kosova përbën një barrë të rëndë për Shqipërinë, për shkak se ka papunësi të madhe dhe ekonomi të rrënuar.

Nëse Shqipëria do të bashkohej me Kosovën sot, do të kishte trazira sociale, që më shumë do ta dëmtonin Shqipërinë se çdo vend tjetër. Gjithashtu, bashkimi do të sillte tensione etnike në Kosovë, dhe Shqipëria, duke qenë vend homogjen, nuk ka eksperiencën e duhur për t’u përballur me trazirat etnike.

Analiza e “Stratfor” për Shqipërinë dhe Serbinë

Tensionet politike në Ballkanin Perëndimor janë rindezur. Më 6 prill, kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria do të bashkohet me Kosovën nëse BE-ja dështon së integruari dy vendet në bllokun kontinental. I menjëhershëm qe reagimi i kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili akuzoi Ramën se po mbjell destabilitet në rajon.

Shqipëria dhe Serbia kanë një marrëdhënie komplekse mes tyre, për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike dhe aspiratave territoriale. Shqipëria e ka mbështetur gjithmonë pavarësinë e Kosovës, fituar në vitin 2008, ndërkohë që Serbia vazhdon që t’i rezistojë presionit ndërkombëtar për ta njohur atë. Edhe pse tensionet mes dy vendeve janë në rritje, ka gjasa që ato të mbeten vetëm në vazhdën e retorikave politike dhe ka pak të ngjarë që gjërat të përshkallëzohen.

Analiza

Gjatë një interviste të përbashkët me zv/kryeministrin kosovar, Hashim Thaçin, Rama solli në vëmendje dy mundësi për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. E para, kishte të bënte me integrimin e të dyja vendeve në BE. Rama tha se kjo është rruga më e mirë dhe që ai e mbështet plotësisht. Mirëpo, ai përmendi edhe një mundësi tjetër: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një shtet të vetëm.

Serbia, e cila e konsideron Kosovës ende si provincë të sajën, i ka kundërshtuar deklaratat e Ramës. Sipas zyrtarëve serbë, Beogradi nuk ka ndërmend që ta rimarrë Kosovën, por gjithashtu, është i vendosur që të bëjë oponencë çdo lëvizjeje për bashkimin e “komuniteteve shqiptare”. Më 8 prill, një zëdhënës i Komisionit Europian, i kategorizoi deklaratat e Ramës si provokuese. Tensionet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk janë të reja. Në një rajon kaq kompleks gjeografikisht dhe etnikisht, ku kufijtë shtetërore nuk përputhen aspak me ndarjet etnike, kulturore dhe linguistike të popullsive, çdo vend ka pretendimet e tij territoriale ndaj fqinjit. Këto situata, shpeshherë janë bërë burim dhune, dhe luftërat e viteve ’90 janë shembulli më i fundit.

Një marrëdhënie e vështirë

Edhe pse Konferenca e Londrës e njohu pavarësinë e Shqipërisë më 1913-n, çka rezultoi me tërheqjen e trupave serbe nga Shqipëria, ajo u bë burim konfliktesh të mëtejshme, pasi përcaktimi i kufijve për shtetin shqiptar la jashtë këtij territori gati gjysmën e popullsisë shqiptare. Irredentizmi shqiptar ekzistonte që prej zgjedhës otomane, por Konferenca e Londrës e ushqeu më shumë atë. Momentalisht, shqiptarët pretendojnë, jo vetëm Kosovën, por edhe një pjesë të mirë të Maqedonisë së sotme, Greqisë, Malit të zi dhe Serbisë Jugore. Mirëpo, këto dëshira bien ndesh me axhendën nacionaliste të Serbisë dhe projektin e “Serbisë së Madhe”, që përfshin territoret e sotme të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe disa territoreve të Shqipërisë.

Situata e “minoritetit” shqiptar në ish-Jugosllave, është bërë shumë herë burim konfliktesh mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Shqiptarët përbëjnë 90 % të popullsisë së Kosovës, e cila ka qenë nën kontrollin e Serbisë. Në vitet ’90, Tirana zyrtare i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhynte në Serbi dhe Kosovë për të ndalur pastrimin etnik të shqiptareve. Po në atë kohë, Beogradi akuzonte Tiranën se po mbështeste grupet separatiste në Kosovë. Marrëdhëniet bilaterale u tendosën sërish në vitin 2008, kur Kosova u shpall e pavarur. Shqipëria e njohu menjëherë pavarësinë e saj dhe kjo e ka irrituar së tepërmi Serbinë.

Rrezik potencial për trazira sociale 

Vitet e fundit, Shqipëria dhe Serbia kanë patur marrëdhënie diplomatike të alternuara, vazhdimisht duke provokuar me retorika nacionaliste. Në nëntor të vitit të shkuar, Rama vizitoi Beogradin, e cila ishte e para vizitë zyrtare e një kryeministri shqiptar që prej viteve ’40. Gjithsesi, një incident në një ndeshje futbolli një muaj para vizitës, i bëri disi të vështira bisedimet.

Ndeshja u ndërpre, pasi një dron hyri në fushë dhe reklamonte kufijtë etnikë të popullsisë shqiptare. Por me gjithë tensionet e mundshme, kufijtë në Ballkan kanë shumë pak të ngjarë të ndryshojnë tani për tani. Për shumicën e shqiptarëve, ideja e Shqipërisë së Madhe ka më shumë kuptim simbolik dhe shpirtëror. Ajo hartë e territoreve me shumicë shqiptare më shumë lidhet me solidaritetin dhe identifikimin me grupet e tjera etnike shqiptare jashtë territorit shtetëror të Shqipërisë sesa me pretendimet territoriale.

Disa liderë politikë shqiptarë e kanë përdorur Shqipërinë e Madhe si mjet politik për të marrë ca mbështetje, por nuk ka patur asnjë aksion politik që të rrezikojë destabilitet në rajon prej tyre. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aspiron që të integrohet në BE. Ndaj ka shumë pak të ngjarë që të ketë pretendime territoriale. Sondazhet tregojnë se Shqipëria është e fokusuar drejt BE-së. Nga ana tjetër, Kosova po përballet me një krizë të thellë ekonomike dhe Tirana nuk mund ta përballojë bashkimin me një vend të tillë, ku papunësia po arrin shifra të frikshme. Edhe çështja e Serbisë është e ngjashme. Për arsye politike, Beogradi nuk mund ta njohë ende Kosovën. Qeveria e Serbisë e di mirë se e ka humbur Kosovën dhe ajo s’mund të jetë më pjesë e Serbisë. Nga ana tjetër, BE-ja i ka dhënë përparësi normalizimit të marrëdhënieve Serbi –Kosovë, duke e vendosur edhe si kusht të domosdoshëm për integrimin e Serbisë në BE.

Gjithsesi, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën mund të gjenerojnë probleme në të ardhmen. Shqipëria është etnikisht homogjene, krahasuar me Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën. Edhe pse Shqipëria është e familjarizuar me destabilitetin politik brenda saj, tensionet etnike janë të pazakonta atje. Ndaj, Kosova paraqet edhe një lloj rreziku për Shqipërinë. Së pari, përplasjet e grupeve etnike serbe dhe shqiptare në Kosovë janë shoqëruar gjithnjë me ngrirje të marrëdhënieve Tiranë-Beograd. Së dyti, Tirana nuk është gati që të mbajë barrën e rëndë të Kosovës, ku papunësia është e lartë dhe ekonomia e rrënuar. Nëse Shqipëria do të bashkohej me Kosovën sot, do të kishte trazira sociale, që më shumë do ta dëmtonin Shqipërinë se çdo vend tjetër./shekulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit