Preferencat e shqiptarëve për t’i vënë emrat fëmijëve të tyre kanë ndryshuar. Emra fetarë të moderuar, apo edhe emra që tingëllojnë bukur në shqip janë disa nga tendencat e viteve të fundit, duke bërë kështu që tradita e trashëgimit të emrit të gjyshërve të jetë gjithnjë e më shumë e huaj. Po ashtu, edhe e toponimeve nga vendbanimet shqiptare, apo emra patriotikë. Por nuk mungojnë edhe emrat që frymëzohen nga serialet televizive dhe protagonistët kryesorë të tyre, si Ezel, Pollat, Ejshan, Elif e të tjera, shkruan KOHA.
Në Maqedoni, shqiptarët janë kryesisht më pak të prirur për të “eksperimentuar” me variante emrash që përfitohen nga germat e para të emrave të prindërve, vendbanimit e kështu me radhë, thonë në zyrat e gjendjes civile në qytete të ndryshme. Po ashtu, edhe emrat ilir gjejnë përdorim, sidomos ato më pak të përdorur. Zonat ku më së shumti mund të gjesh emra të tillë janë Dibra, apo Struga dhe më pak në qytetet tjera.
Në Shkup, tendenca e emrave anon nga përkatësia fetare, në Tetovë ka një tendencë që anon sa nga emrat fetarë, po aq edhe kombëtarë, ndërsa në Gostivar dominojnë emrat shqip dhe më pak fetarë. Sipas statistikave zyrtare më të fundit, që i takojnë një publikimi të bërë deri para dy vitesh, në rajonin e Shkupit shqiptarët rëndom quhen Ramadan (mbi 3000 persona) dhe Emine (mbi 5500 femra). Bajram dhe Muhamet, apo Rexhep janë ndër tre emrat e preferuar, të pasuar nga Shaban, Bekim te meshkujt dhe tek femrat numërohen mbi 5000 Sara, Suzana, Fatime e të tjera. Ndërsa sipas të dhënave të marra nëpër shkolla, moshat më të reja quhen Joni, Urim, Arbër, por edhe Ajan, Diar, Miraxh e të tjerë, ndërsa tek femrat dominojnë emrat të tillë si Dua, Belkisa, Amra, Isra, Tara, Kanita e të tjera.
“Emrat e rinj fetarë, apo edhe emrat që kanë kuptim në shqip janë disa nga emrat më të preferuar për zonën e Tetovës. Po ashtu, vihet re se ka gjithnjë e më pak emra që merren nga qytetet e Shqipërisë, apo emra patriotikë që po ashtu janë të rrallë. Ajo karakteristikë që është në Shqipëri për formime emrash me bashkime germash nga emrat e prindërve me atë të mbiemrit tek ne nuk është praktikë”, thotë Avni Alili, drejtues i sektorit të gjendjes civile në Tetovë. Në Gostivar dominojnë emrat shqip, ndërsa si më të përdorur vitet e fundit janë Leutrim, Diellza, Fjolla, Ermal, Valon, Jeton, Besa, Blerim dhe një numër i vogël i emrave me origjinë fetare si Muhamed, Amir e të tjerë.
Në Dibër dhe Strugë dominojnë prej vitesh emra shqiptarë, disi edhe më të veçantë sesa në zonat e tjera, si Bleta, Polen, Mirsije, Shkamb, Etnik, apo edhe të vjetër ilirë si Arion, që haset vitet e fundit. Vënia e emrit të një fëmije ndikohet nga shumë aspekte, kulturore, sociale dhe rëndom reflektojnë mjedisin ku jetohet./Portalb