Pas Unazës së Madhe, një tjetër projekt pritet të shembë banesat e rreth 200 familjeve. Në zgjatimin e zonës është parashikuar spostimi i lumit Lana dhe rehabilitimi i tij në krahun e majtë
Neritan Gjergo
Shembjet në Unazën e Re nuk do të mbarojnë vetëm me banesat që janë në anë të rrugës. Pas fazës së parë, edhe objektet që janë në brezin e dytë rrezikojnë të shemben. Shkak është ndryshimi i shtratit të lumit Lana. Vetë banorët akuzojnë se projekti është devijuar qëllimisht për të mbrojtur pronën e një biznesi, e cili tashmë ka rrethuar sipërfaqen që pritet të kthehet në terren për ndërtim pallatesh, raporton Ora News. “Lana ka rrugën e vet, shtratin e vet, hapësirën e vet. Se ne po të dalim nga këtu, nga pallatet e deri këtu, është lënë hapësira e Lanës”. “Është bërë një projekt, ashtu siç është bërë dhe projekti i Unazës së Re, i cili nuk shkon në rrjedhën ku është sot dhe në vendin bosh. Nga pallati përballë është mbi 100 metër dhe toka është e pazënë. Për çudi ky projekt është futur në mes të lagjes sonë. Në korrik, në zonë është bërë dhe një anketim që evidenton banorët. Por ata thanë se nuk u është bërë e qartë se pse u kërkohen të dhënat, madje as për vazhdimin e projektit. “Zyrtarisht nuk na ka njoftuar askush, por në muajin korrik kanë ardhur punonjësit e bashkisë të njësisë numër 6 në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe kanë plotësuar një formular. Ne na thanë se është për gjendjen ekonomike të lagjes, nuk na e thanë ashtu siç ishte”. ” Zyrtarisht jo nuk bëjnë këta, të hanë pas shpine”. ” Nuk na kanë thënë as se do të prishet, as se nuk do të prishet. Kanë ardhur dhe kanë regjistrimin ata të bashkisë”. Në panik, banorët shprehen se ajo se çfarë po ndodh është e padrejtë. “Nuk e shohim të arsyeshme që të na shembin shtëpitë. Kur të hiqet Lana prej këtu dhe të futet mes përmes shtëpive, është çmenduri”. ARRSH dhe Bashkia e Tiranës mbajnë të fshehtë dhe nuk e japin projektin. “Nuk ka transparencë dhe kur nuk ka transparencë ka diçka mbrapa”. Krahu i banesave pranë Lanës do të jetë ai ku do të shemben ndërtesat.
Protesta e Unazës
Banorët e zonës së Astirit ishin dje në ditën e 32-të të protestës së tyre në mbrojtje të banesave, ndërsa shumica prej tyre janë veshur sërish me jelekë portokalli, në shenjë solidariteti me protestuesit e Francës, të cilët e fituan betejën me shtetin. Dje, Florjan Protoduari, një prej protestuesve më aktivë të këtyre ditëve ka hedhur akuza të forta dhe në drejtim të kreut të ALUIZNI-t Artan Lame, që sipas tij duhet të jetë në burg. “Këlyshi Rama mendon se jemi lodhur, do të mbrojmë shtëpitë tona, arritëm sot në ditën e 32-të të protestës. Dorin e mbajnë në burg, hajde më arrestoni mua babanë e tij se unë e organizoj këtë protestë, hajde arrestoni të gjithë Unazën e Re. Artan Lame vetëm në muajin shtator ka bërë 10 legalizime të paligjshme, kush duhet futur në burg ne apo Artan Lame?”, u shpreh Protoduari. Banorët shprehen më tej se ka pasur tentativa për t’i përçarë nga ana e qeverisë, po që ata nuk do të ndalen. Ndërkohë që protestës i është bashkuar dhe një qytetar që po kalonte në zonë. “Unë nuk jam banor i zonës këtu, po do të dal në mbështetje të tyre”, shprehet qytetari. Në zonën e protestës janë bashkuar po ashtu dhe banorët e Bregut të Lumit dhe të Shkozës dhe përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha iu ribashkua dje protestës së banorëve të “Astirit”. Kreu demokrat tha se rezistenca te “Unaza e Re” do të vazhdojë deri në sprapsjen e asaj që ai e quajti megavjedhje. Ai akuzoi Ramën se ka kaluar vijën e kuqe dhe u ka hyrë në borxh shqiptarëve, ndërsa paralajmëroi se interesi i shumicës dhe interesi i këtyre banorëve do prevalojë mbi projektin që sipas tij parashikon grabitjen e 48 mln eurove për 2 km rrugë. Apeli i Bashës për banorët ishte që të qëndrojnë të bashkuar dhe t’i rezistojnë tendencës për përçarje. “Unaza ka treguar sesi mund të arrish të sprapsësh të keqen kur qëndron i bashkuar. Jam i frymëzuar nga qëndresa juaj dhe do vazhdojmë të qëndrojmë këtu për të sprapsur të keqen. Këtu po harxhohen 48 milionë euro për 2 km, vjedhja më e madhe e regjistruar ndonjëherë në botë. Këtu nuk ka projekt zhvillimi, por projekt vjedhje për sarajet e Surrelit”, tha Basha.
Mbështetja
Dje në zonën e qëndresës, u shfaq edhe akademiku Apollon Baçe i cili tha se ky projekt është një grabitje ndaj qytetarëve. Baçe ftoi qytetarët që të qëndrojnë të bashkuar, ndërsa tha se askush nuk ka guxuar që t’i prishë çatinë një fëmije, as diktatori Enver Hoxha. Baçe tha se për vjedhjen në Unazën e Madhe po paguan nga 120 euro çdo familje në të gjithë Shqipërinë. “Unë protestoj jo vetëm për ju po më duket se 40 milionë është një shifër marramendëse, kur kam qenë në një emision televiziv një nyje në Liverpol që ishte shumë e komplikuar se kjo kushtonte 3 milionë sterlina, ku shkoi 37 milionët e tjera?! Qeveritarët vjedhin në një mënyrë të tmerrshme, jo vetëm vjedhin popullin, çdo familje paguan 120 euro për të. Këtu kemi të bëjmë me një grabitje ndaj popullit, si mund ti heqësh çatinë e shtëpisë një fëmije? Këtë nuk e ka bërë as Enver Hoxha dhe as italianët apo Sali Berisha”, u shpreh Baçe.
Euro në pikiatë
Monedha e përbashkët ka zbritur dje në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë një rekord të ri të 11 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 124.11, me një rënie prej 0.15 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke kaluar në këtë mënyrë dhe rekordin minimal prej 124.17 lekë që u arrit në fillim të muajit qershor. Më pas, Banka e Shqipërisë filloi një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme, duke tërhequr më shumë se 100 milionë euro nga tregu, duke e stabilizuar kursin për pak muaj në nivelin e 126 lekëve. Por, që nga mesi i shtatorit, kur Banka e uli intensitetin e ndërhyrjeve dhe më pas sinjalizoi tregjet se do e linte kursin të lirë, euro ka shënuar një rënie të vazhdueshme graduale, duke vendosur dje një rekord të ri të dekadës së fundit. Arsyeja kryesore lidhet me kërkesë ofertën, konkretisht me ofertën e lartë të eurove dhe qarkullimin e dobët të monedhës vendase. Sipas tyre, në nëntor aktiviteti tregtar nuk ishte në nivelet e pritura, ndërsa shumë shqiptarë ikën jashtë për të festuar dhe me kthimin në vend kanë këmbyer eurot e tepërta.
Dollar Amerikan | USD | 109.44 | +0.51 | |
Euro | EUR | 124.11 | -0.15 | |
Poundi Britanik | GBP | 139.39 | -0.30 | |
Franga Zvicerane | CHF | 109.65 | +0.07 | |
Jeni Japonez (100) | JPY | 96.85 | +0.24 | |
Dollari Australian | AUD | 79.73 | -0.73 | |
Dollari Kanadez | CAD | 82.35 | -0.34 | |
Korona Suedeze | SEK | 12.16 | 0.00 | |
Korona Norvegjeze | NOK | 12.85 | -0.04 | |
Korona Daneze | DKK | 16.63 | -0.03 | |
SDR | SDR | 151.85 | +1.25 | |
Ari(OZ 1) | XAU | 135207.65 | +218.33 | |
Argjend(OZ 1) | XAG | 1581.85 | -4.28 | |
Juani Kinez (onshore) | CNY | 15.95 | +0.02 | |
Juani Kinez (offshore) | CNH | 15.95 | +0.01 | |
Lira Turke | TRY | 20.32 | -0.21 |