1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Islamofobia: Çka, si, dhe pse?

Më të lexuarat

“Islamofobi” është fjala që zakonisht përdoret për të shprehur shqetësimin kundër Islamit në Perëndim. Ky fenomen ka arsyet e veta historike dhe bashkëkohore që çuan në ofendimin e mesazhit islamik, në shprehjen e skepticizmit ndaj pejgamberllëkut të të Dërguarit të Allahut (alejhi selam), dhe në nxitjen e konflikteve mes muslimanëve, duke synuar okupimin e vendeve muslimane. Islamofobia është e rrënjosur thellë në një histori të mbushur me një sërë belash të mëdha mes Perëndimit dhe Islamit, çka bëri që mentalitetit perëndimor të brumosej me frikën se Islami është një rrezik i madh dhe i pashmangshëm, që kërcënon gjithçka “perëndimore.” Islamofobia zuri fill mes arabëve dhe çifutëve të Gadishullit Arabik, dhe ka shenja që konfirmojnë vazhdimësinë e pranisë së saj në vendet arabe dhe muslimane deri në ditët tona.

Të kuptuarit e thellë dhe serioz të çfarëdo problemi është hapi i parë i domosdoshëm në gjetjen e zgjidhjes për të. Termi “fobi” është marrë nga shkenca e çrregullimeve mendore dhe shprehë një lloj neuroze e cila ndikon që pacientët të mos mundin t’i kontrollojnë veprimet, kur i adresohen temës së frikës së tyre1. Vlen të theksohet se, në shumicën e rasteve, paniku që përjetojnë pacientët nuk bazohet në kërcënim real.

Islamofobia ka shumë arsye, të cilat dallojnë sipas rëndësisë dhe ndikimit. Pjesa vijuese është një orvatje për të treguar arsyet kryesore që mund të jenë përgjegjëse për këtë fenomen:

1. Historia e mbushur me konflikte mes Islamit dhe Perëndimit

Pushtimi islamik filloi në kohën e të Dërguarit të Allahut  dhe zgjeroi kufijtë dhe potencialin e tij në shekujt e mëvonshëm, duke mposhtur legjionet romake dhe duke shkatërruar bastionet e tyre gjatë marshimit. Kjo është përvoja e parë dhe më e dhembshme që Perëndimi pati me botën Islamike. Në betejën e Jermukut, bie fjala, gjatë vitit 16 të Hixhretit, ushtritë romake u shpartalluan dhe, për pasojë, romakët u evakuuan nga zona arabe. Është përcjellë se në një rast Herkulesi tha: “Paqja qoftë me ty, oj Siri! Po jap një përshëndetje pas së cilës s’do të ketë takim tjetër. Je një tokë e bekuar për armikun, por jo për mikun! Nga tash, asnjë romak s’do të hyjë të ti, përveçse i frikësuar.”

Nëpër histori shtrihet një zinxhir përvojash të pakëndshme, të cilat ndikuan në perceptimin armiqësor të Perëndimit ndaj Islamit dhe pasuesve të tij. Qoftë nëpërmjet kryqëzatave, qoftë nëpërmjet ekspeditave shkencore gjatë renesancës kulturore e shkencore që lulëzoi në shumë qytete islamike, ata formuan në mendjet e tyre imazhe të errëta për Islamin, duke e përshkruar atë si një fe gjakatare, të çiftëzuar me injorancë dhe terrorizëm.

2. Injoranca ndaj Islamit

Njerëzit, zakonisht, anojnë të jenë kundër asaj që nuk e njohin. Kjo shpjegon frikën që shumë njerëz kanë ndaj Islamit. Madje, as njerëzit me dije të cekët për Islamin nuk janë imunë ndaj kësaj. Bota perëndimore merr informata rreth Islamit nëpërmjet burimeve të cilave, në shumicën e rasteve, u mungon objektiviteti, integritetit, dhe paanësia. Shkollat dhe programet mësimore të universiteteve në Perëndim janë të barrosura me sasi enorme të informatave të rreme çorientuese rreth Islamit, që mund të gjurmohen deri te shkollat orientaliste, të cilat përbëjnë një nga armët konvencionale të kolonializmit perëndimor. Ato përdorin referenca mesjetare, të ngjyrosura me shpirtin luftarak të kryqëzatave, me qëllim që t’i shtrembërojnë faktet në përpjekje për t’i provuar supozimet e pabaza rreth Islamit. Hulumtuesit thonë se prodhimet e reja orientaliste mbërrijnë publikun e gjerë me anë të një makinerie mediatike të avancuar, e cila përforcon imazhet e shtrembëruara stereotipe. Hulumtuesit, po ashtu, bëjnë me dije se orientalizmi i ri synon, nëpërmjet të folmes dhe veprimeve, përplasjen kulturore me orientin islamik.2

Mosnjohja e Islamit, krahas keqkuptimeve të ndryshme, ka parandaluar komunikimin pozitiv me pasuesit e tij. Kjo ndoshta qe ajo që shtyu ish-anëtarin e parlamentit amerikan Paul Findley – i cili e përjetoi botën islamike personalisht – të merrte përsipër thyerjen e barrierave ndaj Islamit në Perëndim, me qëllim të ndreqjes së koncepteve dhe largimit të stereotipeve të gabuara lidhur me Islamin dhe muslimanët, si dhe të refuzimit të keqinformimit që ka zërë vend në mendjet e perëndimorëve, sidomos në shoqërinë amerikane. 3 Findley përmbledhë shkaqet që qëndrojnë mbrapa injorancës amerikane ndaj Islamit në veçanti dhe asaj perëndimore në përgjithësi:

Roli i lobi çifut në paraqitjen e një imazhi të rremë për muslimanët dhe në promovimin e idesë së Izraelit si një shtet i dobët që kërcënohet nga arabët dhe muslimanët.
Kufizimi i dialogut dhe i të folmes rreth moralit të Judaizmit dhe Krishterimit në shoqërinë amerikane, duke e përshkruar atë si superior, të denjë për t’u zbatuar, dhe shmangia nga përmendja e moralit islamik, duke e përshkruar atë si shumë negativ dhe të neveritshëm.
Frika që perëndimorët shprehin nga rreziku i shkallëzuar islamik apo nga lufta e pritshme mes Islamit dhe Perëndimit, si dhe të ushqyerit e këtyre frikave nga organet Sioniste, me qëllim të vazhdimit të mbështetjes perëndimore për regjimin Sionist në Palestinë.
Fokusi i mediave perëndimore në paraqitjen e lëvizjeve islame, sidomos të lëvizjeve rezistuese, si lëvizje terroriste, që nuk respektojnë të drejtat njerëzore; si dhe disa prodhime të herëpashershme të këtyre mediave të cilat synojnë zmadhimin e thirrjes së muslimanëve për ta luftuar Amerikën, Izraelin dhe Perëndimin, duke i nxjerrë ato thirrje nga konteksti origjinal i tyre.
3. Konflikti i interesit dhe perspektivat e ndryshme mbi vlerat

Pavarësisht faktit se injoranca rreth Islamit mund të jetë shkaku kryesor për krijimin e frikës dhe armiqësisë, ky s’është shkaku i vetëm. Historia shënon se shumë nga ata që kanë pasur dije rreth Islamit, ia kanë pasur frikën kësaj feje njësoj, në mos më shumë. Islami formoi një vizion për të cilin kanë thirrur mësimet fetare që nga krijimi i njerëzimit: rrënimin e pavërtetësisë, përhapjen e drejtësisë, vëllazërisë, barazisë dhe vlerave mes njerëzve.

Ka qenë e paevitueshme rënia në konflikt e projekteve të këtilla me interesat e kategorive oportuniste, të cilat qenë/janë të interesuara të vazhdojnë një sistem jofunksional, të mbushur me eksploatim, padrejtësi dhe devijim. Për shembull, çifutët e Gadishullit Arabik merreshin me kamatë, me prostitucion dhe me tregtinë e alkoolit. Ata qenë të sigurt për vërtetësinë e pejgamberit  dhe për mesazhin e tij, për shkak të profecive që gjendeshin në Shkrimet e shenjta të tyre, megjithatë insistonin në armiqësinë ndaj Islamit dhe komplotonin kundër tij, ngaqë refuzonin t’i sakrifikonin fitimet e paligjshme që Islami nuk ua miratonte; po ashtu për shkak të qëndrimit egoist që të mos pasonin një të Dërguar që s’ishte nga mesi i tyre. Allahu  vuri në pah komplotin dhe mohimin e tyre e të Dërguarit, kur përmendi në Kuran:

“Ata që u dhamë Librin, e njohin atë (pejgamberin) ashtu siç i njohin bijtë e tyre. Një grup prej tyre e fshehin të vërtetën ndërsa e dinë.” (el-Bekare, 146)

Një gjendje të këtillë e patën edhe shumë udhëheqës Kurejshit dhe arabë në fillim të thirrjes Islame, të cilët refuzonin të ndiqnin mesazhin e pejgamberit  jo për shkak se nuk besonin në të, por për shkak të arrogancës dhe dëshirës për të ruajtur përfitimet nga udhëheqja që kishin. Ebu Xhehl, një ndër armiqtë kryesor të thirrjes islame, kur shpjegoi ngulimin e tij për të mos i besuar të Dërguarit të Allahut  dhe armiqësinë që kishte ndaj mesazhit të tij, si shkak për këtë përmendi mospasjen e një pejgamberi në fisin e tij, gjë që fisi konkurrues e kishte, ndonëse ai besonte bindshëm në vërtetësinë e misionit të tij.4

E njëjta logjikë zbatohet edhe sot në botën perëndimore, ku njerëzit kanë adoptuar metodat e tyre të sjelljes, të lidhura me sistemin kapitalist, dhe parimet pragmatike që synojnë shtimin sa më të madh të profitit, të kënaqësive dhe të përfitimeve personale. Këtu përshihen “liritë” sociale dhe ekonomike, siç është bixhozi, pirja e alkoolit, tregtia me kamatë, legalizimi i prostitucionit, homoseksualizmit, lejimi i marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, e kështu me radhë. Sigurisht, sjelljet e këtilla Islami nuk i miraton, madje i kriminalizon dhe i ndëshkon. Andaj, është e kuptueshme që shumë perëndimorë gjejnë te Islami një kërcënim për atë që ata e konsiderojnë liri themelore për të cilën nuk bëjnë kompromis. Po ashtu, mund të thuhet se një pjesë e rëndësishme e këtij konflikti bazohet në konfliktin e interesit mes Islamit dhe Perëndimit, kur ky i fundit shfaq një shkallë pranimi ndaj një Islami “të moderuar” që garanton interesat ekonomike dhe politike të tij.

4. Realiteti i muslimanëve

S’është sekret se umeti musliman po vuan një realitet të hidhur në nivelin ekonomik, politik, social e kulturor, gjë që reflekton në shkaqet përse ky popull qëndron në fund të radhës së popujve botëror, kur kemi të bëjmë me kontributin ndaj ngritjes së njerëzimit dhe përparimit të tyre.

Në nivel politik, luftërat dhe konfliktet civile kanë korrur shpirtrat e mijëra muslimanëve për çdo vit, siç ka ndodhur në Palestinë, Irak, Siri, Afganistan, Algjeri. Me sa duket, vendet muslimane janë të paafta për të ndalur konfliktet e këtilla apo të dalin fituese prej tyre, meqë shumë vende muslimane, në këtë apo atë mënyrë, u nënshtrohen fuqive të huaja, të cilat ua konfiskojnë liritë dhe ua kufizojnë mundësitë për një mëvetësi reale.

Në nivelin ekonomik, statistikat tregojnë se më shumë se gjysmë miliardë muslimanë jetojnë nën kufirin e varfërisë, që do të thotë se një e treta e popullsisë së varfër botërore janë nga bota muslimane, pavarësisht se shumë vende muslimane gëzojnë resurse enorme njerëzore dhe natyrore. Kjo, sipas radhës, drejton vëmendjen kah fatkeqësia e korrupsionit dhe e keqmenaxhimit në shpërndarjen e resurseve dhe të pasurive. Jo vetëm kaq, po shumë vende muslimane janë pllakosur nga uria që ka marrë jetët e qindra e mijërave njerëzve, siç ndodhi në Nigeri, Somali, dhe Sudan.

Në nivelin shoqëror, mund të flitet për vuajtjen e shumë vendeve muslimane nga pabarazitë blatante mes klasave të komunitetit si dhe për thyerjen e strukturave tradicionale të çiftëzuar me paaftësinë për të konstruktuar mekanizma të efektshëm; e të mos flasim për degradimin e gruas, margjinalizimin e rinisë, mungesën e kujdesit ndaj fëmijëve, dhe brishtësinë e sistemit të vlerave fetare nën presionin e invadimit të vlerave perëndimore.

Në nivelin kulturor, duket se bota muslimane pothuajse është krejtësisht jashtë dijes, informatave dhe revolucionit shkencor që bota po dëshmon, qoftë në nivelin e kreativitetit, qoftë në atë të zhvillimit; në rastin më të mirë, ata përfundojnë si konsumatorë entuziastë.

Dikush mund ta shohë si të natyrshme lidhjen e Islamit në njërën anë dhe varfërisë e injorancës në anën tjetër për të fajësuar Islamin për dobësinë e pasuesve të tij. Nisur nga kjo, pak ka gjasa që perëndimorët që e njohin vetëm këtë imazh të deformuar të Islamit të ndiejnë simpati ndaj fesë; madje është e kuptueshme që ata të marrin qëndrime negative dhe agresive, për shkak të besimit të tyre se Islami është arsyeja për prapambetjen e një pjese të madhe të botës dhe t’i kushtojnë vëmendje luftimit dhe shkatërrimit të tij.

Mediat kanë luajtur një rol të madh në dëmtimin e mesazhit të Islamit dhe në shmangien e masave nga mësimet e vërteta të tij. Të gjitha mediumet, nga filmat e Holivudit deri të agjencitë e lajmeve, që dihet se kontrollohen nga lëvizja Sioniste, kanë luajtur rolin kryesor në vendosjen e imazheve stereotipe për Islamin dhe muslimanët. Ata e çuan propagandën deri aty, sa këto shpifje u bënë fakte që as nuk bën të diskutohen. Thënë të drejtën, edhe vetë muslimanët ofruan një rol vendimtar në dhënien e kredibilitetit këtyre imazheve stereotipe, duke prezantuar shembuj të këqij të një personaliteti musliman. Po ashtu, zbatimi i ngurtë i mësimeve islame nga disa regjime të cilat fokusohen vetëm në aspektin e jashtëm në dëm të esencës dhe anës shpirtërore, ka dëmtuar imazhin e vërtetë të Islamit dhe i ka frikësuar njerëzit. Rastet e këtilla e paraqesin Islamin si një ekzekutues që ndjekë njerëzit për t’i privuar nga të gjitha format e kënaqjes dhe i shtrëngon për të kryer ritualet fetare. Këtë gjendje e bënë më të rëndë edhe sulmet me bomba në disa vende perëndimore dhe muslimane nga grupe si AlKaida dhe degët e saj. Kjo e fuqizoi edhe më shumë faktorin frikë, gjë që u dha armiqve më shumë arsye për të luftuar dhe për të vënë kufizime të rrepta me pretekstin e luftimit të terrorizmit.

Që nga paraqitja e islamofobisë në fillimin e pushtimeve muslimane, ky fenomen u shpreh në mënyra të ndryshme, që dallonte sipas vendit dhe shkallëve të negativitetit dhe të ashpërsisë. Lidhur me këtë, mund të flasim për pikat në vijim:

1. Ofendimi i mesazhit të Islamit dhe skepticizmi ndaj pejgamberllëkut të Muhamedit (alejhi selam)

Që nga nisma e tij, Islami u sulmua me fushata të ashpra nga fiset arabe dhe çifute, të cilët vazhdimisht përpiqeshin të luftonin thirrjen Islame, duke akuzuar pejgamberin (alejhi selam) me përshkrime të rreme. Natyrisht, akuzat e këtilla tendencioze nuk u kufizuan në sulmimin ndaj pejgamberit (alejhi selam), por u zgjeruan deri të vetë Islami, që nga urryesit u akuzua për materializëm, për mosmarrje parasysh të aspekteve shpirtërore, për përhapjen e përgjakshme të tij, dhe për të qenët e tij një fe joautentike, që ka vjedhur ideologjinë nga fetë e mëparshme, si Judaizmi dhe Krishterimi. Në fakt, është e pamundshme të bësh ndarje mes Islamit dhe të Dërguarit të tij (alejhi selam), meqë ai është pronari i thirrjes Islame dhe mishërimi i mësimeve të saj, kështu që ofendimi ndaj të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) konsiderohet ofendim ndaj vetë Islamit, dhe anasjelltas.

Shembuj të këtyre sulmeve ndaj pejgamberëve mund të shihen në shkrimet e shkrimtarit të njohur të iluminizmit francez, Voltaire, i cili, në mesin e shekullit 18, botoi librin “Fanatizmi apo pejgamberi Muhamed,” ku përshkruan pejgamberin me akuzat të rreme.

Rreth shekullit 13, “Komedia Hyjnore” nga Dante Alighieri, po ashtu, iu drejtua të Dërguarit  me gjëra të padenja për t’u përmendur, gjë që u përsërit edhe nga shkrimtari indian Salman Rushdi, kur ai publikoi novelën e tij të njohur “Vargjet satanike” dhe për të dhe vetën e tij mori mbështetje dhe u nderua nga Perëndimi në emër të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

Pastaj erdhën karikaturat e publikuara nga gazeta daneze Jyllands-Posten, në vitin 2005, për t’i shtuar listës së ofendimeve të qëllimshme ndaj Islamit dhe simboleve të tij. Kjo gazetë publikoi 12 vizatime komike të të Dërguarit të Allahut (alejhi selam), të cilat nga shumë personalitete u përshkruan si degjenerim dhe paturpësi e skajshme. I çiftëzuar me këto vizatime ishte artikulli nga kryeredaktori i kësaj gazete, ku ai shprehte habinë dhe dënimin ndaj shenjtërisë që muslimanët i ofronin pejgamberit të tyre, dhe u bënte thirrje të tjerëve që ta thyenin këtë tabu. Së voni, revista franceze Charlie Hebdo ndezi një tjetër ofendim ndaj të Dërguarit të Allahut (alejhi selam), gjë që rezultoi me një efekt të kundërt ndaj vetë revistës në formën e një sulmi me armë, që iu atribuua ekstremistëve islamik. Duhet theksuar se vizatimet e këtilla nuk janë të parat e llojit të vet, dhe s’janë gjë tjetër veçse një hallkë e një zinxhiri të zgjatur ngjarjesh që refuzojnë të përfundojnë.

2. Provokimi i konfliktit mes muslimanëve

Vendet perëndimore, sidomos ato kolonialiste, treguan interesim të madh për theksimin e dallimeve në baza fetare në botën muslimane, dhe u siguruan që të zmadhonin dhe zhvillonin nivelin e dallimeve në synimin e tyre për të ndezur konflikte mes muslimanëve në njërën anë dhe muslimanëve dhe pakicave jomuslimane në anën tjetër. Këtu vlen të përmendet përpjekja e Francës në fillim të shekullit të kaluar për të ndarë Libanin duke i fryrë zjarrit të dallimeve fetare mes banorëve të tij. Pasi shtetet kolonialiste e arritën këtë nëpërmjet traktatit Sykes-Picot më 1916, orienti arab u nda në shtete të dobëta, ku Libani u bë një teatër i situatave të ndjeshme sektare e fetare.

Skenari i njëjtë u përsërit edhe në Irak nën dominimin amerikan, pasuar nga Siria. Të dyja këto vende tashmë gjenden në një luftë civile të përgjakshme, të bazuar në dallimet sektare, ku janë vrarë qindra e mijëra civilë të pafajshëm, gjë është duke u nxitur nga aleancat tendencioze të Amerikës.

3. Përpjekja për të nënshtruar dhe okupuar vendet muslimane

Kryqëzatat që u nisën me pretekstin e çlirimit të tokës së shenjtë të Jerusalemit nga dora muslimane, dhe masakrat që u kryen nga kryqtarët në qytetet muslimane gjatë atyre fushatave jo vetëm që reflektojnë fobi nga Islami dhe pasuesit e saj, por reflektojnë një nivel të avancuar të urrejtjes dhe dëshirës për hakmarrje. Është treguar nga një dëshmitar nga kryqtarët, një prift që ishte i pranishëm gjatë okupimit të Jerusalemit në vitin 492H, sesi: “Njerëzit tanë endeshin rrugëve dhe çative për të shuar etjen e urrejtjes nëpërmjet vrasjeve, si luanesha të cilës i rrëmbehen të vegjlit! Ata thernin fëmijë e të rinj dhe i bënin copash, dhe shumë syresh i varnin me një litar për të përshpejtuar procesin e eliminimit. Gjaku rridhte si lum, qyteti u mbulua nga kufomat.”5

