Ramazanët e fëmijërisë me kryepersonazh mësuesin, ofiqarin e hoxhën Mulla Mehmeti dhe krahun e tij të djathtë, tupanxhiun entuziast Lic Haradinin.
Ramazani quhej Muj i Gzum dhe pritej me shprehjen Ardhtë i gëzum!
Kjo ishte formulë e shprehjes së gëzimit që për vite me radhë e kam dëgjuar edhe nga baba e me dekada edhe nga nëna ime, kurdo që vinte muaji i madhërishëm i agjërimit.
Aty e tutje gjithçka bëhej solemne, festive, e rregullt, e paqme, e madhërishme.
Në ramazan në secilën vatër sikur zbrisnin edhe më me shumicë mirësia e dashuria.
Ne, fëmijë, qanim në mëngjes kur shihnim se përkundër përgjërimeve në mbrëmje, të vjetrit nuk na kishin ngritë në syfyr.
Për iftar uleshim mbi stola me tre këmbë rreth sofrës së madhe e të begatë dhe prisnim me padurim tupanin e Lic Haradinit.
Pastaj ata që kishin agjëruar, por edhe ne, të cilëve po na e mohonin dëshirën për të mbajtë ramazan, për fillim pinim nga një gërçamë uji, hanim nga një copë llokumi apo nga një kokërr aq të ëmbël fiku apo hurme.
Iftari, darka, si gjithë punët e mbara, nisnin me Bismilahun e përshpëritur dhe përfundonte me lutjen: Shtoje o Zot!
Lic Haradini ka pasur shall të bardhë, vishte tirq me gajtana, ka qenë i gjatë e i hollë, atëherë 60 e sa vjeçar. Ishte fqinji ynë.
I hynte katundit fund e krye dhe tek secila shtëpi ndalej që t’i binte tupanit derisa shihte dritën e ndonjë llampe vajguri që dëshmonte se aty e kishin dëgjuar rrahjen e tupanit të syfyrit.
Në kohën e imsakut, tupanxhia, tërhiqej te xhamia që ishte pothuajse në mes të katundit dhe nga atje me një ritëm më të fuqishëm e më të shpejtë të rrahjes së tupanit, veç me guxhum e jo edhe me thupër, bënte me dije se aty e tutje përfundojnë ngrënia e pirja dhe niste agjërimi.
Ngjinim i thonim në të folmen e Podgorit…
Për ramazan natën askush në katund nuk i lëshonte qentë nga zinxhirët.
Hoxhën e merrnin në iftar me radhë krejt katundi.
Fillonte nga Therrat e Tomocit me shatrajt, zbriste kah gjocajt, mehajt, lybeniqtë… dhe përfundonte te konaku i Met Asllanit në mahallën e vogël të kabashëve.
Ndodhte jo rrallë që dikujt nga shtëpijat e katundit t’u ngelte hatri pse edhe ata nuk po nderoheshin me hoxhën mysafir për iftar. S’kishte si të ndodhte ndryshe derisa katundi ynë kishte më shumë shtëpi se sa kishte ramazani ditë…
Mbaj mend Xhaminë e Tomocit gjithmonë të mbushur plot edhe në drekë edhe në iqindi, edhe në jaci-taravi.
Atje Mulla Mehmeti, mësues, hoxhë, ofiqar e njeri me shumë autoritet e me aftësi të mahnitshme oratorie mbante dersin dhe printe namazin.
Ligjëratat e hoxhës pastaj përfliteshin e interpretoheshin në secilën shtëpi të Tomocit- Llukavcit të Begut, të Llugave, të Gjurakovcit…
Të gjitha këto fshatra asokohe kishin vetëm një hoxhë siç kishin sall një xhami.
Xhamia e Tomocit ishte edhe ndër shkollat e para në Podgur.
Pos Mulla Mehmetit në atë xhami-shkollë kanë dhënë mësim dy mësuese të ardhura nga Shkodra. Nuk i mbaj mend. Mbaj mend se për to jetonte i gjallë admirimi. Atyre iu kishte bërë strehë familja Sylaj.
Xhamia kishte një hapësirë që e quanin Mejtep. Aty ne camërdhokët e katundit tonë dhe të katundeve përreth kemi marrë mësimet e para të fesë islame. Mulla Mehmeti kishte një didaktikë shumë efikase mësimdhënieje. Kam qenë mejtepli i mirë. Ndoshta edhe i shkëlqyeshëm.
Kështu më lavdonte hoxha…
Ramazani herë binte në kosë, herë në shatë… Domethënë muaji i agjërimit vinte kur kositeshin livadhet apo kur prashiteshin, miheshin arat. Herë binte në hamsin, herë në arbain (janar, shkurt), herë në shmitër, herë në shingjergj…
Ramazani nuk dekurajonte askend edhe kur koha e agjërimit zgjaste 16 sahatë. E kundërta. Nuk dekurajonte as familjarët e mi që tash më nuk janë. Ata agjërimin e prisnin më shumë gëzim e me festivitet të vërtetë tridhjetë ditë radhazi.
Në urimet për festë bajrami njerëzit, gra e burra, pyesnin:
A t’munoi hiç ramazani?
A t’u dhimt ty ramazani?
Asnjë nuk ankohej. Shumëkush thoshte se do të mundëte e do të kishte dëshirë të agjëronte edhe një muaj tjetër pa asnjë mundim as pritesë…
E kanë njetin e idikatin e fortë…, thuhej për ata që aq gëzueshëm hynin në vetëprivimet e vetëdijshme e të gëzueshme njëmujore të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Salih Kabashi