0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Imazhi i shtrembëruar i grave në Islam

Më të lexuarat

Qysh nga ngritja e lëvizjes feministe aty kah fundi i viteve 70, statusi i gruas në Islam u vu nën xhamin zmadhues. Fatkeqësisht, ky xham zmadhues është i pazakontë, për shkak se është tejet selektiv sepse përzgjedh se cilin aspekt do ta zmadhojë; aspektet tjera do t’i shtrembërojë deri në atë masë, saqë ato të duken krejt të çuditshme (të huaja për fenë Islame-sh.p.). 

Më kujtohet një herë kur po lexoja një artikull “të detajizuar” mbi jetën e muslimaneve. Në këtë artikull, “shtjellohej” fakti se burri musliman mund ta shkurorëzojë gruan e tij në çfarë do kohe duke thënë: “Unë po të shkurorëzoj ty. Unë po të shkurorëzoj ty. Unë po të shkurorëzoj ty”. Ky artikull mund ta bind këdo që është injorant rreth dispozitave islamike të shkurorëzimit se gruaja, për më pak se pesë sekonda, mbetet pa burrë dhe asaj i mbetet të përkujdeset për veten (ndoshta edhe për fëmijët e saj) në çfarëdo mënyre të mundshme. 

Pyetja e parë që më erdhi në mendje ishte: “A e kishte shkruar autori këtë artikull nga injoranca e pastër dhe naiviteti, apo ishte edhe një përpjekje më shumë për ta degraduar fenë Islame dhe muslimanët?” Ndoshta kjo është paranoja ime, por më shumë anoja ta besoja këtë të fundit.

Burri mysliman mund t’i shkurorëzojë gratë e tij aty për aty 

E vërteta është se Islami ka sistemin më human dhe më të drejtë të shkurorëzimit që ekziston. Së pari, provohen shumë opsione para se të vijë deri te shkurorëzimi. Nëse burri dhe gruaja vendosin se më nuk mund të jetojnë bashkë si bashkëshortë, atëherë burri (në shumicën e rasteve, por jo gjithherë) e shpallë divorcin duke thënë: “Unë po të shkurorëzoj ty”. Prej këtij momenti e tutje, fillon periudha e pritjes (ideti-sh.p.), e cila zgjat tri cikle menstruale, që gruaja të sigurohet se nuk është shtatzënë. Kjo periudhë ua mundëson si burrit, ashtu edhe gruas, që të mendojnë mirë se çfarë po bëjnë dhe se a është divorci zgjidhja të cilën ata njëmend e dëshirojnë. Këtu nuk ndërhyjnë avokat për ta antagonizuar situatën edhe ashtu delikate.

Por, nëse gruaja është shtatzënë, atëherë periudha e pritjes zgjat gjatë tërë shtatzënisë së saj. Gjatë idet- it (pa marrë parasysh se a është apo nuk është gruaja shtatzënë), burri e ka për obligim t’ia sigurojë asaj ushqimin, veshmbathjen dhe strehimin sikurse e ka bërë këtë para se ta shpallte divorcin. Nëse çifti i shkurorëzuar e vazhdojnë divorcin deri në lindjen e foshnjës dhe gruaja e ushqen atë me gji, atëherë burri obligohet t’ua sigurojë ushqimin dhe veshmbathjen si gruas, ashtu edhe foshnjës, gjatë gjithë kohës sa foshnja është në gji (që është maksimum dy vite).

Pas ndërprerjes së gjidhënies, fëmijës i ofrohet përkujdesje nga babai, derisa ai/ajo të mos ketë nevojë më për mbështetje. Është ironike të shohësh në “shoqëritë e përparuara” – siç është Amerika – rastet e shkurorëzimeve, ku gratë detyrohen t’i japin alimentacion ish-burrave të tyre. A mund të krahasohen këto dhe rastet tjera të sistemit amerikan të shkurorëzimit me atë Islamit?

Vajzat e reja “martohen” pa pëlqimin e tyre? 

Kam lexuar edhe shkrime tjera, ku thuhet se gratë detyrohen të martohen me burra pa pëlqimin e tyre. Kjo assesi nuk i ngjason sistemit martesor në Islam. Në Islam, gruaja martohet me pëlqimin e saj∗ Ajo, madje, mund të martohet me dikë që nuk pëlqehet nga babai apo nëna e saj. Poenta këtu është se femra është ajo që e merr vendimin final se me kë do të martohet ajo.

Shënim i përkthyesit: Kjo më së miri argumentohet me vetë fjalët e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Nuk lejohet të martohet robëresha, veçse me aprovimin e saj, dhe nuk lejohet të martohet virgjëresha, veçse me lejen e saj.” Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, si është leja e saj?” Tha: “Nëse ajo hesht.” Këtë hadith e shënon Imam Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Nuk i lejohet babait te vajzës apo dikujt tjetër që ta martojë femrën, qoftë e virgjër apo vejushë, veçse me pëlqimin e saj” me nr. 5136. E transmeton gjithashtu Imam Muslimi në kapitullin me të njëjtin titull, tema: “Kërkimi i aprovimit të vejushës për martesë” me nr. 1419

Pasi burri dhe gruaja vendosin për martesë, caktohet edhe shuma e prikës. Prika nuk është çmimi i gruas, por është dhuratë që dhëndri ia jep nuses. Kjo bëhet me marrëveshje, pra, duhet të jetë një dhuratë të cilën burri ka mundësi ta blejë apo japë. Në kohën e Profetit Muhamed, paqja qoftë mbi të, si prikë zakonisht jepeshin bagëti apo para. Ky është një vendim i mençur, për shkak se, në rastet kur gruaja shkurorëzohet apo mbetet e ve, ajo do të kishte një sigurim financiar në të cilin do të mbështetej, qoftë edhe për një kohë të kufizuar. Pasi të martohet burri me gruan, mbi burrin rëndon obligimi për t’i siguruar asaj veshmbathje, ushqim, strehim dhe arsimim (apo t’i lejoj asaj të arsimohet) sikurse këtë e bën për vete.

Hixhabi, një veshje opresive e kohës së gurit

Imazhin e fundit të shtrembëruar që dëshiroj ta nënvizoj është veshja e muslimaneve. Mediat e ndikuara nga Perëndimi e portretizojnë veshjen tonë si diçka të dalë nga moda dhe opresive. Megjithatë, unë dallojë nga llagapet e tilla. Kodi i jonë i veshjes nuk na ndalon neve për të bërë çdo gjë që do të ishte produktive në jetët tona. Muslimanet kryejnë punë të ndryshme dhe asnjëra prej këtyre punëve nuk zhvlerësohet e as nuk vështirësohet për shkak të kodit të veshjes së tyre. 

E, sa i përket veshjes së muslimaneve në këto kohë, atëherë një veshje e tillë duket më se e domosdoshme, për shkak të dekadencës morale në të cilën ka rënë bota sot. Ata që thonë se veshjes islamike i ka dalë moda, këtë e thonë nga injoranca e tyre e madhe. 

Rënia e moralit dhe sprovat e ndryshme e bëjnë hixhabin më se të nevojshëm. Krimet seksuale kanë shënuar rritje marramendëse më shumë se kurrë. Ndonëse kjo shoqëri u thotë grave se ato mund të vishen si të duan, çdo herë kur ndodh ndonjë dhunim, pyetjet e para që i drejtohen gruas janë: “Çfarë kishit të veshur?” 

Ky koncept duket të jetë i montuar kundër të së ashtuquajturës grua bashkëkohore. Këtu, gjithashtu, kemi të bëjmë me një korrelacion të drejtpërdrejtë midis respektit që burri ka për gruan dhe asaj se deri në çfarë mase gruaja e ekspozon trupin e saj pa pasur turp. 

Në përmbyllje, shpresoj se ky artikull ju ka ndihmuar për t’i sqaruar disa koncepte dhe imazhe të shtrembëruara rreth Islamit dhe gruas. Gratë në Islam janë të respektuara dhe mbajnë pozitë të lartë.∗

Shënim i Përkthyesit: Transmetohet nga Ebu Hurejra, radiAllahu anhu, që ka thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i All-llahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kush është më i merituari i njerëzve për shoqërimin tim të mirë?” Tha: “Nëna jote”. Tha: “Pastaj kush?” Tha: “Nëna jote”. Tha: “Pastaj kush?” Tha: “Nëna jote”. Tha: “Pastaj kush?” Tha: “Babai yt”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi). Ne kurrë nuk do të kemi sukses dhe zgjidhje të problemeve, derisa ta kuptojmë se Allahu e di më së miri dhe se kjo shoqëri jobesimtarësh do ta shkatërrojë veten me duart e veta.

Nga Naasira bint Ellison, ish-jomuslimane – www.islaam.ca-Përktheu: Visar ZEKA/mburoja.net/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit