Presidenti i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), Ismail Gulle, vlerësoi të martën zhvillimet ekonomike në vend…
Turqia do të tejkalojë objektivin e eksportit deri në fund të vitit 2018, parashikuar të jetë 170 miliardë dollarë.
Presidenti i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), Ismail Gulle, vlerësoi të martën zhvillimet ekonomike në vend.
Duke shpjeguar se tensioni politik ndërmjet Ankarasë dhe Uashingtoni nuk është pasqyruar në tregti dhe se në shifrat e eksportit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në krahasim me të kaluarën, Ismail Gulle theksoi se klima pozitive e pritshme mund të kontribuojë në rritjen e të dhënave të eksportit gjatë periudhës në vijim.
“Tensioni politik ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së nuk pati ndonjë reflektim negativ deri në fund të muajit shtator. Pra, që nga shtatori, shifrat e eksportit drejt SHBA-së ishin të njëjta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, nuk kishte rënie. Kjo do të thotë se tregtia ka vazhduar rrugën e saj pa u influencuar nga tensionet politike”, vlerësoi ai duke shtuar se Asambleja e Eksportuesve të Turqisë po punon fuqishëm me sektorin publik dhe atë privat për krijuar tregje alternative për eksportet.
Gulle vuri në pah gjithashtu se eksportuesit turq janë më se të vendosur për të shtuar larminë e tregjeve.
“Evropën po e ndjekim shumë më nga afër. Duam të afrohemi edhe më tepër për të shitur akoma më shumë mallra. Ne duam të hapemi e të eksportojmë më shumë edhe në vende të tjera. S’është mirë të fokusohesh në një treg të vetëm, duhet të krijojmë tregje alternative”, deklaroi kreu i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë.
Sipas tij, raporti më i lartë i mbulimit të importit me eksport është regjistruar në muajin shtator dhe një tablo e ngjashme do të realizohet gjithashtu në tetor, gjë që tregon se shifrat e eksportit për vitin 2018 janë pozitive.
“Objektivi i përcaktuar nga shteti për eksportin deri në fund të vitit 2018 është në nivelin e 170 miliardë dollarëve. Në harkun kohor 12-mujor nga shtatori i vitit të kaluar deri në fund të shtatorit të këtij viti, ne kemi realizuar mbi 165 miliardë dollarë eksporte. Ne do ta realizojmë objektivin e 170 miliardë dollarë eksporteve në fund të këtij viti dhe madje do ta tejkalojmë atë sadopak”, përfundoi Ismail Gulle.