Ditën e shtunë, në një intervistë për Top Channel, pedagogu i Departamentit të Bioteknologjisë, Gledjan Caka, i denoncuar nga ish-pedagogu i Shkencave të Natyrës Sokol Abazi për vjedhje të 3 artikujve shkencorë, mohoi akuzat.
“Nëse revista përkatëse do të më kishte kërkuar që zotëri na të lutem na cito se ku janë realizuar punët, unë do ta kisha cituar që është realizuar në filan vend. Nuk e kam quajtur si të udhës që duhet t’i referoja këta duke qenë se punën e kam realizuar vetë. Artikujt gjenden online, një e kam publikuar në Buletinin e Shkencave të Natyrës , një në Indi dhe një tjetër në SHBA”, deklaronte pedagogu Gledjan Caka.
Por, duket se e vërteta është krejt tjetër! Top Channel zotëron korrespondencën mes pedagogut Caka dhe revistës ‘Journal of Pharmacy and Pharmacology’, të cilës vetë autori i kërkon të tërheqë mbrapsht artikullin shkencor të botuar në shkurt të 2017-s për leuceminë dhe kancerin e gjakut.
“Një grup tjetër më risolli në vëmendje se ka shumë ngjashmëri mes artikullit tim dhe të tyre dhe meqënëse ata e kanë publikuar të parët, kërkojnë që të tërheq shkrimin nga revista juaj. E aprovoj kërkesën e tyre që artikulli im të tërhiqet nga revista, kështu që kërkoj mirëkuptimin tuaj për të hequr shkrimin nga revista juaj. Faleminderit për ndihmën!”, thuhet në kërkesën e pedagogut Caka.
Email-i që pedagogu i Shkencave të Natyrës i shkruan revistës amerikane mban datën 19 mars të këtij viti, megjithëse në prill, në një intervistë për Top Channel, mohoi që të ketë komunikuar me ndonjë nga revistat ku ka botuar artikujt e tij, apo më keq akoma që shkrimet e tij të jenë hequr nga botimi.
Top Channel hedh dritë edhe mbi një fakt tjetër. Këtë herë është revista indiane, e dyta ku autori shqiptar Caka ka publikuar një tjetër artikull shkencor, gjithashtu të cilësuar si plagjiaturë, shkruan:
“Deklarojmë se artikulli do të zhduket përfundimisht dhe nuk do të përdoret më nga autorët. Nëse kjo ndodh, revista ndërkombëtare e shkencës dhe kërkimit shkencor do të ketë të gjitha të drejtat për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore në adresë të autorëve”.
Pra, artikujt shkencorë të përgatitur nga autori shqiptar Gledjan Caka, me udhëheqës rektorin e UT, Mynyr Koni nuk ekzistojnë më. Top Channel kontaktoi Gledjan Cakën, por pedagogu thotë sërish se nuk mban mend të ketë komunikuar me ndonjë prej revistave ku janë botuar artikujt e tij.
Pyetja është: A do t’i hiqet titulli doktor shkencash pedagogut Gledjan Caka?