3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Pse studiuesi arab Ibn Battuta është studiuesi më i madh i të gjitha kohërave

Më të lexuarat

Resul Mehmedović 

Titulli ‘studiuesi më i famshëm në histori‘, zakonisht shkon së bashku me emrin Marco Polo, udhëpërshkruesi i madh venecian, i cili e vizitoi Kinën në shekullin e 13-të. Mirëpo, nëse e shikojmë distancën e përshkuar nga Marco Polo, ai është shumë larg prapa studiuesit musliman Ibn Battuta.

Ibn Battuta është pak i njohur jashtë botës arabe-muslimane, mirëpo, ai e kaloi gjysmën e jetës së tij duke udhëtuar në hemisferën Lindore. Lundroi me anije, udhëtoi me karvanë, në këmbë, vizitoi mbi dyzet shtete të sotme, u ekspozua ndaj rreziqeve të mëdha, për të kënaqur kërshërinë e tij kërkimore. Kur u kthye në shtëpi pas 29 vjetësh udhëtimi, ai i përshkroi udhëtimet e tij në një libër udhëtimi të quajtur ‘Rihla’.

Është lindur në vitin 1325, në Tanxher, Maroku i sotëm dhe u rrit në një familje juristësh islamikë. Në moshën 21 vjeç, ai e la vendlindjen e tij dhe u nis për në Lindjen e Mesme. Së pari synoi që ta kryente haxhillëkun, kurse pastaj me atë rast t’i studiojë shkencat islame, e para së gjithash drejtësinë. Udhëtimin e tij ai e filloi hipur në gomar, i vetëm, pastaj iu bashkua një karvani të haxhilerëve. Rruga ishte e vështirë, plot me banditë dhe menjëherë pas kësaj u sëmurë nga ethet, ku për këtë arsye, iu desh të lidhej për samar, në mënyrë që mos të binte nga gomari. Përkundër të gjitha vështirësive, ai në ndërkohë arriti të martohej, ajo ishte gruaja e parë nga dhjetë gratë me të cilat ishte martuar gjatë jetës së tij.

Në Egjipt, Ibn Battuta studioi të drejtën e sheriatit, e vizitoi Aleksandrinë dhe Kajron, për të cilën ai ka thënë se “nuk ka të barabartë në bukuri dhe shkëlqim”. Pastaj e vazhdoi rrugën për në Mekke, ku e kreu haxhillëkun. Pas haxhillëkut, vazhdoi të endej nëpër Botën islame (darul-Islam). Para kësaj, ai e kishte parë një ëndërr në të cilën ëndërroi se ishte marrë nga një zog i madh, i cili e kishte bartur në krahë deri në Lindje. Këtë ëndërr, një dijetar ia kishte interpretuar atij se, ai do të udhëtonte në të gjithë botën e atëhershme, dhe Ibn Battuta u nis për ta realizuar atë ëndërr.

Në disa vitet e ardhshme, Ibn Battuta udhëtoi vazhdimisht. U bashkua me karvanin dhe e përshkoi Persinë dhe Irakun, kurse më vonë u përqendrua kah Veriu dhe e vizitoi Azerbajxhanin e sotëm. Pas qëndrimit në Mekë, ai lëvizi kah Jemeni dhe udhëtoi drejt detit, ku me anije e vizitoi atë që sot quhet Briri i Afrikës. Nga atje, ai e vizitoi qytetin Mogadisho të Somalisë, para se të lëshohej nën ekuator dhe të eksplorojë në brigjet e Kenisë dhe Tanzanisë.

Pasi u largua nga Afrika, Ibn Battuta u befasua nga një plan për të udhëtuar në Indi, ku shpresoi ta siguronte një punë fitimprurëse si ‘kadi’ ose gjykatës islamik. Ai e ndoqi një rrugë lakore në Lindje, duke kaluar Egjiptin dhe Sirinë, para se të lundronte për në Turqi. Siç bënte gjithmonë në vendet e administruara nga muslimanët, ai mbështetej në statusin e tij si studiues islam, për ta fituar mikpritjen e vendasve. Në shumë vende në udhëtimet e tij, ai u ndriçua me dhurata të veshjeve të bukura, me kuaj, e madje edhe me skëllevër.

Nga Turqia, Ibn Battuta e kaloi Detin e Zi dhe hyri në zonën e Hordhisë së Artë të Khanit të njohur si Uzbeg. Ai u mirëprit në pallatin e Uzbegut, kurse më vonë i shoqëruar nga njëra prej grave të Khanit, arriti në Kostandinopojë. Ibn Battuta qëndroi në qytetin Bizantin për një muaj, kështu që aty vizitoi Aja Sofinë, dhe madje pati një pritje të shkurtër edhe te perandori. Kurrë më parë, nuk kishte qëndruar në një qytet kaq të madh jomysliman, ku u mahnit me kishat e krishtera ‘gati të panumërta’ brenda mureve të qytetit.

Ibn Battuta më pas udhëtoi në Lindje nëpër stepat e Euroazisë dhe hyri në Indi përmes Afganistanit dhe malit Hindukus. Me të mbërritur në qytetin Delhi, në vitin 1334, atij iu dha puna e kadiut nën sundimin e Muhamed Tughluqut, një sulltan i fuqishëm islam. Ibn Battuta kaloi disa vite duke punuar shumë, madje edhe u martua dhe pati fëmijë, por më në fund u bë mosbesues ndaj sulltanit, i cili ishte i njohur për gjymtimin dhe vrasjen e armiqve të tij – nganjëherë duke ua hedhur elefantëve me shpata të përforcuara në dhëmbët e tyre. Mundësia për t’u arratisur më në fund iu krijua në vitin 1341, kur sulltani e zgjodhi Ibn Battutan si të dërguarin e tij në pallatin Mongol në Kinë. Ende i etur për aventura, marokiani u nis në krye të një karvani të madh plot me dhurata dhe skllevër.

Udhëtimi për në Orient, në fund, doli të jetë një kapitull tmerri i odisesë së Ibn Battutas. Rebelët hindus e sulmuan karvanin gjatë udhëtimit për në brigjet indiane, kurse Ibn Battuta u rrëmbye dhe u grabit. Ia arriti të shkonte në portin e Kalkutës, por në prag të lundrimit, në vazhdën e stuhisë, anijet u shkatërruan dhe u përmbytën, duke u mbytur shumë njerëz.

Ibn Battuta përsëri mbeti pa asgjë. Ai ishte i vendosur të kthehej në Delhi dhe të ballafaqohej me sulltanin, mirëpo, e zgjodhi të shkonte në Jug drejt arkipelagut Maldiv. Ai mbeti në ishujt idilikë për vitin e ardhshëm, duke e shijuar kokosin, u martua me disa gra, kurse në ndërkohë përsëri shërbeu si gjykatës islam. Ibn Battuta mund të qëndronte edhe më gjatë në Maldiv, por pas mosmarrëveshjeve me sundimtarin, ai përsëri vendosi të udhëtojë për në Kinë. Pasi ndaloi në Shrilankë, lundroi me anije tregtare nëpër Azinë Juglindore. Në vitin 1345, katër vjet pasi u largua nga India, ai arriti në portin e nxituar kinez Kuanzhou.

Harta e udhëtimeve të Ibn Battutas nëpër botë

Ibn Battuta e përshkroi Kinën Mongole si “vendin më të sigurt dhe më të mirë për udhëtar” dhe i lavdëroi bukuritë e saj natyrore, por gjithashtu për banorët e saj tha se ata ishin ‘paganë’ dhe ‘të pafe’. I zemëruar nga ajo që pa, udhëtari i devotshëm qëndroi pranë bashkësive muslimane në vend, duke ofruar përshkrime të paqarta të metropolit Kuanzhou, të cilin e quajti ‘qyteti më i madh të cilin e kam parë në sipërfaqen e Tokës’. Historianët ende debatojnë se sa larg ka shkuar ai, por ai ka pohuar se ka shkuar në Veri, deri në Pekin përmes Kanalit të Madh të famshëm.

Kina shënoi fillimin e mbarimit të udhëtimeve të Ibn Battutas. Pasi arriti në skajin e botës së njohur të atëhershme, ai më në fund u kthye dhe u nis për në shtëpi drejt Marokut, duke arritur përsëri në Tanxher, në vitin 1349. Prindërit e Ibn Battuta tashmë kishin vdekur, kështu që ai qëndroi aty për një periudhë të shkurtër para se të nisej për në Spanjë. Më pas u nis në një udhëtim shumëvjeçar përtej Saharasë drejt perandorisë së Malit, ku e vizitoi qytetin Timbuktu.

Ai kurrë nuk regjistroi ngjarje gjatë aventurave të tij, por kur u kthye në Marok në vitin 1354, sulltani i vendit e urdhëroi që t’ia hartonte një libër udhëtimi. Ai e kaloi vitin tjetër duke i diktuar aventurat e tij një shkrimtari të quajtur Ibn Xhuzijj. Rezultati ishte historia gojore e quajtur Rihla (në përkthim ‘udhëtimi’). Edhe pse libri i tij i udhëtimit nuk është veçanërisht i popullarizuar sot, Rihla, megjithatë, konsiderohet një nga raportet më të gjallë dhe më gjithëpërfshirëse të botës nga shekulli i XIV-të.

Pasi përfundimit të Rihlas, Ibn Battuta u zhduk nga skena historike. Besohet se ai ka punuar si gjykatës në Marok, dhe pastaj ka vdekur diku rreth vitit 1368, por shumë pak dihet për të pas kthimit të tij në Marok. Duket se pas jetës së kaluar në rrugë, endacaku i madh më në fund u vendos dhe qëndroi në një vend.

Burimi:
History.com
Dialogos.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit