6.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Marrëveshja ndërqeveritare parasheh kthimin e pronave vetëm për çamët ortodoksët

Më të lexuarat

Zbulohet procesverbali i mbledhjes me dyer të mbyllura në Komisionin e Politikës së Jashtme.

Qeveria: Pronat s’zgjidhen në Strasburg, por në terrenin politik.

Ministria e Jashtme është e mendimit se çështja e pronave çame nuk mund të zgjidhet në Gjykatën e Strasburgut. “Panorama” zbardh diskutimin e mbledhjes me dyer të mbyllura të Komisionit të Jashtëm, më datë 10 dhjetor, në të cilin kanë raportuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme lidhur me situatën me fqinjët e rajonit. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për çështjen çame, ku sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, ka sqaruar deputetët se çështja çame nuk duhet ngatërruar me ligjin e luftës me Greqinë. “Janë dy çështje absolutisht të ndara dhe ndoshta ka vend për sqarim dhe për mendim ekspertësh. Kur flasim për çështjen çame, është një çështje e krijuar po themi formalisht, juridikisht mbas vitit ‘44. Ligji i luftës është i vitit ‘40, që kishte të bënte me pronat e shqiptarëve, pra çamët në 1941-shin ishin shtetas grekë, dhe më tej, mbas gjenocidit, zhvendosjes masive me anë të disa ligjeve, ata janë zhveshur nga pronat tyre”, ka sqaruar Qirjako. Ai ka shtuar më tej se: “Ajo çka thuhet sot dhe ajo çfarë është përsëritur disa herë është që të zgjidhen në mënyrë gjyqësore, duke shkuar deri në Strasburg. Nuk ka mundësi të zgjidhet në Strasburg, sepse Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Strasburgut e krijuar për zbatimin e saj i kanë fillimet e veta, pra konventa është e 53-shit, Greqia është bërë palë në vitin 54-n, ndërkohë që ngjarja është në 1944-n. Pra, konventa nuk ka efekt prapaveprues. Gjykata e Strasburgut nuk mund të zgjidhë çështje të krijuara përpara se shtetet të merrnin angazhimin, nëse do të zbatonin standardet e saj. Kështu që zgjidhja e kësaj çështjeje, në mënyrë të padiskutueshme, do të jetë në terrenin politik, pra për herë të parë këto çështje u bënë prezente, do të jenë pjesë në mënyrë të padiskutueshme e axhendës së përbashkët politike dhe kjo do të jetë rruga”.

Ligji Luftës
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme i quajnë si absurde deklaratat se me ligjin e luftës Greqia mund t’i shpallë luftë Shqipërisë. Sipas sekretarit të Përgjithshëm, Qirjako Qirko, ligji i luftës ka vetëm efekt te pronat e shqiptarëve. “Nëse më lejoni të shpjegoj ku qëndron thelbi i ligjit të luftës, sepse është absurde ta mendosh që Greqia do t’i shpallë luftë Shqipërisë apo anasjelltas. Efekti konkret i ligjit të luftës është efekti te prona, pra në qoftë se doli dekreti i Mbretit Jorgo për shpalljen e ligji të luftës, menjëherë doli dekreti për vendosjen e sekuestros konservatore mbi pronat e shqiptarëve dhe sot pronat e shqiptarëve janë në sekuestro konservative. Nëse një shqiptar do të kërkojë, ai nuk është i lirë që direkt të shkojë në gjykatë, por do të marrë një miratim nga Ministria e Jashtme dhe sipas rastit, nëse është ortodoks apo jo, e jep, sepse bëhet politikë në këtë drejtim. Pra, ky është problemi. Ne këtë duam të çlirojmë, domethënë që të mos ketë asnjë kufizim për të drejtën e disponimit të pasurisë të çdo shtetasi shqiptar”, ka thënë Qirjako

Marrëdhëniet me Serbinë
Ministria e Jashtme i konsideron si në stanjacion marrëdhëniet me Serbinë, shtet të cilin e quan si jo të aftë për të mbajtur premtimet. Në raportimin e zhvilluar pa praninë e mediave, drejtoresha rajonale në Ministrinë e Jashtme, Shpresa Kureta, ka deklaruar në mbledhjen e zhvilluar pa media se një problematikë duhet zgjidhur në një takim mes Kryeministrit shqiptar dhe atij serb.

“Varfëri ekstreme në Luginën e Preshevës”
Shpresa Kureta, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale në MPJ, gjatë seancës me dyer të mbyllura theksoi se Qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë për situatën në Luginën e Preshevës, duke shtuar bashkëpunimin mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Dhomës së Tregtisë. Sipas saj, situata ekonomike është shumë e rëndë.”Ka një varfëri ekstreme, rreth 60% e popullsisë janë të papunë, kështu që çështja e ndërhyrjes është e domosdoshme. E para për të adresuar situatën ekonomike në Lugë, sepse është katastrofike dhe pastaj për të trajtuar të gjitha çështjet e tjera”, theksoi ajo.

“Krimi i organizuar në zgjedhjet e Kosovës”
Zgjedhjet në Veri të Kosovës, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, u prishën nga elementë të krimit të organizuar. “Ne kemi përshtypjen se dhe situata e dhunës gjatë zgjedhjeve, që prishi raundin e parë të zgjedhjeve në Mitrovicë, në Veri të Kosovës, ka të bëjë ndoshta jo shumë me qeverinë e Serbisë, por ka të bëjë me elementë të krimit të organizuar, me elementë të cilët në njëfarë mënyrë kanë bizneset e tyre të parregullta, të paligjshme, të cilat janë prezente atje dhe nuk ishin të interesuar për vendosjen e ligjit”, thuhet në raportimin e MPJ.

“Marrëdhëniet me Serbinë në stanjacion”
Drejtoresha për Rajonin, gjatë raportimit me dyer të mbyllura ka deklaruar se marrëdhëniet me Serbinë janë në një stanjacion. Shpresa Kureta tha para deputetëve se: “Në momente të caktuara ndodh që të premtojnë, por nuk e mbajnë këtë premtim. Ky është një problem që e kanë vetëm me ne. Është një situatë që ndoshta dhe Serbia është duke u rritur, siç jemi duke u rritur të gjithë. Kështu që shpresojmë të kemi komunikim të vazhdueshëm. Për momentin në marrëdhëniet me Serbinë ka një stanjacion. Ne jemi të interesuar që të kemi marrëdhënie”, theksoi ajo.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk bashkëpunojnë”
Raportet mes shqiptarëve të Maqedonisë sipas Ministrisë së Jashtme nuk janë më si më parë. Shqiptarët nuk bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin, thekson drejtoresha e Politikës Rajonale në MPJ. “Për fat të keq, shqiptarët në Maqedoni, pavarësisht ndryshimeve dhe avancimeve për sa i takon Marrëveshjes së Ohrit, jetojnë pa njëri-tjetrin dhe nuk bashkëpunojnë shumë me njëri-tjetrin. Shqiptarët dhe maqedonasit dhe si të thuash momentin me problematik është sistemi arsimor, i cili funksionon i ndarë, pra i ndarë mbi baza etnike”, tha Shpresa Kureta./panorama

FATION BINJAKU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit