-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Përse heshtin akademikët?

Më të lexuarat

Ajo që e karakterizon më së miri AShAK-un (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës), sidomos në këto vitet e pasluftës, është indiferenca karshi betejave politike e ekonomike me të cilat është përballur Republika e Kosovës. Si institucion, veprimtaria e saj është pothuajse inekzistente. E përkundër të gjithave, AShAK-u nuk i jep llogari askujt për asgjë, ani që ka një buxhet vjetor për t’u mos u nënçmuar – shkruan Gazeta e Re.
Mungesa e transparencës, indiferenca karshi zhvillimeve politike, papërgjegjësia në raport me projektet për të cilat është zotuar, vihet në pah edhe në raportin e Organizatës Joqeveritare Integra, i cili s’ka pak ditë që është publikuar. Raporti i autorit Shkëlzen Gashi i titulluar – Kriza në akademi: Vlerësimi i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nxjerr në pah disa nga mangësitë e mëdha me të cilat përballet ky institucion.

Raporti vë në dukje se gati të gjitha “publikimet e AShAK-ut, të të gjitha seksioneve, janë të autorëve shqiptarë dhe në gjuhën shqipe. Nuk ka pothuajse asnjë publikim në gjuhën angleze. Më shumë se gjysma e publikimeve janë vepra të anëtarëve të AShAK-ut dhe, për më shumë, janë ribotime, gjë që e redukton AShAK-un në shtëpi botuese. – Prej katër revistave të AShAK-ut, e vetmja që ka dalë krejt në anglisht – «Acta Biologiae et Medicinae Experimentalis» – nuk del më që nga viti 1990. Ndërkaq, tri revistat e tjera, «Kërkime», «Studime» dhe «Studime Shoqërore», mbi 90% të punimeve të botuara i kanë të autorëve shqiptarë dhe vetëm në gjuhën shqipe. Për më tej, këto revista nuk kanë kode ndërkombëtare (nuk kanë ‘peer review’)”.

AShAK, sipas raportit në fjalë, nuk ka qenë në gjendje të paktën as të organizojë një konferencë, simpozium a tryezë shkencore siç duhet, duke ngelur në nivel vendor dhe duke mos arritur t’i ndërkombëtarizojë veprimtaritë e saj. Në të gjitha këto lloje organizimesh, që nga vitet e 90-ta e deri më sot, në të gjitha organizimet, gati të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë shqiptarë, përveç në konferencën ‘Shqipja dhe Gjuhët e Ballkanit’, me ç’rast gjysma e pjesëmarrësve kanë qenë albanologë të huaj.

Për sa i përket buxhetit që e shpenzon, raporti pasqyron këto të dhëna. Ku thuhet se:

“Që nga viti 2008, kur AShAK-u është ndarë si kategori e veçantë buxhetore, e sidomos prej vitit 2012, kur buxhetin vjetor e ka 1 milion €, prej 4 projekteve te mëdha, vetëm njërin e ka finalizuar: monografinë «Kosova – vështrim monografik». Projektin «Fjalori Enciklopedik i Kosovës», që është dashur ta përfundonte para dy vjetësh, nuk e ka kryer ende, për projektin «Korpusi i Gjuhës Shqipe» nuk ka asnjë informatë, kurse për «Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe» mund të thuhet se është praktikisht projekt i vdekur. – Të gjitha projektet e mëdha të AShAK-ut, monografia «Kosova – vështrim monografik», «Fjalori Enciklopedik i Kosovës», «Korpusi i Gjuhës Shqipe» dhe «Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe», janë projekte kombëtare.”

Megjithatë prej projekteve të përmendura, Fjalori Enciklopedik i Kosovës, ka përfunduar si projekt, megjithëqë me shumë vonesë.

Pavarësisht fondeve që i kanë nën menaxhim, akademikët e Kosovës, nuk kanë planifikuar a nisur ndonjë projekt ndërkombëtar. Që nga viti 2008, e deri më sot, AShAK ka marrë nga Buxheti i Republikës së Kosovës 10 milionë euro.

“Në gjashtë vitet e fundit, buxheti i AShAK-ut ka shkuar pak mbi 1 milion euro në vit, e rreth 2/3 e tij janë ndarë për paga dhe mëditje. Honorari mujor për anëtarin e rregullt është 1.429.54 €, e për anëtarin korrespodent 1.283.34 €.”

Në raport janë analizuar edhe profilet e akademikëve, që del se pjesa më e madhe e tyre studimet BA, MA dhe PhD i kanë kryer në Prishtinë, ose më së largu në vendet e rajonit.

“Nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, vetëm 3 kanë nga 3 punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq prej 16 anëtarëve korrespodentë, 8 prej tyre kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare 3 nga 1 punim, 3 nga 3 punime dhe 2 të tjerë i kanë nga 6 përkatësisht 8 punime.”

Se sa është i kapur e i ndikuar nga politika, flet fakti që më shumë se pak më shumë se gjysma e akademikëve (12), kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike. Institucioni më i lartë shkencor në vend, ka një kuotë të ulët gjinore, sigurisht në dëm të femrave, ku 22 prej anëtarëve janë burra, ndërsa nga anëtarët korrespondentë që janë 16, vetëm 4 janë gra.

“Në vitin 2018, Kuvendi i AShAK-ut për Kryetar zgjodhi akademik Nexhat Dacin, i cili më 10 nëntor 2010 ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 18 muaj burg me kusht për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga një trup gjykues i Gjykatës Supreme, me dy gjykatës vendorë e një të EULEX-it. – Dy anëtarë të AShAK-ut, Sabri Hamiti dhe Arsim Morina, janë akuzuar publikisht në media – i pari nga Sali Bytyçi, i dyti nga Talat Gjinolli – me dëshmi të forta, se veprat e tyre, madje njëra e publikuar nga vetë AShAK-u, janë plagjiatura. Mirëpo, AShAK-u nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash, madje ka refuzuar të prononcohet për këto raste.”

AShAK nuk jep llogari askujt. Ky institucion nuk ka madje as zyrë për informim dhe komunikim me publikun. Pavarësisht që në Kosovë ka ndodhur lufta, nga AShAK-u asnjëherë nuk ka dalë asnjë studim për krimet e bëra përgjithësisht, për viktimat, ose, ose thjesht për dëmet e shkaktuara materiale. Përkundër që cilësohet si institucioni më i lartë shkencor në vend, të gjeturat e raportit e kategorizojnë atë si një institucion me deficit të lartë intelektual.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit