Shkencëtarët japonezë kanë vërtetuar se stresi emotiv nga cunami i vitit të kaluar në Japoni te disa të mbijetuar ka çuar deri te zvogëlimi i trurit, të cilët kanë përdorur mundësinë unike për të studiuar efektet e traumës në tru.
Në përpjekje për të kuptuar më mirë çrregullimin post-traumatik të stresit shkencëtarët kanë krahasuar incizimet e trurit të 42 adoleshentëve të shëndetshëm, të incizuar në kuadër të hulumtimeve të mëhershme të kryera dy vjet para tërmetit dhe cunamit që kanë goditur Japoninë në mars të viti të kaluar, me incizimet e reja të kryera tre deri katër muaj pas katastrofës.
Hulumtimi i publikuar të martën e kaluar në revistën “Nature Journal Molecular Psychiatry” ka treguar që te personat, të cilëve u është diagnostikuar çrregullimi post-traumatik i stresit ka ardhur deri te reduktimi i korteksit orbito-frontal – pjesës së trurit që është e përfshirë në marrjen e vendimeve dhe reagimin emocional.
“Ndryshimet në vëllimin e korteksit orbitofrontal janë në lidhje me ashpërsinë e simptomave të çrregullimit post-traumatik të stresit”, ka thënë për AFP, Atsushi Sekiguchi, udhëheqës i hulumtimeve nga Universiteti i Tokios.
Hulumtimet e mëhershme kanë treguar që në trurin e pacientëve me çrregullim post-traumatik të stresit, vjen deri te ndryshimet, por ky është i pari që ka dëshmuar në cilën pjesë shkaktohen te ndryshimet për shkak të traumës.
Zbulimi do të mund të ndihmojë vënien më të lehtë të diagnozës së çrregullimit post-traumatik të stresit dhe me këtë edhe shërimin në kohë.
Shkencëtarët kanë vërtetuar që personat të cilët para traumës kanë pasur korteks të përparmë më të vogël cingular, i cili po ashtu merr pjesë në marrjen e vendimeve dhe emocione, kanë pasur shanse më të mëdha që pas stresit të zhvillojnë çrregullimin post-traumatik të stresit.
“Mendojmë që këto ndryshime nuk janë të përhershme, sepse hulumtimet e deritashme kanë treguar që vjen deri te përmirësimi në tru pas terapisë”, ka thënë Sekiguchi./kohaislame/