Një tjetër prift përshkruan masakrën e njëjtë pa i përmbajtur ndjenjat. Ai tha: “Ajo çfarë ndodhi qe një mrekulli. Kur njerëzit tanë morën muret dhe pirgjet e Jerusalemit, ne ua premë kokën disave, por kjo qe më e vogla që u ndodhi, meqë të tjerëve iu çanë barqet, shumë të tjerë u detyruan të binin nga muret, dhe të tjerët i dogjëm. Ky qe një proces i gjatë torture, pas të cilit kalimtari mund të shihte grumbuj të tërë kokash, këmbësh e duarsh të arabëve. Atypari s’mund të kalohej pa shkelur përmbi kufomat e tyre. Megjithatë, kjo qe vetëm një pjesë e asaj që u ndodhi atyre.”6

Me sa duket, shpirti urryes i kryqëzatës ende i bën hije botës perëndimore, tash dhe i çiftëzuar me aktivitetet e shtuara misionare që sa vijnë e fitojnë më shumë fleksibilitet veprimi në regjionet muslimane, duke formuar kështu një tjetër komplot defensiv për të liruar urrejtjen e tyre ndaj Islamit. Bota islamike vazhdon të jetë në fokus të ambicieve perëndimore, të fshehura nën maskën e fushatës kolonialiste, që rezultuan me okupimin e shumicës së botës muslimane dhe në përçarjen e tyre duke përmbysur kalifatin islamik Osman në vitin 1918.

Disa vite para kësaj date, më 1907, nën ndjenjën konstante të një kërcënimi të pritshëm nga Islami, Britania thirri për formimin e një komitetit të lartë nga shtatë vende kolonialiste perëndimore për të diskutuar rreziqet që u vijnë nga kalifati Osman. Komiteti nxori përfundimin se burimi i vërtetë i rrezikut ndaj tyre janë vendet arabe në kuadër të perandorisë Osmane dhe banorët e kësaj perandorie. Nga raporti në fjalë mund të përmblidhen rekomandimet në vijim:

Të punohet në krijimin e një gjendjeje të brishtë, kaotike dhe përçarëse në regjionin arab.
Të formohen shtete artificiale, që ndjekin vendet kolonialiste dhe u nënshtrohen atyre.
Të luftohet çfarëdo forme e unitetit mes banorëve të këtij regjioni, siç është uniteti shpirtëror, kulturor dhe historik.
Për hir të realizimit të tërë kësaj, duhet patjetër të përfshihet një barrierë njerëzore e jashtme (Izraeli), që do të jetë e fuqishme dhe, në përputhje me interesat e fuqive kolonialiste, do të personifikojë një forcë armiqësore ndaj banorëve të regjionit7.
Është më se e qartë se strategjitë e këtilla zbatohen edhe sot, të shoqëruara me fenomenin e islamofobisë, që në thelb përmban elemente të ndërlikuara dhe dimensione të thella. Për t’u përballur me këso komplote dhe fenomene, kërkohen përpjekje të përbashkëta nga bota islame, në mënyrë që të dilet me një strategji përfshirëse jo vetëm ndaj pjesës tjetër të botës, por edhe ndaj pjesëtarëve të fesë islame. Po ashtu, vetë ithtarët e Islamit kanë nevojë të mësojnë çka është Islami në të vërtetë, me qëllim që të trasohet rruga për prezantimin e tij ashtu siç kërkohet. Përpjekjet e sinqerta dhe të palodhshme janë të domosdoshme për të definuar mësimet e vërteta të fesë dhe për të realizuar zbatimin e përshtatshëm të tyre, në mënyrë që të tejkalohet gjendja e hipokrizisë dhe e keqkuptimit e cila mbizotëron në komunitetet muslimane.

Burimi: islamiconlineuniversity.com
Fundnota:

1. Christian Nordqvist, What is a Phobia? What causes phobia?, Research paper, Septembre 2014.

2. Jameel Matar, Dialog Among Civilizations … Politics First, Edition 325, page 57, 2006 – Arabic edittion.

3. Jameel Matar, Dialog Among Civilizations … Politics First, Edition 325, page 57, 2006 – Arabic edittion.

4. el-Bejheki, Shenjat e pejgamberllëkut dhe dija rreth kushteve të Sheriatit, Beirut: Dar el-Kutub elXhemi’jeh, 1985.

5. Le Bon, Gustave, The Arab Civilisation.

6. Le Bon, Gustave, The Arab Civilization.

7. el-Uweisi, Muhamed, Abdel-Fettah. Britain’s role in establishing of the jewish state (1840-1948),” Social Affairs, 75, pp.152.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit