4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Universitetet amerikane, bashkëfajtorë në përhapjen e armëve bërthamore”

Më të lexuarat

Fushata Ndërkombëtare për Shkatërrimin e Armëve Bërthamore (ICAN) e cila është fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2017, tha se universitetet e SHBA-ve duke shpenzuar rreth 100 mijë dollarë në minutë për zhvillimin e armëve bërthamore në vend, janë bashkëfajtorë në garën e përphapjes së armëve bërthamore.

Në raportin e institucionit me qendër në Gjenevë të publikuar me titullin “Shkollat e Shkatërrimit Masiv: Universitetet Amerikane në Kompleksin e Armëve Bërthamore në SHBA” ka tërhequr vëmendjen me akuzat kundrejt universiteteve amerikane.

I përbërë nga 80 faqe, raporti zbulon me dokumente se si janë financuar 50 universitete për mbështetjen e komplekseve bërthamore, se si u janë dhënë leje për qasje në komplekse për hulumtime dhe si u janë siguruar mundësi të veçanta karriere për studentët.

Gjithashtu në raportin që përfshin edhe rezultatet e hulumtimit mbi tërheqjen e SHBA-ve në vitet e fundit kryesisht nga marrëveshjet e shkatërrimit të armëve bërthamore janë në fokus shumë universitete, përfshirë Universitetin e Kalifornisë, Universitetin Teksas A&M, Universitetin Johns Hopkins, Universitetin New Mexico dhe Institutin e teknologjisë Massachusetts.

“Këto universitete janë bashkëfajtorë në garën e armatosjes me armë të reja bërthamore, sepse për përditësimin e armëve në fjalë shpenzojnë rreth 100 mijë dollarë në minutë nga taksat e popullit amerikan”, thuhet në raport.

Sipas raportit, këto universitete janë mbështetës kyç të politikës së presidentit amerikan Trump për “përhapjen e armëve bërthamore”.

“Universitetet duhet të punojnë për shkatërrimin e armëve bërthamore”

Beatrice Fihn, drejtoresha e institucionit i cili dy vite më parë është nderuar me Çmimin e Paqes nga Komiteti Nobel i Norvegjisë, lidhur me raportin tha se “Dhjetëra universitete që kanë ndihmuar SHBA-të të zhvillojnë fshehurazi armët bërthamore në një masë të madhe duhet të kthejnë kursin (drejtimin) e tyre menjëherë dhe të punojnë për t‘i eliminuar ato (armët bërthamore). Anëtarët e Kongresit në qytetet, rajonet dhe gjithë SHBA-në i bëjnë thirrje (Trumpit) që t‘i bashkohet Marrëveshjes për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Ka ardhur koha që edhe universitetet t‘i bashkohen atyre”.

Në raport theksohet se ende universitetet në vend marrin miliona, madje në disa raste miliarda dollarë fonde për hulumtime në mbështetje të zhvillimit të armëve bërthamore.

Raporti gjithashtu përfshin informacione që universitetet drejtojnë drejtpërdrejt laboratorët e armëve bërthamore, bëjnë marrëveshje institucionale lidhur me këto laboratore dhe prodhimin e armëve në fjalë, zhvillojnë partneritete kërkimore dhe sigurojnë zhvillimin e fuqisë punëtore të synuar për këto komplekse./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit