3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Figura e dyfishtë e papa Gjon Palit II

Më të lexuarat

H. Omari

Pas aprovimit nga teologët të mrekullisë së dytë, Gjon Pali II do të shenjtërohet këtë muaj. Një kohë rekord, ashtu siç ishte edhe mekanizmi i shenjtërimeve dhe i lumturimeve të papës në fjalë i cili i pati thjeshtuar procedurat në vitin 1983. Nëse i referohemi shifrave zyrtare, në vitet 1600-1978, pothuajse për 4 shekuj, numërohen rreth 1000 persona të shenjtëruar dhe rreth 300 të lumturuar, ndërsa Gjon Pali II, vetëm në 27 vite, shenjtëron dhe lumturon 1300 dhe 480 individë, me të cilëve edhe personazhe si Alojzije Stepinac, bashkëpunëtor i dokumentuar i regjimit fashist Ustashia, Karli I, perandori (i fundit) austriak i Luftës së Parë Botërore, Piu IX, autoritar, antisemit, antidemokratik, dhe antiliberal i deklaruar, ndërkohë që mbeti pezull procedura e shenjtërimit (apo lumturimit) të Oskar Romeros, të vrarë nga forcat e djathta fashiste (fiolamerikane) të Salvadorit dhe i kritikuar nga Gjon Pali II si i afërt me opozitën (e majtë).

Pikërisht inflacioni i shenjtorëve ka qenë njëra nga kritikat specifike drejtuara Gjon Palit II nga teologu i mirënjohur Hans Kung. Më tej Kung rendit disa pika të tjera që ai, butësisht, duke mos i dhënë emërtimin e saktë, i quan kontradikta mes sjelljes së papës dhe fjalës së tij. Kështu, dialogu mes feve, aq i përzemërt në daljet mediatike të Gjon Palit II, sipas Kung zhvlerësohet nga perceptimi i besimeve të tjera si «forma fetare deficitare». Edhe ekumenizmi, aq shumë i propaganduar, për Kung-un ishte «maskim i politikës së pushtetit dhe të prestigjit të Vatikanit me fjalime ekumenike të shprehura nga dritarja e Pjaca Shën Pjetrit» që në të vërtetë «fshihnin dëshirën e nënshtrimit të Kishës Lindore nën primatin roman dhe rikthimin e protestanëve në shtëpinë atërore romano-katolike». Për rrjedhojë, dhe këtu teologu Kung bashkohet me zërat e studiuesve më të shquar në çështjet vatikaniste, Gjon Pali II u largua nga mësimet e Koncilit II të Vatikanit ku u hodhën bazat e dialogut të sinqertë dhe e reformave liberale brenda Kishës, por që Wojtyla dhe pasuesi i tij i mënjanuan.

I të njëjtit mendim duket edhe tek historiani Rudolf Lill (Die Macht der Päpste). Nga njëra anë ai vëren hapjen e jashtme, me dialog, celebrime festive (Dita e Rinisë), vizitat apostolike, udhëtimet e shumta, inflacionin e shenjtërimeve, shfrytëzimin e mediave, denoncimet e dhunës, mbështetjen e paqes, por nga ana tjetër shtohet pesha e autoritarizmit të brendshëm, që në terma historikë quhet absolutizëm. Mënjanimi nga Gjon Pali II dhe krahu i djathtë, konservatori Ratzinger, i zërave të kundërt si Schillebeeckx, Balasuriya, Boff, Bulányi, Curran, Fox, Drewermann, Gaillot dhe Huntington, i jep të drejtë historanit. Njeri nga veprimet e dukshme të konservatorizmit është mbështetja pa kufi e lëvizjeve radikale tip Opus Dei, deri me emërimin e anëtarit të tyre Joaquin Navarro-Valls si drejtor i zyrës së shtypit të Vatikanit. Po kështu urdhri i shumëpërfolur “Legjionarët e Krishtit”, i cili që në emër është ofensiv, për të mos harruar se themeluesi i tij, Marcial Maciel Degollado, megjithëse i akuzuar për pedofili, mbrohej nga Gjon Pali II. Lëvizja tjetër e afërt me Kishën, “Comunione Liberazione”, ka regjistruar përfshirjen në skandale korrupsioni e manovra politike. Janë të mirënjohura dhe po aq të pasqaruara skandalet financiare që përfshinë Vatikanin, Banco Abrosianon, mafien dhe financimet për diktaturat e djathta (Roberto Calvi, Michele Sindona, arqipeshkvi Marcinkus, etj). Në lidhje me diktaturat, për shembull, BBC-ja raportonte në vitin 1999 se Gjon Pali II ndërhyri tek autoritetet britanike për të penguar ekstradimin e Augusto Pinochet-it në gjykatat spanjolle.

Ajo që rëndom në shtyp përcillet si “mea culpa” e Kishës për padrejtësitë e kaluara, e shprehur nga Gjon Pali II, sipas Kung – dhe këtu citon papën – është «fajësim i bijve edhe i bijave të Kishës», por jo i autoritetit papnor. Nuk mund të ishte ndryshe sepse doktrina e “Pagabueshmërisë së Papës” ka qenë shtylla e veprimtarisë së Gjon Palit II. Ndërsa Kisha del e pastër nga veprimet e zymta shekullore.

Aspekt tjetër i paradokseve është maskilizmi dhe patriarkalizmi. Asnjë hapje nuk u regjistrua, sipas Kung, në raport me femrat, megjithëse kulti i Shën Mërisë u propagandua gjithandej nga Gjon Pali II. Kundërshtimi i abortit, i divorcit, i kontracepsionit, i martesës së klerit – ndryshe nga sa ç’përcakton dogma dhe nga sa ç’veprohej në mijëvjeçarin e I pas Krishtit – janë disa nga kontradiktat e tjera të vërejtura nga Kung. Mulieris Dignitatem, letër e Gjon Palit II, botuar në vitin 1988, pranon në parim barazinë mes mashkullit dhe femrës, por e pengon femrën nga kalimi në sferat mashkullore.

Por teologu është kritik fillimisht dhe kryesisht ndaj strukturës së Kishës gjatë periudhës së Gjon Palit II. Dihet se që me Gregorin VII (shek. XI) Kisha mori në vija të përgjithshme formën e centralizuar të sotme. Kjo u përforcua me Kundërreformën dhe sidomos me Koncilin I të Vatikanit dhe në fillimet e shek. XX, ku mund te veçohet Codex Iuris Canonici (1917) në të cilin theksohet supremacia e padiskutueshme e papës, pra pushteti absolut. Kung ndalet tek raporti i paekuilibruar i Kishës me Evropën, ku ndonëse Kisha tenton të ndërhyjë në politikën evropiane në mënyra të ndryshme, ajo akoma nuk e njeh «Deklaratën e të Drejtave të Njeriut të Këshillit Evropian: duhen reformuar shumë kanone kishtare, absolutiste dhe medievale». Principi themelor i të Drejtës Moderne, «ndarja e pushteteve», vazhdon Kung, «është e panjohur për Kishën katolike».

Në lidhje me këtë aspekt autoritar, Lill ndalet tek Codex-i i cituar. Në qoftë se, thekson Lill, Koncili II i Vatikanit e zbuti ose të paktën hapi debatet mbi autoritetin absolut të papës, Gjon Pali II, me shpalljen e Codex-it të ri (1983), u rikthye në hapat e fillimshekullit të XX, duke zhvlerësuar praktikisht edhe ato pak të drejta që teorikisht i njiheshin kolegjialitetit. Ashtu si në vitin 1917 (neni 329/2 dhe 332) edhe pas vitit 1983, sipas Lill, «papa emëronte ipeshkvit […] duke përjashtuar çdo kooperim efektiv me kishat lokale». Historiani sqaron se akti i “Betimit të Besnikërisë” i klerikëve (e një pjese) i kërkuar nga Gjon Pali II dhe Ratzinger në vitin 1989 megjithëse e kushtëzon besëtarin të pranojë strukturën autoritare, nuk duket ngatërruar me “Betimin Antimodernist” që (Shën) papa Piu X shpalli në vitin 1917. Praktikisht me betimin e Piu-t X përjashtohet çdo opozitë brenda Kishës dhe Gjon Pali II i afrohet këtyre pozitave, duke e rikthyer Kishën parimisht në fillimet e shek. XX, në mos më thellë. Tjetër pastaj janë buzëqeshjet, mesazhet mediatike, udhëtimet e fjalimet romantike, të cilat, sipas Kung dhe Lill, boshatisen si rezultat i mospërputhjes me veprimin që i shndërron mjaft qëndrime të Gjon Palit II në retorika aspak serioze dhe larg nevojave të komunitetit. Përdorimi si argument i “turmave që dyndeshin për ta pritur Gjon Palin II” qëndron nëse kërkohet të evidentohet aftësia e tij komunikuese, karizma, përdorimi i mjetit “media”, pasi jo gjithmonë tifozeria dhe entuziazmi kolektiv dëshmojnë virtytin e personit që i adresohen. Duke hyrë në thelbin e veprimeve, me papatin e Gjon Palit II vërehet një kthim prapa drejt autoritarizmit papnor, drejt patriarkalizmit, frenimit të çdo shtyse demokratizuese brenda Kishës, ndonëse ai vetë ishte i pari që kërkonte liri.

Këtë muaj, pra, do të shenjtërohet aftësia e menaxhimit, e diplomacisë, e oratorisë, e retorikës publike. Të gjitha këto janë mjetet e politikanit, e artistit që ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Mesazhi është se edhe një politikan mund të jetë i shenjtë./e-zani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit