4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Orteku i kontrolluar” Rama

Më të lexuarat

Fitim Zekthi

Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, kryeministri Edi Rama përdori, për një kohë të gjatë, një gjuhë mjaft të egër për të përshkruar gjendjen ekonomike të vendit. Ai fajësonte qeverisjen e Berishës për shkatërrim, për mjerim, për abuzime, për borxhe të mëdha. Ai thoshte se prej PD-së kemi Shqipëri që kullon gjak dhe të cilën ai (Rama) po e vendoste në tryezën e operacionit të thellë që do ta kthente në jetë pas kësaj ‘vdekjeje klinike’.

Kjo lloj gjuhe e papërdorur as nga Adenauer për Gjermaninë pas Hitlerit, as nga De Gasperi për Italinë pas Musolinit, as nga Berisha për Shqipërinë pas Enver Hoxhës kërkonte të justifikonte ndërhyrjet e mëdha apo “ortekun e kontrolluar” që do të përplaste ‘qeveria Rama’ mbi ekonominë shqiptare dhe mbi gjithë vendin në tërësi. Këtë gjuhë e kishte përdorur Lenini në vitin 1917, Enver Hoxha në vitin vitin 1945 dhe thuajse të gjithë liderët totalitarë komunistë kudo në Europë, Azi, etj.

Duhet thënë se Shqipëria e vitit 2013 ishte një Shqipëri krejtësisht normale, e dorëzuar me zgjedhje të lira që lejuan rotacionin e lehtë, anëtare e NATO-s dhe në një proces të avancuar bisedimesh dhe marrëdhëniesh me BE-në.

Cili ishte në të vërtetë ky “ortek i kontrolluar” që do të përplasej mbi ekonominë dhe mbi vendin? A u përplas dhe çfarë synonte?

Regjisori i famshëm suedez Ruben Ostlund e përdor “ortekun e kontrolluar” në filmin e njohur ‘Force Majeure’ për të shpjeguar daljen e mjaft njerëzve nga detyrimet kontraktuale dhe ndjekjen e instiktit, apo interesit të tyre personal.

Një familje profesionistësh e shtresës së lartë të shoqërive të sotme shkojnë, së bashku me dy fëmijët e tyre, në alpet e Zvicrës për pushime, për ski, për t’u larguar nga rutina e punës dhe jetës së përditshme. Teksa janë duke qëndruar në resortin luksoz, në restorantin e tij nga faqja e malit nis të vijë më shpejtësi një ortek i madh, një valë bore e cila duke se do ta bëjë copë e çikë restorantin. Babai i tmerruar ikën, ia mbath të shpëtojë kokën.

Pak minuta më pas merret vesh se orteku ishte i kontrolluar, se ai ishte siumuluar nga njerëzit e sigurisë dhe studiues, në mënyrë që të mos lejonte asnjë rrezik për resortet. Pra, alarmi kishte qenë kot, i rremë. Nëna kishte qëndruar me fëmijët e llahtarisur në pritje të fundit të tmerrshëm. Kur gjthçka u qetësua babai erdhi te familja dhe po përpiqej të thoshte se ai nuk iku, se ai nuk i braktisi. Ai, megjithë klithmat e nënës, me akuzat e saj se ai i braktisi dhe kërkesën e saj që të pranonte, fajin nuk pranonte. Me këtë mospranim të fajit, raporti i tij me familjen nuk u rregullua më.

Politologë të ndryshëm shohin mes këtij filmi, mes sjelljes së babait që braktisi familjen, një ngjashmëri të jashtëzakonshme me mënyrën se si drejtues politikë sillen me popullin e tyre. Ivan Krastev thotë se elitat politike të korruptuara e humbin besimin njerëzve. Këto elita, ose drejtuesit politikë, janë shpesh autorë ose shkaktarë “orteqesh të kontrolluar”. Këto orteqe të kontrolluar mund të jenë krizat financiare, falimentimet e bankave, dhëniet e konçesioneve disa milionëshe një grupi të vetë elitës, rritja e borxhit publik, nisja e një lufte etj. Këta drejtues, thotë Krastev, si babai te filmi ‘Force Majeure’ i braktisin njerëzit, i lenë ata në mëshirën e fatkeqësive, dhe më pas ata vetë, ose të tjerë nga radhët e tyre, vijnë dhe bëhen qaramanë, përbetohen, si ai babai, se nuk ishin ata shkaktarët e ortekut. Këta i shpëtojnë paratë e tyre, i shpëtojnë pasuritë e tyre, e shpëtojnë pushtetein e tyre, në mënyrë që ky “ortek i kontrolluar” të mos u bëjë asgjë.

Kjo është saktësisht ajo që ka bërë kryeministri Rama që nga viti 2013. Ai, pasi sulmoi dhe akuzoi qeverinë Berisha se shkaktoi një krizë të thellë në ekonomi, në rend, në drejtësi etj., nisi operacionin, jo të të “sëmurit që kullonte gjak, për ta shëruar”, siç tha, por të ortekut të kontrolluar që do ta përplaste mbi ekonominë dhe mbi tërë vendin. Borxhi publik nga ajo kohë është rritur me rreth 2,3 miliard euro. Janë dhënë konçesione në shëndetësi me vlera disa qindra milionë euro, në një kohë që situata në shëndetësi është e pandryshuar. Janë dhënë konçcesione dhjetëra milionëshe në mirëmbajtje rrugësh, ofrim shërbimesh dhe në asnjë prej tyre nuk vihet re ndonjë dallim cilësor. Ky borxh gjigand i rritur, këto konçesione gati në të gjithë ekonominë, nuk kanë prodhuar asgjë në lidhje me vendet e reja të punës.

Ekonomia kombëtare vuan nga investimet shumë të ulëta të biznesit vendas, nga investimet e paqena të bizesit të huaj, nga mungesa e likuiditetit (thuajse çdo ndërrmarrje i vonon me javë, deri edhe muaj, pagat). Varfëria është e lartë dhe largimet nga vendi dëshpëruese. “Orteku i kontrolluar” në ekonomi ka prodhuar pasurim për pak njerëz, dhënie të parasë publike dhe të ekonomisë kombëtare në administrim të pak duarve.

Aspekt tjetër i “ortekut të kontrolluar” është rendi publik dhe trafiku i drogës. Sapo erdhi në pushtet kryeministri Rama dhe ministri Tahiri larguan drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe të gjithë drejtorët e tjerë. Brenda dy javësh u larguan edhe të gjithë oficerët e rëndësishëm dhe shefat e komisariateve. Siç kishte akuza për “fajin gjigand të Berishës” që shkatërroi ekonominë dhe e bëri atë të kullojë gjak, ashtu kishte akuza edhe për fajin gjigand të Berishës që “kishte shitur Policinë” te krimi. Këto akuza u bënë që të krijonin mundësinë për “ortekun e kontrolluar”.

Më pas kemi propagandë mbi gjoja vendosjen e rendit dhe largimin e krimit nga Policia. Në fund të katër viteve propagandë për suksese, mbi ministrin e Brendshëm vijnë përgjime nga Italia ku dyshohej se ai ishte trafikant droge, i përfshirë në krijim grupesh kriminale, në krim të organizuar etj. Vendi u mboll me hashash, trafiku bëhej me avionë, në vend u ngritën laboratorë kokaine.

E njëjta gjë me arsimin, me burgjet, me mjedisin (inceneratorët). E njëjta teknikë kudo. Në fillim akuza të rënda ndaj Berishës, Bashës dhe PD-së, dhe më pas operacioni për “ortekun e kontrolluar”.

E njëjta gjë edhe me reformën në drejtësi. Madje te reforma në drejtësi “orteku i kontrolluar” është edhe më i sofistikuar. Ai, jo vetëm që po shkund sistemin, jo vetëm që po largon këdo do kryeministri, jo vetëm po i vonon si të dojë qeveria ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ngritjen e prokurorisë speciale SPAK, jo vetëm po e vonon vettingun, por ky operacion po arrin, ndryshe nga “orteqet e kontrolluara” në rend, në ekonomi, në shëndetësi apo mjedis të vazhdojë të fajësojë PD-në dhe opozitën.

Kryeministri Rama dhe partia e tij e kanë braktisur plotësisht kontratën që ”nënshkruan” me njerëzit në vitin 2013 kur erdhën në pushtet. Njerëzit sot nuk i duan më. Njerëzit sot e shohin qeverinë e kryeministrit si shkaktaren e varfërisë, si arsyen e humbjes së shpresës, si përgjegjëse për drogën dhe kriminalizimin e politikës. “Orteku i tyre i kontrolluar” ka ndodhur. Rama e braktisi popullin. Tani ai po del, do të dalë përsëri e përsëri, dhe do të bëjë atë që bëri babai në filmin ‘Force majeure’, nuk do të pranojë se ia mbathi, do të thotë isha këtu, isha duke luftuar kundër ortekut.

Rama ka një forcë të rrallë për të luajtur babain që braktisi familjen dhe nuk pranon fajin. Siç doli dhe “shiti” Luiza Xhuvanin, kur djali i saj vrau katër vetë, duke thënë se ai nuk mbron askënd siç “bënte Saliu”, siç doli dhe shiti (pasi e mbrojti egërsisht) Elvis Roshin, siç doli dhe shiti (pas mbrojtjes së fortë) Ndokën dhe Prengën, siç shiti Bushatin, siç ka shitur dhjetëra, ai do të dalë dhe do të thotë se, unë isha këtu kundër ortekut për të mbrojtur popullin.

Kjo është e kotë sepse, bash si babai që braktisi familjen dhe nuk qe më asgjë si më parë, edhe për Ramën besimi i njerëzve nuk do të vijë më kurrë. Ai është vetë autori që e ka shkaktuar dhe kontrolluar ortekun.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit