Një ndër dëshmitarët e masakrës që ish-presidenti i Sirisë Hafez al-Assad-i ka kryer në qytetin Hama në vitin 1982, Adham Ibaisi, tha se “Përderisa kufomat mblidheshin në Hama, pjesët e tyre ishin gjithkund. Kufomat e fëmijëve me gjymtyrë të këputura nuk largohen nga kujtesa ime”.
Ibaisi, një ndër dëshmitarët e masakrës së bërë në qendër të qytetit Hama më 2-28 shkurt 1982, në përvjetorin e 39-të të masakrës në një prononcim për Anadolu Agency (AA), foli për masakrën.
62-vjeçari Ibaisi tha se që nga dita e parë e masakrës ai ka qenë dëshmitar, duke treguar se mëngjesin e 2 shkurt të vitit 1982 janë zgjuar me zërat e të shtënave artilerike dhe bombave.
Kur kanë parë sulmet me avionë dhe ato artilerike, ai thotë se, kanë kuptuar qëllimin e vërtetë të regjimit ndaj Hama-s. “Në dy ditët e parë të masakrës nuk kishte asgjë në lagjen e Stadiumit në qendër të qyteti Hama. Edhe banorët e këtij vendi ishin civilë. Askush nuk kishte armë. Në ditën e katërt të masakrës u rrethua lagjja jonë dhe ushtarët filluan të bastisin shtëpitë. Ushtarët i qëlluan me breshëri plumbash meshkujt, të moshuarit dhe fëmijët pranë shtëpive të tyre”, tha ai.
Ai kujton se vetëm në lagjen e tyre atë ditë brenda 8 orëve forcat e regjimit masakruan 3000-35000 persona.
“Ditën e ardhshëm kur dolëm nga shtëpitë shikuam se kufomat kanë mbuluar gjithkund. Kishte edhe të plagosur, por askush nuk mund t’u afrohej për trajtim sepse lagjja jonë ishte e rrethuar nga ushtarët. Kufomat mbetën të paktën një javë nëpër rrugë. Më pas kufomat u varrosën kolektivisht”, u shpreh më tej dëshmitari i masakrës, duke shtuar se edhe 13 të rinj të afërm të tij janë vrarë nga regjimi.
“Nga masakrat u shpëtuan vetëm ata që arritën të ikin nga qyteti”
Ai rikujtoi se me bombardimin 7-8 lagje në qendër të qytetit Hama janë shkatërruar plotësisht. “Përderisa kufomat mblidheshin në Hama, pjesët e tyre ishin gjithkund. Kufomat e fëmijëve me gjymtyrë të këputura nuk largohen nga kujtesa ime. Pamja e kufomave nuk fshihet nga kujtesa ime. Sadoqë të foli nuk mjafton për të shpjeguar ato që i pamë. Regjimi nuk na konsideroi si njerëz”, theksoi Ibaisi.
“Regjimi arrestoi shumë persona rastësisht. Nga masakrat u shpëtuan vetëm ata që arritën të ikin nga qyteti. Unë isha një ndër to. Gjatë masakrës ikëm në drejtim të lindjes së qytetit, për 2 ditë ecëm rreth 35 kilometra. Me ne ishin edhe fëmijë, gra dhe të moshuar”, shtoi ai duke treguar se regjimi të paktën 15 mijë persona i ka privuar nga liria dhe i ka dërguar në burgun në Tedmur (Palmira) të Homs-it.
Ai tha se ditët kur kishte rrethim njerëzit kanë mbijetuar duke e mbështetur njëri-tjetrin.
Ibaisi theksoi se zyrtarët e regjimit të përzier në masakër duhet të gjykohen nga gjykatat ndërkombëtare, pasi deri më tani nuk është hapur asnjë padi ndaj masakruesve nga komuniteti ndërkombëtar.
Masakra në qytetin Hama në vitin 1982
Forcat speciale nën komandën e Rifaat Al-Assad, vëllait të liderit të atëhershëm sirian Hafez al-Assad, rrethuan qytetin më 2 shkurt 1982 për të shtypur kryengritjen e nisur nga Organizata e Vëllazërisë Muslimane kundër regjimit në qytetin Hama në pjesën qendrore të vendit. Forcat e regjimit filluan me bombardime ajrore pastaj me gjuajtje artilerike dhe me ekzekutime masive të cilat vazhduan për 27 ditë si pasojë e së cilës humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz.
Sipas raportit që Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka ndarë me AA-në, në masakrën që ka ndodhur mes 2-28 shkurt 1982 kanë humbur jetën të paktën 30.000 civilë, ndërsa për të paktën 17.000 civilë në mesin e mijërave të privuar nga liria, ende nuk dihet se ku gjenden.
Për personat të cilët mendohet se janë dërguar në burgun Tedmur (Palmira) në Homs, familjet mendojnë se janë likuiduar.
Në masakër gjithashtu ishin dëmtuar 88 mesxhide, 3 kisha dhe shumë ndërtesa historike.