-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

“Ideologjia” shkatërruese e dashurisë romantike

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi*

Dashuria është parë shpesh si një fuqi e pashmangshme, një moment trallisës, një emocion transformues të cilin duhet ta jetosh me tërë intensitetin e tij. Ka piktura, skulptura, libra, poezi, të pafundme për dashurinë. Është Romeo dhe Zhuljeta, është Ana Karenina, është Zonja Bovari, është …. etj. etj. qindra e mijëra personazhe, simbolika dhe jetë të jetuara nën gjurmën e këtyre personazheve. Në fakt më së shumti ky lloj portretizimi i dashurisë ka patur dhe ka në qendër të tij idenë se jeta e vërtetë është ajo që jetohet me intensitet të lartë, me ngjarje të fuqishme mes emocionesh të mëdha, është jeta ku dramat dhe aventurat, tragjeditë dhe historitë janë ato që e përkufizojnë vetë jetën.



Shkrimtari i njohur rus Leon Tolstoi e hap librin e tij Ana Karenina me fjalinë: “të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, çdo familje e palumtur është e palumtur secila në mënyrën e vet”. Në fakt është e vërtetë. Familjet e lumtura janë njëlloj. Zgjohen në mëngjes prindërit, përgatitin fëmijët për në shkollë, nuk ka sherr, hanë mëngjes, prindërit shkojnë në punë dhe fëmijët në shkollë, kthehen nga puna dhe shkolla, nuk ka sherr (tension dhe dyshime), përgatitin darkën, hanë darkë, merren me fëmijët, shtrihen të flenë etj. Në familje të tilla nuk ndodh asgjë “interesante”, tek ato nuk ka histori. Te familjet e palumtura ka histori dhe secila histori është e ndryshme.

Në një analizë të rrallë që i bën romanit “Ana Karenina” profesori i universitetit të Princetonit Gary Saul Morson thotë se tërë ajo që ka dashur të thotë Tolstoi në roman ka të bëjë me faktin që kërkimi i jetës “interesante”, kërkimi i të jetuarit intensiv, vrapimi pas “dashurisë romantike” nuk është në të vërtetë një përpjekje për të jetuar dashurinë por një përpjekje shkatërruese. Ana Karenina lexon në tren një libër dhe kërkon të jetojë ngjarjet flakadane që përshkruhen aty. Siç ndodh me shumë njerëz që mahniten nga ngjarje dhe personazhe që i shohin në televizor apo lexojnë në libra të cilët duan t’u ngjajnë atyre, rreken të imitojnë sjellje dhe stile jete të atyre edhe Ana bën të njëjtën gjë. Veç kësaj kultura dominuese, librat, televizioni etj., ushqejnë pa ndalur mendimin pikëllues se “lumturia” e zakonshme, prozaike përfaqëson diçka të padurueshme, rutinë që është në të vërtetë (sipas kësaj kulture) ndalje e jetës.

Gary Saul Morson thotë se sot pak njerëz e vënë në diskutim faktin që “dashuria e vërtetë” është ajo madhështore dhe e jashtëzakonshme që konsumon vetë qenien. Ajo që bën Ana Karenina, dhe që e kanë bërë Romeo dhe Zhuljeta, Zonja Bovari dhe qindra personazhe të tjerë apo mijëra e miliona njerëz në këtë botë, vrapimi pas Vronskit në përpjekje për të jetuar dashurinë e madhe, dashurinë e vërtetë romantike, atë që pushton tërë qenien, atë me intensitet të lartë, atë shkundulluesen, është në fakt thjesht një formë shkatërrimtare dhe asgjë më shumë. Ana ishte e martuar me Levin, një burrë i urtë prozaik që e donte Anën dhe të cilin vetë Ana e donte qetësisht deri sa njohu Vronskin pas të cilit u çmerit.

Në fakt kjo dashuri romantike është shkatërrimtare dhe nuk përputhet me familjen. Ajo që quhet dashura intime, dashuria e një lidhjeje të ngushtë emocionale dhe trupore, e vazhdueshme, e heshtur, vijëdrejtë është ajo që përputhet me familjen, thotë Gary Saul Morson dhe këtë kërkon të na thotë edhe Tolstoi. Në lidhje me romancat është rritur një mit që thotë se ato pushtojnë tërë qenien, se ato na shtypin plotësisht me një intensitet të parezistueshëm dhe e zhvendos të dashuruarit në një mbretëri rrëzëllitëse. Kjo lloj dashurie, sipas mitit dhe mbrojtëses së tij, nuk u lë asnjë zgjedhje të dashuruarve, ata “bien në dashuri”, pra nuk zgjedhin. Kështu ata mund të bëjnë gjithçka për dashurinë, mund të braktisin gruan apo burrin, mund t’i lënë fëmijët rrugëve etj., sepse kjo dashuri thjesht ndiqet. Kjo dashuri është “pasion” jo veprim. Në thelb kjo dashuri është amorale plotësisht, pra nuk është sipas tyre subjekt i moralit, nuk mund të gjykohet nga morali. Në këto raste tradhtia bashkëshortore është një revolucion fisnik sipas mbrojtësve të kësaj lloj dashurie dhe mitit që e shoqëron atë.

Pra, ndjekja e kësaj lloj dashurie, përpjekja për të jetuar dashurinë e madhe dhe të thellë, intensive, marramendëse, atë në të cilën “bie”, ajo e cila të çon në një mbretëri tjetër, ajo për të cilën tradhtia bashkëshortore është një revolucion fisnik, lënia e burrit apo e gruas dhe fëmijëve është një akt që nuk duhet gjykuar nga morali, është në të vërtetë vetëm dashuri për veten. Këta lloj të dashuruarish nuk duan njëri-tjetrin por veten.

Prandaj rutina është e mirë, prandaj shprehjet na lodhi rutina janë idiote. Te rutina, te kryerja e veprimeve të zakonshme vazhdimisht, te rutina që nuk ka “ngjarje” aty gjendet në fakt edhe lumturia edhe dashuria intime. Një nga plagët e shoqërisë sot është se dashuria intime cilësohet si humbje kohe, rutina cilësohet si mërzi dhe kërkohet dashuria e madhe, ajo me “ngjarje”, ajo me ndodhi me emocione të larta, ajo që shkatërron dashurinë apo jetën prozaike dhe të hedh në një botë tjetër etj. Kjo është pafuqia për të dashur dhe skllavërimi prej dashurisë për veten.

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” Dostojevski flet një për një zonjushë që shkon të rrëfehet te prifti i ditur Zosima. Ajo i thotë priftit se nuk mund të jetonte dot jetën aktive, se nuk donte askënd në mënyrë të vazhdueshme dhe rutinore sepse ajo kërkonte vetëm vlerësimin e vetes. Prifti i mençur i thotë se kohë më parë një doktor i njohur i kishte thënë të njëjtën gjë. Doktori i kishte thënë thënë edhe se ai nuk donte asnjë njeri individualisht por ishte gati të vritej për njerëzimin. Doktori i kishte thënë se jo vetëm që nuk jetonte dashurinë aktive, por kishte në kokë vetëm dashurinë romantike, atë që kryhet shpejt, shpërthyesen, që të hedh në një botë tjetër. Prifti Zosima i përgjigjet se arritja e dashurisë aktive është një betejë e përditshme për të duruar, për të ndihmuar, për të biseduar, për të punuar dhe jetuar me gruan apo burrin, me njerëzit e familjes. Për shumë njerëz thotë Zosima kjo mund të jetë një shkencë e vërtetë, një shkencë e rutinizuar dhe mund të ndodhë që pas vitesh të tëra lodhesh dhe thua se nuk ia dola dot. Pikërisht në atë moment fuqia e pakufishme e Zotit që të do ty është duke parë mbi ty, është pikërisht ky Zot që të ka udhëhequr deri tani ty dhe si pasojë e saj ti vazhdon të jetosh dashurinë aktive.

Pra Ana Karenina, Romeo dhe Zhuljeta dhe mijëra dhe miliona burra dhe gra, djem dhe vajza që rendin pas dashurisë “që të fut në një botë tjetër” pas dashurisë që i bën të dashuruarit të mos gjykohen nga morali është vetëm pafuqi për të bërë atë që thotë at Zosima. Kemi realisht përballje të dy “ideologjive” të dashurisë, të ideologjisë që mbron narcizmin dhe të asaj që mbron dashurinë aktive.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit