Kina thirri ambasadorin amerikan në Pekin të dielën për t’i paraqitur “një protestë të fortë” lidhur me arrestimin e një drejtueseje të një firme teknologjike në Kanada dhe kërkesën e Uashingtonit për ekstradim të saj në Shtetet e Bashkuara për të dalë në gjyq nën akuza për mashtrim.
Kina e quajti arrestimin e Meng Wanzhou-së kryefinancieres së gjigantit të telekomit, Huawei Technologies diçka “jashtëzakonisht të keqe” dhe kërkoi që Shtetet e Bashkuara ta tërheqin kërkesën e ekstradimit të lidhur me akuzat se ajo kishte shkelur ligjet amerikane që ndalojnë tregëtinë me Iranin.
Zëvendës ministri i Jashtëm, Le Yucheng thirri ambasadorin amerikan Terry Branstad, një ditë pasi thirri të dërguarin kanadez John McCallum për të protestuar ndaj arrestimit të Mengut, me kërkesën e Shteteve të Bashkuara në aeroportin e Vankuverit më 1 dhjetor.
Ministria e Jashtme kineze tha në një deklaratë se zoti Le i tha ambasadorit Branstad se “veprimet e Shteteve të Bashkuara shkelin rëndë të drejtat e ligjshme dhe legjitime të qytetares kineze, dhe ishin në vetvete shumë të shëmtuara”.
Pekini u kërkoi Shteteve të Bashkuara që “të marrin masa të menjëherëshme për të rregulluar praktikat e gabuara dhe të anulojnë kërkesën për arrest të një qytetareje kineze”.
Meng, nëse shpallet fajtore në Shtetet e Bashkuara përballet me deri në 30 vjet burg. Një prokuror kanadez tha në një seancë gjyqi të premten në Vankuver se ajo mashtroi në vitin 2013, duke u thënë institucioneve financiare se firma Huawei e Kinës nuk kishte lidhje me kompaninë Skycom të Hong Kongut, që akuzohet se po i shiste produkte amerikane Iranit, duke shkelur sanksionet amerikane kundër Teheranit.
“Skycom ishte Huawei,” tha prokurori. Avokatët e Mengut i mohuan akuzat.
Lajmi për arrestimin e 46 vjeçares Meng, si edhe pasiguritë për marrëdhëniet tregëtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, tronditën bursat ndërkombëtare javën e kaluar./VOA/