Lajmi për vdekjen e ish-presidentit të Egjiptit Muhamed Mursi ka tronditur jo vetëm Egjiptin por mbarë botën islame.
I zgjedhur me votat e para të lira në vend, Muhamed Mursi erdhi në pushtet në vitin 2012 pas autokratit Hosni Mubarak, i cili për 30 vite sundoi vendin duke ia mbyllur gojën opozitës.
Duke mos pranuar taktika të ngjashme, Mursi qeverisi me mjete demokratike, madje duke mos shtypur protestat që në vitin 2013 nisën si të nxitura nga jashtë, me qëllim destabilizimi.
I gjendur në burg që nga 2013, kur grushti i shtetit u realizua me gjakderdhje të shkaktuar nga ushtria, Mursi bënte thirrje prapa grilave se është i pafajshëm.
Por as gjendja e tij shëndetësore nuk bëri që presidenti i cili nuk kishte kryer ndonjë shkelje, së paku ta kishte mundësinë e lirisë.
67 vjeçari vdiq sot në një seancë gjyqësore në Kajro, e lajmin për vdekjen e tij e dha media shtetërore.
Historia e ardhjes së tij në pushtet ishte e mbuluar me tituj të lavdishëm në media ndërkombëtare, si “presidenti i parë i zgjedhur me vota, dhe presidenti demokratik i zgjedhur nga populli”.
Por lavdia zgjati vetëm një vit.
Frerët e Pranverës Arabe në saje të së cilës kishte nisur rrëzimi i tiranive, dukej se kishin kaluar në të tjera duar.
Ndonëse pati sukses në Tunizi, e deri diku në Libi, Pranvera Arabe përfundoi me gjakderdhje të paparashikuar në Egjipt, dhe Siria ende po vuan nga ajo që sot ka degjeneruar në luftë civile.
Mbi 2000 persona llogaritet të jenë lënë të pajetë nga ushtria në rrugët e Kajros dhe mbarë Egjiptit, në mbështetje të të besuarit të votës së tyre, Muhamed Mursi.
Ndonëse si kukull e vendosur mbi tanket e ushtrisë, tani ai që quhet president i vendit, Abdelfetah al Sisi, ishte figura kontroverse që qëndroi pas rrëzimit të profesorit universitar të Kajros i cili qe shkolluar në SHBA.
I zgjedhur si komandant i ushtrisë me dekretin e Muhamed Mursit, Abdelfetah al Sisi mori në duar flamurin e përgjakur për të shpërndarë protestuesit e zemëruar që kërkonin kthimin e presidentit në vend.
Pasi presidenti kishte nuhatur rrezikun e gjakderdhjes, ai u vet dorëzua së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Disa prej tyre që kishin dalë në rrugë gjithashtu u vranë nga snajperët e ushtrisë.
Saga kishte vazhduar me vite, dhe pushteti tashmë ushtarak kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për më shumë se tri vite, duke arrestuar pa urdhër këdo që kalonte nëpër rrugë.
Lëvizja e Vëllazërisë Muslimane, prej nga vinte edhe Mursi, u shpall si “terroriste” nga pushteti ushtarak, gjë që lëvizja e kundërshtoi në mënyrë gjithnjë paqësore.
Muhamed Mursi do të mbahet mend jo vetëm për politikbërjen në Egjipt, por edhe si njeriu i thjeshtë, familja e së cilit nuk pranoi asnjë benefit.
Ai po ashtu do të mbahet mend për buzëqeshjen e pathyer përtej grilave, besimin që e shfaqte në pafajësinë e tij, dhe për më tepër besimin në të drejtën e shfaqjeve të qëndrimeve, pavarësisht dënimeve të njëpasnjëshme që i jepeshin, herë me burg të përjetshëm, e herë me dënim më vdekje.
Presidenti i parë i vendit kishte pasur probleme shëndetësore për të cilat kishte njoftuar ai vet dhe familja e tij gjithashtu. Atij iu mohua e drejta e qëndrimit në spital dhe e drejta e vizitës së doktorit.
Familja e tij kishte njoftuar për kushtet e mjerueshme në qelinë e burgut, ku kequshqyerja ia kishte dobësuar shëndetin fizik dhe vetëm fizik.
Sa për atë shpirtëror, fuqia e tij u vërejt në të gjitha seancat, ku ai shfaqi besimin e palëkundur se vendi i tij do të bëhej i denjë për të jetuar kur nga karriget e shtetit të largohen tiranët. /tesheshi.com/