CAN ERÖZDEN
ANKARA (AA) – Turqia është nga shtetet më të preferuara për futbollistët, meqë ka një shkallë më të ulët të tatimit mbi të ardhurat krahasuar me shtetet tjera evropiane, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në dhjetor Parlamenti i Turqisë miratoi një ligj sipas të cilit futbollistët e Super Ligës turke do të tatimohen me 15 për qind, i vlefshëm deri në fund të vitit 2019.
“Shumë futbollistë dhe trajnerë preferojnë Turqinë nga shkaku i shkallës së ulët të tatimit”, tha për AA Sebahattin Devecioglu, profesor në Fakultetin e Shkencës së Sportit në Universitetin Firat.
Sipas tij, shkalla e ulët e tatimit ka të bëjë me idenë për të joshur sa më shumë yje të futbolit, të vijnë në Turqi për ta bërë të fortë ligën vendore.
Si rrjedhojë, kampioni në fuqi i Beshiktashi, angazhoi yllin spanjoll Alvaro Negredo, i cili më herët luajti për Real Madridin dhe Valencinë si dhe për anglezët e Manchester City.
Ndërkohë, kandidati për kampion, Galatasaray, këtë verë nënshkroi me francezin 32 vjeçar Bafetimbi Gomis, i cili më parë kishte luajtur për Olympique Lyon adhe Olympique Marseille si dhe për anglezët e Swansea City.
Fenerbahçe nga ana e tyre angazhuan francezin 33 vjeçar që luan në pozitën e anësorit, Mathieu Valbuena, i cili më parë ka luajtur për Olympique Marseille dhe Olympique Lyon.
Rritja e vlerës së brendit
Në mënyrë shtesë, përveç Valbuenës, Fenerbahçe përforcoi repartin sulmues me një lojtar tjetër të shkëlqyer, 32 vjeçarin Roberto Soldado. Ai është një ish lojtar i anglezëve të Tottenham Hotspur dhe Real Madridit, dhe më herët Valencias spanjolle.
Kjo nuk është e tëra, sepse edhe ekipet tjera turke kanë angazhuar në radhët e tyre emra të spikatur, siç është rasti me mbrojtësin e majtë Gael Clichy i cili në korrik të këtij viti u bashkua me klubin Medipol Basaksehir nga Stambolli. Ai është një ish lojtar i Arsenalit dhe Manchester City.
“Këto rregullativa ligjore janë të nevojshme për të përkrahur zhvillimin e sportit në Turqi njëherësh duke e rritur vlerën e brendit”, tha Devecioglu.
Lojtarët në Gjermani, Spanjë, Itali dhe Angli ku niveli i garës është më i lartë më krahasim me Super Ligën turke, paguajnë më shumë tatime nga që paguajnë lojtarët në Turqi. Kompania Klynveld Peat Marëick Goerdeler (KPMG) që ofron shërbime lidhur me tatimet, tha se shpenzimet e klubeve turke për një lojtar i cili fiton 1 milion euro në vit, janë 1.19 milionë euro.
Ndërkohë, në Gjermani për milion euro pagë vjetore, klubi paguan 1.9 milion euro, në Spanjë shifrat janë të ngjashme me ato të Gjermanisë, në Itali klubet paguajnë 1.97 milion euro, ndërsa në Angli për 1 milion euro në vit për lojtarin, shpenzimet e klubit shkojnë në 2.12 milionë euro.
Megjithatë Franca e mban rekordin për shpenzimet më të larta, meqë një lojtar i cili në Ligue 1 fiton 1 milion euro në vit, klubit i kushton 2.74 milionë euro.
Pohimet për mashtrim me tatimin
Devecioglu foli edhe për pohimet për mashtrimet tatimore në Evropë, për të cilën gjë janë akuzuar yjet më të mëdha të futbollit siç janë Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Marcelo dhe Luka Modriç.
“Dokumentet e Panamasë të zbuluara vitin e kaluar folën për sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi dhe babanë e tij që është agjent i Messit të cilët u akuzuan për evazion fiskal duke pretenduar se ka investuar paratë e tij në disa banka offshore”, tha Devecioglu.
Messi u shpall fajtor për shfrytëzim e të drejtave të imazhit të tij në vitet 2007, 2008 dhe 2009, ndërsa bashkë me babanë e tij Jorge Horacio u akuzuan për mashtrimin që ja kanë bërë Spanjës me 4.1 milionë euro.
Gjykata në Barcelonë tha se dyshja kishte përdorur “parajsën tatimore” në Belize dhe Uruguaj. Messi përgënjeshtroi akuzat për evazion fiskal, megjithatë gjykata i shqiptoi dënimin me burg në kohëzgjatje prej 21 muaj.
Më vonë, Gjykata Supreme e zëvendësoi dënimin me burg me një gjobë të shqiptuar. Profesori universitar, Sebahattin Devecioglu thotë se rregullativa e pamjaftueshme ligjore ka çuar në formimin e një ekonomie joformale në futboll.
“Larja e parave është akoma prezente në futboll, dhe kjo nuk mund të kontrollohet”, përfundon Devecioglu.