-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

O durimtarë fundi yt është Xheneti!

Më të lexuarat

Përgëzoji durimtarit!

Falënderimet dhe lëvdatat i takojnë Allahut, Një të Vetmit! Paqja, mëshira dhe bekimet qofshin mbi të dërguarin e Allahut Muhamedin, pas të cilit nuk ka profet tjetër!
E në vijim:

Durimi është gjysma e besimit, është morali më fisnik me të cilin zbukurohet njeriu. Me anë të durimit njeriu bëhet i qëndrueshëm në rrugën e drejtë. Me durim i kryen obligimet e fesë dhe distancohet nga mëkatet.
Nisur nga sa më sipër, e pamë të nevojshme të hedhim dritë rreth vlerës së ‘durimit’, llojeve të tij, gradëve të tij, dobive që përftohen prej tij, gjendjes së njerëzve lidhur me të, si dhe të hedhim dritë rreth çështjeve që e cënojnë dhe e mangësojnë atë.
Të tregosh për vlerën e këtij morali të vyer dhe ta promovosh atë tek njerëzit, nuk është asnjëherë e tepërt. E sidomos në kohën që jetojmë, në të cilën janë shtuar fatkeqësitë dhe janë përhapur çorditjet dhe paqartësitë, saqë njeriu i cili është i qëndrueshëm në fenë dhe besimin e tij, e ndjen veten në mesin e shoqërisë si ai që mban prushin e ndezur në dorën e tij.
Nevoja e njerëzve për t’u pajisur me durim është jo më pak e rëndësishme sesa nevoja që kanë për ushqim dhe pije.
Allahun e Madhëruar e lusim të na bëj të durueshëm në kryerjen e obligimeve, në distancimin nga e keqja dhe në përballimin me sukses të sprovave dhe fatkeqësive!
Në dorën e Tij është gjithçka dhe Ai për çdo gjë është Fuqiplotë!

Domethënia e durimit

Durim do të thotë: “Të tregohesh i përmbajtur gjatë hidhërimit, ta frenosh gjuhën nga ankimi, dhe t’i ndalësh duart nga goditja e fytyrës dhe shqyerja e teshave gjatë fatkeqësive të kobshme.”
Durimi është ndër virtytet më të çmuara të njeriut, pasi nëpërmjet tij njeriu frenohet nga thënia e fjalëve dhe bërja e veprimeve të nxituara e të gabuara.
Durimi i mirë është tregues i forcës së vullnetit. Me anë të durimit njeriu e pastron dhe e lartëson shpirtin e tij.
Disa e definojnë durimin me fjalët: “Të jesh i qëndrueshëm (në besim) gjatë varfërisë dhe sprovave, njësoj siç je kur ke bollëk e rehati.”
Kjo nënkupton faktin se njeriu obligohet që ta adhurojë Zotin e tij kur është në rehati dhe kur është në vështirësi. Gjatë periudhës së rehatisë dhe jetesës së mirë, muslimani duhet të shtojë falënderimin për gjendjen e mirë në të cilën ndodhet. Ndërsa kur përjeton vështirësi dhe sprova, duhet të bëjë durim për ta kaluar me sukses gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet.
Xhunejdi e ka përkufizuar durimin me fjalët: “T’i bësh ballë hidhërimit pa u ligështuar.”
Ndërsa Dhun-Nuni e ka përkufizuar me fjalët: “Të distancohesh nga mëkatet, të ruash gjakftohtësinë gjatë momenteve të hidhërimit, dhe të ruash dinjitetin kur sprovohesh me skamje dhe varfëri.”
Durimi shërben si fre për shpirtin e njeriut, ashtu siç shërben kapistalli për të drejtuar kafshën. Nëpërmjet durimit njeriu e drejton shpirtin e tij për te kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij. Ndërsa në të kundërt, njeriu të cilit i mungon freri i durimit, do ta humbasë rrugën ashtu siç e humb rrugën kafsha pa kapistall; nuk dihet se çfarë drejtimi merr.
Njëri nga dijetarët e hershëm këshillonte duke thënë: “Frenojini shpirtërat tuaja nga e keqja, se nëse i lini shpenguar, ato janë të prirura për çdo mynxyrë!”
Allahu i Madhëruar e mëshiroftë atë njeri i cili i vë fre shpirtit të vet për ta drejtuar në bindje dhe dëgjueshmëri ndaj Zotit dhe për ta larguar nga e keqja! S’ka dyshim se durimi ndaj mëkatit është shumë më i lehtë sesa durimi ndaj dënimit të Allahut.
Nga çfarë është thënë më sipër, konkludojmë se domethënia e vërtetë e durimit është që ta orientosh shpirtin për nga e mira dhe ta frenosh nga e keqja.
vijon…

Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad
Përktheu: E. Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit