Pyetje:
A ka mundësi që njeriu të shkojë në haxh me qëllim të qetësimit shpirtësor, nëse ka strese psikologjike, apo vuajtje të veçanta (pasiqë më parë ta ketë kryer haxhin farz)?
***
Përgjigje:
Nuk ka pengesë që të shkojë një musliman – apo muslimane – për haxh apo umre, për të kërkuar qetësi shpirtërore dhe rahati të zemrës, veçanërisht nëse e godasin vështirësi e dhembje të cilat ia ngushtojnë shpirtin dhe ia rëndojnë shpinën, mirëpo me qëllim (me nijet) që kjo të bëhet për nënshtrim ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Në parim haxhi është migrim për hir të Allahut, ndërsa njeriu i përgjigjet urdhërit të Allahut të Plotfuqishëm dhe thirrjes së Ibrahimit (alejhis-selam): “
وَأَذِّن فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالًا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِن كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ .
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El-Haxhxh, 27)
لِّيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ …
“(vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre … “(El-Haxhxh, 28)
Dhe këtë e bën në kuadër të ‘dobive’ (të haxhit), sepse dobitë e haxhit nuk janë të kufizuara vetëm si dobi materiale ose komerciale, por këtu hyjnë edhe dobitë shpirtërore (psikologjike); qetësia e shpirtit dhe rahatia e zemrës kur ai e sheh Shtëpinë e shenjtë, kur i sheh muslimanët nga e gjithë bota, kur ai e sheh këtë tubim madhështor, por qëllimi i njeriut këtë duhet të jetë që këtë ta bëjë për ta kënaqur Allahun e Plotfuqishëm, pastaj këto dobi të vijnë si rrjedhojë, sikur dikush që dëshiron të bëjë tregti në haxh, prandaj nuk ka kundërshtim që të dëshirohet edhe qetësia dhe kënaqësia shpirtërore, kjo nuk është e ndaluar, por kjo duhet të jetë në kuadër të nënshtrimit ndaj Allahut të Plotfuqishëm dhe synimit të arritjes së kënaqësisë Tij, ashtu që të realizohet ibadeti për Allahun e Plotfuqishëm. Pra, nënshtrimi ndaj Allahut dhe adhurimi duhet të jenë qëllime të haxhit, kurse qetësia dhe rahatia shpirtërore të jenë fryt i tyre.
Suksesi arrihet vetëm me ndihmën e Allahut.
Dr. Jusuf Kardavi
Përktheu: Miftar Ajdini