Roshniku është kthyer në një nga pikat turistike më të frekuentuara në rrethin e Beratit. Tashmë ky fshat është radhitur në listën e 100 fshatrave turistik që do të marrin prioritet në zhvillimin e tyre…
Roshniku është kthyer në një nga pikat turistike më të frekuentuara në rrethin e Beratit.
Tashmë ky fshat është radhitur në listën e 100 fshatrave turistik që do të marrin prioritet në zhvillimin e tyre.
Ka një bukuri të rrallë natyrore. Kushtet e favorshme klimatike i kanë falur kësaj zone e këtij fshati një gjelbërim të përhershëm. Kjo ka sjellë që produktet bujqësore me në krye vreshtarinë, të jenë nga më të kërkuarat në treg.
Veç tyre, Roshniku ka një trashëgimi të pasur kulturore dhe historike. Sapo futesh në fshatin piktoresk e të sistemuar, përballesh me muzeun e fshatit, një nga më të hershmit në vend. Në të gjen historinë e fshatit, por edhe të mbarë krahinës.
Në defterët e zverdhur të viteve 1578, 1661, në gjuhën osmano-turke, gjendet kjo histori.
Në to shkruhet se nga zona e Roshnikut kanë dalë 5 vezirë që kanë drejtuar Perandorinë Osmane, nga 35 shqiptarë që ka pasur në majat e saj.
Dihet historikisht që osmanllinjtë merrnin djem nga shumë vende, mes tyre edhe shqiptarë, për të organizuar ushtrinë.
Djemtë e marrë për të shërbyer në ushtrinë perandorake osmane, shumë shpejt u vunë në krye të perandorisë. Qyprylinjtë e Roshnikut, që nga Mehmeti që shërbeu si kryevezir për 15 vjet, e të tjerë që drejtuan Perandorinë Osmane më shumë se 50 vjet.
Por në këtë muze vizitori nuk mëson vetëm për historinë e Qyprylinjve, pasi ka edhe plot histori e dëshmi të tjera që të mbushin me kuriozitet. Banorët e zonës, secili të tregon një histori apo gojëdhënë për fshatin e tyre.
Në këtë fshat është dhe “Çezma e Tarikos”, një burim uji i pastër mali i dekoruar me një murale guri dhe me mbishkrimin dedikuar emrit të Tarikos.
Kjo çezmë tashmë është kthyer në një pikë orientimi e vend çlodhjeje, freskimi, por edhe pelegrinazhi për të mësuar më shumë prej historisë së saj dhe të fshatit.
Pllaka përkujtimore e vendosur në murin e çezmës thotë: “Ju udhëtarë që kaloni e pini ujë e uroni, Tarikon ta kujtoni. Tarikua e ëma e Demirit që ngeli garibe nga dora e qafirit në vitin 1925.”
Tariko ka qenë një grua dhe nënë e mirë që iu vranë të dy djemtë nga hasmi dhe ngeli e vetme. Ajo e përballoi dhimbjen dhe banorët e zonës e nderonin dhe e respektonin.
Kjo çezmë e lashtë ndodhet në anë të Rrugës Tregtare ose “Vromit të Madh”, siç i thonë fshatarët e zonës, që lidhte dikur portin e Vlorës me Beratin, Korçën, Maqedoninë dhe deri në Stamboll.
Kjo rrugë ishte një degëzim i Rrugës “Egnatia” që çante përmes gjithë Perandorinë Romake nga Perëndimi në Lindje.
Mbi këtë rrugë ndodhet dhe “Hani i Perisnakës”, një pikë grumbullimi e shlodhjeje të karvaneve që mbërrinin nga larg, gjithë zhurmë e rrëmujë, kusari e hajdutëri që është futur në gojëdhëna për bëmat e tij të rrëmujës.
Edhe sot vendasit e përdorin shprehjen kur në një kuvend apo bisede në grup nuk ka radhë dhe rregull “e bëtë si Hani i Perisnakës”.
Aty mblidheshin tregtarë, hajdutë e kusarë, që shkëmbenin e grabisnin karvanet që kalonin në rrugën e madhe dhe ndanin plaçkën. Aty ziheshin, rriheshin dhe vriteshin për plaçkën e vjedhur.
Kjo rrugë e vjetër dhe zona rreth Tomorrit kanë vlera historike, kulturore, mbartin në vete kuriozitete dhe shumë vlera natyrore e turistike.
Udhëtari që kalon në këto zona, do të qëndrojë e do pijë një grusht ujë nga çezma e Tarikos dhe do të mësojë mbi Qyprylinjtë, mbi Vrromin e Madh, do të shohë rrënojat e Hanit të Perisnakës, do të sodisë Tomorin e lartë dhe do të mendojë për vizitën e ardhshme. /ATSH