1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Reformatori i madh i Perandorisë Osmane, Koçi Beu.

Më të lexuarat

Behar Kaçeli

Integrimi i shqiptarëve në administratën osmane është i mirënjohur tashmë. Është folur shumë për personalitete të ndryshme shqiptare dhe karrierën e tyre në administratë, duke qenë në poste që nga sanxhakbej e deri te kryevezirë. Për fat të keq, ne njohim vetëm personalitetet me karakter ushtarak në Perandori dhe pak dimë për dijetarët, mendimtarët, reformatorët, poetët dhe shkrimtarët me origjinë shqiptare në Perandorinë Omane.

Koçi Beu është pikërisht një nga këta personalitete me origjinë shqiptare, i cili është dalluar për diturinë dhe aftësitë e tij politike. Raportet e hartuara prej tij dhe të vëna në jetë nga dy sulltanë, në periudhën më delikatë të Perandorisë Osmane dhe që ia zgjatën jetën asaj, nxjerrin në pah personalitetin dhe aftësinë e tij.

Krahina e Korçës është e njohur qysh në periudha të hershme për personalitetet dhe figurat e mëdha në Perandorinë Osmane, si: İljaz Bej Mirahori, Mehmet Ali Pasha, etj. Nga kjo trevë kanë dalë gjithashtu edhe shumë dijetarë e mendimtarë të shquar, siç ishte edhe Koçi Beu.

Kjo trevë gëzon edhe sot e kësaj ditë një kulturë dhe identitet të veçantë, që dallohet nga të gjitha trevat shqiptare dhe që është trashëgimi e vazhdimësi e kësaj tradite.

Koçi Beu u bë i famshëm me veprën e tij “Koçi Bey Risalesi – Raporti (broshura) e Koçi Beut” që shërbeu si bazë e reformave rrënjësore të Perandorisë. Në këtë vepër ai theksonte problemet që po përjetonte Perandoria, tregonte origjinën e tyre, si dhe jepte mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve.

Ky personalitet jetoi dhe shoqëroi 4 sulltanë (Ahmeti I, Murati IV, Ibrahimi I, Mehmeti IV), në një nga periudhat më delikate të Perandorisë, duke gëzuar respektin e të 4 sulltanëve për shkak të kontributit të tij.

Koçi Beu

Pavarësisht se ishte shumë i njohur për kohën e tij dhe kishte një karrierë shumë të gjatë në oborrin e sulltanit, nuk ka shumë të dhëna për të. Ai njihet me emrin Koçi Beu, por në fakt emri i tij është Goriceli[1] Mustafa Bey.

Sipas shumicës së historianëve, Koçi Beu është me origjinë shqiptare, i lindur në Korçë. Bursalı Mehmed Tahir në veprën e tij “Osmanlı müellifleri – Autorët osmanë” përmend, se emri i tij në katalogun e Bibliotekës Hidivi (sot njihet me emrin Darul kutub el-misrije) është shënuar Mustafa Bey dhe njihet me emrin Koçi Bey (ndoshta ngaqë ka qenë fytyrkuq/ i kuq – kuç – koçi, iu ka dhënë epiteti Koçi Beu: shënon autori). Bashkëshortja e tij dhe i biri me emrin Sefer Shah, janë varrosur pranë xhamisë së İljaz Bey Mirahorit, ndërsa varri i Koçi Beut ndodhet në një fshat (Polamen) anës rrugës Korçë-Manastir.[2]

Mehmed Surejja në veprën e tij “Sicill-i Osmani – Personalitetet Osmane” përmend, se Koçi Beu lindi në Korçë. Që në moshë të vogël u fut në medresenë e njohur Enderun dhe mori detyrën e komandantit në kohën e Sulltan Ahmet I. Me ardhjen në pushtet të Sulltan Muratit IV, ai bëhet këshilltari i tij personal dhe njihet si “Sır-daş – mbajtësi i sekreteve të sulltanit”. Në vitin 1631 i paraqet raportin (Risalen) e tij Sulltanit. Koçi Beu mbajti të njëjtën detyrë dhe përgatiti një raport tjetër edhe në kohën e Sulltan Ibrahimit I. Ndërroi jetë në vitet e para të pushtetit të Mehmetit IV. Koçi Beu ishte intelektual dhe politikan shumë i aftë.[3] Historiani i njohur gjerman Babinger e ka cilësuar Koçi Beun si Montesquieu i Perandorisë Osmane.[4]

Koçi ishte një epitet shumë i përhapur në atë kohë. Shpjegimi që jepet për këtë fjalë është, se koçi vjen nga fjala e gjuhës shqipe Kuq. (I kuq, kuç, koç). Për mendimin tim ky interpretim nuk është shumë bindës, sepse në Perandorinë Osmane ka shumë funksionarë me epitetin Koçi. Psh: Koç Ali Pasha, Koç Emir Mustafa Efendi, Koçi Beu (1451-1481) një nga komandantët më të shquar të Muhammed Fatihut. Koçi Bey që merr pjesë me Sulltan Selimin I në çlirimin e Egjiptit 1416. Në kohën e Muratit III, një nga komandantët e shquar të tij njihet me pseudonimin Koçi Beu. Të gjithë këto shembuj i solla, për të sqaruar interpretimin, se origjina e epitetit Koçi vjen nga mbiemri (i kuq) më duket i pavend.

Duhet theksuar gjithashtu, se Koçi Beu nganjëherë ngatërrohet me Koca Husein nga Sarajeva, i cili ka jetuar në të njëjtën kohë (shek. XVII) dhe është autor i një broshure në histori. Në disa artikuj e gjejmë të shënuar se Koçi Beu është nga Sarajeva ose anasjelltas.

Broshura (Risale) e Koçi Beut

Broshura e Koçi Beut është ndër burimet më kryesore për historinë osmane të shek. XVII. Ajo përbëhet nga dy raporte, që i janë paraqitur 2 sulltanëve, të cilët sunduan në kohën e tij: Sulltan Murati IV dhe Sulltan Ibrahimi I.

Me formimin që kishte marrë në medresenë e Enderunit, Koçi Beu ishte një personalitet shumë i ditur dhe me kulturë të gjerë, gjë që i mundësonte të ishte ndër personat e afërt me sulltanin. Ai shërbeu për një kohë shumë të gjatë në saraj dhe për këtë arsye njihte sarajin, pashallarët, traditat dhe rregullat shumë mirë.

Raporti që hartoi Koçi Beu në shek XVII, vinte në dukje të gjitha të metat, denigrimin dhe zvetnimin që po përjetonte Perandoria Osmane. Në atë raport, ai i trajtonte këto defekte që nga burimi i tyre, mënyrën se si ishin zhvilluar dhe kishin degjeneruar në çdo qelizë të shoqërisë osmane në atë kohë. Jo vetëm kaq, por ai ofronte edhe zgjidhje për këto probleme.

Raportin (Risalen) e parë Koçi Bey ia paraqiti Sulltan Muratit IV në vitin 1631.[5] Ndikimi i Koçi Beut mbi Sulltanin ishte aq i madh, saqë sipas historianëve Sulltani qëndronte përpara tij si nxënësi te mësuesi, ndërsa ai fliste hapur me Sulltanin dhe nuk nguronte t`ia numëronte mangësitë. Evlija Çelebiu 1635 vizitoi Stambollin dhe qëndroi një muaj në medresenë Enderun. Në veprën e tij “Sejahat-name”, ai e përshkruan Koçi Beun si njeriun më të afërt dhe më me ndikim te Sulltani.[6]

Në fakt, po të bëjmë një krahasim ndërmjet datave, në maj të vitit 1632 Sulltan Murati IV eliminon kryevezirin e tij Topal Rexhep Pasha dhe arrin ta marrë pushtetin plotësisht në dorë. Pra në më pak se një vit, shohim që reformat në bazë të raportit që kishte paraqitur Koçi Beu, po jepnin rezultat.

Pas vdekjes së Sulltan Muratit IV dhe ardhjes në pushtet të Sulltan Ibrahimit I, Koçi Beu përgatit përsëri një raport dhe ia paraqet sulltanit në vitin 1650. Ai e përgatiti këtë raport, pas kërkesës së Sultan Ibrahimit I për një gjë të tillë. Raporti është pothuajse i njëjtë me të parin, vetëm se i pari i kushtonte më shumë rëndësi organizimit administrativ dhe reformave rrënjësore të shtetit në përgjithësi, duke filluar nga Stambolli e deri në fshatrat më të largëta, ndërsa raporti që i paraqiti Sulltan İbraihimit I, përqëndrohet më shumë te reformat e brendshme në pallatin e sulltanit, tek mënyra e komunikimit, cilësitë e të përzgjedhurve, etj.

Përveç kësaj, Koçi Beu e emërtoi “Kanunname” që i paraqiti Sulltan Ibrahimit I, ndërsa të parin e kishte emërtuar “Risale”. Raporti që i ka paraqitur Sulltan İbrahimit I, gjendet edhe sot në bilotekë-arkivin e Topkapı Saraj, i regjistruar me nr. 1323 dhe mendohet se mund të jetë me shkrimin origjinal të Koçi Beut[7].

Veçoritë që ka kjo vepër

1- Është e para për llojin e saj në P. Osmane. Deri në atë kohë nuk kemi raporte të hartuara në këtë formë. Kjo formë raportesh dhe propozim reformash përsëritet në kohën e Selimit të III.

3- Është një burim shumë i rëndësishëm për historinë e shek. XVII. Kjo vepër paraqet një panoramë të qartë të jetës sociale në atë kohë, duke filluar nga qendra e gjer në pikat më të largëta të Perandorisë. Në të përshkruhen problemet administrative, ekonomike, sociale, etj.

Problemet kryesore të administratës shtetërore që nxirren në pah nga raporti (Risale) i Koçi Beut

1- Përhapja e korrupsionit në administratë, që nga njerëzit më të afërt të sulltanit e deri te spahinjtë dhe të parët e krahinave.

2- Izolimi i sulltanit (nga njerëzit e korruptuar) dhe mbajtja e tij larg nga populli dhe problemet e shoqërisë.

3- Prishja dhe mosfunksionimi i sistemit të timarit, ka bërë që tokat të mos mbillen dhe për pasojë bien të ardhurat, shtohet varfëria dhe problemet shoqërore.

4- Përhapja e ryshfetit dhe blerja e posteve me para.

5- Mos funksionimi i repartit të jeniçerëve, të cilët i kanë kthyer armët e tyre nga shteti dhe qytetarët e tij. (Jeniçerët, nga ushtria e pamposhtur që ishin emëruar, u kthyen në barrën më të rëndë të shoqërisë. Mos angazhimi në fushata dhe hapje të reja (fet’h), sipas Koçi Beut, i ktheu ata në tregtarë, dallkaukë, gjobëvënës dhe plaçkitës të shoqërisë).

6- Dalja e të gjitha strukturave shtetërore nga filozofia e funksionimit, që nga caktimi i posteve, taksat, tregjet, doganat, rrugët tregtare, etj.

Përse ka përgatitur dy raporte (risale)?

E veçanta e raporteve të Koçi Beut, pavarësisht se ato nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri në përmbajtje, është se ai i ka hartuar ata sipas nivelit intelektual dhe karakterit të secilit prej sulltanëve. Njëri sulltan kishte formim shumë të mirë, ishte njohës i shumë gjuhëve, i ashpër dhe me natyrë të egër, ndërsa i dyti ishte i butë, me karkater të dyfishtë dhe nuk kishte formim kulturor. Më poshtë do të flasim shkurtimisht për karakterin e dy sulltanëve.

Ø Sultan Murati IV: I mirëedukuar, njohës i disa gjuhëve, poet i njohur në gjuhën arabe dhe perse. Ishte rritur në saraj dhe i njihte të gjithë intrigat e sarajit dhe vezirëve. Për këtë arsye, me të ardhur në pushtet e mbajti afër Koçi Beun dhe kërkoi prej tij hartimin e raportit.[8]

Ø Sultan Ibrahimi I: I rritur në qelitë e burgjeve, me frikën e ekzekutimit nga momenti në moment. I pavendosur në karakter dhe me personalitet të dobët te vezirët dhe oborrtarët. Me të ardhur në pushtet, ia ndjeu nevojën Koçi Beut dhe e urdhëroi, që raportin që i kishte paraqitur Sulltan Muratit IV t`ia thjeshtësonte në një gjuhë më të lehtë, që të ishte më e kuptueshme për të. [9]

Përmbledhje.

Raporti (Risale) i Koçi Beu është një pampflet shumë i rëndësishëm në historinë e Perandorisë Osmane. Është i pari në llojin e tij dhe shohim se vetëm 100 vjet më vonë, pra në kohën e Sulltan Selimit III do të hartohet përsëri një raport i tillë. Për këtë arsye, jo më kot Koçi Beun e kanë cilësuar si Montesquieu apo Machiavellin e Perandorisë Osmane.

Si për ironi të fatit dhe të historisë ai konsideron Sulltan Sulejman Kanunin si shkaktarin kryesor për procesin e kalbëzimit të administratës shtetërore. Ai thotë: “Ndërkohë që shteti i tij zgjerohej, ai bëri shumë gabime që nuk i shkonin madhështisë së tij.

E para: është i pari sulltan në historinë e Dinastisë Osmane, që u largua nga drejtimi i mbjedhjeve të divanit.

E dyta: është i pari sulltan që filloi të shpërndajë ulufe (rroga paradhënie) në formë dhurate për jeniçerët dhe agallarët e administratës.

E treta: nuk mori asnjë masë përballë floririt dhe argjendit që po sillte Europa nga kontinenti i ri. Kjo bëri, që monedha osmane (akçe) të zhvlerësohej shumë dhe të rritej inflacioni.

Më poashtë po përmendim disa rekomandime, që Koçi Beu i jep Sulltan Muratit IV, se si ta reformojë dhe ringrejë edhe një herë Perandorinë:

1- Veziri azam, Kadi asker dhe Muftiu të jenë poste të pavarura dhe të përzgjidhen nga mesi i njerëzëve fetarë dhe të aftë.

2- Reformimi i sistemit të timarit. Toka t`iu rishpërndahet atyre personave që kanë merita dhe që janë besnikë ndaj dinastisë. Zotëruesit e timarit të jenë banorë të zonës dhe jo nga zona të tjera. Me anë të spahinjve që zotërojnë timaret, mund të bëhet edhe disiplinimi i jeniçerëve, të cilët janë kthyer në barrë për shtetin.

3- Konfiskimi i pasurisë së të gjithë atyre që kanë përfituar ulufe (shpërblime dhe rroga paradhënie) deri tani, si dhe konfiskimi i vakëfeve të ngritura nga këta persona.

4- Menaxhimi në mënyrë të veçantë i pasurisë së vakëfeve dhe jetimëve, duke mos e përzier kurrsesi me arkën e shtetit.

5- Njerëzit e administratës të jenë më të zgjedhurit nga shkollat osmane dhe njerëz besnikë të saj.

6- Lehtësimi i taksave ndaj popullatës dhe heqja e padrejtësive ndaj tyre.

Në fakt Koçi Beu u rekomandoi shumë propozime sulltanëve, por ne përmblodhëm ato shumë shkurt në pikat e lartpërmendura.

Raporti i Koçi Beut ka hasur interesim shumë të madh edhe nga perëndimorët, të cilët që herët e kanë përkthyer në gjuhët e tyre. Për herë të parë ësthë përkthyer në frëngjisht në vitin 1725 dhe po në të njëjtin vit është përkthyer edhe në gjermanisht. Në vitin 1873 përkthehet në rusisht dhe disa vite më vonë në 1896 sillet në hungarisht.[10]


[1] Goricë: kështu emërtohej qyteti i Korçës në periudhën osmane.

[2] Bursalı Mehmet Tahir “Osmanlı Müellifleri”, c. 3. İstanbul 1975, s. 79-80.

[3] Mehmed Süreyya “Sicill-i Osmani”. c. 3. Istanbul 1996, s. 891.

[4] Franz Babinger “Osmanlı Tarih Yazarları ve Eserleri”. Ankara 1982, s. 203.

[5] Dr. Yılmaz Kurt “Koçi Bey Risalesi”. Akçağ. 2 baskı. Ankara 1998, s.3.

[6] Zuhuri Danışman “Koçi Bey Risalesi”. Kültür ve Turizm Bakanlığı Yayınları. Ankara 1985, s.9.

[7] Tayyib Gökbilgin “Sulltan İbrahim”, IA, c. V/2 -1968, s. 885.

[8] Danışman. po aty, s. 18.

[9] Po aty,s. 18.

[10]Danışman. po aty, s. 26.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit