14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Promovohen vëllimi i parë dhe i dyti i epitafeve në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës dhe të Mitrovicës

Më të lexuarat

Në hapësirat e hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u promovua vëllimi i parë dhe i dyti i epitafeve në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës dhe rajonit të Mitrovicës, organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë. Në këtë promovim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava me bashkëpunëtorë, dekani i FSI-së, dr. Fahrush Rexhepi,përfaqësues nga ambasada e Turqisë, Diyanetit, institutit Yunus Emre, përfaqësues nga Instituti i historisë, Instituti Albanologjik, profesorë, studiues, intelektualë, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës , Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili foli për vlerën e këtyre veprave. Ai më tej vazhdoi duke thënë se “Veprat që po promovojmë sot paraqesin një rëndësi të veçantë për njohjen e së kaluarës sonë, sepse përmes gurëve të varrezave myslimane që mbajnë epigrafet në gjuhën osmane arrijmë të gjejmë të dhënat të rëndësishme burimore për të parët tanë që jetuan e vepruan gjatë periudhës së administrimit osman të viseve tona, kur siç dihej gjuhë zyrtare ishte gjuha osmane”-tha Myftiu Tërnava

Ai më tej tha se trashëgimia materiale islame ka rëndësi të pazëvendësueshme për kulturën dhe qytetërimin islam në këto vise, po edhe në Ballkan e më gjerë, si dhe për historiografinë dhe kulturën shqiptare në veçanti, ngase paraqet vazhdimësinë e identitetit të mëvetësishëm dhe autoktoninë e popullatës shqiptare përballë historiografisë së fqinjëve ortodoksë, që deri para pak kohësh e mbajtën të okupuar Kosovën, dhe edhe sot e kësaj dite nuk kursejnë asgjë që të dëshmojnë para faktorëve relevantë ndërkombëtarë “të drejtën” e tyre historike mbi Kosovën përmes objekteve sakrale ortodokse, gjoja si dëshmi e kulturës dhe e pranisë së tyre të hershme në këto troje.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mirëpret projekte të tilla që zbardhin të kaluarën, do t’i mbështetim pa asnjë rezervë, sepse njohjen e së kaluarës-zbardhjen e saj e kemi obligim për vete e më tepër për brezin e ri. Shoqëritë që nuk e njohin të kaluarën e tyre, nuk arrijnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Në fjalën e tij dekani dr. Fahrush Rexhepi foli në emër të FSI-së dhe qartësoi se këto vepra kanë vlera dhe rëndësinë historike dhe ofrojnë orientim për të gjithë studiuesit dhe hulumtuesit e kësaj fushe.
Ai më pas tha se botimi i i dy vëllimeve i shtohen vargut të disa aktiviteteve të tjera shkencore si dhe 12 titujve tjerë që i ka botuar Fakulteti i Studimeve Islame. Këto botime janë të një rëndësie të veçantë sepse epitafet janë dëshmi mbi praninë e kulturës civilizimit fesë dhe arkitekturës së një populli. Tekstet japin njohuri për të kaluarën dhe historinë e popullit tonë dhe ato konsiderohen si rojtarët e një qytetërimi të heshtur. Epitafet në gjuhën osmane në rajonin e Prishtinës është projekt qe do të realizojmë në shtatë rajone të Kosovës”, tha ai.
Ai më pas tha se ashtu siç kemi paralajmëruar edhe në parathënien e vëllimit të pare: “Epitafet në gjuhën osmane (Deshifrimi dhe përkthimi i tyre në regjionin e Prishtinës”, se ky projekt është vetëm fillimi i disa projekteve të tilla që synojmë t`i realizojmë në shtatë regjionet e Kosovës, Fakulteti i Studimeve Islame tani ka realizuar edhe vëllimin e dytë “Epitafet në gjuhën osmane të regjionit të Mitrovicës”.

Për veprat referuan prof.dr. Ertugrul Karakus nga Universiteti “Kurklareli: të Turqisë, dr. Ermal Nurja nga Tirana si dhe vetë autori i veprave, PHD Agron Islami.
Në këto dy vëllime janë trajtuar mbi 200 gurë varresh me mbishkrim osman, ku së bashku me fotografinë origjinale i është dhënë transkriptimin dhe përkthimin e teksteve mbi varrezore (epitafeve) të cilat në vete përmbajnë të dhëna me interes për historinë, gjuhën dhe kulturën shpirtërore të të parëve tanë.
Promovimi i këtyre dy vëllimeve u vlerësua shumë duke e konsideruar si një pasuri e historisë dhe dëshmisë sonë për brezat e ardhshme që do ta shfrytëzojnë atë dhe do ta ruajnë në kujtësën historike për të kaluarën tonë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit