Nga Anjeza Xhaferaj
Që me stabilizimin e sistemeve partiake në Europë në fundshekullin e 19 dhe fillimshekullin e 20, partitë fetare kanë qenë një element përbërës i këtij sistemi partiak (Me parti fetare kuptoj partitë Kristian-Demokrate, të cilat krahas programeve ekonomike për zhvillimin e vendit kanë edhe diskur fetar në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me vlerat). Me rënien e sistemit komunist dhe lindjen e partive politike në Shqipëri, pati tentativë minimale ose pothuaj inekzistente për krijimin e partive politike me profil fetar, të tipit europian, të cilat edhe në rastin kur u krijuan nuk arritën të tërhiqnin pas vetes elektorat. Natyrshëm lind pyetja, pse në vendet e Europës Perëndimore feja vazhdoi të ishte pjesë aktive e hartimit të politikave publike, ndërsa në Shqipëri jo?
Sa herë që analizohet krijimi i sistemit partiak në vendet e Europës Perëndimore, dimensioni fetar është gjithmonë i pranishëm. Një ndër qasjet gjerësisht të pranueshme është se sistemi partiak u krijua si rezultat i dy revolucioneve: revolucionit kombëtar (kryesisht në Francë) dhe revolucionit industrial (kryesisht në Britani). Nuk po ndalem këtu te revolucioni industrial, por tek ai kombëtar. Sipas Lipset dhe Rokkan, konflikti kombëtar prodhoi dy çarje të mëdha në shoqëri. Njëri kishte të bënte me tensionin që krijohej ndërmjet kulturës qendrore të shtetformimit dhe rezistencës në rritje të popullsisë së provincave dhe periferisë me etnicitet, gjuhë apo fe të ndryshme, ndërsa konflikti tjetër lindi ndërmjet shtet-kombit centralizues, standardizues e mobilizues dhe privilegjeve historikisht të vendosura të kishës.
Ndarja mes shtetit dhe kishës bëri që kjo e fundit të kërkonte mënyra për të qenë megjithatë një zë i rëndësishëm në mënyrën se si funksiononte shteti: çështja thelbësore kishte të bënte me moralin, me kontrollin e normave të komunitetit. Kjo u reflektua në luftën për çështje të tilla si solemnizimi i martesës dhe lejimi i divorcit, organizimi i veprimtarive bamirëse dhe sjellja ndaj deviacioneve, funksionet e mjekëve përkundër funksioneve të klerikëve dhe rregullimeve të procesit funeral. Megjithatë, çështja fondamentale ndërmjet kishës dhe shtetit u fokusua në kontrollin e arsimimit. Kisha, qoftë kjo katolike, luteriane apo e reformuar, për shekuj, kishte pasur të drejtën për të përfaqësuar “pasurinë shpirtërore” të njeriut dhe të kontrollonte edukimin e fëmijëve. Ndërkaq, shteti kombëtar e pa arsimin e detyruar si një prej masave më efikase për të krijuar imazhin e kombit e për pasojë për të siguruar besnikërinë e qytetarëve. Por përpjekja e shtetit për të depërtuar drejtpërdrejt te fëmijët pa u konsultuar me prindërit dhe autoritetet e tyre shpirtërore shkaktoi kundërshtim të gjerë e luftë të ashpër dhe rezultoi në krijimin e një sistemi partiak ku partitë fetare zinin një vend të rëndësishëm. Në këtë sens, Revolucioni Kombëtar detyroi që gjithmonë e më tepër pjesë të popullsisë të merrnin anë në konfliktin mbi identitetet vlerore dhe kulturore. Edhe sot e kësaj dite partitë me elemente fetare vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin partiak. Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin e BE-së, grupi i Partive Europiane Popullore (Kristian-Demokratët) mori 275 vende, duke u bërë kështu grupi më i madh në parlament dhe në të njëjtën kohë vazhdon të ruajë “postin” e të qenët edhe grupimi më i vjetër.
Sigurisht momentet kyçe luajnë një rol thelbësor në rezultatin e ngjarjeve. Revolucioni kombëtar nuk ndoqi të njëjtën trajektore që ndoqi edhe në Europë. Sistemi partiak, pas formimit të shtetit të parë shqiptar, pati një jetëgjatësi shumë të shkurtër dhe nuk arriti të kristalizohej. Instalimi i regjimit komunist e shkatërroi përfundimisht multipartitizmin dhe mbi të gjitha e kthyen partinë si të vetmin institucion që prodhonte, monitoronte dhe certifikonte moral. Në këtë mënyrë feja reshti së qenë “palë” dhe nuk mund të luante rol në formimin e vlerave kulturore e aq më pak të kontrollonte segmente të shoqërisë, që më pas të shërbenin si bazë për krijimin e një partie politike.
Rënia e sistemit komunist e gjeti Shqipërinë pa këtë diskur, me një shtet modern që, përmes arsimit të detyruar dhe kontrollit mbi prodhimin e dijes ia kish dalë ta nxirrte diskurin fetar jashtë sferës së të diskutueshmes dhe të polemizuarës. Përkundrazi sistemi i ri politik i pas 1990-s i nxori institucionet fetare nga hapësira e së ndaluarës në hapësirën publike dhe shteti u bë palë me to: shteti vazhdoi të prodhojë dijen e tij laike pa i ndaluar institucionet fetare të prodhonin dijen e tyre fetare, e cila tashmë “e gëzuar” për hisen e fituar, nuk tentoi të “ndërhynte” në punët e shtetit dhe politikat e tij publike. Sigurisht që ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në mungesën e materializimit të diskurit fetar në një organizatë politike, siç mund të jenë çështjet më emergjente sesa ato fetare, çështje që kanë të bëjnë me privatizimin e ekonominë, zhvendosjet e brendshme të popullsisë dhe përgjithësisht me pozicionimin e qytetarit (nënshtetasit) në këtë situatë të re politike, ekonomike dhe sociale. Por ndoshta, faktori më i rëndësishëm është pikërisht mungesa e përputhjes së origjinës së shtetit kombëtar me origjinën e sistemit partiak, siç ndodhi në Europë. Në vendet europiane, “liberalizimi” i politikës, lejimi i të drejtës së krijimit të partive të klasës punëtore, lejimi i të drejtës së votës për shtresa gjithmonë e më të mëdha të shoqërisë korrespondoi me krijimin e shtetit kombëtar dhe pikërisht kjo bëri që elementi fetar, teksa i largohej shtetit, të gjente “strehë” në grupet e ndryshme shoqërore që kërkonin që “morali”, ashtu siç ata e njihnin, të vazhdonte të mbetej pjesë rregulluese e punëve të shtetit (e çfarë më mirë se partia politike mund të ndërmjetësojë interesat e njerëzve dhe negociojë ligjet e shtetit sesa partia politike?). Tërësisht e kundërta ndodhi në Shqipëri, ku sistemi multipartiak u krijua veçse në vitin 1991, shumë më pas vitit të largët 1912 që i korrespondon krijimit të shtetit kombëtar, tashmë prej kohësh të laicizuar.
Pikërisht kësaj mospërputhjeje në origjinë ia dedikojmë edhe situatën fatlume, ku institucionet fetare në Shqipëri vazhdojnë të prodhojnë dije, vlera dhe moral jashtë sferës së institucioneve shtetërore.