-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dallimi mes rebelimit dhe protestave

Më të lexuarat

Imam Tahauiu në tekstin e doktrinës teologjike që mban emrin e tij thotë:

“Ne nuk dalim kundër prijësve tanë dhe atyre që drejtojnë punët tona, edhe nëse ata bëjnë padrejtësi, nuk lutemi kundër tyre dhe as nuk heqim dorë nga bindja ndaj tyre. Bindjen ndaj tyre e konsiderojmë të detyrueshme si bindjen ndaj Allahut, për sa kohe nuk urdhërojnë të kryejmë mëkat”. Disa pyetje që dalin nga paragrafi i mësipërm janë si më poshtë:

Cilat kategori veprimesh konsiderohen dalje kundër prijësit që ndalohen nga doktrina teologjike sipas Imam Tahauijut?
Si kuptohet dhe zbatohet ky pasazh në kontekstin e muslimanëve që jetojnë në Shqipëri?
A konsiderohet ‘dalje kundër prijësit’ nëse muslimanët shqiptarë shprehin kundërshtime me politikat e qeverisë dhe protestojnë ndaj tyre?
A e kanë për detyrë fetare muslimanët shqiptarë të frenojnë padrejtësitë e qeverisë së tyre?
Cila duhet të jetë forma me të cilën duhet të perpiqen ata në frenimin e këtyre padrejtësive?
Allahu ua shpërbleftë!

Përgjigje:

Bindja ndaj prijësit në Islam është detyrë nga detyrat madhore islame e përmendur dhe në Kuranin Famëlartë:

“O ju besimtarë! Bindjuni Allahut, të Dërguarit të Tij dhe prijësve tuaj!” Surja en-Nisa 59.

Ndërsa për sa i përket thënies së imam Tahavaiut ku thotë: “Ne nuk dalim kundër prijësve tanë dhe atyre që drejtojnë punët tona, edhe nëse ata bëjnë padrejtësi, nuk lutemi kundër tyre dhe as nuk heqim dorë nga bindja ndaj tyre. Bindjen ndaj tyre e konsiderojmë të detyrueshme si bindjen ndaj Allahut, për sa kohë nuk urdhërojnë të kryejmë mëkat”, qëllimi është për rebelimin kundër Kalifit, guvernatorëve të tij nëpër qytete dhe qendrat islame, dhe mosbindjen civile e cila nxit popullatën për rrëzimin e pushtetarëve, duke përdorur çdo formë të mundshme, nga revoltat e zakonshme e deri te rebelimet apo grushtet ushtarake, që sjellin rrëmujë, kaos, destabilizim dhe pasoja të rënda për sigurinë e njerëzve dhe në unitetin dhe konsolidimin e muslimanëve dhe vizionit të përbashkët, që duhet të kenë. Shembuj nga përvoja historike ka shumë, duke filluar nga rebelët në kohën e Kalifit Othman, të cilët kërkuan prej tij abdikimin si Kalif dhe kur panë se ai nuk ua pranoi këtë kërkesë arritën ta asgjësojnë fizikisht më pas. Shembull tjetër kemi rastin e Havarixhëve, të cilët u rebeluan kundër Aliut r.a., ngritën krye dhe filluan të luftojnë deri edhe muslimanët e thjeshtë, që njihnin autoritetin e Kalifit, e plot shembuj të tjerë.

Për këtë është transmetuar dhe hadithi profetik, ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) thotë:

“Çdo kush që urren diçka nga prijësi i tij le të durojë, sepse kush revoltohet ose rebelohet kundër pushtetarëve të vet, qoftë dhe një pëllëmbë do të vdesë, sikur në kohën e injorancës (para islame).” Muslimi.

Në një hadith tjetër Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë:

“Do të vinë më pas prijës, të cilët do të punojnë punë, që do t’i miratoni për mirë, por dhe punë të tjera që nuk do t’i pëlqeni. Kush arrin t’i kundërshtojë duke i këshilluar me gjuhën e tij do të jetë i pastër dhe i sigurtë (nga lajkat dhe hipokrizia), e kush e urren veprën e tyre (me zemër) ka shpëtuar (nga gjynahu për të qenë pjesë e së keqes), por jo të bie dakord e t’i ndjekë ata në veprimet e tyre.”- I thanë: -“A t’i luftojmë ata, o i Dërguari i Allahut?”- Profeti (alejhis-salatu ues-selam) u përgjigj: -“Jo, përderisa ata e falin namazin!” Muslimi.

Ka dhe plot hadithe të tjera, të cilat e ndalojnë në formë të prerë rebelimin kundër prijësave dhe pushtetarëve muslimanë dhe siç shikohet qartë në hadithet profetike të përmendura dhe të tjera të transmetuara bëhet fjalë për një shoqëri të mirëfilltë islame, me ligjet, rregullat, etikën dhe normat, që lidhen me strukturën e plotë të një shteti ose kalifati të mirëfilltë. Megjithatë kjo nuk do të thotë, që njerëzit duhet të binden verbërisht duke pranuar padrejtësitë dhe zullumet e ndryshme. Këtë e pohon vetë imam Tahaviu në pjesën e fundit të tekstit ku thotë: “…për sa kohë nuk urdhërojnë të kryejmë mëkat.” Këtë pjesë të fjalës së tij Imam Tahaviu e mbështet te hadithi profetik, ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë:

“Çdo musliman e ka detyrë ta dëgjojë dhe t’i bindet prijësit të tij, përveç në rastin kur ai urdhëron për mëkate, atëherë nuk duhet ta dëgjojë dhe as t’i bindet!” Buhariu dhe Muslimi.

Këtë kontekst e përfshin edhe hadithi i lartpërmendur, ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka lajmëruar për ardhjen e kohëve dhe pushtetarëve muslimanë, të cilët do të veprojnë punë të mira, por edhe padrejtësi të ndryshme. Ai porosit, që të mos rebelohen muslimanët kundër tyre, por në të njëjtën kohë duhen këshilluar dhe duhen kundërshtuar, siç citohet në hadith: “Kush arrin t’i kundërshtojë duke i këshilluar me gjuhën e tij do të jetë i pastër dhe i sigurtë (nga lajkat dhe hipokrizia).” Ndërkohë në një hadith tjetër Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Xhihadi më i mirë është fjala e drejtë (e vërtetë) para pushtetarit zullumqar.” Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Në shpjegim të hadithit imam Ibn Betali në “Sherh Sahih el-Buhari 10/50” na përcjell fjalën e imam Taberiut, i cili thotë: “Selefët që ishin para nesh nuk janë pajtuar në një mendim të vetëm për kuptimin e këtij hadithi. Disa mendojnë se hadithi ka si qëllim ata muslimanë, që duhet ta flasin fjalën e drejtë para zullumqarëve, kur janë të sigurtë për veten e tyre, pra nuk kanë frikë nga ekzekutimi i mundshëm apo dëme të tjera të papërballueshme, që mund t’i presin. Ky është mendimi i Usama ibn Zejdit, Abdullah ibn Mesudit, Ibn Abasit dhe Hudhejfes. Kurse pjesa tjetër e dijetarëve kanë thënë: Është detyrë për këdo që shikon te pushtetarët vepra të këqija ta dënojnë veprën e tyre me fjalë publikisht, ose me çdo formë apo mundësi tjetër. Ky është mendimi i Omer ibn Hatabit dhe Ubej ibn Kabit. Argumenti për këtë është hadithi profetik, ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë:

“Kur të shikojë dikush një vepër të keqe le ta ndryshojë me dorën e tij, nëse nuk mundet me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet me zemrën e tij, por ky është besimi më i dobët.” Muslimi. Kurse disa të tjerë mendojnë, se detyrë (vaxhib) është dënimi i zullumit të tyre me zemër (kurse me fjalë brenda mundësive).”

Nga kjo kuptojmë që edhe në prezencën e një shteti të mirëfilltë islam mund të flitet hapur kundër padrejtësive, duke këshilluar dhe duke bërë të qartë shkeljet e normave fetare dhe natyrën e padrejtësive, që shpeshherë pushtetarët i harrojnë ose nuk i kuptojnë, madje Profeti (alejhis-salatu ueeselam) e ka konsideruar xhihadin më të mirë, sepse nëpërmjet kësaj synohet ruatja e parimeve fetare, e të drejtave njerëzore dhe e ruajtjes së vëllazërimit dhe konsolidimit të muslimanëve, gjë që për rrjedhojë garanton dhe ruajtjen e fesë nga shtrembërimet, devijimet dhe interpretimet e kota.

Ndërsa në rastin e vendit tonë ku jetojmë, ku shteti dhe institucionet e tij janë laike, gjërat janë krejtësisht ndryshe dhe gjykimet fetare nuk janë të njëjta. E, megjithatë kërkimi i të drejtës është i garantuar me ligj, qoftë në shoqërinë islame ku funksionon kalifati, qoftë në sistemet e sotme politike perëndimore, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Konkretisht, nëse do t’i referohemi sistemeve politike bashkohore, liria e shprehjes është themeli i demokracisë. Ligjet në fuqi garantojnë jo vetëm lirinë e shprehjes, por dhe mbrojtjen e tyre në rast kërcënimi. Kërkimi i të drejtës, kundërshtimi i politikave të qeverisë nëpërmjet fjalës, shkrimit, diskutimit, debatit publik, hedhjes në gjyq apo dhe nëpërmjet protestave paqësore janë veprime të parashikuara në ligj. Kësisoj muslimanët e kanë detyrë fetare që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të frenojnë brenda mundësive dhe hapësirave ligjore padrejtësitë, diskriminimet dhe politikat e dëmshme, aq më tepër kur në shumë raste këto janë të vetmet mundësi për të ngritur zërin për t’i thënë jo të keqes apo për të kërkuar të drejtën e cënuar.

Allahu e di më mirë.

Komisioni pyetje&pergjigjeve prane LHSH-se

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit