Intervistë me prof. Besa Ismaili, zv. Dekane në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Kosovë
- Besa, si e keni nisur karrierën tuaj?
Karriera themelore e secilit njeri është familja, ndaj dhe karrierat zgjidhen me qëllimin që të mbështesin këtë karrierë themelore. Të aftësohesh dhe të gjesh atë punë për të jetuar që të mundëson të realizosh vlerat dhe të kënaq shpirtin është gjëja më e çmuar në jetën e secilit. Gjithsesi kjo nuk është një gjë e mirëqenë, por mund të duket e tillë vetëm atëherë kur njeriu të ketë të përcaktuar qëllimin, orientimin dhe vlerat për të cilat jeton.
Foto. Ligjërata në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë
Në moshën më të re por më vendimtare të jetës, kisha kuptuar qëllimin e krijimit tim, kisha përqafuar vlerat islame dhe ato përbënin themelin mbi të cilin e kisha të qartë vizionin. Ngado që do orientohesha ato ishin aty dhe unë u solla nëpër hapësirën e brendshme të këtyre themeleve për t’i kërkuar. Mbajë mend si sot sa shumë doja të bëhesha mjeke për t’i ndihmuar njerëzit, por meraku më ngelte tek filozofia e astronomia. Gjithashtu letërsinë e kam dashur me shpirt, e shoqëroja me ndonjë muzikë apo këngë të cilat zëri im kurrë nuk e pati kapacitetin t’i përcillte. Ku isha në moshën parashkollore flisja tri gjuhë dhe meqë e kisha të lehtë, shpesh bëja përkthyesen në grupin e fëmijëve të lagjes të gjyshit tim. Ndërsa për sa i përket fesë islame? Gjithmonë ëndërroja ta mësoja mirë diku në botën arabe dhe ashtu ndodhi. Atë çerek rolin e prindërimit dhe barrën e shembullit e kisha në gjak si fëmija i parë që isha në familje, për t’ju prirë dy motrave dhe vëllait tim.
Nga këto ingredientë që përbëjnë brumin e punëve që i doja edhe i bëja, u gatova të jem mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë angleze, përkthyese, studiuese e fesë dhe udhëheqëse komuniteti.
Që 20 vjeçe, e sot kur i kam mbush 40, pandërprerë kam qenë: mësimnxënëse dhe mësimdhënëse njëkohësisht, fillimisht në medresenë e vajzave, qendrën gjuhëve të huaja “Zass Trade”, në Kolegj, në Fakultetin e Studimeve Islame, në OSBE dhe EULEX, Kolegjin Universitar “Dardania”, Radio Televizionin e Kosovës etj.
- Në çfarë pozitash shoqërore, sociale dhe politike paraqitet sot femra kosovare, veçanërisht ajo muslimane?
Foto. Ligjëratë në Sesionin Shkencor “Kurani te shqiptarët”
Nuk ma merr mendja se gjendet ndonjë vend tjetër në botë si Kosova, ku njeriu e ndien në mish sa e vogël është bota. Një botë e një histori bote është mbërthyer në Kosovën tonë të vogël. Provoni të gjeni çfarë po përtyp bota bashkëkohore dhe do ta kuptoni se si Kosova po gëlltit të njëjtën, nëpërmjet dhëmbëve të saj të qumështit, fytit të saj të ngushtë, ku pothuajse asgjë nuk jashtëqitet, e reflukset ndodhin jo rrallë. Nga të gjitha të këqijat e kapërdira, asgjë nuk është aq degraduese, aq brutale, aq e padrejtë dhe e papërgjegjshme se sa abuzimi me gjysmën e popullatës së saj.
Në lumin që bart llumin shekullor të varfërisë, dhunës dhe seksizmit, praktimi i asaj që di dhe beson një grua nga feja e saj, është motori i varkës së saj që ecën mbi këtë lumë, më shpejt, më lehtë dhe më sipër. Ajo ka në dorë drejtimin e varkës së saj.
- Cilat janë sot sfidat dhe problemet me të cilat po ballafaqohet ajo sot?
Për herë të parë në histori, Islami, obligoi angazhimin edhe të grave, jo vetëm të burrave, në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Ky është thelbi i veprimit politik e qytetar të secilit besimtar, burrë apo grua. Pra, gratë jo vetëm që lejohen por edhe obligohen të angazhohen kundër padrejtësive, mungesës së mirëqenies, diskriminimit etj. dhe të punojnë për zhvillim, prosperitet, drejtësi sociale etj. Këto obligime në fenë islame janë të përcaktuara për realizim vetëm në partneritet me njëri-tjetrin, pra burrat dhe gratë bashkë, duke i ndihmuar njëri tjetrit në të mira dhe duke i ndaluar nga e keqja. Por lufta e kulturave në Kosovë, kacafytja mes patriarkalizimit dhe fesë, akoma nuk e ka shpërfaqur sa meriton kulturën e drejtësisë që avokon feja islame.
Këtë duhet ta bëjmë ne, në familjet tona, institucionet fetare, xhamitë, qendrat, institutet, shoqatat, grupet joformale, kudo që besimtaret punojnë dhe angazhohen. Në këtë mënyrë do të shpërfaqen shembujt e kulturës dhe drejtësisë islame. Natyrshëm thirrja islame bëhet më lehtë dhe mënjanimi i stereotipeve dhe keqinterpretimeve bëhet më i efektshëm, kur ne besimtarët dhe besimtaret jetësojmë ato të cilat i besojmë prej Zotit tonë. Por jo gjithmonë dhe gjithçka mbaron këtu. Muslimanja e sotme lufton në disa beteja njëkohësisht: ato të brendshme përbrenda institucionit fetar, të cilin dëshiron ta sheh me kapacitete të shtuara dhe qeverisje të balancuar meshkujsh e femrash sipas përgjegjësive që kanë, në pozitë që të ofrojë shërbimin e kërkuar nga masat në xhamitë, që xhamitë të rimëkëmbin hijeshinë dhe misionin themeltar që kishin duke ofruar hapësira për gra dhe fëmijë, dituri e studime, si dhe shërbime edhe për ato masa që kërkojnë përgjigje për të qartësuar dilema dhe shqetësime të shumta që i rëndojnë.
- Si ka qenë gjendja e gruas kosovare në periudhën e paraluftës?
Në kujtesën tonë kolektive në Kosovë “paralufta” fillon me grevën e minatorëve të Trepçës (1989) dhe deri në fillimin e luftës 1999. Kjo dekadë bart ndryshime të dhembshme shoqërore në Kosovë, ku njerëzit përjashtoheshin kolektivisht nga puna, nxënësit nga shkollat, ndërsa gratë detyroheshin të gjenin të tjera modele mbijetese për familjet e tyre. Shumë familje emigruan në Perëndim dhe një sistem tjetër i organizimit shoqëror po ndodhte paralelisht me atë që regjimi i Millosheviçit kishte instaluar tashmë. Ne kishim shkollat tona shtëpi, shtëpitë tona të shëndetit ndërsa për kulturë as që bëhej fjalë.
Radhët e grave vinin të ngjeshura dhe gjithnjë e me më pak dallime. Të përjashtuara tashmë edhe nga shteti dhe partia qe nuk i njihte më, grate e pushtetit dhe gratë e ‘ilegales’ u bën bashkë, për të vazhduar rrugëtimin e tyre politik asokohe kryesisht në LDK të Ibrahim Rugovës.
Gratë e talentuara risollën edhe njëherë kreativitetin për të ruajtur familjet e tyre përkundrejt çdo çmimi; ato qepnin, gatuanin, bënin ndonjë tregti aty këtu. Largimi i burrave dhe i djemve të rinj për në kurbet dhe kufizimi i lirisë së shprehjes dhe lëvizjes nga aparatura shtetëror serbe, gjithashtu ka ndikuar që gratë të gjenden në margjina të jetës publike dhe politike.
Gjatë kësaj kohe, siç ndodh çdo herë nën presion e represion të jashtëm, dallimet mes grave u pezulluan për një kohë, për t’u rishfaqur sërish pas luftës në një realitet të ri.
- Si do ta përshkruanit gruan kosovare ndër shekuj, cilat cilësi e kanë dalluar atë?
Foto. Konferencë Ndërkombëtare Ndërfetare
Tipizimi i grave të shoqërisë kosovare varej nga sistemi shoqëror në të cilin jetonin. Marrim shembull kohën e Perandorisë Osmane, kur gratë nga familjet besimtare kryesisht nëpër qytete të vjetra, trashëgonin pronë, merrnin mehrin dhe administronin pasuritë e tyre ashtu siç parashikojnë dispozitat islame, ishin në gjendje edhe të ndërtonin hajrate, çezme e xhami. Xhamija Hatunije në qendër të kryeqytetit të Kosovës është xhami që e ka ndërtuar një besimtare prishtinase. Shembuj të tillë ka shumë, sidomos kur kemi të bëjmë me bija hoxhallarësh e mësuesish, të cilët atë që patën e ndanë ndërmjet bijve dhe bijave të tyre. Por kjo gjendje nuk ishte e tillë aty ku popullata nuk e kishte përshpirtëruar fenë, por e mbanin vetëm administrativisht. Gjendja e popullatës dhe e grave përkeqësohej sidomos në zonat malore sa herë që shpërthenin luftërat dhe pushtuesit ndërroheshin. Gjysmëshekulli i komunizmit efektiv ka shtrënguar edhe më shumë lakun e të qenit të lira dhe vetvetja. Çarja e identitetit, një gjysmë për publik dhe një tjetër gjysmë në sferën private, ua ka ngushtuar rrethin grave besimtare. Por ato asnjëherë nuk u shkëputen nga besimi në Zotin e tyre.
- Ju jeni një ndër themelueset e Departamentit të Gruas pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, si e ndërmorët këtë iniciativë dhe sa mbështetje keni patur?
Pasi e morëm veten paksa si shoqëri e dalë nga lufta, por edhe vet institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili menaxhonte dy medrese vajzash dhe Fakultetin e Studimeve Islame, iniciativa për themelimin e këtij Departamenti erdhi fare natyrshëm, e diktuar nga nevoja për të bashkërenduar institucionalisht jeten fetare të grave. Si çdo gjë tjetër brenda komunitetit të besimtarëve, çdo gjë filloi me punë vullnetare, improvizuam një zyrë që gjendej jashtë përdorimit në ndërtesën e selisë së BIK dhe u vendosëm. Kështu funksionoi 5 vite (2005-2010). Si ide, vet titulli i departamentit mirëpritej me dashamirësi nga kushdo që e dëgjonte. Avancimi institucional i gruas në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës është bërë në kohën e qeverisjes së Myftiut aktual, Naim ef.Ternava. Medreseja e vajzave është hapur gjatë kohës kur ai ishte drejtor medreseje dhe Departamenti u themelua që në mandatin e tij të parë si myfti. Ne ishim të stërlumtura për atë zyrë, aq sa nuk kërkonim asgjë dhe gjitha punët i bënim vet vullnetarisht. Aktivitetet më madhore janë bërë gjatë kësaj kohe. Studentet e FSI-së kanë qenë aktivistet që e mbanin gjallë punën e departamentit. Znj.Suela Dibra ka shkruar faqet e para të historisë së punës së kësaj zyre për një kohë të gjatë, pastaj Mihana Goga dhe Blerta Ilazi. Ndërsa në nivel Kosove bashkërendoheshim kollaj me studentet që vinin nga qytetet tjera: p.sh Agime Sogojeva në Mitrovicë, Ardiana Alishani në Prizren, Rabije Çollaku në Kaçanik e shumë të tjera. Mësimdhënëset e medresesë Alaudin gravitonin nga kjo zyre dhe profesoresha Shahe Memishi me koleget e saj ishte përherë e gatshme të kontribuojë. Me një fjalë, secila nxënëse, studente, mësimdhënëse apo punonjëse e BIK-ut e njihte veten pjesë të kësaj zyreje dhe jo vetëm. Edhe qendra të tjera që asokohe funksionin në Kosovë, nderonin zyrën me vizita, konsulta e ftesa për çdo event që kishte të bënte me jetën e besimtareve.
- Cila është puna që bëhet aktualisht pranë këtij departamenti?
Që nga viti 2010, Departamenti i Gruas hap një kapitull të ri pune, e sistematizuar de jure dhe de fakto, është pjesë e Kryesisë së BIK. Që atëherë janë dy të punësuara që zhvillojnë aktivitetet: znj. Vaxhide Podvorica Bunjaku dhe znj. Hanife Jahiri Kastrati. Nën udhëheqjen e tyre sot iu është dhënë drejtim i avancuar aktiviteteve shoqërore, fetare dhe humanitare të grave në BIK. Departamenti ka shtrirë degët në 7 komuna të tjera ku ka të punësuar nga Këshillat e Bashkësisë Islame zyrtare të tjera me të cilat shtrijnë aktivitetet edhe në nivelin lokal. Departamenti i Gruas i Kryesisë së BIK vazhdon në mënyrë proaktive të përcjellë trendin e zhvillimeve në jetën e besimtareve në Kosovë dhe t’i përgatisë ato përmes programeve të ndryshme të ngritjes së kapaciteteve që i zhvillon me ligjërata, trajnime, tryeza etj.
- Më 21 nëntor 2015, Federata Universale e Paqes ju akordoi çmimin me titullin “Ambasadore e Paqes” për kontributin tuaj mbi dialogun ndërfetar? Çfarë simbolizon për ju ky çmim?
Çmimi jepet për individë që janë shembuj të jetesës për hir të tjerëve, që promovojnë vlera universale të paqes, jetë të fuqishme familjare dhe bashkëpunim ndërfetar. Dialogu ndërfetar është një fushë që unë e kam shumë për shpirt, besoj kështu duhet të jetë me secilin besimtar/besimtare të feve. Unë sa më shumë e njoh besimin tim, aq më shumë respektoj besimin e tjerëve, ndërsa angazhimi im në këtë fushë më bën të ndihem edhe më besimtare. Unë i dua bashkëpunëtoret e mia nga komunitetet tjera fetare. Mendoj që ndajmë histori të shumta bashkë dhe përvoja jonë nuk është më ndryshe sesa përvoja e grave të komuniteteve të tjera fetare. Në fakt, në një studim që pata zhvilluar mbi Gratë e Komuniteteve Fetare dhe Patriarkalizmin rezultoi me të dhëna shumë të ngjashme mes grave të katër komuniteve të Kosovës dhe po ashtu me sfida të përbashkëta. Shumicës së këtyre grave, ashtu si edhe tek ne, u bie që të punojnë më shumë për Zotin, ndërsa burrat punojnë edhe për Zotin edhe për pagën. U mungon një status, një siguri në punë, që do t’u mundësonte të bëjnë edhe më shumë për institucionin fetar për të cilin sakrifikojnë rininë, familjen dhe jetët e tyre. Edhe ato sikurse edhe muslimanet janë në margjinat e margjinës të jetës publike të grave, për të cilat besimi në Zotin nuk është i rëndësishëm në atë masë sa të jetë i dallueshëm publikisht. Dashuria për besimin, për njeriun, për popullin na mban bashkë dhe na frymëzon. Ky çmim simbolizon përkujtimin që ia bëj vetes për të mirëkuptuar tek të tjerët atë që të tjerët duhet të mirëkuptojnë tek unë dhe tek komuniteti të cilit i përkas. Çmimi është përkujtim për përgjegjësinë time individuale si besimtare, të cilin duhet të mbaj edhe karshi komuniteve fetare në Kosovë.
- Cili është realiteti sot i muslimanëve të Kosovës, a janë të diskriminuar dhe a kanë të drejta të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë kosovare?
Shumica dërrmuese e popullatës në Kosovë janë muslimanë dhe jo rrallë dëgjojmë kundërpyetje se si ka mundësi të diskriminohen muslimanët edhe pse janë shumicë. Kjo tregon për nivelin e ulët të të kuptuarit të të drejtave dhe lirive dhe keqkuptim të koncepteve të identitetit. Duke qenë akoma të pa mësuar sa duhet për të festuar identitetin e njësuar (fetar, kombëtar, kulturor etj. pa përjashtuar komponentë të saj) të individëve dhe të rënduar nga gjendja e përgjithshme, njerëz të caktuar janë të prirur të matin diskriminimin me kallëpe të caktuara, pavarsisht nga peshorja që duan t’i peshojnë ato. Por diskriminimi ndodh në çdo nivel dhe është shumështresor, jo vetëm për muslimanët në shumicë, por edhe për të tjerët. Ajo që duhet qartësuar njëherë e përgjithmonë është që padrejtësia dhe diskriminimi në një shoqëri çon në disbalancë tërë shoqërinë dhe se secili duhet të ketë mekanizmat e duhur qytetar dhe politik për të shprehur me zërin e vet shqetësimin që ka.
Mendoj se ka gjëra që duhet t’i përvishemi drejtë, në mënyrë që qytetarët të ndiehen mirë për atë çfarë janë. Të gjithë pa dallim duhet të gëzojmë mundësitë e barabarta pa patur nevojë për shpikje dhe alternativa që rezultojnë në shoqëri të fragmentarizuara dhe paralelizma shteti.
- Ju keni marrë pjesë në Samitin e Pestë Ndërkombëtar të Sfidës së Presidentit Obama për Përfshirjen e Dialogut Ndërfetar në Arsimin e Lartë dhe keni mbajtur dy ligjërata në Universitetin Howardit në Uashington DC. Cili ishte synimi i këtij samiti? Çfarë mesazhi arritët të përcillnit me fjalimet tuaja në këtë samit?
Foto. Ligjëratë e mbajtur në Universitetin e Howardit
Që në ardhje në krye të SHBA-ve, President Obama i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të dialogut ndërfetar në arsimin e lartë. Presidentët e 400 universiteteve më prestigjioze të SHBA dhe botës janë bërë pjesë e këtij Samiti, për të “kryer misionin e tyre si institucion universitar edukativ edhe në edukimin e anës morale, shpirtërore dhe emocionale të studentëve të tyre”. Unë kam shkuar si përfaqësuese e dyfishtë, si profesoreshë e fakultetit dhe si lidere e dialogut ndërfetar të grave në Kosovë, ndaj kam mbajtur dy ligjërata në Universitetin e Howard në Uashington DC. Njëra në lidhje me dialogun ndërfetar, ndërtimin e paqes dhe arsimin e lartë dhe tjetra për agjencinë e grave në dialogun ndërfetar, ndërtimin e paqes dhe drejtësinë tranzicionale.
Mesazhi im konsistonte në nevojën për të ngritur tashmë aktivitetet tona ndërfetare në një nivel të ri, më të avancuar, atë akademik dhe praktik, në mënyrë që përvoja e mbledhur të dokumentohet dhe të jetë pjesë e kurrikulave shkollore dhe zhvillimeve akademike. Kjo gjë është tejet e rëndësishme për kohezionin shoqëror, edukimin e të rinjve dhe avancimin e dialogut ndërfetar nga niveli spontan dhe ceremonial në atë institucional. Edhe ne si shoqëri tani duhet të lëvizim me hapa të përshpejtuar. Të krenohesh dhe të llogaritësh frytet që dalin nga dialogu ndërfetar dhe të mos zhvillosh mësime mbi fenë dhe mësime mbi dialogun ndërfetar në institucione arsimore nuk shkon.
- Besa, ju jeni një grua energjike, aktive dhe keni arritur të afirmoheni me punën tuaj. A mendoni se besimi islam është një faktor i rëndësishëm për të ecur përpara?
Feja ime, Islami, më ndihmon të ecë përpara, të kthehem prapa, të shikojë anash, lart dhe poshtë. Të eci tutje e vetëdijësuar se ecja ime ndikohet nga ecjet e të tjerëve. Angazhohem që ecjen ta bëj bashkarisht dhe kjo më bën të mos mjaftohem duke dhënë, si dhe më jep kuptim e kënaqësi.
- Cilat janë angazhimet tuaj të tanishme dhe planet tuaja për të ardhmen?
Mbetem në po ato fusha që kam vepruar edhe më parë, në arsim dhe angazhim qytetar për ta bërë jetën më të mirë, për ne dhe për fëmijët tanë.
- A jeni optimiste për rininë kosovare, si një faktor i rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës?
Foto. Universiteti Shtetëror i Arizonës, 2013
Nga optimizmi që buron nga besimi im më vijnë të lehta të gjitha angazhimet e mia. Unë jam optimiste për rininë kosovare dhe besoj tek ajo. Rinia e sotme kosovare të frymëzon. Ata kanë kapacitetet për të parë të bukurën në çdo gjë dhe për të parë përtej literaturës shkollore dhe kryetitujve të mediave. Ata e bëjnë të re dhe të gjallë Kosovën.
- Ju jeni nënë e tre fëmijëve të mrekullueshëm. Sa ju ka mbështetur familja juaj në këtë rrugëtim tuajin?
Familja ime është pika ime e fortë dhe pika ime e dobët njëkohësisht. Unë kam ecur, kam ndaluar dhe kam ecur sërish për hir të familjes sime. Ata më kanë mbështetur me angazhimin e tyre dhe siç e thashë që në fillim të intervistës, ata janë karriera ime themelore. Në rrugëtimin tim së bashku me bashkëshortin tim (me të cilin shikojmë dhe ecim në drejtim të njëjtë), si çdo prind edhe ne duam që djali dhe dy vajzat tona, rrugët që ne i ecim sot ata t’i kenë më të shtruara nesër.
Nëna ime edhe sot më ndihmon që unë të eci e fokusuar në punët e mia, për të cilat ndonjëherë më duhet të udhëtoj. Ajo është aty për t’u përkujdesur për fëmijët e mi.
- Cili është mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?
Revista “Familja” ka suksesin e saj të garantuar, sepse bën gjënë e duhur, në mënyrën e duhur, në kohën e duhur për gratë e duhura, që mendojnë për veten e tyre në rradhë të parë dhe mendojnë me zë! Ju faleminderit!