Një pacient i diagnostikuar me coronavirus (2019-nCoV) u largua nga një spital në provincën Jiangxi në lindje të Kinës të hënën, duke shënuar pacientin e parë të kuruar në provincë.
Sipas mediave kineze, bëhet fjalë për një 38-vjeçar nga qarku Xingan i cili kishte dërguar me veturë një mik në qytetin Honghu të Provincës Hubei më 3 janar dhe u kthye në Xingan më 5 janar.
Shumë shpejt pas kësaj, atij iu shfaqën simptoma duke përfshirë ethe, kollë dhe ngushtësi në gjoks.
Ai u diagnostikua me coronavirus dhe u transferua në spitalin e caktuar në nivelin krahinor, më 23 janar.
Siç bëhet e ditur më tej, pacienti ishte në gjendje kritike kur u transferua për herë të parë në spital, tha Xu Fei, nëndrejtori i Departamentit të Frymëmarrjes dhe Kujdesit Kritik të spitalit.
Po sipas autoriteteve, gjendja e tij u përmirësua ndjeshëm pas trajtimit dhe plotësoi standardet për lirim nga spitali.
Ndryshe, numri i viktimave nga coronavirusi ka shkuar në 106, kurse në gjithë Kinën janë konfirmuar se janë infektuar mbi 4,500 persona.
Shumica e të sëmurëve gjenden në spital, kurse 125 prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Rastet e të infektuarve me coronavirus janë konfirmuar në gjithë Kinën, ndërkaq në Tibet thuhet se do të mbyllen për një kohë të pacaktuar atraksionet turistike, duke paralajmëruar se të gjithë personat që vizitojnë ato vende do të futen në karantinë si preventivë.