-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Një milion eshtrat e Bosnjës”

Më të lexuarat

Lufta e Bosnjës ka përfunduar para gati 20 vitesh, por edhe tash po zbulohen varrezat masive, shkruan në fillim të artikullit të saj e përditshmja Wall Street Journal, në recensionin lidhur me librin e autorit Christian Jennings, “Një milion eshtrat e Bosnjës”.

Gazeta shkruan se në nëntor, analistët mjekoligjorë e kanë hapur një varr masiv afër Prijedorit, në pjesën veriperëndimore të Bosnjës, që ishte vend i masakrës së tmerrshme në vitin 1992, vit kur filloi lufta.

Deri tash, afro 500 trupa janë zhvarrosur; qindra të tjerë ende shtrihen në gërmadhat e atjeshme, shkruan Wall Street Journal.

Kurdo që këto vende të tmerrshme të zbulohen, nuk qëndron larg as ekipi hetues nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur.

Ky komision ishte krijuar në samitin G-7 në vitin 1996, dhe siç tregon autori Christian Jennings, në librin e tij “Një milion eshtrat e Bosnjës: Duke e zgjidhur enigmën më të madhe mjekoligjore botërore”, puna e komisionit ka prodhuar revolucion në metodat nëpërmjet të cilave identifikohen viktimat e gjenocidit dhe katastrofat e tjera të shkaktuara nga njeriu.

Rrezja e mizorive të kryera nga forcat serbe në Bosnjë në periudhën 1992-95, nuk ka ndodhur në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore: pastrimi etnik, kampet e koncentrimit, përdorimi i dhunimit si armë, të gjitha këto ishin pjesë e përditshmërisë së jetës së myslimanëve të tmerruar të Bosnjës.

Por, ishte masakra në qytetin Srebrenica, gjatë verës së zymtë të vitit 1995, që përfundimisht e zgjoi botën me natyrën e projektit të ndërmarrë nga Sllobodan Millosheviqi, diktatori i ndjerë i Serbisë, për ta krijuar një “Serbi të Madhe” etnikisht të pastër, shkruan Wall Street Journal.

Në librin e tij “Një milion eshtrat e Bosnjës”, autori Christian Jennings, e ka portretizuar në mënyrë të detajizuar natyrën jonjerëzore të krimit të luftës, që ka ndodhur në Srebrenicë.

Në një seksion, autori Jennings, i rikujton skenat pikëlluese në qytetin e Srebrenicës, ku meshkujt ishin ndarë me forcë nga gratë dhe fëmijët, nga ana e okupatorëve serbë. Në libër përshkruhet se si një burrë mysliman, i zënë nga serbët, ishte kthyer me veshë të prerë dhe me kryqin ortodoks serb të gdhendur në ballin e tij.

Megjithatë, vlera e vërtetë e këtij libri është në atë që zoti Jannings, raporton për atë se çka ka ndodhur pas masakrës.

Pasi e kishin kryer shfrenimin e tyre të vrasjes, serbët ishin përpjekur t’i fshihnin krimet e tyre duke i djegur mbetjet e të vrarëve në pesë vende të ndara përreth Srebrenicës.

Për disa vite, pas masakrës, përpjekjet nga disa hetues të jashtëm për rikonstruktim të asaj se çka ka ndodhur kishte dhënë pak rezultat, derisa Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur kishte arritur me teknologjinë e fundit të avancuar për ADN.

Nga vitit 2000, pikja e ngadalshme e identifikimit të viktimave të Srebrenicës është shndërruar në rrjedhje të shpejtë.

Deri në korrik të vitit 2010, janë identifikuar në mënyrë përkatëse 6481 persona, prej më tepër se 8 mijë të vrarëve në Srebrenicë, shkruan Wall Street Journal.

Derisa zoti Jennings në mënyrë korrekte e vëren, rezultati i bashkimit të teknologjisë me shqetësimet për të drejtat e njeriut, për Bosnjën dhe vendet e tjera të shkatërruara nga gjenocidi, është i jashtëzakonshëm.

Në shekullin 20, ne u mësuam me shikimin e miliona të vrarëve nga tiranitë naziste dhe sovjetike, që ishin vetëm masa pa emër dhe pa fytyra.

Duke iu falënderuar zbatimit të shkencës së bazuar në ADN, ne tash mund t’i ripërtërijmë ata të vrarë me dinjitet ndaj personalitetit të tyre. Po ashtu, metodologjia pioniere e rigoroze nga komisioni i përmendur ,e bënë praktikisht të pamundshme hedhjen poshtë të fakteve të sakta të gjenocidit, shkruan pos tjerash, e përditshmja Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit