Në botën e sotme, telekomunikimi është zhvilluar dhe përshpejtuar shumë, por shumë gjëra që fliten në realitet nuk janë aspak të vërteta. Shumë shpesh ndodh që derisa e vërteta të shpaloset, bëhet shumë vonë dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha e të paevitueshme. Është shumë me rëndësi që para se të flasim, të jemi të sigurt se ajo që do të themi të jetë e vërtetë dhe me këtë nuk mbartim ndonjë lloj trillimi apo gjëra të shpikura, siç ndodh me ca njerëz që për motive personale trillojnë tregime e shpifje të ndryshme.
Veç kësaj, ndodh që të flasim pas shpinës së njerëzve, sepse nuk kemi guxim t’ua themi në sy çfarë na shqetëson. Nganjëherë edhe i tallim. E vërteta pikëlluese është se kur flasim për njerëzit, bëhemi shumë të pavetëdijshëm, duke mos i vërejtur dëmet që shkaktojmë. Nganjëherë bisedat na çojnë deri aty sa t’i lëndojmë njerëzit shumë keq. T’i hedhim një sy ajetit:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për ç’keni vepruar.”El-Huxhurat (49), ajeti 6
Ajeti i lartpërmendur na mëson qartazi se kur të marrim ndonjë lajm, doemos duhet të sigurohemi se vërtetë lajmi apo informata e dhënë është e vërtetë, përndryshe mund të shkaktojmë dëme dhe vuajtje të mëdha. Është e rrugës që ta bëjmë shprehi rikonfirmimin dhe vërtetësinë e çdo gjëje që na është thënë dhe pasi të jetë konstatuar se ajo është e vërtetë, atëherë mund të flasim rreth asaj çështje çfarëdo qoftë ajo. Mirëpo në rast se nuk jemi aq të sigurt rreth saj, është mirë që të heshtim e të mos flasim fare, për arsye se edhe duke pasur qëllime mjaft të mira dhe të pastra, ato mund të lëndojnë njerëzit e bile lëndimet që i shkaktojmë, nuk munden as të evitohen. Allahu xh.sh. thotë:
“O ju që besuat, nuk është mirë që një popull të tallet me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga përqeshësit, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që të përqeshurat të jenë më të mira se përqeshëset; dhe mos e etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq që të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen janë mizorë.”El-Huxhurat (49), ajeti 11
Kur tallemi me njerëz, përqeshim dikë apo i etiketojmë ata me ndonjë llagap të papëlqyer, të gjitha këto i marrim si të lehta. Duhet pasur parasysh se ka njerëz të cilët vërtetë janë sarkastik dhe pa marrë parasysh se a janë në dijeni apo jo, ata me sarkazmën e tyre i lëndojnë njerëzit shumë thellë. Nga ajeti i lartshënuar shohim Madhërinë e Krijuesit, që kujdeset për ne edhe në çështjet e imëta të jetës sonë të përditshme.
Pavarësisht nga ajo nëse përqeshëm të tjerët apo qemë objekt i përqeshjes, në të dy rastet do të lëndohemi. Kur përqeshim njerëzit, kemi bërë gjynah dhe, herët ose vonë, pa dyshim do të dënohemi për gjynahet e bëra. Ndërsa për sa i përket rastit të dytë, jemi ne ata që lëndohemi, për arsye se kur njeriu të merret si objekt talljeje dhe përqeshjeje, është vërtet një gjë e pakëndshme. Për pasojë, mund t’u shkaktojmë njerëzve vuajtje, ku si rrjedhim mund të shkohet deri aty sa njeriu t’i japë fund që kurrë më të mos takohet me askënd. Kurani Famëlartë na e tërheq vërejtjen në lidhje me këto vese të shejtanit, në mënyrë që të jemi më të vetëdijshëm mbi atë që është e mirë dhe e keqe. Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:
“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë gjynah; mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit e mos përgjoni njëri-tjetrin; mos dëshiron ndonjëri prej jush që të hajë mishin e vëllait të tij të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai e pranon shumë pendimin.”El-Huxhurat (49), ajeti 12
Nganjëherë kur bëhem dyshuese, e ndiej sikur shejtani është afër meje. Do të thosha se përgjimi është edhe më i keq, për arsye se kur dikush përgjon dikë është mendim shumë i keq, të cilin e pasojnë veprat e këqija, kështu që përfundojmë së foluri pas shpinës së njerëzve, ndërsa ata nuk janë në gjendje të mbrohen. Ne gjithsesi duhet t’u shmangemi sjelljeve të tilla. Ju lutem, kushtojini vëmendje këtyre ajeteve, pasi të gjitha i janë drejtuar besimtarëve, duke thënë: “O ju që keni besuar!” Këto janë disa veti e veçori që duhet t’i mënjanojmë me përqafimin e fesë islame. Si mund të themi që besojmë në Zotin e përsëri vazhdojmë të sillemi sikur s’ka Zot? Të përgojojmë të tjerët pa vërtetuar nëse ajo që themi është e vërtetë apo jo. Po ashtu, kur dyshojmë në diçka apo flasim keq për të tjerët, përqeshim, merremi me fjalë të ndyta, i etiketojmë njerëzit me llagape dhe nofka të papëlqyeshme, të gjitha këto i ngjasojnë ngrënies së mishit të vëllait tonë për së vdekuri. Jam e bindur se askush prej nesh nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.
Haxhah Liza Abdullah
Shqipëroi: Mr. Feim Dragusha/klubikulturor/kohaislame