Ekspertët thonë se Turqia është duke ndihmuar në nxitjen e stabilitetit, por udhëheqësit e saj duhet të jenë të ndjeshëm ndaj shqetësimeve të jo-muslimanëve.
Roli i Turqisë në nxitjen e paqes, stabilitetit dhe begatisë ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka qenë temë e një seminari i kohëve të fundit që solli ekspertë nga i gjithë rajoni në Izmir.
Duke përdorur marrëdhëniet e saj politike, praninë ekonomike dhe iniciativat e shoqërisë civile, fuqia e butë e Turqisë është duke patur një ndikim pozitiv mbi Ballkanin Perëndimor, thanë ekspertët që u mblodhën në veprimtarinë e 1 nëntorit, të organizuar nga Universiteti Yasar.
Senada Selo Sabiç nga Instituti për Zhvillim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (IRMO) me qendër në Zagreb tha se Turqia ka një ambicie të madhe për të mbështetur dhe inkurajuar zgjidhjen paqësore të konflikteve në Ballkanin Perëndimor. Një shembull i tillë ishte ndërmjetësimi më 2010 nga Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu mes Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) që i dha fund një periudhë tre-vjeçare ku BiH nuk kishte një ambasador në Beograd.
Në maj, Turqia, Serbia dhe BiH miratuan Deklaratën e Takimit të Nivelit të Lartë të Ankarasë, në të cilën të tre kombet së bashku angazhohen për të nxitur marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal mbështetur në dialog, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
“Megjithatë, as Turqia, as ndonjë ndërmjetësues tjetër, si Bashkimi Evropian, mund të zgjidhin vetë çështjet e hapura midis vendeve në Ballkanin Perëndimor,” tha Sabiç përSETimes.
“Ajo që duhet të shohim në rajon është forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimi i mëtejshëm. Këto procese stabilizojnë vendet individuale dhe si pasojë të gjithë rajonin,” shtoi ajo, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e rritjes ekonomike dhe frenimin e papunësisë së lartë.
Përveç suksesit ekonomik të dukshëm të Turqisë, Sabiç tha se ndikimi i rinovuar kulturor i vendit përmes rindërtimit të objekteve osmane, kryerja e programeve të arsimimit dhe marketingu nëpërmjet telenovelave turke është duke krijuar një ndryshim pozitiv në mendjet e njerëzve.
“Megjithatë politikisht nuk është arritur shumë në mënyrë që të pretendohet se ekziston një element i rëndësishëm i një lloji të veçantë turk i zbatimit të efektshëm të paqes. Për Turqinë, për të pasur një ndikim konkret dhe real, është e nevojshme njohja më e thellë e rajonit,” shtoi ajo.
Sabiç tha se perceptimet në mesin e komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, lidhur me synimet e dyshuara të Turqisë krijojnë një pengesë për opinionin publik, sidomos të lidhura me të kaluarën e saj osmane.
“Elitat politike të muslimanëve në rajon priren të favorizojnë dhe mbështesin përfshirjen turke, ndërsa të tjerët mbeten të rezervuar. Stereotipet ndryshojë shumë ngadalë. Nëse Turqia është e interesuar vërtetë të jetë një spirancë e paqes në Ballkanin Perëndimor, ajo duhet të tregoj shumë më tepër ndjeshmëri në drejtim, dhe njohje, të marrëdhënieve dhe shqetësimeve vendore,” tha Sabiç .
Orhan Dede, një ekspert i Qendrës për Studime Strategjike (BiLGESAM) me qendër në Stamboll, pranoi se një pengesë që mund të përballet gjithmonë Turqia është imazhi negativ i disa komuniteteve të Ballkanit që kanë lidhje me Turqinë si trashëgimtari i vetëm i Perandorisë Osmane.
“Çdo lëvizje aktive në këtë rajon, në veçanti që i drejtohet vetëm komuniteteve muslimane apo turke do të ndeshet me dyshim dhe do të fillojnë menjëherë spekullimet se Turqia është një shtet revizionist,” tha ai.
Dede shtoi se shqetësime të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse Ballkani siguron një lidhje të drejtpërdrejtë tokësore me Evropën, e cila është ende partneri kryesor tregtar për Turqinë. Prandaj, krijuesit e politikave të vendit duhet të përdorin gjuhën e zgjedhur me kujdes kur diskutojnë Ballkanin Perëndimor, tha ai.
Kohët e fundit, fjalimi i Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan në Prizren, Kosovë, duke thënë se, “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë,” u kritikua gjerësisht në Serbi, e cila bëri thirrje për një kërkim ndjese për komentin, duke pretenduar se përfaqësonte një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë.
“Paragjykimet mund të ndikojnë edhe projektet e mundshme që do të prodhonin rezultate të frytshme për të dyja palët,” tha Dede. “Telenovelat, e shikuar gjerësisht në vendet e Ballkanit, sigurisht që nuk mund të kapërcejnë këto paragjykime në vetvete. Ngecja ekonomike që rezulton në uljen e buxheteve të projekteve që përpiqen të nxisin integrimin, paqen dhe stabilitetin mes komuniteteve të Ballkanit kanë prekur dëshirën e shteteve si Turqia për të krijuar një siguri të qëndrueshme në rajon.”
Zhidas Daskalovski nga Qendra për Studime dhe Bërje të Politikës e Maqedonisë, tha se duke mbështetur shtete si Kosova, Maqedonia dhe BiH, Turqia ka një rol pozitiv dhe ndikim në rajon për krijimin e një mjedisi paqësor.
Daskalovski tha se pengesa më e madhe e Turqisë në përpjekjet e tilla është fakti se ajo nuk është një vend i BE-së, edhe pse identiteti i saj musliman krijon një avantazh për disa komunitete.
“Imazhi turk në ditët e sotme si një fuqi e jashtme duke u përpjekur për të zbatuar paqen në rajon është pozitiv, me një shqetësim të vogël në mesin e popullatës së krishterë në Ballkan, lidhur me nxitjen islamike turk brenda vendit dhe në Ballkanin Perëndimor,” tha ai përSETimes.
Artikuj që kanë lidhje
“Perceptimi në Maqedoni rreth fuqisë së butë të Turqisë nëpërmjet agjencive të saj qeveritare, OJQ-ve dhe vizitave të zyrtarëve është i lartë pasi Turqia është një mbështetës i fortë i Maqedonisë në NATO dhe në procesin e zgjerimit të BE-së,” shtoi ai.
Dede theksoi Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore si një shembull i rolit pozitiv që mund të luajë Turqia në rajon. Grupi siguron një forum për dialog diplomatik dhe politik, duke mundësuar vendet të bashkëpunojnë dhe të shkëmbejnë përvojat. Pjesëmarrësit përfshijnë Turqinë, Shqipërinë, BiH, Bullgarinë, Republikën e Maqedonisë, Rumaninë, Serbinë, Greqinë, Kroacinë, Moldavinë dhe Malin e Zi.
“Nëpërmjet përpjekjeve të saj në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore dhe marrëdhëniet bilaterale me vendet e Ballkanit, Turqia ka treguar se ka aftësinë për të ndikuar në proceset e paqes dhe stabilitetit në rajon,” tha Dede.