4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Ja pse nuk e festojmë Vitin e Ri?

Më të lexuarat

Shumë njerëz pyesin veten me këtë pyetje. Disa prej tyre nuk mund të kuptojnë pse duhet të dallohemi prej të tjerëve, pse kur të gjithë fillojnë përgatitjet për festën e Vitit të Ri, ne duhet të vazhdojmë të jetojmë jetën normale?

Ata që e njohin fenë e tyre as nuk pyeten as nuk e ndiejnë veten të anashkaluar pse nuk festojnë Vitin e Ri. Viti i Ri për ta kalon pa u hetuar si kremte ashtu siç nuk i hetojnë ndërrimin e vitit kinez, çifut, festat e feve të ndryshme e të tjera.

Festat janë pjesë e rëndësishme e kulturave dhe ashtu duhet të trajtohen. Këtë e gjejmë edhe në njërin variant të komentimit të ajetit 34 të sures Haxh “Ne i kemi caktuar çdo populli festat e tyre.”
Tani parashtrohet pyetja: Viti i Ri, festë e cilës kulturë është? Përgjigjet mund të jenë paksa të ndryshme por, një gjë është e sigurt se kjo festë nuk ka të bëjë me kulturën islame. Për mua nuk është shumë me rëndësi të gjurmojmë zanafillën e kësaj feste, a është romake e vjetër pastaj e infiltruar në kulturën krishtere apo diç tjetër, me rëndësi është se të gjithë njerëzit duhet ta dinë se nuk është islame. Kur të arrijmë këtë përfundim, atëherë e kemi shumë lehtë t’i përgjigjemi pyetjes që e vendova si titull të këtij shkrimi: festa e Vitit të Ri është pjesë e kulturave të huaja, kurse ne si muslimanë e kemi për detyrë të ruajmë kulturën tonë fetare, të kundërshtojmë ndikimin e kulturave të huaja mbi ne sidomos në këtë kohë kur fryma e globalizmit në mënyrë të pamëshirshme shkel mbi veçoritë e kulturave tjera.

Tekstet fetare që nxisin kundërshtimin e kulturave të huaja në kuptimin e të qenit imun ndaj ndikimit të tyre si dhe në kuptimin e mospërngjasimit me ta, janë të shumta. Këto tekste në fakt paraqesin themelin e besimit që ndërtojnë personalitetin unik musliman. Do të përmend një sërë ajetesh që ndriçojnë këtë fakt:

1. “Pastaj, Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, pra ti ndiqe atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë.” (Xhathije:16-18)
2. “Dhe ashtu, Ne e shpallën atë (Kur’anin) kushtetutë në arabishte. E nëse ti pasi të kanë ardhur argumente të qarta shkon pas dëshirave të tyre, ti nuk ke prej Allahut as ndihmë as mbrojtje.” (Ra’d:34)

3. “As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri sa ta pasosh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasi që të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu”.” (Bekare:120)

4. “Po edhe sikur t’u sillje ti çdo lloj argumenti atyre që u është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor.” (Bekare: 145)
5. Fjala e Allahut drejtuar Musait dhe Harunit “ju të dy qëndroni ashtu si jeni e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë” (Junus:89)

Parimi i kundërshtimit të kulturave të huaja zë vend të rëndësishëm edhe në mësimet e të Dërguarit, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të tërthortë. Po veçojmë disa prej atyre thënieve:
1. “Do t’i pasoni traditat e popujve para jush pëllëmbë pas pëllëmbe madje edhe nëse hyjnë në vrimën e lizardit, do futeni pas tyre. Pyetën: çifutët dhe të krishterët? Tha: po kënd tjetër.” (Buhariu)
2. “Kush i përngjet një populli ai është prej tyre” (Ebu Davud, sahih)

Me këtë karakter janë edhe të gjitha hadithet në të cilat i Dërguari, ndalon përngjasimin me çifutët, të krishterët, zjarrputistët dhe idhujtarët në përgjithësi. Megjithëse flitet për çështje konkrete mesazhi i tyre është tej problematikës së përmendur, për shembull ai nxiste që të ngjyrosen flokët dhe mjekra e zbardhur sepse çifutët dhe të krishterët nuk bënin një vepër të tillë, nxiste të shkurtohen mustaqet dhe të lëshohen mjekrat sepse zjarrputistët bënin të kundërtën, nxiste të falemi këmbëmbathur sepse çifutët nuk lejonin ne fenë e tyre atë vepër. Thoshte: dallimi mes agjërimit tonë dhe atij krishterë është ngrënia në syfyr, nxiste të shpejtojmë iftarin sepse ithtarët e librit e vononin atë, ndalonte faljen e namazit në disa kohëra duke thënë se idhujtarët kryejnë adhurimin e tyre në ato momente, tregonte cila formë e varrit është për kulturat tjera e cila për besimtarët, na tërhiqte vërejtjen dhe mallkonte çifutët dhe të krishterët të cilët varret e profetëve i kishin shndërruar në faltore, nuk pranoi propozimin që thirrja për namaz të jetë kambana sepse ishte zakon i krishterë, ndaloi hajen dhe pijen në enë të arit dhe të argjendit duke shpjeguar se një vepër e tillë ishte zakon i kulturave tjera e kështu me radhë. Mesazhi i të gjitha këtyre thënieve sipas asaj që thonë dijetarët është kundërshtimi i feve dhe kulturave të huaja, mospërngjasimi me to.

Nisur nga këto argumente, dijetarët jo vetëm që kanë ndaluar festimin e festave të huaja porse kanë ndaluar edhe përurimin e tyre, madje kanë ndaluar edhe ato festa që duken islame mirëpo në fakt janë imitim i kulturave të huaja siç është Viti i Ri sipas kalendarit lunar duke e konsideruar si një trillim të pabazë.
Allahu i nderoi besimtarët me dy festa të mëdha vjetore, Fitër Bajramin, Kurban Bajramin dhe një festë javore që është dita e Xhuma. Le të gëzohemi kësaj mirësie, le të gëzohemi që jemi besimtarë “Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus: 58)

Agim Bekiri – Albislam/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit