3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Poza të lodhura

Më të lexuarat

Prej vitesh, dhjetë shtete të BE-së diskutojnë me vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në union. Bilanci është zhgënjyes. Nga ky proces i ngadalshëm po përfiton Gjermania

Nga Keno Verseck, Der Spiegel

Kaosi me Brexit, kundërthënie mes lindjes dhe perëndimit, forcim i populistëve dhe një betejë e ashpër për postet kryesore pas zgjedhjeve europiane- rrallë përgjatë këtyre tre dekadave ka qenë situata e brendshme e Bashkimit Europian më e pafavorshme për një raund të ri zgjerimesh. Pavarësisht kësaj, në Poznan të Polonisë është mbajtur një samit për të ashtuquajturin Proces të Berlinit. Ai duhet t’u japë vendeve të rajonit një plan udhëtimi për të mirë dhe më efektiv për anëtarësimin në BE.

Drejt samitit me gjashtë drejtuesit e vendeve ballkanike udhëtoi edhe kancelarja Angela Merkel. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë europiane, tha ajo përpara udhëtimit në një video, duke shtuar se duhen plotësuar akoma shumë kushte. Kjo është formula standarde në dhomën e pritjes së BE. “Ballkani Perëndimor nuk duhet të shpresojë për një integrim të shpejtë në BE,” thotë eksperti i shkencave politike, Dusan Reljic nga Fondacioni berlinez për Shkencën dhe Politikën.

Procesi i Berlinit ka mbushur pesë vjet ndërkohë. Gjermania e nisi këtë iniciativë diplomatike në vitin 2014 për të ristartuar politikën e zvarritur të zgjerimit për Shqipërinë, Bosnjen, Kosovën, Maqedoninë Veriore, Malin e Zi dhe Serbinë. Nëntë vende iu bashkuan kësaj iniciative, përfshi këtu Austrinë, Francën, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ballkani Perëndimor duhet të sinjalizohet se BE e konsideron integrimin e tyre si të rëndësishëm dhe të nevojshëm. Në të njëjtën kohë duhet të promovohet bashkëpunimi rajonal politik dhe ekonomik si dhe të përshpejtohet lidhja më e ngushtë e Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Marrëdhëniet ekonomike me Ballkanin Perëndimor janë shumë të njëanshme

Pas pesë vitesh, bilanci është zhgënjyes. Metarialisht, Procesi i Berlinit ka prodhuar një rrjet rinor dhe një premtim për heqjen e tarifave të roaming në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2021. Një iniciativë për të trajtuar krimet e luftës në rajon ka dështuar, projektet e investimeve në infrastrukturë nuk kanë ecur përpara.

Politikisht situata në rajon është plotësisht e humbur. Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës janë më shpërthyese se para një dekade, me udhëheqje thellësisht jodemokratike në të dy vendet. Shqipëria dhe Bosnja po bien në kriza gjithmonë e më të thella shtetërore. Mali i Zi është një autokraci e fortë prej tre dekadash. Vetëm Maqedonia është në rrugën e duhur drejt demokracisë dhe sundimit të ligjit pas ‘revolucionit shumëngjyrësh’ të vitit 2016. Ekonomikisht, rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i lidhur me BE-në, por në mënyrë të njëanshme: shërben më shumë si një rajon i pagave të lira, si një treg shitjesh dhe ka akumuluar një deficit të lartë tregtar me BE-në.

Gjermania rekruton punonjësit e kualifikuar dhe akademikët

Qëndrimi hezitues i BE, bashkë me mungesën e interesit në rritje nga SHBA për Ballkanin Perëndimor, ka bërë që lojtarë të tjerë ndërkombëtarë në Ballkanin Perëndimor të bëhen të rëndësishëm dhe ta përdorin rajonin si fushë loje gjeopolitike. Sigurisht, ndikimi i Rusisë, Turqisë dhe shteteve të Gjirit është mbivlerësuar shpesh. Megjithatë, Kina aktualisht është lojtar i rëndësishëm në rajon pasi është huadhënësi më i madh. Ajo ka investuar miliarda në infrastrukturë dhe industri në Ballkanin Perëndimor. Disa vende, si Mali i Zi, janë rrjedhimisht shumë të varur nga Pekini.

Duke pasur parasysh situatën në rajon dhe rezultatin zhgënjyes të Procesit të Berlinit, ekspertët si Dusan Reljiç po bëjnë thirrje për një riorientim të politikës së BE për Ballkanin Perëndimor. “Duhet të kuptohet se BE dhe Ballkani Perëndimor janë një njësi gjeopolitike dhe se Ballkani Perëndimor nuk është një rajon periferik i BE-së,” thotë Reljiç. Ndërsa një politikë e zgjerimit nuk mund të vazhdojë si më parë, BE duhet të hapë fondet e saj strukturore dhe të kohezionit me Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka nevojë për grante të mëdha financimi falas dhe për programe zhvillimi, thotë Reljiç, vetëm kështu mund të ndalohet në mënyrë të përhershme rënia ekonomike e rajonit dhe eksodi masiv nga këto vende.

Kjo e fundit ngjan një ironi cinike, pasi është një kapitull suksesi për Gjermaninë sa i përket Procesit të Berlinit. Mijëra akademikë dhe punëtorë të kualifikuar e braktisin rajonin e Ballkanit Perëndimor çdo vit. Shumica e tyre rekrutohen posaçërisht nga Gjermania.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit